Ndër gjurma të leximit të Gjamës së Eres! esse nga Jozef Radi

Dr. Erenestina Halili

Dr. Erenestina Halili – Gjergji

Ndër gjurma të leximit të Gjamës së Eres!

esse nga Jozef Radi

Leximi i poezisë asht si nji shteg që diku të qet te magjia e botëve të reja e diku tjetër t’len habitun midis pyllit! Kështu m’ndodhi edhe me Poezinë e Ernestina Gjergji – Halilit…
Nji mëngjes vere, ndër shetitje virtuale ndesha n’poezi të saj dhe drejt me thanë, s’mujta që mbas atij leximi t’kandshëm, pothuej nji t’panjoftune, mos me lanë nji shënim modest po tejet vlerësues për çka ndjeva!
Mbas atij shënimi, erdh nji e përditshme leximesh të pandame ndër poezi të Eres… mandej erdhën do diskutime përditë e ma etuziaste deri ditën që krejt çka ishte shkrue e lexue u nis me u ba libër e: “Gjamë e Ere!”
Nji udhëtim, që besoj se ka me vazhdue gjatë, e ka m’u bà si ata rrathtë e nji guri t’hjedhun ndër ujna, që shkojnë veç tuj u zgjanue!
E përditshme poetike gjithnji e ma e plotë e gjithnji e ma joshëse grumbulloi rreth vedit jo vetëm lexim e entusiazëm, por poezia e Eres po trazonte ujna e qiej, borë e male, (si veç Era mundet me trazue), dhe ajo çka ti ke ndje e nis me e kallzue hollsishëm, të shtyn me dyshue edhe n’vedin, nëse çka ti përpiqesh me shkrue dhe artikulue si duhet asht nji e vërtetë e tetueme apo diçka e përjetueme n’kufijtë e fantazisë!?

Si lind poezia e si bahet libër?

Më duhet m’e përsëritë se Poezia e Eres edhe pse e tevonë, ajo as e ka mendue m’i thurë e m’i vnue gjethe larit vedit si poete. Vërtet, shumçka në jetë të saj pati nji dinamikë t’vrullshme pasionesh e do maja të mbrrituna lakmueshëm, po kjo mbrritje e tevonë poetike e saj, u shfaq njashtu befas, vrullshëm e rryeshëm, si vazhdim e krejt atyne pasioneve të nyjtueme thekshëm mbrenda saj. Befasia qindron në faktin, se sa bukur ajo ka mbrritë me i ruejtë e me i selitë n’thellsi të vedit, sa bukur ia ka sosë asaj dite me e xanë ma s’parit vedin n’çark, mandej si pa u ndje edhe krejt ata tjerë që janë vërtit rreth muzës poetike të saj!
Si lexues i mprehun, mundem me thanë se Poezia e Eres ka qenë ma s’pari habi e mahi, mandej me kohë asht ndje si shkulm të trazuem ndjesinash, që mbrritën me marrë trajtën ma të epërme poetike, herë tuj e përkitë thelbin e shpirtit të saj, herë tuj gërmue ndër kohna, ndër vende e ndër shpirtnat e krejt atyne që e kanë përndritë, dhe kanë lanë druj të ndezu, gaca zjarri e pluhun drite mbrenda saj…
Prej ma s’parës ditë kur rashë n’vargje të Eres ndesha n’hov t’nji grueje t’rrokun thekshëm kah dallga e poezisë, mandej gjeta nji tjetër grue që krejt jehonat e gjakut dhe tamblit i kish ba palmuç n’jetë të saj dhe tash me shpirt ndër dhambë rrekesh me gjetë fillin e me i qit n’dritë nji kah nji, deri në njat ditë që i zateti mendja se shpirti i saj duhej kthye n’libër, nji libër i ngërthyem mbrenda qenies së saj, e për të cilin kish qenë ma se e bindun se i mjaftonte veç me i hapë e me mbyllë sytë… dhe gjithçka kishte me u krye…!
Ruejna Zot Rrezikut!
E para gja që mendoja ndër orteqe bisedash e debatesh letrare, asht me i lanë në paqe e mos me trazue njerzit n’zjerm të fjalës e n’dalldi të hovit tyne… Nëse asht e mundun me i nxitë e me i përkrahë mirë, përndryshe hesht e shko! Nëse t’mirkuptojnë je i fituem edhe ti edhe tanë tjerët… Përndryshe hiqu anash, banu sa ma i padukshëm e i paprekshëm n’at entuziazëm që ditë mbas dite nis me t’pushtue edhe ty!
E Poezia e Eres çdo mëngjes rrezllente n’dritë të saj!
Guxoj me e thanë se kam ushqye nji dozë bajagi të madhe mosbesimi të pashfaqun në kët libër të hovtë të saj… Në t’vërtetë jam gabue mjaft!
Pse Poezia e Erës, u ba stuhi e kapërceu çdo mosbesim e ndërdyshje! Me nji shpejtësi të pabesueshme ajo përmbysi gjithçka ndeshi rrugës, mobilizoi pa e kuptue krejt nji makinë emotive të sajën e të botës dhe fryma e saj jo vetëm u ba libër, po edhe libër që ndoqi shtigje të rrezikut, libër që andrroi me u ba shtrëngatë gjimuese e nji shpirti rrebel, i cili me nji lehtësi të habitshme u fut ndër lexues  të shumtë e të ndryshëm dhe u ba diçka fort e dashtun. Ma së pari Era e kish testue vedin tuj ndjekë krejt rrugtë e reja të komunikimit; tuj e sjellë përditë e nga pak shpirtin e legjendave dhe të eposit; tuj i trazue kohnat, njerzit e harruem dhe vedin; tuj e sjellë gjithçka aq ambël në trajtë statujash të gdhenduna sa me fllad bjeshke aq edhe me dhimbë shpirti!
Ditë mbas dite tuj rrokë nji hapsinë gjithnji e ma të gjanë Era mbrriti me u ba Gjamë! Dhe ardhja e librit “Gjama e Erës” pa frikë mund të kqyret e të vlersohet si ndër fenomenet poetike ma të randsishme të kohës që jetojmë! Nji libër tejet guximtar i nji kohe luhatjesh, për të cilin s’mund të flitet ndrysh, përpos zhytjes thellë e ma thellë në nështresat e leximit disa planesh, e s’mund të kuptohet përpos dashnisë dhe magjisë që përcjell ai, e që mundet me e lindë veç grueja dhe poezia, dhimbja dhe jeta, gjaku dhe gjuha…
E këtu m’duhet me u ndalë pak, e me kërkue sërish ndjesë pse s’kisha besue sa duhet n’poezi të Eres, pse s’e kisha parapà kët libër të ngjizun llave të saj!

Erenestina Halili - "Gjama e Eres" - Poezi

Erenestina Halili – “Gjama e Eres” – Poezi

Pse lind nji libër?

Nji libër lind në njimijë mënyra e për njimijë arsye. Po mundet me u lindë edhe si trill! Pyetja shtrohet: A asht “Gjama e Erës” nji trill! Ndoshta po… e ndoshta jo! Trill edhe  mundet, sepse ndodh që njeriu mbasi ka realizue njimijë gjana n’ jetë të vet,  guxon me iu avitë edhe t’njimijenjitës, nji lojë tejet të rrezikshme me vedin; kur jetën e ka ndërtue gur mbas guri, e rrasë mbas rrase, me fort durim, kujdes e largpamsi. Ma shumë jo, sepse akumulimi i thellë, i ndryem kushedi se ku, kushedi se si e kushedi se pse, mbrenda shpirtit femnor befas shfaqet vrullshëm, mbasi veç kështu munden me diktue pak përdhunshëm ajo poetikë që sjell risi!
Ndoshta ky gulsh shpirtnor ku janë kapërthye kohna e njerëz, vende e gjendje, mite dhe legjenda ka përputhë Njeriun dhe Fjalën…! ndoshta shpirti femnor aq guximtar me përballue ksi sfidash, ka ça para i bindun se edhe në humbje ka me vedi fitimtarin…!? ndoshta asht kjrijue si nji lojë e ambël me rrezikun…!? Ndoshta! Por kur e kqyrim me qetsi tash që ai ia ka mrritë qëllimit, ndjen të gdhendun në fytyrë nji habi mahnitse… dhe veç nemitesh!

Pse Gjamë dhe pse e Erës!

Me hy në kështjellën e këtij libri ma se pari duhet me u ndalë e me rrahë fort portën prej kah ai asht nisë!
Gjama në vetvedi asht nderim i epërm ndaj nji burri me emën, i lshuem prej burrash fort të nderuem! Asht humbja e madhe që sjell nji gjamën të madhe! Ky rit i ardhun prej humnerave të kohës, duket se ende lshon dritëhije  këtyne anve! Pse Gjama asht përzgjedhë si kryefjalë në këtij libër të parë në kohë të mbrame?!… dhe pse e Gjamë e Erës…? në nji dikotomi mes Grahmave të Natyrës dhe Njeriut me Shpërthim n’emën?! Pse kjo thurje e shthurun që kërkon me mbrritë e me lshue kumte të harrueme!?
Dhe ti mbasi e len misterin e librit te porta e kullës, rrekesh me iu futë galerive e me gjetë shpjegimet mbrenda saj…!
Nuk e di n’se mund të ketë ndonji shpjegim të saktë poetika e së pashpjegueshmjes?! Veç me kohë e me gjansi leximesh munden me u kuptue si duhet do rrasa gurësh të nguluna thellë n’gjak malsorësh e kohnash!! Mendoj se asht tejet herët me thanë diçka ma t’përtejme… E vërteta asht se kjo poezi që godet shumkend, me nji fluiditet misterioz asht tuj mbledhë konsens përditë e ma tepër…
Prandaj Poezia e Eres duhet lexue dhe rilexue. Ajo ka me vazhdue me u ba e dashtun edhe ma è dashtun. Ma së pari pse asht poezi, edhe pse asht muzikë, edhe pse asht moderne, edhe pse asht poezi që vjen prej trojesh të lashta kange e bjeshkësh të nemuna qëndrese, pse asht frymë e filtrueme dhe e ngujueme ndër shpirtna t’regjun po edhe ndër mendje të freskta e fluide; pse asht epikë dhe lirikë pa fort dukë e jehonë; pse asht thelb e substancë që kohnat e kanë depozitue ndër ne edhe njashtu pa u kuptue!
Si lexues i hershëm i tevonës poetike të Eres, si ndërfolës i saj qyshse ajo iu nis këtij libër, mundem me thanë se ajo ka tejkalue çdo përmasë të parashikueme me poezinë e vet… Ajo ia  mbrriti që magmën e mshehtë të shpirtit të vet me e derdhë hijshëm çka pakkush e mendonte dhe besonte. Ajo e meriton vlerësim veç tjerash, pse guxoi me luejtë me vedin poetikisht ndër trajta sa klasike aq edhe moderne të verbit, pse guxoj me përdorë si landë gjuhsore shpirtit e të parëve të vet, gja që pakkujt ia rrokte mendja; pse guxoj me përdorë si “kalë beteje” diçka ende të përçmueme… Për tana çka përmenda e tjera që kanë me i shoshitë edhe tjerë, “Gjama e Erës”, asht ngjitje në piedestal e asaj çka heshtte në humnerë…!
Se kajherë njeriut i takon me mendue çka vështirë mund thuhet, me kërkue ndjesë për çka s’e kishte besue, nëse ngjizja e këtij libri s’do të kish ndodhë bash nën sytë e tij! Ndaj guxoj me e thanë se, “Gjama e Erës”, ka rrugë të gjatë me bà ndër lexime e ndër lexues!
18 nandor 2016

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Kafe letrare  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook