back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nata e Zezë e 22 shkurtit, 1951 – nga Filip Guraziu

Gazeta

Familja Guraziu, nji muej para masakrimit të Pjerin Guraziut
Familja Guraziu, nji muej para masakrimit të Pjerin Guraziut

Nata e Zezë e 22 shkurtit, 1951

nga Filip Guraziu

Prologu

Në shkurt të vitit 1951, në moshën shtatëvjeçare frekuentojsha klasën e dytë fillore në shkollën “Ali Demi”, në Tiranë, që ishte vetëm 100 m. larg shtëpisë ku banojsha.
Duket se faktori moshë nuk më pati lejue ose nuk më pati mundësue ndërgjegjësimin e përjetimin real t’asaj situate “të pandigjueme e të papame” që po kalonte shoqnia shqiptare me instalimin e diktaturës komuniste: Dhuna s’kishte mbarim; arrestime në rrethin familjar, pushkatime në rrethin miqësor, internime familjesh, shpronësime, nxjerrje me urdhën prej shtëpive, mungesa e fjalës së lirë etj., sepse kujtimet e mia lidhen kryesisht me mjedisin e dashun familjar, me gëzimin e entuziazmin që më krijonte njohja me shokët e ri të shkollës (ndër të cilët kujtoj Hajredin Fratarin) si edhe me lojnat sportive, sidomos atë të futbollit me top pecash e porta të kufizueme me gurë, pa harrue “gjuetinë” me lastik…
Ndryshe prej të mëdhajve, jeta ime rrjedhte e qetë; më kujtohet që baba Pjerin (Pjetër), n’atë kohë në moshën 44 vjeçare, ishte jashtëzakonisht i ngarkuem në detyrën e tij si shef finance në ministri, sepse kthehej shumë vonë prej punës, vetëm të dieleve ishte pranë familjes, paraditja e së cilës kalonte me pjesëmarrjen (familjarisht) në meshën e Kishës Françeskane e vizita të shkurta në familjet e miqve. Kur Lana kishte ujë pak, ndiqshim rrugën ma të shkurtë për me shkue te Kisha tue kalue mbi disa gurë të mdhaj të pozicionuem mbi shtratin e vijës ujore.
Tingujt e pianofortes në shtëpi ishin të përditshëm, muzika më krijonte nji ndjesi të veçantë. Notat muzikore i pata nxanë përpara shkrimit në shkollë sepse axha, pianisti Tonin Guraziu, pati përdorë “figura vizatimore” si ndihmë për me kuptue notat (nji “rreth” donte me thanë nota “re” etj). Ndigjojshe që axha i thonte të tjerëve se Filipi ka talent për piano, suksesi i im i parë (dhe i fundit) pati qenë nji koncert në radio Tirana në moshën 6 vjeçare.
.
Filip Guraziu
Filip Guraziu

Rrfeja në natën me yje

Në thellësinë e natës së 22 Shkurtit, të ramet e forta të derës së shtëpisë, ma nxorën gjumin, hapa sytë e mbeta i çuditun… Të tanë ishin të çuem e në lëvizje; mbas pak, baba Pjerin iu afrue derës së jashtme e, me za të fortë, pyeti: -Kush jeni e çka doni në kët orë të vonë ?
Nji za u ndigjue prej jashtë: – Hape derën, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll!
Baba vazhdoi: -A asht me ju përfaqësuesi i Këshillit të Lagjes, filani…? -Pa praninë e tij, nuk ju hap derën!
Nji za prej jashtë, urdhnoi njerëzit e tij: Urgjent sillni këtu përfaqësuesin e Këshillit të Lagjes….
Ra heshtje…, baba erdhi me shpejtësi në odën e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios, veprimin e kuptova… (sintonia duhej me qenë te Radio Tirana…!)
Mbas pak u ndie zani i përfaqësuesit të Këshillit të Lagjes, e baba hapi derën: Tre njerëz të veshun me tesha ushtarake u futën mbrendë. Njeni, duket kryetari i grupit, pyeti babën; -Ti je Pjerin Guraziu? – e pa marrë përgjigje, me za të naltë i tha “Në emër të popullit, je i arrestuar! Do vish me neve për një sqarim në Degën e Punëve të Brëndshme, bëhu gati!
Heshtje vorri në shtëpi… Nana ndihmoi baben për përzgjedhjen e teshave… Baba veshi tabaren e tij të trashë të zezë prej leshi, vuni kapelen republika (nën vrojtimin e panderpremë të rojes) e doli në korridor ku e izoluen në nji qoshe.
Vetëm mue si fëmijë më lejuen t’i afrohem. Kurrë nuk mundem me e harrue atë skenë që fatalisht paska pasë qenë e fundit! Baba kërkoi barnat që merrte kundër sëmundjes së ulçerës e pyetjes së Dadës së shtëpisë, Dilës: “Çka na bane more Pjerin, more në qafë vedin e familjen?”, iu përgjegj me za të naltë për me e ndie të tanë: – “Mos u bani marak, rrini të qetë, jam i pafajshëm, nuk kam ba kurrgja, çdo gja ka m’u skjarue e shpejt kam me u kthye në shtëpi!”
Hijet e natës erdhën, morën me vete babën dhe u zhdukën në errsinë…
Të nesërmen u muer vesh se në Tiranë, gjatë netëve 20 deri 22 Shkurt ishin arrestue mbi 170 vetë…!
Nji ditë mbrapa erdhën lajme se shumë prej atyne që ishin arrestue, kishin fillue me u lirue., lajme që zgjuen shpresën në familje për lirimin edhe të babës, për të cilin të gjithë kishin besim të plotë se ishte i pastër, sepse ai dinte: “vetëm punë e familje e vetëm familje e punë…” Kaluen ditë e baba nuk u kthye, por shpresa ishte e fortë, të tanë kishim besim…!
Ndër ato ditë ankthi e trishtimi, mue më çuen çdo ditë në shkollë, vazhdojsha me zor mësimin, mendjen e kisha tjetërkund…
Në datën 27 Shkurt 1951, në orën e dytë të mësimit, erdhi motra (Sisi) në klasë e më mori për në shtëpi. Gjeta shumë njerëz, përveç pjestarve të familjes sime dhe të Zef Guraziut (axha i babës) me kujtohen; kushrini Emil Shiroka e shoku i babës Ing. Filip Geci. Të gjithë të veshun për zi! Heshtje e vajtime, vajtime e heshtje; heshtje e vajtime, vajtime e heshtje…!
Atë moment kuptova se në vend të ardhjes së babës, kishte pasë ardhë nji pusull me shkrimin :
“Pjerin Guraziu është pushkatuar si armik i popullit e i Partisë…” Rrfeja komuniste kishte mblue në zi familjen e Pjerin Guraziut e kishte përplasë përtokë, pa ndjeja, të vejen 36 vjeçare të Pjerinit, nanën Inda!
Diktatura e proletariatit kishte triumfue mbi pafajsinë…
.
Të ekzekutuarit e Bombës në Ambasadë Sovjetike
Të ekzekutuarit e Bombës në Ambasadë Sovjetike

Epilogu

Mbas 40 vjetve, në 10 Gusht të vjetit 1991, me urdhën “prej nalt”, Plenumi i Gjykatës së Naltë rishqyrtoi proçedurën ligjore të masakrës terroriste të 26 Shkurtit 1951, ku u torturuen e u pushkatuen baba Pjerin dhe 21 intelektualë të tjerë e doli me vendim: “Prishjen e vendimit Nr. 64, datë 27.02.1951, të Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të…, tue argumentue se:
“Të 22 viktimat e 26 Shkurtit 1951, ishin të pafajshëm, nuk kishin lidhje me akuzën e ishin pushkatue pa proces gjyqsor, por vetëm me vendim terrorist të Byrosë Politike enveriste. “Gjyqi i montuem” i cili ishte tentue me u organizue mbas pushkatimit të 22 intelektualëve, në realitet ishte nul, mbasi në vendimin e tij nuk figurojshin firmat e trupit gjykues”.
Në vjetin 1993, falë përkushtimit të z. Hysen Shehu, u zbulue “gropa e kuqe” ku patën qenë hjedhë të gjallë e mandej pushkatue të 22 viktimat e 26 Shkurtit (kjo e vërtetueme prej faktit se eshtnat e gjetun në “gropën e kuqe të gjakut” ishin të lidhun me tela e se në pjesën e sipërme të kafkave të viktimave dalloheshin birat e plumbave). N’at gropë, përveç eshtnave, dallova e mora në dorë edhe copat e tabares së zezë të babës Pjerin, emocioni thirri kujtesën e kujtesa më solli përpara korridorin e shtëpisë, tabaren e zezë prej leshi e babën në kambë, i qetë që prej larg më lente nji porosi: Kurrë, komunizëm!
Me vendim unanim të famijarëve te viktimave, të 22 intelektualët e martirizuem u vorrosën së bashku në nji vorr monumental në Tiranë.
Pjerin Guraziu së bashku me 21 “Martirët e Pafajsisë”, me vendim të Presidentit të Republikës së Shqipnisë, z. Bamir Topi, në vitin 2011 u shpallën “Nderi i Kombit”.
.
F. G. (Pjesë e librit “Dromca kujtimesh”, dërgue për publikim)
.

Cv. Pjetër Filip Guraziu (sintetike)

-Leu në rrugën e Gurazezve, Gjuhadol, Shkodër, datë 30.10.1906 në familjen Gurazezve me kontribut qytetar, kulturor dhe patriotik.
-Në vjetin 1912, në moshën 6 vjeçare, transferohet me familjen në Bari-Itali, ku arsimohet. Përfundon Shkollen e mesme Tregtare e në vjetin 1929, merr doktoraturën për Ekonomi pranë Universitetit të Barit – Itali.
-Gjatë vjetëve të universitetit shpërthen si talent në atletikë tue u shpallë disa herë kampion i Universiadave italiane në vjetët 1924,1925 etj. Rezultati në ‘kërcim së gjati’, i kapun në vjetin 1925, në moshën 18 vjeçare prej 6.15 m. përban rekordin e parë të dokumentuem në historinë e atletikës shqiptare. Në vjetin 1930, shpallet Kampion Kombtar në atletikë për garen stafetë 4x100m – Tiranë.
-Kthehet në Shqipni në vjetin 1929 dhe fillon punën si pedagog pranë Shkollës se Mesme Tregtare në Vlonë. Mbrapa punësohet si drejtor në Doganën e Tiranës. Gjatë vjetëve të okupacionit italian tërhiqet në aktivitetin privat të familjes që drejtohej prej të atit. Martohet në 1938, me Ermelinda Saraçin, zoti i fali dy femije; Elizabetën dhe Filipin.
-Në tetor 1944, ftohet me marrë pjesë në formimin e qeverisë së re demokratike në Berat konsideruem intelektual i pakomprometuem me okupatorët.
-Ishte anëtarë i Komisionit Kombtar të Atletikës për organizimin e lojnave të Ballkaniadës që u zhvilluen në Tiranë, në vjetin 1946.
-Gjatë periudhës 1945 deri 1951 shërbeu në detyra të randësishme pranë dikastereve qëndrore të shtetit shqiptar (shef finance në Ministritë e Bujqësisë, Minierave )
-Me 22 Shkurt 1951, arrestohet e mbas torturve në qeli, në natën e 26 Shkurtit 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të lidhun me tela me gjemba e të zhytun në nji gropë plot me baltë bri lumit Erzen, pushkatohet…; ky ishte “kurbani” i servilizmit me të cilin komunistat-terroristë; Enver Hoxha, Mehmet Shehu & company, kërkojshin falje prej “babà Stalinit” për paaftësinë e tyne për me mbrojtë Legatën Sovjetike në Tiranë…
Filip Pjetër Guraziu
Shkodër, 11.01.2021.
.
P.s. Foto e familjes, e realizueme nji muej para masakrimit të babës tim prej kriminelave enveristë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.