back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Nand Radi me humoristin e kandshëm tironas Gëzim Petrela

Gazeta

Nand Radi… në nji nga filmat
Nand Radi… në nji nga filmat

Nand Radi rrefen ngjarje

me humoristin e kandshëm tironas Gëzim Petrela…

Gëzim Petrela, dikur kish qenë futbollist,
dhe më vonë punonte si teknik biçikletash.
Ai ishte nji burrë i bëshëm, me nji humor shumë simpatik,
humor të cilin shpesh e ndërtonte mbi profesionit e tij: si riparues biçikletash…
Ja disa prej batutave të famshme të Gëzim Petrelës...

***
-O Nand Radi, – më thotë një ditë Gëzimi, – e kupton ti se unë jom njeri i rondsishëm?! E di ti mer çun, se shpia ime bashkë me shpitë e punonjësve ambasadave t’huja, ruhemi prej Sigurimit të Shtetit?!
-Po m’çudit or Gzim, – ia ktheva unë – Po s’ka ca dit që kom mor vesh se mu ke shpia ta kishin vjedhë biçikletën!!
-Po kush ma vodhi or Nand… Po njata pisa e Sigurimit ma vodhën, kush tjetër!?

***
Nji mëngjes po kalonim bashkë me Gëzimin pranë pastiçeri “Florës”
-Mirëmëngjes, shoku Gëzim! – e përshëndeti pak me ironi nji djalë që rrinte në rreze të diellit, i veshur me nji pardesy fëshfësheje, e cila vende vende qe grisur dhe ngjitur me leukoplast…
-Mirmjes mer çun, – ia ktheu Gëzimi hazërxhevap, – Po mos rri shumë m’dill se kon për të lshu pullat…!

***
Kishte ca kohë që Gëzimi e kishte futë djalin në cirkun e Tiranës.
Nji ditë e takoj dhe ashtu kurreshtar e pyes për djalin: “Ho mer Gzim, si po të shko çuni me cirkun??”
-Ah… Mer Nand… Kom ditë që e kom heqë pri cirkut!
-Si mer Gzim e paske heqë çunin…?! Po ti bone nomin me e futë m’cirk…
-Rri mer Nand Radi, se ta dish ti ç’kom heqë me e centru çunin… t’lu menja…!”

***
Gëzim Petrela kishte shumë miqsi me mjekët e spitalit, mbasi të gjithë biçikletat ata i riparonin te Gëzimi.
Nji ditë bashkë me Gzimin shkojmë në spital, për të taku ndonji mjek që të konsultoheshim për disa probleme të grus time…
Po hecnim të dy nëpër korridoret e gjata të spitalit.
-Mirëmëngjes Gëzim, – e përshëndetën dy mjekë që po kalonin… – Mirmjesi…! – ua ktheu Gëzimi pak ftoftë, dhe i qetë vazhdoi rrugën…
-O Gzim, – i them unë me zo të ulët, – po këta janë ata dy mjekët që na duhen…
-Hec mer Nand Radi, se gjejmë mjekë tjerë mo të mirë… Leni mer ata se s’bojnë, janë si kopertona veni…

Libri i Dytë i Ferdinand Radit
Libri i Dytë i Ferdinand Radit

***
Atë ditë klubi mbrapa Bankës, qe mbushë tumllas si rrallë ndonjiherë. Po s’ishte ndonji çudi e madhe, sepse kështu ndodhte gjithmonë kur ishin ditët e rrogave. Gëzimi kishte zonë vend te nji tavolinë dhe me gotën e rakisë para po bisedonte me nji moshatarin e vet. Sapo më pa që u futa në klub, i pëshpëriti diçka në vesh mikut të tavolinës, dhe me gotën e rakisë në dorë u ul diku tjetër.
-Po hec ktu mer Nand Radi, – më thirri… se për ty, bo ven ne mreti! U ula gjithë qejf dhe vazhduam muhabetin… kur mbas pak ndodhi diçka e çuditshme. Burrin që kishte qenë në tavolinë me Gëzimin, kamarieri po e sillte drejt nesh se gjoja kish dashtë me hikë pa pagu rakinë…
-O Gëzim, – i thotë kamarjeri, – i ke premtu gjo ktij mikut tat se do t’ja pagush dopjen e rakisë.
-Jo, mer jahu, ç’o ai muhabet! – ia ktheu Gëzimi
-Pse a s’më the ti o Gëzim, – ia ktheu tjetri, – Ma lëro venin se m’ka ardhur nji shok… dhe ik, se ta paguj unë dopion…!!?
-Hik mer vlla – i thotë Gëzimi – unë s’kom pare me pagu dopjen teme, po t’pagukam ne dopjen tate…!!
-Të falemnderit shumë – i tha ai burri dhe mbasi pagoi pijen e vet, u largua i nevrikosur…
Gëzimi desh ta vazhdonte bisedën atje ku e kishim lonë, po unë ndërhyna.
-Vërtet o Gëzim ia kishe premtu me ia pagu dopjen…
-Po! – u përgjigj Gëzimi krejt i qetë…
-E pse s’ia pagove athere?
-Ia bona kasten, me e diskreditu… se osht polic vullnetar…
(Marrë nga “11 Raunde Humor” i Ferdinand Radit)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Gëzimin e kam njohur në fillim te viteve ’70.
    E shoqja Ikbale Caslli, punonte daktilografiste në gazetën “Bashkimi”. Një çift i mrekullueshëm tiransish. Njerëz të mirë, bujarë dhe përherë të gatshëm për t’i ndimuar njerëzit. Kam shumë kujtime për të dy këta njerëz të mrekullueshëm, që i kujtoj tani me një respekt të veçantë…
    Po përpiqesha t’i bëja një unazë të fejuarës sime nga një monedhë e vjetër që kishte shërbyer si varse. Shkoj në njësinë e argjendarisë tek Pazari i Ri, po nuk pranuan ta shkrinin këtë farë medalioni se ishte e ndaluar me ligj shkrirja e monedhave të vjetra. Shkova në Bankë, por edhe atje nuk bëra dot gjë. Rrugës duke u kthyer për në gazetë kthehem tek dyqani i Gëzimit dhe i tregoj për hallin tim. Gëzimi pa e zgjatur e heq unazën nga gishti dhe më thotë shko mbaro punë pastaj shohim e bëjmë.
    “Gëzimo ka për të lënë Bali për këtë që po bën” “Hec mor Llazo, se nuk ka ku me gjetë djalë mo t’mirë se unë!” Nuk ia mora unazën dhe shkova në gazetë. Bali që e dinte përse kisha dalë me pyeti nëse mbarova punë. Pasi i thashë se nuk e shkrinin monedhën, ajo hoqi unazën nga gishti dhe duke ma zgjatur me tha: “Shko mbaro punë pastaj shohim e bëjmë!” Me thënë të drejtën sp’e prisja këtë gjë edhe nga Bali, duke menduar se gratë janë më supersticioze…
    “Qenkeni të dy të marrë!” – i thashë duke qeshur dhe i tregova historinë me Gëzimin. “Lene o Llazo atë dhe shko mbaro punë. Dëgjo Balin ti…”
    Kam shumë për të treguar për këta njerëz të mrekullueshëm tiranas që na e mbushnin jetën me mirësinë dhe humorin e tyre. Ata e deshën njeri-tjetrin deri në fund në një mënyrë të veçantë: ashtu thjeshtë, bukur dhe me përkushtim të plotë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.