back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Nama në fshatin Xhaj – nga Marcel Hila

Gazeta

Autori Marcel Hila
Autori Marcel Hila

Nama në fshatin Xhaj

nga Marcel Hila

Mbërritën në Xhaj. Ishte nxehtë, ditë vere. Makina, një Landrover i vjetër i viteve ’80, por e fortë, i çoi pa probleme. Për në atë fshat të Dukagjinit, zona e Pultit të Vogël, shkohej nga Ura e Mesit, kaloje tek Ura e Shtrenjtë, prej aty në Prekal e mandej ngjiteshe kudo rrugës përpjetë, që të çon për në Kir. Kudo anash, rrjedh lumi me të njëjtin emër, që kalon poshtë kenjonit të gjatë e të ngushtë. Kur ecën, mbërrin tek Guri i Lekës. Aty rruga ndahet. Njëra shkon për Kir e Shosh, e tjetra ulet poshtë e kalon në një urë që e kanë ndërtuar italianët, ish-ushtarët alpinë, bersaglierët, me fondet e tyre dhe kalon në një udhë gjithë kthesa e gjarpërime, e cila, edhe ajo, degëzohet në dy shtigje: njeri të çon drejt në Pog e Mgullë, ndërsa tjetri degëzim në Xhaj.
Makina kishte pesë vende. Ishte plot. Frati shofer dhe përkthyesi i tij, para. Ky i fundit ishte i shëndoshë dhe nuk bënte të ulej pas, sepse mund të shtrëngonte pasagjerët në ndenjëset prapa, të cilët ishin tre italianë, nga Verona, miq që i kishte sjellë prifti italian, sepse, për pushimet verore vendosën të vinin e të shihnin Shqipërinë, tamam-tamam, zonën e famullive ku zgjodhi të shërbente miku i tyre misionar, tani që ai, që prej një viti, la qytetin e vet dhe kuvendin françeskan në Itali e erdhi këtu.
Xhaj është një fshat i lartë si zonë, një tip rrafshnalte. Heq keq të ngjitesh, por pastaj, të del para një pllajë e gjerë, një fushë e madhe dhe e shtrirë. Kur mbërrin aty, një rrugë e thjeshtë, por e rregullt për kalimin e makinave, të çon deri në qendër të fshatit. Bën rreth dy kilometra e pasi rruga degëzohet, merr majtas. Dhe kështu, pas pak, mbërrin para kishës.
Nga ana e djathtë e saj, rreth njëqind metra larg, gjendej shtëpia e ipeshkvit, që atëherë, ende nuk ishte marrë. Kishte mbetur karabina, pazot, e pazënë prej kujt dhe e pa lëshuar nga shteti, që, në këto anë, nuk ekziston. Qe një godinë me ornamente perëndimore, jo një kullë tipike mali, por krejt e veçantë dhe e ndryshme në krahasim me shtëpitë e fshatarëve siç janë këtu. Dallohej se ishte e vjetër, një ndërtim i fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë, mbase e vitit 1705. Ishte katedrale, katedralja e Pultit të Vogël, çka do të thotë se është kisha kryesore e dioqezës. Katedrale është emri që vjen nga kathedra, vend ku jepet mësim, në këtë rast, mësimi i doktrinës së krishterë, garantimin e vërtetësisë së doktrinës e ka vetëm ipeshkvi, i cili, selinë e ka te katedralja, ndërsa shtëpinë te kuria ipeshkvnore, diku afër. Prandaj, kuptohet se shtëpia ka qenë ndërtuar në të njëjtën kohë me kishën.
Regjimi komunist këtë shtëpinë e pat marrë me dhunë dhe e bëri Degë të Brendshme të krejt zonës. Nxori jashtë imzot Antonin Fishtën. Fshatarët, në biseda, atëherë kur prifti i pyeste në takimet që bënte me ta, thoshin se në këtë shtëpi të Zotit u masakruan njerëzit si shtazët, u dogjën me hekur e u rrahën si bagëtia. – “E morën dreqnit n’dorë venin e Zotit!” – thoshin ata.
Katedralja qe e varfër si ndërtesë. Ndoshta u restaurua gjatë kohërave, por pak, përciptazi. Struktura e saj nuk ishte prekur. Edhe këtë objekt e dhunuan gjatë kohës së regjimit: e bënë vatër kulture. Aty, thoshin pleqtë e fshatit, – “kjenë munue me i mësue të rinjtë si me kcye e me u hargalisë, në shpi të Zotit! Mjerë ç’ka kanë pa sytë tonë!”
Përkthyesi mbante mend se para një viti, më 1994, hynë për herë të parë brenda, që nga ardhja e lirisë së besimit. Famullitari, pra prifti me cilin ai shkonte, thirri disa banorë vendas, të moshuar dhe, si këshill kishe, si burra të nderuar e me fe, u kërkoi atyre të hapnin derën. Sapo u hap, u pa se tavani gati qe shembur plotësisht e rënë pjesë-pjesë në dysheme. Pullazi, vende-vende, kishte hapësira të mëdha të zbuluara. Shiu hynte nga të gjitha anët. Ndërsa te presbiteriumi, vendi me hark ku rri prifti, pullazi kishte rënë krejtësisht e qielli dallohej qartë. Muri i kubesë kishte kudo një ngjyrë të fortë blu, me disa pika të verdha në të, që të linte të kuptohej se pat të pikturuar një afresk, si duket, kupën e qiellit dhe yjet në të, një panoramë kjo që donte të shëmbëllente krijimin e Gjithësisë, një model shumë i përhapur. Duke parë kishën, prifti konstatoi, në murin anësor të saj, nga e djathta, një pllakë mermeri, që kishte shpëtuar pa u hequr, por që qe lyer me gëlqere disa duar, duke e bërë rrafsh me murin. Pllaka me germa italisht në të, – leximi i të cilave qe i vështirë – thoshte se në mur, në vitin e largët 1852, u varros një ipeshkëv italian, emrin e të cilit përkthyesi nuk e kujtonte. Pat vdekur një natë dimri, në mal, ndërsa po shkonte t’i jepte shartet e fundit një malësori, që po vdiste në fshatin Plan. Pllaka shkruante se e sollën dhe e varrosën në kishë. E murosën. Prifti i ri u habit sesi nuk u kishte shkuar djajve në mendje që të zhvarrosnin eshtrat e t’i hidhnin. Qe mrekulli që mbetën të paprekura. Duke kontrolluar kishën për gjendjen e saj, prifti hasi në një varr të dytë mural. Ishte e një misionari laik italian, i ardhur të ndihmonte me katekizëm njerëzit e këtyre maleve, vdekur në vitin 1872, në moshën 35 vjeçare.
Kisha qe e ulët si ndërtesë, hapësira e vogël, për pak njerëz, kjo sepse fshati nuk pat shumë banorë. Qe e ndërtuar me gurë të thjeshtë. Vetëm ballina e saj ishte e ndërtuar me gurë të zgjedhur, të gjithë të latuar. Një derë të madhe, me një hark sipër, që përbëhej nga dy gjysma harqesh, edhe këto prej guri, por një cope, të punuar mjeshtërisht nga ndonjë gurë-punues që e njihte mirë zanatin, gjendej përballë. Dy gjysmëharqet bashkoheshin, duke formuar harkun e madh. Sipër këtij harku, gjendej një pllakë, me shifra të gdhendura, që kishin shpëtuar pa u prishur. Vetëm një cep i asaj pllake qe thyer e mungonte. Kishte të shkruar 170… pra tregonte se kisha u ndërtua në vitet prej 1701 deri në vitin 1709, sepse vetëm shifra e fundit mungonte.
Fshatarët e vendit, kryesisht të vjetrit, ndërsa frati i pyeste se çfarë dinin nga tradita gojore apo nga legjendat, nga fjalët që thuheshin e historitë që kishin dëgjuar, tregonin se “kur prifti dhe banorët e këtij vendi vendosën me ba kishën, deshtën me e nërtue n’majë t’ç’atij malit atje”, – ai që po tregonte, shtriu dorën drejt një maje, – “por kur burrat çojshin gurët e gelqeren atje ditën, vijte nata e të nesërmen i gjejshin te ç’iky vendi ku jem, çi’ktu, bash çi’ktu ku asht ba kisha. E panë priftnia e asaj kohe se Zoti dojke t’u bajke këtu e jo kun tjetër e ktu e kanë ba!” Kështu thoshin ata, por ndoshta ishte legjendë. Viti 1705, po themi, qe shumë i largët për banorët dhe kujtesa për çdo të dhënë ishte mjegulluar.
Frati i ri, ardhur një vit më parë nga Italia, e mori këtë zonë si vend ku do të shërbente, sepse ishte ai përgjegjësi për krejt zonën e Pultit. Vinte rregullisht çdo të diele ose ditë festash. Shpesh përkthyesi e shoqëronte. Ishin fqinj me shtëpi e gati moshatarë; prifti qe vetëm katër vite më i madh në moshë. Këtë të dielë do të thoshte pesë meshë. Të parën e tha në Prekal, në ora nëntë, të dytën në Kir, në ora njëmbëdhjetë, sepse rruga deri këtu bënte një orë pa pak. Pastaj, një orë mesha aty dhe gjysmë ore rruga, në dymbëdhjetë e gjysmë mbërritën në Xhan. Mesha do të thuhej në ora një. Do të hanin pak bukë dhe do të niseshin për Plan, ku në ora katër do të thuhej atje, ndërsa një orë më vonë, në Gjuraj. Zgjaste deri në gjashtë pasdite. Në këtë orë, niseshin për Shkodër e mbërrin vonë, rreth orës dhjetë të darkës.
Kur mbërritën në Xhan, frati ndaloi makinën afër kishës, në të djathtën e saj. Ndërkohë, afër kishës, gjendej një pemë e madhe, një lis shumë i vjetër në moshë, mund të qe disa qindra vjeçar, ka shumë mundësi, që të ishte mbjellë atëherë kur qenë hedhur themelet e kishës, në fillim të viteve 1700. Lisi kishte pranë disa vende ndenje, të bëra me gurë. Nën hijen e tij, nën të, po rrinin burrat e fshatit. Prisnin ardhjen e priftit. Tamam te rrënjët e asaj peme, rridhte gurra e një uji të ftohtë, të pastër, që vinte nga majat e maleve, edhe pse vetë fshati gjendej shumë lart si zonë mbi nivelin e detit. Kishte shumë mundësi që ai burim të ishte shumë i hershëm dhe dikush, kur e pat mbjellë atë lis, mendoi që pema të rritej e të bënte hije e njerëzit të rrinin nën të, të pushonin e të pinin ujë.
Zbritën nga makina. Dy burra, që po rrinin nën hije, u shkëputën nga grumbulli i njerëzve e u dolën para. U drejtuan të flisnin me priftin. Përkthyesi duhej t’i përkthente fjalët e tyre.
Puna ishte se në fshat kishte ndodhur një gjë e pa këndshme. Një tip, që bënte rolin e të fortit, e që e banonte ngjitur me tokën e kishës, nga ana e prapme, e kishte shtyrë gardhin dhe grabitur një copë tokë të saj. Kjo, ngjau andej nga fillimi i viteve 1990, kur regjimi komunist po binte dhe toka nuk ishte më e shtetit e kur Kisha nuk i pat marrë ende në zotërim pronat e saj. Prifti, që vinte rregullisht, u lajmërua nga burrat e fshatit se toka qe dhunuar e grabitur, se gardhi qe shtyrë dhe që priftit i takonte të kërkonte gjënë e vet.
Frati vendosi ta zgjidhte këtë padrejtësi. E thirri një ditë burrin që kishte bërë një veprim të tillë për të diskutuar me të për këtë gjë, me qëllim që t’i jepte mundësi të zgjidhte ngërçin e krijuar. Por ai, pa iu skuqur fytyra aspak, ngulte këmbë e thoshte se toka qe e tija, por kisha, pa ditë gjë, ia pat marrë, kur babai i tij kishte vdekur.
Kur prifti i tha se kisha nuk vjedh kënd, ai bëri be e rrufe se ajo tokë qe e tija dhe nuk guxonte më kush t’ia merrte, sepse bëhej hataja. “Kush e prek, bjen në gjak me mue e duhet t’i marrë mirë parasysh hapat që ka me ba!” Lulashi, nji burrë trupvogël e çonte zërin e kërcënonte fort, pikërisht se mendonte se njerëzia, meqë ai qe i shkurtër, e kujtonin të dobët, e kështu u thoshte atyre se nuk duhej marrë nëpër këmbë e nuk duhej nënvleftësuar. Bënte gjithë kohës be: “Asha Zotën!” përmendte shprehje si: “Ham dreq ç’ka paqa, hangërto dreqi orën; m’u ligtu ora!”. Mbante një palë mustaqe të gjata; një bark i madh i kërcente para, ishte i kuq në fytyrë. Shihej se qe pijanec. Nuk bënte asgjë gjatë gjithë ditës. Sillej rreth e rrotull shtëpisë. Edhe pse gati të gjithë njerëzit e fshatit vinin në Meshë, ai nuk vinte, por rrinte e shikonte nga gardhi krejt sa ndodhte e çka vepronte prifti. Kisha nuk funksiononte, sepse qe e prishur e duhej restauruar. Ndaj mesha celebrohej jashtë, në oborrin e madh, para. Gjithçka shihej qartë.
.
Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)
Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)

.

Pranë tokës së tij kalonte një rrëke uji dhe ai kësaj rrëkeje i ishte lakmuar shumë. Këtë vijë e kishte futur në një pjesë të segmentit, në rrethimin e tij, pasi pat marrë edhe një pjesë të tokës së kishës. Kjo rrëke ishte e përbashkët, për një pjesë të familjeve të fshatit, ata që banonin andej nga shkonte vada. Vinte nga mali. Zbriste diku dhe kalonte mes për mes fshatit. Ka shumë mundësi që fshatarët, dikur, janë ngulur në këtë fshat edhe për arsye të kësaj rrëkeje, sepse, pastaj, vadën e ndanin në kalime të tjera në shumë drejtime, që e përdornin për vaditjen e tokave të tyre bujqësore. Kështu ujitnin pataten, misrin dhe bimët e tjera. Këto ujëra, me Kanun, nuk i takojnë askujt në Dukagjin, sepse janë të përbashkëta. Sikur të ishin pronë e dikujt, njerëzit ia vështirësojnë furnizimin njeri-tjetrit dhe e konsiderojnë pronë private të tyren. Në këto raste, mund ta pengojnë, ta devijojnë, të lënë të tjerë – ata që kanë hasmëri me ta – pa ujë, pa vaditje, pa prodhim, pra pa bukë. Prandaj, që në kohëra që nuk mbahen mend, këshillat e pleqve kanë vendosur që ujërat të mos i përkisnin askujt, kështu edhe pyjet, ku të gjithë të mund të bëjnë dru për ngrohje e gatim, por edhe e livadhet, kullotat për bagëtitë. Por këto të fundit, pyjet e kullotat, ka pasur raste që ishin edhe private. Lulashi donte t’i shtrëngonte njerëzit të vinin tek ai e t’i kërkonin që ta lironte vadën, por ai këtë nder nuk do t’ua bënte atyre. Kishte pushtet mbi ta, pushtet në fshat, mbi jetën e tyre. Kësaj i gëzohej pa masë.
Dy burrat që i dolën priftit para donin t’i jepnin një lajm të keq: Lulash grabitësi nuk kishte ndërmend t’ia kthente kishës tokën që pat marrë. Prifti, radhën e kaluar, u la këtyre dy burrave me fe e në moshë, detyrën që të shkonin te shtëpia e tij e të kontaktonin me të. T’ia mbushin mendjen që të kthente atë që pat përvetësuar padrejtësisht, sepse, u tha frati, po qe se ai nuk do të ndërronte mendje, do ta mallkonte publikisht të dielën e ardhshme. Kishte dy javë kohë të vendoste të hiqte dorë.
Burrat biseduan më të, por ai as që e mori në konsideratë.
-Asha Zotën, burra, – tha Lulashi, – thoni fratit se ni pllamë tokë s’e kthej ma, se ma ka lanë gjyshi mue. U ba ky mjekërrcjapi me m’kërkue tokt e mia!
-Po ka me t’mallkue, more Lulash, e do t’shkojë krejt jeta ters!
-Asha Zotën kush po tutet prej fjalve t’tija! Ai t’bajë ç’ka t’dojë, se s’m’gjen gja mue se po marr tokën teme! Mos t’bajnë gabim me prek gardhin a me hi n’shpi, se kerset pushka e bahet gjaku deri n’gju e e ha dreqi punën! Hau, s’e din ai ç’ka baj! Për me fjalë a? T’thonë ç’ka t’dojë! Se s’ia man, pranaj thotë ç’ashtu!
Kështu iu përgjigj atyre.
Burrat e dinin mirë se toka qe e kishës, por me cubin nuk qe e lehtë të merreshe vesh. Ishte agresiv e mbante armë në shtëpi. Nuk donin ata vetë ta fusnin në sherr priftin italian, një burrë të ri në moshë, i huaj. Po ta gjente gjë atë, i gjithë fshati koritej rëndë, se iu plagos apo iu dëmtua prifti, jabanxhi, e këta nuk i dolën punës para.
Frati, megjithatë, nuk ndjente aspak frikë. Nëse grabitësi nuk do ta lëshonte tokën e zaptuar, ai, të dielën tjetër, do ta mallkonte. Malësorët e kanë shumë frikë mallkimin, sepse ka qëlluar herë pas here që priftërinj të mallkonin ndokënd në ato male. Se ai vend, sa ka besë e burrni, aq ka edhe kokëkrisur, që vetëm pushka i ka ftohur ose nëma, që i ka zhbirë e rrafshuar me familje, me fëmijë e me pasuri. Kësaj, malësorët i frikësohen, se shohin në të dorën e Zotit: i tremben shumë nëmës. Kënd tjetër ata nuk kanë frikë. Dhe kush qe mallkuar nga njerëzit e kishës, e pat pësuar me të vërtetë.
Familje që në kulmin e lulëzimit bënë çmenduri nga kapadaillëku, deshën të sfidonin ligjin e rregullin, u pëlqeu të tregonin se nuk njihnin askënd mbi kokë, e ngritën krye, ata thyen qafën. Në fillim, u përpoqën të nënshtronin vendasit, bashkëfshatarët e tyre e kur ia dolën t’i terrorizonin e t’u shkaktonin dëme këtyre, u shtynë shumë e tundimi i çoi që të kapeshin me Kishën e me Zotin dhe me njerëzit e tij. Ia kishin filluar me poshtërsi të vogla e pastaj e bënë udhë. Bënë maskarallëqe të frikshme. Atëherë, për padrejtësitë e shkaktuara, për grabitjet e pronës, për grabitjen e vajzave – që i vidhnin te burimet kur shkonin të mbushin ujë apo në shpate malesh, kur ato shkonin me bagëtitë në kullotë – i merrnin me dhunë e me kërcënimin e armës e i çonin ose në shtëpitë e tyre, ku nuk pyesnin më as për prindër e as për gruan që kishin, ose i fusnin në ndonjë kullë apo shpellë e aty i mbanin si robina; për grabitjen e disa grave të martuara, gra të bukura, të ardhura nga fshatra e zona të tjera, gra të burrave të tjerë, që i vidhnin edhe këto te burimi apo ndërsa shkonin rrugës, të përcjella, në gjini. Ia merrnin burrave të tyre nën kërcënimin e armës dhe i mbanin në shtëpi, si gra të dyta e të treta, duke mbajtur kështu më shumë se një grua të ligjshme, pasi dilnin edhe maleve si cuba apo kaçakë; për martesat me provë, kur mbanin gra pa bekimin e kishës, derisa ajo të bënte djalë, e po nuk bëri, e kthenin te shtëpia e babës.
Për gjithçka nga këto, kur nuk bindeshin të kthenin rrugë e të pendoheshin, të nisnin gratë e grabitura tek shtëpitë e tyre e vajzat marra me forcë tek baballarët, morën mallkimin nga prifti. E qenë groposur keq. Pleqtë dinin të tregonin me emra e mbiemra, shtëpi që, në kulmin e lulëzimit, me djem shumë e pasuri të madhe, që rroposeshin keqas e groposeshin në një kohë shumë të shkurtër, fundoseshin, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Edhe në këtë rast, me këtë Lulashin sherrxhi, po shkonte puna deri në mallkimin e tij. Burrat që frati i dërgoi tek ai, e dinin një gjë të tillë. Nuk do e bënin ndërmjetësimin aq për t’ia kthyer terrenin kishës, se ajo pëllëmbë tokë nuk e dëmtonte atë, por më shumë që mallkimi të mos e zinte familjen e keqbërësit, që nuk do të mund të çohej kurrë më në këmbë. Prandaj, qenë munduar me bindje, me të mirë e me arsye, t’ia mbushnin rradaken e tij boshe. Por, pas aq shumë përpjekjeve, as që bëhej fjalë që grabitësi të ndërronte mendim.
Pasi u takuan me ta, shkuan nën hijen e lisit. Frati donte të dëgjonte sesi kishte vajtur puna. Nëse horri pat ndërrue mendim, gjatë predikimit, nuk do t’ia përmendte emrin dhe kërcënimin për mallkimin. Nëse nuk kishte ndërruar mendim, do ta paralajmëronte për herë të fundit para fshatit. Prandaj, i duhej t’i dëgjonte burrat para meshës, e jo pas saj.
Këmbë-këmbë erdhën e u ulën nën lis. Masa e madhe e burrave që gjendej aty, për respekt, lëvizi, që ta linin të fliste e të diskutonte lirisht. U larguan e lëshuan vend. Logu u zbraz.
Frati zuri vend në një prej vendeve të ndenjes.
Nuk lëvizi e mbeti afër të sapoardhurve, nën lis, vetëm një plak. Ishte Mirashi, rreth nëntëdhjetë vjeçar, por që ishte me mend e me gojë, si djalë i ri. I fortë, ecte me këmbët e veta, shikonte me sy dhe kishte një kujtesë të mrekullueshme. Përkthyesi e njihte, sepse e pat parë që prej ditës së parë kur erdhi frati në këtë vend. Vinte rregullisht në meshë. Drejtonte rruzaren para fillimit të saj. Shtëpinë e kishte larg prej kishës, por vinte pa problem. Edhe ai, si i gjithë fshati, e dinte punën e Lulashit që kishte grabitur tokën e nuk e kthente. E dinte edhe se frati ngarkoi dy burrat të bisedonin me keqbërësin, në përpjekjen për ta bindur të ndërronte mendim. Nuk qe një sekret biseda, prandaj, edhe burrat nuk i kursyen fjalët para Mirashit. Ishte njeri me emër shumë të mirë në fshat.
U ulën në hije. Uji rridhte aty pranë me një zhurmë të lehtë, me një gurgullimë e ëmbël, tërheqëse. Mëhilli dhe Zefi po i shpjegonin fratit bisedën e bërë në shtëpinë e Lulashit. Përkthyesi përkthente. Pasi i treguan për kokëfortësinë e tij, Zefi, i tha prifit:
-Fratoo, lene drenë? Boll keq asht, le ma me u marrë me të!
-Nuk është ashtu! – i tha prifti – Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të nëpërkëmbet. Nuk e do as Zoti, prandaj janë autoritetet, që fajet t’i dënojmë e shtrembërimet t’i ndreqim!
-Asha Zotën, si thue ti asht, lum frati, po ç’aja tokë s’po i duhet kujt e ai veç sherrin ka me ia pa. Ufulla e fortë plasë enën e vet!
-Kisha prej halli mallkon, kur ka raste padrejtësisht açike. Mallkon që njerëzit të shohin se reagon kur ka hajni e padrejtësi të qarta, se kështu tregon se nuk i toleron, por edhe se mallkimi i Zotit të zë e i bëhet shembull të tjerëve. Unë nuk dua, por duhet.
-Asha Zotën, fratooo, ke t’drejtë, – tha tjetri, – po boll e ka mallkue Zoti tuj e çue n’ç’at deregje, ku burri i madh s’ka as turp, as erz e as marre me vjedhë tokën e kishës e mos me iu kuq faqja, që e marroftë i madhi Zot!
Frati qeshi.
-Me e lanë vedin me u koritë n’katund e me u marrë nëper gojë! Po a ka ma keq?
-Mhill, ashtu është, as unë nuk dua, por më duhet. Asht drejtësia që e kërkon, se përndryshe shihet si dobësi mosndërhyrja e kjo i shtyn njerëz të tjerë me ra në gabime të tjera e me ba ç’ka të duen e ç’ka nuk është e drejtë!
-Lum frati, veç ç’aj horr merret n’gojë n’katund, e kaq sa ka ba, asht tuj u koritë! E ka dënue Zoti!
Diskutimi u shty edhe pak. Burrat nuk donin që Lulashi, fshatari i tyre të merrte mallkimin e fratit. Se ata e dinë mirë se çfarë është nëma. Prifti nuk luhatej në atë që mendonte. Tre italianët që kishin ardhur me ta u bashkuan nën lis. Rrinin aty, ku gjendej frati dhe dy malësorët, të cilët e vazhduan diskutimin.
Mirashi, plaku që po rrinte ulur nën lis, mbi një gur, dëgjonte. I kishte ngulur sytë te ata. Asnjë fjalë që i përkthehej priftit nuk po i ikte. Kur e mori vesh se frati, po qe se Lulashi nuk do të pendohej e nuk do të kthente gjënë e marrë, do ta mallkonte, me zotnillëk kërkoi leje e tha:
-Burra, a mund ta tham ni fjalë?
Përkthyesi ia përktheu priftit. Ky e shikoi atë plak. Ai portret nuk ishte i një burri llafazan, prej atyre që duan të përzihen, por u pa se deshi të thoshte diçka me rëndësi.
-Urdhëro! – i tha frati e u kthye me fytyrë nga ai.
-Shiko, se ndoshta kta burrat, Mhilli e Zefi, s’e dinë ni histori që kisha dashtë me e kallxue, se po due me thanë se nama t’xen more lum zotnija!
-Çfarë historie? – u shty ky të pyeste?
-Asha Zotën, fratooo, po u tha nama, ka edhe gjamën, se po thoni se duhet namë ç’ai hori! Ai s’di gja, fratoo, se ia ka plasë Zoti t’dy sytë e ballit! Se me ditë se ç’ka asht nama e robit t’Zotit, ndrro mene! Por asht i marrë, se e di unë se çfarë shpijet asht ai, belaja e t’tanve!
Fjalët e tija iu përkthyen priftit.
-Se more lum zotnija, – vazhdoi plaku, – janë t’shtirë si njerëz, se jam le e rritë këtu e i njof si paren e kuqe!
Frati qeshi pak pas këtyre fjalëve të plakut, ndërsa ai vazhdoi:
-A po m’leni me e kallxua ç’ket punë, që e di qysh kur kjesh ri?
-Cilën punë?
-Po dua me thanë se nama, po u lëshue, bjen, t’bjen kresë e t’vret e t’gjue Zoti keq!
-Thueje! – tha me buzëqeshje e dashamirësi prifti.
-Shikoni burra, se ai i marri nuk e din se ç’ka don me thanë me t’namë prifti. Unë kam pa me sytë e mi ni gja – Italianët të gjithë po dëgjonin. – Kam kenë i ri, pesëmdhetë a gjashtëmdhetë vjeç. E mbaj mend si sot. Ka kenë vjeta nimienanqinenizet. Ajo puna që po due me jua thanë, ka ndodh ç’iktu, te ni ky lis, ku po rrimë tashti. Ipeshkvi i jonë ka kenë atëherë ni burrë plak, tetëdhetë e kusur vjeç. Ishte i dobët, i hjekun, i lodhun. Rrinte ç’atje, – e malësori bën me dorë, duke treguar andej nga kuria ipeshkvnore. – Ishte verë, si sot, po thona. Ni ditë nadje, ka ardhë prej shpisë tij, me u la te ç’iky burimi, te nikjo gurra, ktu, – dhe plaku tregon me dorë ujin. – Lau faqet e qafën. U freskue. Kur desht me la faqet, hoqi unazën, ni unazë të madhe me lule, që e mbante në gisht, për mos e ia vra ftyrën. E kishte vu njiktu – malësori tregon vendin ku pat mbështetë unazën. Plaku po tregonte një ngjarje që mund të kishte ndodhë shtatëdhjetë e pesë vite më parë. – Mbasi u la e u freskue, sepse kje heret, sapo ka pasë kenë çue prej gjumit, mori rrugën me shkue edhe ni herë te shpia e tij. Kur mbërriti atje, a kujtue se nuk e kishte unazën, se e pat harrue këtu, – e malësori vuni edhe njëherë dorën te vendi ku e pat lënë dikur ipeshkvi plak. – Kur ka erdhi ktu edhe ni herë, e pa se unaza s’ishte. Dikush e kish pa marrë. Asht ba marak: kush e mori? Nuk pat kalue niri aq heret, se nuk pa kend tuj i ra kësaj ane, se qe, shihnje vetë, u shihke gjithçka prej penxheres së tij këtu. Hejr e baftë Zoti! – ka thanë ai me vedi: – kush kje ai që e mori? Të dielen, në kishë, mbasi tha meshën, n’fund foli; – njerëz të katundit, burra! Kam kenë unë në meshë, e i maj men mirë shumë fjalët që tha: – Më ka hupë unaza! Dhe e kallxoi sesi e kishte pa hjekë e e kish pa vnue këtu, por që nuk e gjeti ma kur ka kthye. – Po u tham, nëse e ka marrë kush, të ma bijnë, se asht e jemja. Ju – u tha trimave të katunit, – thoni fëmijve se mos e ka marrë ndokush e të ma bijnë! Erdhi e diela tjetër, por askërkush nuk ia çoi unazën. Atëherë, mbas meshës, tha: – askerkush s’ma ka prue unazën. Po jua kujtoj edhe ni herë, se po nuk ma prutë deri të dielen tjetër, do t’i tham do fjalë të forta për atë që e ka marrë. Hejr e baftë Zoti! Thanë t’gjithë burrat, ç’ka asht kjo fjalë! Erdhi e diela tjetër e kurrkush nuk e kish pa prue unazën e tij. Prapë ipeshkvi, mbas meshet, foli. Këtë herë tha: kam tri herë që u kam lajmue. Fjala asht hapë. Kush ka dashtë me e marrë vesh se unaza asht e jemja, e ka marrë vesht. Por po shihet se nuk po don me e prue. Nëse deri të dielen tjetër, ai që ma ka marrë unazën, nuk ma bie, do ta mallkoj. Uuu, bane njerëzit në kishë. Po i dal hakut tuj e durue tash tri herë, pranaj. Njerëzit lëshuen ni uuu tjetër të gjatë e të fortë. Nama ka gjamën thona na, e thanë të tanë sesa i marrë asht ai që për ni unazë, po merr mbi vedi ni mallkim. Se, – vazhdoi plaku Mirash, – unë jam me fratin, frati nuk e ka me qejf me mallkue e nuk e ka t’lehtë me namë, por nuk duhet me i lanë poshtërsitë me ba ven, se mblojnë dyrnjanë. Prandaj asht nama, me ia pre rrugën t’këqijave!
Erdhi e diela tjetër – vazhdoi nëntëdhjetëvjeçari – por askërkush nuk ia kishte prue unazën ipeshkvit. Atëherë, ai, mbas meshët, tha: njerëz, burra, u dola hakut! Ai që ma ka marrë unazën e nuk ma ka prue, kjoftë mallkue e dora e Zotit raft mbi të. Nuk i kam ma faj!
Njerzia lëshuen një uuuu të gjatë. Se nama e lëshume nuk rrin pa ra.
Prej asaj dite, të tanë po pritshim me ndigjue se kujt po i delte tymi, te kush po binte dora e Zotit.
Kaloi do kohë, por asgja nuk u ndie në katund. Të gjithë rrijshin me sy hapët se ku po kerset. Kërkush s’u ndie me ia kthye unazën ipeshkvit e pra asnjeni s’u pendue. Unaza nuk po i shkonte atij. Edhe ai ishte n’marak, se thoshte kush asht ai zemergur e i pamend që për ni unazë, pranon me marrë dënimin e Zotit.
Iku vera e filloi shtatori. Aty kah fundi i këtij muejit të atij vjeti, tamam ç’iktu, po rrijshin do burra në moshë, burra të mëdhaj. Unë, si u thashë, isha i ri. Kisha qëllue ktu. Ishte diku kah mjesdita. Edhe pak do t’u dajshim e do të shkojshim në shpiat tona. Kuvenimi po na mate. Iktu ku po rrijmë tashti. Ishte edhe baba i jem, bashkë me të tjerët. Ishin kun nizet burra. Kur po fillon me frye ni erë e fortë. Ishte ditë me re, pak e ftohtë, se knej kah na ftohet ma herët se te ju në sheher e fill u çue ni si stuhi, që po na lajmonte se po fillonte shi i fortë. Kur don ti, filluen vetima në qiell e u ndie ni bumullimë e madhe, me të thanë mendja po çahet toka. U dridh veni. Na, nën lis, patme frigë, se thamë mos po na bje rrfeja, se ishte pema ma e madhe e krejt këtij veni e pemët e nalta tërhjekin rrfetë. Kur fill mrapan, pamë ni dritë t’fortë: ishte ni rrfe tjetër, e madhe, me t’qërrue t’dy sytë e ballit e fill plasi ni bumullimë ma e fortë se e para. Nuk kishim ku me shkue. Mbetme si mini n’çark. Ni krisëm e madhe, thue se ra mi ne ni bume, na i shungulloi vesht, na shurdhoi. Shikjuem secili se ku me ikë, por s’kishim ku, se patme frigë me dalë n’fushë t’hapun, se mos po na gjujke rrfeja atje. Kur, pa marue mirë shungullima e bumullimës, u pa ni fole zojsh që ra prej majës s’pemës. Kish pa kenë me trumcakë. Ra n’tokë. Rrfeja e kish pa gjuejtë. Zogjtë e vogjël ranë t’mbytun t’gjithë. Kur e pame, u habitme, se tan ç’ajo rrfe kish pa ra mbi ni fole. Kur ç’ka me pa burra: prej folesë doli e ra në tokë unaza e ipeshkvit.
Frati, kur dëgjoi këtë fjalë, qeshi.
-Pra, frato, ç’atë unazë e kish pa marrë zogu e nama e ipeshvkit ra mbi shpinë tij e ia vrau zogjtë e ia shkatërroi folenë e ia hodhi për tokë!
-A thua t’jetë kështu? – tha frati.
-Fratoo! Puna asht se s’kish punë Zoti me zogjt, por na nxori para katundit t’vërtetën. Kurrkush s’e kish pa marrë unazën! Po due me thanë se nama e kreu punën e davariti tymin. Ma shumë se dënue, kallxoi se si kish pa kenë puna. Pranaj po tham shihe dorën e Zotit: gjujti rrfeja e namës folenë që kish pa marrë gjanë e kishës e ne na tha Zoti se kurrkush s’po kish pa pasë faj, veç duel verteta në sy t’gjithë katundit.
Prifti buzëqeshi përsëri.
-Prendaj fratoo, mos e nam ç’at shejtan, se nuk e di as aj se çka asht nama,
Prifti e shikoi në sy. Malësori, kur e pa se ai tregoi vëmendje për fjalët që po i thoshte, vazhdoi: “s’ka pa kënd t’namun prej kishet ai me sytë e tij. Por çoni fjalë edhe niherë – tha plaku Mirash, – e kallxonja ç’ketë punën e zogut me rrfenë, se po s’mori vesht, ia çart Zoti shpinë me gjithë ç’ka ka!”.
Prifti solli kokën nga përkthyesi e i buzëqeshi.
-Histori e bukur!
-Asha nderin, more zotni, nuk e ke ni fjalë rrenë. Këta burrat, – e bani me dorë nga Mhilli e Zefi, – nuk kanë pasë le hala, kur ka pasë ndodhë ç’i kjo punë, që e kam pa me nikto dy sytë e mi – dhe plaku vuri të dy gishtat te sytë e tij.
-Mos e nam drenë!
-Po shkojmë edhe ni herë e po ia thona, këtë që na e kallxoi Mirashi, – tha Zefi.
-Thuajani, – tha frati, – por, po nuk dëgjoi, do të marrin namën!
-Fratooo, mirë kish pa kenë me thanë ni meshë për të, që me ia sjell Zoti mendtë n’vend, para se me ia lshue namën! A po ban ç’i kshtu? Si thue?


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.