back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Mustafa Kruja i drejton leter Fan Nolit në gusht 1945…

Gazeta

Mustafa Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958)

Mustafa Kruja Merlika:

Gjysmën e komunistëve e shpëtova nga litari…

Një letër e rrallë kjo e Mustafa Krujës drejtuar Fan Nolit në gusht 1945,
kur gjendej si klandestin në një fshat të Italisë Veriore.
Letra është një dëshmi e shqetësimeve deri në dëshpërim,
të autorit të letrës, për pasigurinë vetiake e,
akoma më tepër për gjendjen e Shqipërisë.
I përcjell këtë shqetësim një të njohuri të vjetër,
me të cilin e lidhte një pjesë rruge në jetën politike,
të përshkuar së bashku, por edhe stima për personalitetin e tij të fuqishëm
në fushën e kulturës, edhe se argumentat e trajtuara në të i përkasin fushës së politikës.
Në të kërkohet mirëkuptim nga ana e shokut për një përvojë politike
që kishte dështuar, sepse kishte humbur edhe se kishte synime të dobishme.
Gazeta e sjell të plotë këtë letër për lexuesit tanë si më poshtë…

.

Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi
Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi

Itali, 28 gusht 1945 (natë)
(Fan Nolit nga Ortisei, me dorën e nji ushtari amerikan për t’a postue n’Amerikë) Këtë kopje e nxuer Bashkimi.

Vëlla i dashur,
Në qoftë se dhe Ti ke besuar se unë e kam tradhëtuar Shqipërinë do të të kem thërritur kot vëlla si qëmoti. Po një monstruozitet t’atillë nuk dua e nuk mund ta besoj prej Teje.
Ndodhem në nji hotel të vogël të nji fshati t’Italisë. Shokët e mij këtu, a më drejt zonja e hotelit, se shokë s’kam, mori vesh se një ushtar amerikan, klient i saj, po u niska nesër në mëngjes për vêndin e tij. Sikur t’a dinte që mua m’interesonte shumë ky lajm! Po Të shkruaj, pra këtë letër e i jap ushtarit të hapur, si pas dëshirës që çfaqi ai vetë. Do t’a marrsh pa emrin tim, po Ti s’ke nevojë për emër që t’a kuptojsh se cili është auktori i kësaj letre.
Pa emër sepse nuk dij akoma nëse jam kriminel lufte vetëm për kulisht e Titos apo edhe për botën e qytetëruar që luftoi, siç thonë ata vetë, për nji demokrati të vërtetë e për të drejta njerzore.
Ka plot një vit që dola nga Tirana për t’i rënë pas një djali që m’u sëmur në Vjenë, ku pastaj më vdiq. Ika nga Austrija në funt të marsit, për të mos rënë në duart e kuqalashëvet. Nga ana tjetër s’më shkonte as ndërmênd të kisha frikë. Mejtova një herë të fshihesha vetëm nga Patlixhanët italjanë q’u bënë n’orën e fundit kryefatosa. Pastaj u pëshpërit dhe më në funt u vërtetua dhe nga radio Londoni se në listën e kriminelëve të luftës qênkan edhe dy shqiptarë. Natyrisht as Shqiprija s’munt të përjashtohej nga ky nder i madh! Vetëm se nuk munt t’a dijmë se kujt e kujt i është rezervuar personalisht ky nder.

Fan Stilian Noli (1882-1965)
Fan Stilian Noli (1882-1965)

Të jenë vallë dy kryeministrat e parë të regjimit fashist të cilvet u ra për pjesë të nënshkruajnë aktin platonik të shpalljes së luftës kundra Aljatvet, pasi këta e kishin lënë Shqipërinë të hynte nën zgjedhën e Mussolinit? Apo Kryetari i Shtetit me ndonjë shok tjetër nën pushtimin gjerman, në kohën e të cilvet u vranë ca oficera inglizë? Apo nji palë e tretë që neve s’na bie ndër mênt fare, pasi akoma s’i kemi kuptuar kriteret me të cilët është hartuar lista e kriminelëve të luftës? Për këto arsye dhe gjer sa të mos jetë kulluar puna mirë, kam vendosur të ruhem sa të jetë e mundur. Ua kam frikën edhe të këtushmëvet. Se nesër po t’a njohin qeverinë e Titjanëvet në Shqipri këta nuk dihet se ç’bëjnë. Data 2 mars 1925 dhe shkandulli i Tranit s’munt të harrohen kaq shpejt.
Qëllimi i kësaj letre s’është për të larë veten faqe Teje. Nuk dua të them se Italjanët s’patën as më të voglin koncesjon prej meje, jo vetëm, po kisha nisur e po përpiqesha t’u heq ata që kishin marrë më parë. S’u lodha nga lufta, po u largova se më vranë Koculin dhe më lanë shokët nacjonalistë. Me këta u solla tepër bujar, me tjerët i egër brenda caqeve të ligjës. Nuk vrava njeri prapa krahvet, u fala jetën gjymsës së komunistëvet të dënuar me vdekje nga gjyqi. Ata q’u dhanë fuqí komunistëvet, që bashkpunuan shumë kohë me këta, gjersa këta ua muarën krejt fuqinë nga dora dhe u vunë drunë e pastaj pushkën, ata sot janë në mërgim si unë. U ngjau si me Zogun. Dhe jam i sigurtë se akoma s’kanë zënë mênt dhe as për të zënë s’kanë.
Unë jam betuar me veten t’ime mbi shpirtin e djalit që më vdiq e të miqve e të shokëve që më vranë n’emër të drejtësisë së popullit – veç dy kushërinjve që dihen, pëshpëritet se më kanë vrarë dhe një vëlla, – jam betuar tash mbi shpirtërat e gjithë këtyre që kështu e tutje s’kam për t’u marrë më me politikë shqiptare, dhe këtë rrëfim je ti i pari që po e merr. Me gjuhë po, do të merrem, se kjo m’është bërë sëmundje, me gjithë që besoj se edhe kjo është e kotë.
Unë nuk dij se ç’fat i kanë ruajtur Shqiprisë së nesërme të zotët e botës së sotme; dij vetëm se sot në Tiranë sundon Titua me të tërë kuptimin e fjalës, dhe jo si Italija me Zogun. E pohoj se personalisht s’më hyn më në punë se kush e sundon Shqiprinë, pasi arrijti koha të pijmë gjakun e njêri tjetrit. E dijmë se ç’ka ngjarë në botën tjetër, sot edhe dje; dhe në vende të qytetëruara si Franca, bile. Po ç’më duhet mua bota? Unë shoh Kottën, Tromarën, Omarin me shokë në litar, e kur shoh ata në litar s’shoh asgjë tjetër më në botë. Kështu e tutje nuk do të dëshirojsha tjetër veçse një gjendje që të më lejonte një jetë kafshe të patrazuar n’atë vent q’e paskish mallkuar Perëndija.
Më fal, se Ti s’kishe nevojë për çfrimet e mija. Po me Ty s’e përmbajta dot veten. Adresën t’a mësova nga “Bashkimi” i Tiranës n’apelin e Kishës për njohjen e regjimit të Shqiprisë, a më eksaktërisht të qeverisë s’Enver Hoxhës. Unë i kuptoj fare mirë shkaqet e arsyet që Të kanë shtytur Ty në këtë gjest, edhe pa ditur hollësirat; ashtu siç kisha kuptuar edhe gjestin tjetër më parë në favor të Zogut, e tjetrin akoma kur në 38-n të lanë Shqipot n’udhë të madhe të sëmurë.
Edhe unë po T’a jap një adresë, po deshe të më përgjigjesh: Signorina Haxhire Merlika, presso Signora Gjika, via S. Francesco d’Assisi, 26 – Bari.
Të përqafoj me miqësi të vërtetë. S. B.

Shkrimi u publikua  në gazetën Shqiptarja.com (10.10.2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.