Musineja ime nga Vesim Kokalari

Musine Kokalari (1917-1983)

Musine Kokalari (1917-1983)

Musineja ime

nga Vesim Kokalari

Vesim Kokalari, mban emrin e gjyshit të tij,
njerit prej vëllezërve të Musine Kokalarit,
i cili u ekzekutua së bashku me vëllanë tjetër Muntaz
nga “forcat çlirimtare” kur po zhvilloheshin luftime
për çlirimin e Tiranës më 12 nëntor 1944.
Ashtu si edhe familjarët e tjerë,
ai ruan kujtime të çmuara nga takimet me hallën Musine
dhe nga tregimet e familjarëve të tij për të,
të cilat i rrëfen më poshtë:
.
vesim Kokalari - nip i Musinesë

Vesim Kokalari – nip i Musinesë

Musinenë e kam njohur nga tregimet e gjyshes time Feijzie.
Kur isha i vogël, ajo më tregonte gjithmonë për kohët e bukura që kishte kaluar me Musinenë dhe shoqet e saj në Itali, kur shkonte të vizitonte Hektorin e vogël të shtruar në spital. Në ato kohë për një grua shtëpiake shqiptare të dilje jashtë shtetit dhe të kaloje kohë me vajza studente në Itali, ishte diçka e jashtëzakonshme. Por kjo kohë e bukur zgjati fare pak sepse me mbarimin e shkollës Musineja u kthye ne atdhe dhe filloi punë tek vëllezërit. Pas pak kohe ky kapitull i lumtur i jetës së saj do mbyllej dhe filloi kalvari i vuajtjeve, që do të shënojnë gjithë jetën e Musinesë. Është shkruar shumë për nëntorin e zi të ’44, kur hyri inkuizicioni komunist dhe për viktimat e tij dhe kjo gjëmë që ra në familjen Kokalari, përmbi Musinenë ra dy herë, përveç pushkatimit të dy vëllezërve të dashur, duhej të kujdesej edhe për jetimët që ata lanë. Është i njohur aktiviteti i saj politik dhe letrar, por njëkohësisht edhe puna që bënte për t’i ardhur në ndihmë familjes nga ana ekonomike. Shpejt familjes do t’i binte edhe një bombë tjeter; arrestimi i saj. Të gjitha këto gjëra gjyshja ime i thoshte me respekt dhe dashuri për një grua që u tregua burrneshë e vërtetë. Pas ngjarjeve të ’44, asaj ju bë ftesë për të qenë pjesë e intelektualëve në shërbim të komunizmit, nga ana e dy kolegëve të saj shkrimtarë dhe komunistë, Dalan Shapllos dhe Andrea Varfit, të cilën ajo nuk e pranoi. Më pas nisën historitë e dhimbshme të hetuesisë dhe të burgut…
Gjyshja ime shkonte përditë ne hetuesi për t’i çuar ndërresa dhe për të ngrënë, kjo gjë ra në sy të policëve që e pyetën se çfarë e kishte Musinenë. Ajo i përgjigjet se është kunata e saj, por policët i thonë që këto veprime duhet t’i bejë një njeri më i afërt. Nga ajo ditë Feijzia dhe Aneja shkonin së bashku për t’i çuar bukën. Prap policët e pyesin pse ka ardhë dhe ajo i përgjigjet që kësaj rradhe shoqëron vjehrrën e moshuar.
Pasi mbaroi gjyqi dhe Musineja u burgos, nuk patën më mundësi të takohen dhe patën shumë pak kontakte.
Kur Musineja u internua në Rrëshen gjyshes i vinin habere të ndryshme, shumë prej të cilave ishin provokime që ajo nuk u jepte rëndësi.
Në vitin 1983, kur Musineja u shtrua në spital, unë dhe motra shkuam për ta parë, nuk ishte vizita e zakonshme ku njerëzit shkojnë për të takuar të afërmit e tyre, duke kërkuar emrin, numrin e dhomës, etj…
Ime motër shkoi nëpër të gjitha dhomat pa kërkuar asnjë emër dhe asnjë informacion, kur e gjeti lamë takim tek oborri i spitalit. Ishte një takim shumë emocionues dhe ajo pyeti me një frymë për të gjithë të afërmit e saj, na u duk sikur koha fluturoi. Isha i ri, por përshtypja ime e parë ishte ajo e forcës që buronte nga ajo grua e sëmurë. Pa u qarë foli edhe për sëmundjen e vet. Pas disa ditësh mama ime interesohet për Musinenë në spital nëpërmjet një infermierje të njohur që punonte në onkologjik dhe infermierja i tha me habi të madhe se ajo, gruaja nga Rrësheni kishte përkthyer posologjinë e ilaçeve nga frëngjishtja njëlloj si profesori. Mama ime i përgjigjet se ajo gruaja nga Rrësheni di disa gjuhë të huaja…

.

Musine Kokalari para gjyqit...

Musine Kokalari para gjyqit…

Herën e fundit e kam parë ditën që u nis nga spitali për në Rrëshen dhe ajo ditë do të më kujtohet gjithë jetën sepse ajo grua e qetë dhe e fortë ishte fikur dhe pamundësia për ta ndihmuar me ka mbetur peng.
Nga fillimi i vitit ’91, kur në Shqipëri erdhi demokracia, një mbrëmje im atë më thotë: “Do vete në Rrëshen.” I habituar e pyes për arsyen dhe ai më përgjigjet që kishte dëshirë të merrte eshtrat e Musinesë dhe t’i sillte në Tiranë, tek prindët e saj.
Pas disa ditësh u nisëm të dy për në Rrëshen, ku mbërritëm afër drekës. Përnjëherë u drejtuam për nga zyrat e komunales ku, pasi u prezantuam, im atë tha që kishte ardhur për të marrë eshtrat e hallës, që t’i shpërngulte në Tiranë. Habia në zyrat e komunales ishte e madhe, sepse nuk e dinin se ç’rreth familjar kishte Musineja dhe u çuditën që nipi kishte ardhur nga Tirana për eshtrat e hallës…
Kjo punë, përvec anës burokratike, kishte edhe një kosto, thanë ata. Por ne ishim të përgatitur për gjithçka që mund të na kërkonin.
Atë natë ishim të detyruar të rrinim në Rrëshen, se ishte e pamundur që kjo punë të kryhej në një ditë. Ka qenë një nga netët më të vështira të jetës time, jo vetëm për acarin e janarit, po edhe për shqetësimet dhe mendimet e ndryshme që s’na linin të mbyllnim sy: si do të shkonte zhvarrimi i eshtrave dhe një veprim i tillë a do të kishte pasoja. Ajo natë kaloi pa gjumë, të nesërmen u paraqitëm përsëri tek komunalja me dy punëtorë dhe me një zonjë që kishte qenë bashkëvuajtëse e Musinesë, për të na treguar vendndodhjen e varrit të saj.
Kur mbaruan gërmimet dhe hapëm arkivolin, im atë njohu një pallto të vjetër që ajo e kishte mbajtur që përpara se të fillonte kalvari i saj. Pas një rruge të gjatë drejt Tiranës, shkuam tek varrezat e Shish-Tufinës, ku mbërritëm në darkë vonë. Arkivolin e sistemuam në një vend të sigurtë, të nesërmen pa gdhirë mirë im atë shkoi në varreza për të mbaruar punë me varrimin e dytë të Musinesë. Eshtrat e saj prehen në të njëjtin varr me Anenë dhe Reshatin. Duke mos dashur që familjet e tjera të kishin pasoja, mbi varr shkroi “Nga nipi, Hektori”.
Marrë nga muri i FB “Muzeu Kokalari”, 8 dhjetor 2017

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook