back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Musineja – E vdekshmja e mbetur pezull… nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Musine Kokalari - "Letërkëmbime, shënime, kujtime"
Musine Kokalari – “Letërkëmbime, shënime, kujtime”
Libri “Musine Kokalari – Leterkëmbime, shënime, kujtime”
përmbledh shumë pak nga dorëshkrimet që ka lënë Musine Kokalari.
Kjo është një përpjekje e dytë që bën familja
(e para qe “Si u krijua Partia Social Demokrate”)
për t’ua sjellë pranë lexuesve
trashëgiminë e Musinesë me financimin e saj.
Shitja e librit do të shërbejë edhe si test i mbështetjes
për të vazhduar botimin e veprës së panjohur të Musine Kokalarit.
Arjeta Kokalari
.
Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè

Musineja – E vdekshmja e mbetur pezull…

nga Shpend Sollaku – Noé

Ka libra që nuk i lexon dot më tutje se kapitulli i parë, ka të tjerë që i le përgjysëm, dhe nuk të vjen ndërmend as pas një dite ç’ke lexuar në faqet e tij. Ka të tjerë që u kthehesh vazhdimisht, pasi të duket se gjithmonë ke humbur diçka gjatë leximit, pasi të duket vetja një polumbar i paaftë për të arrirë deri në thellësitë e funddetit që ato botime prezantojnë.
Në kategorinë e atyre librave që duhet t’u kthehesh pa dyshim bën pjesë edhe ky botim: “Musine Kokalari – letërkëmbime, shënime, kujtime…”.
Secili nga këto momente zë një vend të rëndësishëm në kuptimin e një jete sa të vështire, aq edhe dinjitoze. Qoftë në kujtimet, qoftë në shënimet apo edhe në letërkëmbimin e paraqitur në këtë libër bie në sy një tendencë e qartë për t’i thënë gjërat ashtu siç kanë qenë e për t’i lënë pak ose aspak vend intepretimeve. Siç e shkruan edhe Bibika Kokalari – autorja e kësaj përmbledhjeje, Musineja e tregon vetë historinë e saj.
Pa e filluar akoma leximin, goditesh emocionalisht që në kopertinën e parë: Një Musine fare e re mes lulesh e bari, si një zhardhok i zambakëve të jugut, drejt lulëzimit të plotë. Nuk duket si foto e vjetër; ngjan më tepër si shoqet tona të gjimnazit, në vitet ’70. Godet edhe historia e Bibikës në kopertinën e pasme. Ashtu si edhe prezantimi që u bën këtyre dokumentave historike po ajo, rrëfimi sesi e njohu Musinenë, që nga marsi i viti 1981, deri në korrikun e 1983-shit.
Emocionet këmbejnë kurs kur Musineja flet për veten, nëpërmjet korrespondencës së saj. Që nga letra e parë, e datuar 31.12.1972, dërguar Musinesë nga Platon Kokalari e deri tek ajo dërguar këtij të fundit prej Musinesë, lexuesi ka mundësi të mësojë detaje të panjohura të jetës së saj. Ky kapitull mbyllet me listën në proçesverbalin e trishtë që risjell varfërinë në të cilën u detyrua të jetojë një nga personalitetet më të shquara të disidencës shqiptare: një raft ushqimi; një etazher; 178 libra, një stufë zjarri; dy karrige; gjashtë enë ushqimi, mbulesa, një dyshek, një minder dërrase.
Ndërsa vija re këtë inventar varfërie të thellë, mendova sesi ajo grua inteligjente shkruante e lexonte: në listën e saj të pasurisë nuk kishte asnjë tavolinë!!
Pastaj: Ç’ne 28 vepra të Hoxhës në etazherin e saj? I ka blerë për t’u tallur, e kanë detyruar t’i blejë? Ia kanë dhuruar me dhunë?
Në të gjitha dokumentat që ka lënë pas, ajo nuk merret fare apo e injoron plotësisht diktatorin.
I të njëjtës ngarkesë emocionale, por kësaj here të gjitha në veten e parë, janë shënimet e Musinesë të mbajtura në shtratin e lëngimit të herëpashershëm në spital. (periudha shkurt 1981 – maj 1983, faqe 89-106, që mbyllen me një autobiografi të shkurtër dorëshkrimore).
.
Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…
Mbi të njëjtën vragë ngrihet edhe kapitulli “Mbi jeten time”. Ai nis me Parashtesë të fletores numër 1, 8 faqe: 109-142). Është një libër më vete, me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për familjen Kokalari, por për të gjithë historinë e Shqipërisë. Unë veçova ndonjë kuriozitet, nga faqja 121, ku theksohet zbrazja e Gjirokastrës nga bejlerët, në vitin 1920, por edhe diçka me vlera të forta simbolike familjare: hyrjen e mënyrës evropiane të të jetuarit.
Kapitulli “Kujtime të përgjithshme dhe të shkëputura” shënon ndryshimin jo vetëm demografik të familjes së Musinesë (lindja e Hektor Kokalarit). Në këtë vlagë ndër më të bukurat janë dialogët e faqeve 148-149, rreth lindjes së Kasandrës. Po në këtë kapitull fillojmë të ndeshemi edhe me tmerrin që fillon të ndiejë e brishta Musine në drejtim të komunizmit. Janë ato vite kur ajo nis ta ndiejë veten demokrate.
“Une rashë në burg dhe u varrosa për së gjalli nga diktatura e proletariatit. Nxënësja e të ndriturit Sami…”.
Këto janë rreshtat e fundit të kujtimeve të Musine Koikalarit. Të mbetura pezull, midis dhimbjes dhe përçmimit për injorancën dhe krimin e ardhur në pushtet.
Në këtë libër nuk është miti.
Ai, sidoqoftë, nuk ridimensionohet. Ndër faqet e këtij vëllimi na ridel parasysh Musineja e brishtë, delikate, ajo e sëmundjeve, ajo e vdekshmja: Për këto arësye një Musine që “zbret” në nivelin e njeriut të zakonshëm, që nuk na bën të mburremi me të – ashtu sikur bëjmë me mitin e saj – por që na e provokon lotin vazhdimisht. Në këto rreshta, edhe të kursyer, na ngulitet në mendje një Zambak në fazën e pragdimrit, që humbet petalet, pastaj edhe gjethet, dhe shndërrohet akoma në një zhardhok, nën tokën e ngrirë. E sigurt, që ajo do të nxjerrë kryet në të gjitha pranverat pasardhëse, për çdo herë me ngjyra akoma më të ndritshme. Me aromë akoma më tepër dehëse. Me petale e kërcenj të ndrydhura prej zinxhirëve, të shqyera nga telat me gjëmba.
Me vdekjen pezull mbi krye.

.

Marrë nga http://gazetadielli.com/?s=sollaku+kokalari 11.03.2018
.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.