back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mrekullia e heshtun e Nanë Terezes… nga Kazanova Aliaj

Gazeta

Drama e Gjergj Jozef Koles Mrekullia e heshtun e Nanë Terezes
Drama e Gjergj Jozef Koles
Mrekullia e heshtun e Nanë Terezes

Mrekullia e heshtun e Nanë Terezes

refleksione mbi dramën e Gjergj Jozef Kolës

nga Kazanova Aliaj

Drama “Mrekullia e heshtun e Nanë Terezës”
e Gjergj Jozef Kolës është një dëshmi artistike,
ku nëpërmjet andrrës së një krijese të thjeshtë,
që shkon deri në sakrifikimin sublim,
kërkon të japet mesazhi ma njerëzor,
duke e shenjtnue andrrën e sajë, me prekë parajsën
dhe me mujtë me e prekë me shqisat e saj familjen,
nanën e motrën, n’at votrën me pak zjarr,
ku ngrohet ajo dashuria e fuqishme
që ajo kishte mbrenda vehtes për sa jetoi…

Kazanova Aliaj
Kazanova Aliaj

Këtë dashuri njerëzore deri në shenjtnim ajo nuk e shterri, por e la mbas vedit si një burim shpirtnor, si model njerëzor që jo gjithkush mundet ta ketë, një burim i kthjellët dashnie edhe mbas ikjes së sajë në rrugtimin e pakthim!!
Në tre përmasat e saj, kjo “dashni e shenjtnume”, prej një krijese kaq e brishtë dhe e ndëshkueme padrejtësisht, është një paralele me trinitetin e shenjtë, një program shpirtnor i sajë i paraqitun me mjaft finesë nga shkrimtari, me një gjuhë të thjeshtë e të fuqishme, e gjitha kjo, me mbrritë me ruejtë përmasën njerëzor dhe besimin në çdo situatë, edhe atje ku sfida mund të jetë e fortë, deri në kufijtë e tragjikes!! Ajo kët e përjeton me shumë vuejtje e dhimbje, por me heshtjen dhe shenjtinë e sajë ajo fal, (jo i lehtë ky proces) edhe kur zemra i dhemb, e shkrimtari kët e ka dhanë ashtu siç është: thjesht por fuqishëm. Përjetimi i sfidës së saj i lidhun me heshtjen dhe lutjen, është akti ma sublim i sajë, por njiherit e fuqizon atë me i rezistue së Keqes, me modelin ma njerëzor, me dhurimin e dashnisë, atë dashni që ia kishin privue padrejtësisht ateistët diabolikë!!
E atëhere ajo, përshtati një dashni me përkushtim për krejt ato krijesa njerëzore të harruara e të braktisura, zhytë në vorfni dhe sëmundje, që ta përjetonin dashninë njerëzore. Zgjedhja e saj është e fuqishme. Gja që jo gjithkush mundej me e ba, por ajo ia arriti, dhe jo pak po në krejt një jetë…!!
Ky është akt unikal, të cilin ajo e përjetësoi me modelin e sajë, me thjeshtësinë e sajë, me forcën e sajë. Ajo grua me emrin Gonxhe i dhuroi aq drandafile botës, kur lulet thaheshin nga mungesa e dashnisë… Dhe ajo dhuroi e dhuroi krejt një jetë, e kët shkrimtari e ka dhanë artistikisht të realizueme bukur me mjete të thjeshta, po të fuqishme.
Kjo madhështi e saj, na flet shumë, përmes dramës së Gjergj Kolës. Nji krijesë e vogël dhe e përkushtueme i ban sfidë ateizmit të një diktature, që po tjetërsonte shpirtin e krejt një populli… Ajo lutet deri në fund për ta, që t’i mbronte dhe t’i shpëtonte nga ajo e keqe e madhe.. që në të vërtetë zgjati një jetë…!!
Ajo që e kishte privue dhe reduktue jetën e sajë deri në sakrifikim, kishte një andërr të vetme! Shkrimtari e veçon kët fakt si një tregues mjaft të randësishëm dhe kët sakrificë sublime të sajë e nxjerr në pah. Sepse jeta e një krijese s’është gjë e paktë dhe duke dhanë modelin ma vetmohues të kësaj gruaje ai ekzalton këtë shembull, të cilin sot e respekton deri në përulësi e krejt bota, me një vërtetësi të prekshme e mjaft fuqishëm përmes stilit dhe artit të tij…

Në thellësine e pafund të zemrës time
dridhet e heshtun nji andërr e pa jetueme
Parajsën në qiell e familjen në tokë
guxoj me i prekë, vetëm përmes lutjes…

Nënë Tereza - për shqiptarët - Oslo 1979
Nënë Tereza – për shqiptarët – Oslo 1979

E kjo është një dëshmi dhe një akuzë ndaj atij sistemi diktatorial dhe ateist i cili vrau të drejtën shpirtnore për të besuar, të drejtën njerëzore për të respektuar familjen e për ta mbrojtë mosshpërbërjen e saj. Ndërkohë që ai sistem kishte prioritet shpërbërjen e individit, të familjes e të krejt shoqërisë në mënyrat më tragjike… e ku dëshmi e gjallë është edhe rasti i familjes së kësaj shenjtoreje. Kjo ishte fatale: të trajtosh një qytetare tënden, si armike, dhe ta privosh nga çdo e drejtë njerëzore një grua që besimin e ka qëllim e prioritet të jetës: ky është një krim, jo vetëm për Gonxhen, po për cilindo qytetar shqiptar, që u përjashtua barbarisht nga të drejtat ma elementare njerzore?!
E kët dramë të sajën, Nana Tereza e superon me heshtje dhe lutjet e saj deri në amshim… Kjo dhimbje e pameritume e bani atë të jetë dhuruese e dashurisë dhe ndihmës njerëzore, si askush tjetër në glob. Ky model ishte dhe do të mbetet, modeli i një gruaje shqiptare, dhe shenjtnimi i saj është sfida e së mirës ndaj së keqes, e forcës së dashurisë mbi urrejtjen e diktaturës, e cila mohoi, mohoi dhe vetëm mohoi… E kët shkrimtari e sjell me modulimet e tij të mirëvendosura dhe latimin e personazheve, duke na i shfaqë mjaft të goditur e të konstruktuar artistikisht, po edhe me mjaft vërtetësi, çka ja shton vlerat kësaj drame…
Drama derdhet me forcën e fjalës dhe së vërtetës të artit, me personazhet dhe dialogjet aq të ngjeshuna, me poetikën e mesazhit dhe gjuhën aq të pasun përmes melodiozes gegnishte, duke e ndërthurë aq hijshëm këtë dramë të vërtetë, e cila shkon drejt notave tragjike, që përjeton  kombi shqiptar dhe një krijesë e tij si Gonxhe Bojaxhi.
Një paralele e fuqishme, kjo e dramës së individit dhe jetës së një kombi nën diktaturë, që s’do mund të harrohet kurrë, e që shkrimtari rreket ta përjetësojë me dramën e një gruaje, duke e futë në kasafortën e memorjes, për të dëshmue artistikisht dramën e krejt një kombi, që nuk e meritonte kët ndëshkim barbar.
Kjo dramë përjetohet në dy linja të fuqishme, si drama e individit, Gonxhe Bojaxhi, që e përballon me lutjet e saj, me besimin e saj, me shpresën e saj… dhe si drama e një kombi, që ishte toka amë e kësaj shenjtneshe. Edhe populli i saj, ashtu si nana dhe motra e saj, vdiste përditë e nga pak nën peshën vrastare të një ateizmi diktatorial, që po grryente shpresën, besimin dhe lirinë e që në kët dramë merr përmasa gjithnjë e ma tragjike. Kjo tragjike shfaqet me konfigurimet e vërteta të personazheve që e ushqejnë kët dramë me dhunë e terror, e ku shkrimtari e shfaq frikshëm përmes ligësisë dhe mostruozitetit të këtyre personazheve, që për fat janë të vërtetë, si mostra Nexhmije, shoqnuesit e saj, togerat e togave të pushkatimit apo kori i korbave që ndjellin vdekje në çdo hap të dramës.
Drama ngjan si një ortek që rritet e rritet, ku çdo gërmë e çdo fjalë ka peshën e vet, dhe si një dëshmi e fuqishme, përpos mënyrës artistike e konfigurimeve të vendosura aq në harmoni, na jep një kuadër të fuqishëm të një realiteti që të përqeth.
Gjej rast ta përgëzoj autorin Gjergj Kola, mbasi askush deri sot nuk ka shkrue për kët grua kaq të fuqishme, për kët grua që e konvertoi urrejtjen me dashninë, dhe përjashtimin e së keqes përmes lutjes, dhe mohimin e Korit të Korbave nëpërmjet besimit çka e fuqizon edhe me Ave Marinë e saj. Personazhe si: xhelati, trimi, monstruozi, kryeministri Mehmet Shehu, një gjaksor, që kryqëzoi dhjetra e dhjetra shqiptarë, jepen artistikisht në një mënyrë të tillë, që të duket sikur i prek e sikur i ndjen ckërmitjet e tyne.
Kulmi drama e mbrrin kur Nanë Tereza, dekorohet me çmimin Nobel!!
Eshtë një përshkrim, një përjetim, një dëshmi që mbyll siparin e një pushteti të pandreqshëm gjaksor dhe të inkriminuem deri në asht e në rrasht. Përjashtimi dhe mospranimi në mënyren më barbare, injorimi dhe fyerjet ndaj nanës dhe motrës së Gonxhes janë tregues, që u japin një profil tejet kafshëror nënprodukteve të diktaturës. Edhe kori i korbave në refrenin mortor e dëshmon artistikisht kët gja përtej tragjikes.
Sa herë shihem në pasqyrë
me rrjedh gjaku në fytyrë.

The silent Miracle of Mother Teresa
The silent Miracle of Mother Teresa

Atmosfera makbethiane e përshkon krejt dramën e kjo qartëson se lufta për pushtet, nuk njeh kufi, ku bashkë me njerzit rrënohen dhe vriten edhe vlerat. Nësa bota sot, përulet përpara kësaj gruaje të thjeshtë e të vogël, që fali aq shumë dashuri,  pse ajo si produkt i dhimbjes, ka një jetë në shërbim të të sëmurëve dhe të vujtunve, nga një anë e globit në tjetrën, duke e kthyer dashninë në normë për krejt shoqninë, përbindëshat komuniste jo vetëm nuk e njohin, por e mohojne dhe e përjashtojnë… e megjithatë ajo vazhdon të dhurojë dashni për Njeriun dhe Zotin, atë çka nana ia dha peshqesh, qysh ditën kur mori rrugën drejt përkushtimit të saj…
Me kët moto të saj, ndër tjera ajo thotë: “Shpirti jonë ka një aftësi të jashtëzakonëshme, me u ringjallë e me e rifillue jetën, sepse në shpirtin tonë, diku thellë secilit prej nesh, jeton Zoti!”.
E kjo u përjetësua, sepse besimi e shpresa e ndërthurur me dashurinë njerëzore sfidon negativen, diabolikën e individit dhe pushteteve të mbrapshta. Lutja e saj është postulat, lutjet e saja e çuan deri në shenjtnim dhe atë çka, s’ia lejoi ajo diktaturë vrasëse, atë që e mohoi ajo diktaturë e ngriti në piedestal një botë e tanë dhe ne sot përulemi para shenjtësisë së sajë për t’u ndjerë ma shumë njerëz, e të dimë me dashtë ma shumë, për ta vazhdue udhëtimin si krijesa njerëzore.
Nanë Tereza mbetet bijë e kësaj tokë të vujtun dhe sadopak të marrim prej shembullit të sajë aq ma shumë do të fuqizohemi si njerëz dhe si komb i qytetnuem…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.