back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Motra… – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Motra…

nga Muçi Xhepa

Shoferi ndaloi kamionin. Dy motrat vazhduan të luten në heshtje. Meriemi shtrëngoi në kraharor Fatbardhën. Ishin të vetme në rrugën e lotëve. I thyeri në moshë, zbriti nga kabina. Në fytyrë i dalloheshin vrazhda të thella lodhjeje. Bëri dy hapa në anën e rrugës. Pa folur i ftoi të ngjiteshin në karroceri. Meriemi vuri duart në shpinën e motrës së vogël. E ngriti lart. Afroi shpatullën, ajo mbështeti këmbën dhe me mund kërceu brenda. Pastaj, një e nga një, i dha trastat me ushqime e veshmbathje. I kishin mbledhur bashkë duke bërë punë të rënda krahu. U ulën në krye, pranë kabinës, ngjitur me shoferin. Ai ktheu fytyrën e vrarë, vështroi nga xhami i pasmë udhëtaret e ngrata që zunë vend dhe ndezi motorin.
-Perëndia na e ndriçoi udhën. Fillova t’i humbas shpresat. Shoferi që s’pranoi t’na marrë…
Kishin tërë paraditen që prisnin në të dalë të urës së “Zogut”.

Ilir Buzo
Ilir Buzo

-Më ka ndodhur edhe herë tjetër. Mamaja u lëndua shumë, kur shoferi i tha se nuk e ndot automobilin me armiq.
Vajzat e Rasim Babametos, prefektit të Gjirokastrës, kishin dy ditë që udhëtonin të takonin vëllanë e mbyllur në kampin-burg, Gulagu shqiptar, Spaç.
-Të kishte dëgjuar babanë Mërkuri do ishte… Fatbardha fshiu lotët.
-Fati i njeriut.
Meriemi shtrëngoi motrën në kraharor. Dhe, ashtu të mbledhura pranë njëra-tjetrës, përpiqeshin të ruanin fytyrën, sytë, nga pluhuri i mineralit të mbetur në qoshet e karrocerisë, që era ua sillte me forcë nga të tëra anët.
Në Gjirokastër, shtëpisë së Babametove “çlirimtarët” i kishin vënë flakën. Po shkrumbonin historinë e kombit. Atë që ndër shekuj s’kishin mundur ta bënin pushtuesit, po e bënin “bijtë e Stalinit”. Ashtu mes flakësh, prefekti kishte marrë familjen dhe ishte strehuar në bodrumet e një pallati trekatësh, në anën tjetër të Shallvareve. I quanin pallatet e bardha. Ishin ndërtuar nga italianët. Bashkë me ta ishte strehuar edhe kushëriri i tij, Bahri Omari me familjen. Më kot ishte përpjekur prefekti ta bindë.
-Këta që vijnë janë më të egër nga sivëllezërit e tyre, bolshevikët e Tetorit.
-S’kam bërë gjë. Përse të iki? I kam ndihmuar.
-E pakta që do të të bëjnë: mbyllin në kamp shfarosjeje… Do mallkosh ditën që ke lindur.
-Në krye të tyre është Enveri ynë.
-Ai ka për të të hapur varrin.
Kamioni filloi të gulçojë. Dukej se do të ndalej nga çasti në çast. E përpjeta s’kishte të sosur. Një shkundje edhe një tjetër. Mjeti, që s’dihej kur ishte prodhuar, u fik. Shoferi doli me të shara. Hapi kofën e motorit. Avull nga të katër anët. Mori kanaçe të shtypur dhe zbriti poshtë rrugës së pashtruar te një hendek me ujë. E bëri disa herë rrugën, që vajftohësi të mbushej. Por, kamioni nuk u ndez.
-Dëgjoni vajza. Natën do ta kalojmë këtu, nëse nuk vjen kamion tjetër që të na tërheqë e ndezë motorin.
Vajzat ngrinë.
-Do t’ju bëja vend në kabinë, por…
E la të kuptuar se e ndalonin.
-Sa larg është në këmbë… kampi?
Meriemit iu mbytën fjalët nga dëshpërimi.
-Larg, shumë larg. Pastaj, ka kafshë të egra…
Shoferi kishte të drejtë. Më të egër se kafshët ishin vetë banorët e fshatit. Një pjesë punonin brenda telave me gjemba. Komanda i paguante më mirë se kooperativa. Dhe, ata ia shpërblenin me punët e ndyra që kryenin me zell. Motrat falenderuan njeriun e mirë që Perëndia ia kishte zbutur zemrën dhe si në Bibël, me trastat në shpinë, u nisën në këmbë. Dashuria për vëllanë nuk njihte kufi.

Rustem Buzo, Mërkur Babameto, Merieme (Babameto) Buzo, Barije Babameto dhe Fatbardha Babameto.
Rustem Buzo, Mërkur Babameto, Merieme (Babameto) Buzo, Barije Babameto dhe Fatbardha Babameto.

Prefekti i Gjirokastrës, avokati Rasim Babameto, firmëtari i Deklaratës së Pavarësisë, pjesëtari i Kongresit të Lushnjes dhe deputeti i Parlamentit Shqiptar, mik i ngushtë i patriotit Lef Nosi, pa u gdhirë, bashkë me të birin, Pëllumbin dhe nipin, Samiun, i doli përpara autokolonës gjermane. Ajo largohej nga Tirana për në veri. Pëllumbi kishte mbaruar shkollën e mesme në Austri dhe oficerit që e pyeste i tregoi qëllimin e largimit. Gjermani plot dashamirësi i mori në automobilin e tij.
Në mesinxher më merr nipi i prefektit, Ilir Buzo. Jeton prej shmë vitesh në Firence.
-Fatbardha kërkon të flasë me ty sot.
Në fakt në fundjavë e kisha bërë zakon të bisedoja për ngjarje që ajo kishte qenë e pranishme. Me një kujtesë për t’u admiruar dhe një oratori magjepsëse Fatbardha të lë gojëhapur.
-Sot do të të tregoj ç’ndodhi me Bahri Omarin pasi babai u largua.
S’e mbajta gëzimin. E falenderova me gjithë shpirt. Pata lexuar dhe dëgjuar shumë për intelektualin patriot.
-U mbyllën kufijtë. Ne në bodrum. Një natë trokitën fort në derë. Fahrija, gruaja e Bahriut, pa e hapur, u tha: “Jemi vetëm gra në shtëpi”. Ata kërkonin Bahriun. “Ejani nesër”. Bënë sikur u larguan. Në fakt, rrethuan vendin dhe pa aguar trokitën me forcë. Të tërë ishim të zgjuar e të veshur. Në atë kohë mbanim veshur rroba të trasha, që po të na mbyllnin në burg ta përballonim të ftohtën. “Kemi urdhër të vini me ne!”. Ushtaraku me kasketë lëkure e yll të kuq, i veshur me lëkurë të zezë, pantallona të futura në çizme të gjata edhe ato prej lëkure të zezë, nxorri nga xhepi një copë letër. “Ky është urdhri”. Bahriu që ishte afruar te dera, e pyeti. “Kush e ka lëshuar”? Një zë infernoje na drithëroi të tërëve. “Bedri Spahiu”.
Fatbardha ka në prehër një qenushkë të bukur që i ledhatohet. E tërë jeta i shkoi me vuajtje. Edhe pse arriti të martohej, fati u soll i pamëshirshëm. Nuk mundi të ketë fëmijë. Iliri, djali i Meriemit, kujdeset i përgjëruar.
Mëngjesi motrat i gjeti pranë rrethimit të parë. Të sfilitura. Ulur në tokë, puthnin rrobat e vëllait dhe luteshin që ta takonin. Në karakoll ushtari armëmbushur s’ua ndante sytë. Në drekë i lejuan të afroheshin te porta e madhe. E hekurt, e lartë. Brenda rrethimit të dytë. Përtej hekurave, një skelet, vinte dorën në buzë. I puthte. S’po e njihnin. I burgosuri u rrëzua. Bëri të ngrihej. Këmbët e lëshuan përsëri.

Fatbardha Babameto
Fatbardha Babameto

-Mërkur! Mërkur! Shpirti i motrës! – Zëri i tyre drithëroi edhe telat me gjemba.
I burgosuri tërhiqej këmbadoras. Ia zunë duart. I mbuluan me të puthura. Njollat e piritit i lanë me lot. Nuk ka si motra, thonë librat e shenjtë.
-Fahrija vajti të takonte Bedrinë te hotel “Dajti”. Rojet s’e lanë të futej brenda. Priti ulur te shkallët. Dikush e njohu dhe i tha, “Prokurori është i zënë me punë, shkoni në shtëpi”. Ajo s’lëvizi. Lutej për fatin e bashkëshortit. Babanë e djemve. E kishin dënuar me vdekje. Dhe ja dyert u hapën, i rrethuar me ushtarakë, si ai që i kishte rrëmbyer burrin, u shfaq Bedri Spahiu. I buzëqeshi gruas që priste. Ishin të tyret. “Hë, Fahrije, ç’e mirë të ka sjellë”? Ajo shtrëngoi duart. Ta mbyste me thonj. “Yt vëlla më ka urdhëruar. Mos e kërko shpëtimin tek unë”!
Fatbardha ledhaton qenushkën, fshin lotët që i mbulojnë sytë e bukur dhe më uron natën e mirë.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.