back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Motivet e Shkodrës – poezi nga Anton Cefa

Gazeta

Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Motivet e Shkodrës

Poezi nga Anton Cefa

Nji shkulm rrezesh

Nji shkulm rrezesh hollake
Të diellit n’prendim
E grisi çarçafin e palamë të reve.

Dangë e përgjaktë përflaket,
Zmadhohet e zvoglohet mes resh
Tue përskuqë
Tërthoren e Taraboshit në maje,
Kodrat e Tepes, të heshtuna
Dhe brengën time për qytetin e lindjes.

Nata me hije të bruzta
Do të më ndryej mbas pak në andrrën e vet.
Atje do të kërkoj
Shijen e nji jete t’grabitun.

Po, edhe nga syni i andrrës
Do t’më spërkasë shkulmi i përgjaktë
I rrezeve t’prendimit..

Drinit

Kam pi ujin tand
Sa rrajët e këtyne shelqeve që rritën në të tuat brigje
E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash
Jam shkoqë nga toka si zog i trembun
E n’ato plepa qi me maje prekin qiellin
E varen n’rreze t’diellit
Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;
Mandej me dorën e lehtë të flladit
Në gugatjen e valëve tua
Kam la sa e sa herë vargun tim
E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,
S’do të ngopem me ujin tand tanë jetën
Si rrajët e këtyne shelqeve
Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

Rrugë në Shkodër...
Rrugë në Shkodër…

Motiv i dikurshem

Drini i lau kambët Kalasë
E dielli, tue u rrxue mbas Taraboshit,
Ia fali lulkuqin e fundit
Të ditës.

Puthin aroma lulesh
Muret e oborreve të randueme nga shermasheku
E shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
Krrusen
Nën peshën e lodhjes së mbramjes
E të qiellit n’prendim.

Krismat e dyerve që mbyllen njena mbas tjetrës
Dhe të gjitha zhurmat e tjera
Shuhen ngadalë në valët e liqenit.

Me nina-nanën e bulkut të natës
Dremitin rrugët e vetmueme
E Shkodra flen.

Shtregullat

U harruen shtregullat,
Kur “Hovi i madh e hovi i vogël” *
Shlirshem kalamendeshin nën hije t’mandave
Dhe duhi shpirtnash
Mbushte me amsim hapsinat.

Kanga kishte tjetër ndriçim
E fjala tjetër tingull
E jeta tjera hove.

*Varg i kangës së shtregullave. 

Liqeni i Shkodres
Liqeni i Shkodres

Shnjoni

Si çdo vjetë
Shnjoni i ndezi flakadajt
Dhe valles ia dogji hapin.

Deri në ag të ditës
Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emën të ri
Zakonin e vjetër
E arbërit mbetën arbër.

Zjarre të fikuna dikur
Ndezen rishtas në gjokset e të rijve
Ditën e Shnjonit.

Pax  Vobis! 

“Pax vobis”, kufoma jetësh të zhgënjyeme!
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelqeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.

*U kushtohet patriotëve të pushkatuem mbas mureve të Rmajit, në Zall të Kirit.

Shkodra nga Rozafa
Shkodra nga Rozafa

Shkodrës

Të kam pa në synin e të gjitha qosheve të rrugëve
E tinzisht
Të kam joshë çdo lakim dëshire
E dridhje zani.

Je tjetërsue sot,
Asht shkërmoqë thelbi i të gjitha fjalëve
E edhe i asaj që njerëzit quejnë dashtni.
E Qinarit të Hoxhës së Dheut
Hija e topitun
Ka humbë gjithmonë kujtesën
E nuk më njeh.

Ende më vjen e mbytun
E me nji ritëm të çuditshëm
Jehona e hapave të lirë
(jehonë hapash të dikurshëm
mbi kalldramet tua të mëndafshta
e të buta si tapete).

E më duket se në këto shtjella ajri
Po zvargen ende tingujt e ambël
Të kumbonëve,
Që shpallshin paqen e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë
Por ma tepër e ma
Pse nuk flirtove me kta qiej të ndytë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.