Mos qani për Qani Mehmedin nga Agim Morina

Qani Mehmedi (1953-2017)

Qani Mehmedi (1953-2017)

Ndërroi jetë gazetari e publicisti Qani Mehmedi

Qani Mehmedi lindi me 12 mars 1953, në Dragomisht të Vogël të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës, ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës, në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës “Dituria”. Pas luftës punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “Lajm”, kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë. Qani Mehmedi ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka”, Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “Rilindja”. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera. Ka botuar me dhjetëra kolumne editoriale, intervista në gazetat e Prishtinës Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës. Së fundi ka botuar studimin “Shtetformimi i Kosovës 1968-2008”. Qani Mehmedi ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai kishte një arkiv të madh të trashëguar nga lidhjet, bashkëpunimet patriotike dhe miqësitë e shumta. Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin e tij të lindjes në Drogomisht të Vogël, në Kërçovë të Maqedonisë në orën 18.
Marre nga /rtk/
.
Gazetari Qani Mehmedi

Gazetari Qani Mehmedi

Mos qani për Qani Mehmedin

nga Agim Morina

Vdekja e Qani Mehmedit, më ktheu në vitin 1990

Duhet të ketë qenë me 18 apo 19 maj dhe aj ish ardhë në konviktet e studentëve apo në barakën ku gjendej “Bota e re”. Më lajmëroi dikush se po më kërkonte një gazetar i Radio-televizonit të Prishtinës. Me Qaniun nuk isha taku ndonjëherë, por kisha dëgju shumë për të nga shumë miq e shokë të mi, të cilët o e kishin shok, o e kishin pasë profesor në shkollë të mesme, ku mësohej edhe një landë e gazetarisë. Edhe vetë Qaniu, dikur kishte qenë gazetar dhe redaktor në “Bota e re”. Atë ditë isha liru nga burgu, bashkë me kolegun Luan Jaha. Në të vërtetë, burgosja Luan Jahës dhe e jemja bani bujë ma shumë ngaqë ishim ndër gazetarët e parë që po arrestoheshim në ish-Jugosllavi. E Jugosllavia, deri n’atë kohë, ende shihej nga bota perëndimore si një nga vendet ma demokratike të bllokut socialist.
-A je ti Agimi? – më tha Qaniu, kur më pa. M’u duk një njeri trupmadh, me një fytyrë të ambël të një babaxhani. Një tjetër po qëndronte mbrapa tij me një kamerë të madhe mbi supin e djathtë.
-Po! – i thashë.
-Kam ardhë me të intervistu… Nëse pranon, natyrisht.
.
Agim Morina

Agim Morina

Më habiti guximi i tij. Me ardhë dikush nga RTP me më intervistu! E padëgjueme deri në atë kohë. Nga pamja Qaniu nuk linte përshtypje të tillë, as të një aventurieri, as të një guximtari. Më vëzhgonte qetas me sy, si një mjek që ban egzaminimin e një pacienti dhe pret që pacienti me heqë këmishën e m’ia vendosë stetoskopin në gjoks.

-S’ka asnjë problem, i nderuem, – ia ktheva, – Por unë kam ma shumë problemin tand e të kolegëve të tu… Nëse më interviston mue, ka mundësi që të keni pasoja në televizion…
-Shiko, – ma ktheu e vazhdoi – kësaj pune i ka ardhë fundi. Le të dalë ku të dalë. Unë do të përpiqem që ta transmetoj. Do ta baj timen. Ata – kushdo qofshin – le ta bajnë të vetën.
Më erdh mirë. Ndjeva se në Kosovë tashma po ndodhte kalimi i madh nga kujdesi dhe matunia e urtë e brezit të vjetër në media, në një ballafaqim të drejtpërdrejtë me Serbinë. Na në gazetën e studentëve “Bota e re” ishim të rij dhe mun banim aventura. Por, tash edhe këta, ma të vjetrit, po hynin në lojë.
Në të vëtetë, në RTP tashmë presioni mbi personelin shqiptar ishte i tmerrshëm. Më habiti guximi i Qaniut me ba këtë intervistë. Ma shtroi pyetjen dhe unë dhashë një deklaratë të shkurtë. Isha i bindun se ajo deklaratë, të cilën u përpoqa me ba sa ma të pranueshme për ndonjë redaktor “kujdestar”, kurrë nuk do të shfaqej në televizion. Jo për shkak të Qaniut, i cili tashma më kishte intervistu, por për shkak të disa redaktorëve e “komisarëve politikë” që rrinin me gërshanë në dorë në RTP.
Megjithatë, deklarata jeme u transmetu.
Disa muej ma vonë RTP u mbyll me dhunë nga fashistët serbë.
Sot i paska mbyllë sytë Qaniu.
Të falem nderit, Qani Mehmedi, shpirt prej njeriu! Të kemi shumë borxh, për gjithçka që ke ba për ne, për dritën që ke ndritë me qenien tande që të shohim përpara, për ambëlsinë njerëzore, për guximin dhe ngrohtësinë që ke përhapë në kohët kur acaret politike patën mbulu tokën tonë!
Mos qani për Qani Mehmedin. Aj ka lanë mbas vetes një trashëgimi drite. Dhe si çdo përhapës i dritës edhe aj do të mbetet i pavdekshëm.
(marrë nga muri i fb i Agim Morinës, 18 korrik 2017)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook