“Mos me varrosni te shtëpia e burrit, po as te nana jo!” nga Ndoc Selimi

Vorri i Nuses - Mullet

Vorri i Nuses – Mullet

“Mos me varrosni te shtëpia e burrit,

po as te nana jo!”

nga Ndoc Selimi

Versione t’nji legjende mbi “Vorrin e Nuses”

Nji nuse e paemën e vdekë rrugës, në prani të krushqeve dhe ka lanë nji histori sa të dhimbëshme, po aq edhe trishtuese.
Enigma e saj ka humbë tashma në kujtesën e mbi katër shekujve të shkuem për me na mbrritë sot vetëm përmes nji monumenti të quajtun “Vorri i Nuses” pozicionue në nji livadh në anën e majtë të rrugës Mullet – Gurrë e Tiranës.
Kjo ngjarje e ndodhun në këtë zonë të Tiranës, sot prej popullit përreth ashtë e rrëfyer në tri variante të ndryshme.
“Na ishte njiherë një vajzë 16 vjeçe, për të cilën thuhej se kishte ra në sevda (dashuri) me nji djalë diku afër shtëpisë së saj. Prindët e vajzës e kuptuan këtë gja dhe vendosen ta martonin sa më shpejt atë.
Prej kah ishte dhe se ku shkonte, askush nuk di asgja – më ka pasë thanë në vitet 70′, plaku prej Petrele, Myrteza Hasmema. Kështu që erdh dita e dasmës dhe krushqit u nisën së bashku me nusen për te shtëpia e burrit. Me gjithë kundërshtimin e saj, zakoni e donte që ajo vajzë e re të shkonte atje ku ia kishin caktuar fatin prindët e saj. E hypun mbi shpinën e kalit dhe nën duvak, vajzës së re nuk iu terën sytë prej lotëve përgjat gjithë rrugës. Diku në njëfarë vendi, pikërisht afër katundit të Mulletit, nusja u kërkon leje krushqëve për nevoja personale, por gjithnji ishte nën vëzhgimin rreptë të krushkës shoqëruese. Mbasi zbret prej kalit, ajo nxjerr nga gjoksi, nji thikë të fshehun në trup dhe me të shpejtë pret damarët e duarve. Menjëherë u dha alarmi ndër krushq dhe vendas, por qe e pamundun t’i shpëtohej jeta vajzës-nuse. Në grahmat e vdekjes, nusja vajze apo vajza nuse u la amanetin e fundit: “Mos më varrosni të shtëpia e burrit, por as te nana jo!”.
Amanetin s’e tret as dheu! – thonë ndër shqiptarë – dhe vërtet, krushqit u ndalën, ia bane vorrin dhe e varrosën pikërisht aty ku ajo nuse kishte dhanë shpirt! Më vonë, thuhet se fshatarët vendas i banë këtë monument që shpesh ata e quajnë edhe “Tyrbe”.
Ka nji variant të dytë ku thuhet sikur nusja u sëmur rrugës dhe vdiq papritmas në shalë të kalit po mbetet pak i besueshëm; por asht edhe varianti i tretë, rrëfyer prej mikut tim, Osman Bunoca prej Mulleti, i cili thotë se krushqeve iu zu pritë dhe në betejë e sipër nusja mbeti e vrame aksidentalisht.
Unë gjithsesi mendoj se ma i pranueshëm mbetet varianti i parë, mbasi nusja do të varrosej o te shtëpia e nanës o te e burrit dhe s’mund të lihej në një vend vakant. Edhe varianti i fundit përmban elemente të ngjarjes së parë, mbasi pusinë mundet t’ua kenë zane të afërmit e ashikut të vajzës, ku djalit iu ba pabesia e martesës së vajzës.
Gjithsesi ky “Vorr i Nuses” asht një mrekulli që dëshmon edhe njiherë se dashnia e sfidon vdekjen, dhe ku edhe vdekja nuk e shuen dot dashninë.
Ka rreth 40 vjet që dëshiroja t’i baja nji foto këtij objekti dhe veç tash m’u dha rasti.
Pushofsh në paqe moj vajzë e paemën, që nuk mbrrite të bahesh nuse as në shtëpi të burrit, as të ashikut, po diku midis nji fushe dhe mbas kaq shekujsh dikujt iu kujtue me shkruejtë për ty!!
maj, 2017
ps. Te komentet poshtë këtij shkrimi, ka edhe nji variant ku jep edhe disa informacione interesante…
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Zhulieta Sina Harasani: Ka dhe një variant të katërt, sipas të cilit në këtë vend u kryqëzuan dy palë krushq, të cilët për ndonjë arsye u grindën duke prishur edhe “ceremonialet” respektive. Që prej asaj kohe ka mbetë si bestytni që nuk është për mbarë kur dy nuse kryqëzohen në rrugë. Për të qenë me autentikë, unë e di se ky lloj monumenti quhet “katërkomjet” apo “katërkomët!

    Arta Haxhiu: Po sipas banorëve të kësaj zone, kjo është historia e ngritjes së “katërkombjes!”.. kështu është quajtur ky objekt nga vendasit..

    Imelda Haxhiu: Edhe unë këtë variant kam dëgjuar nga Lal Cia Xhuli. Katërkomjet e di edhe unë!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook