back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Monumentet e munguara të Nënave Shqiptare… Jozef Radi

Gazeta

Nënë Resmia me djemtë: Shpëtimi, Ilirjani dhe Visari
Nënë Resmie Zhiti me djemtë: Shpëtimi, Ilirjani dhe Visari

Monumentet e munguara të Nënave Shqiptare…

nga Jozef Radi

Në kujtim të zonjes Resmie Zhitit…

dhe gjithkujt që ka nji nënë, nji motër a gjyshe të tillë…

“…Nëna është loti,
që shkëmbin e çan mespërmes…”
Visar Zhiti

Gjithnji e ma shpesh po rrallohen gratë legjendë të kësaj toke martire… sigurisht vijnë vajza, gra dhe nëna të tjera, pjella të tyne, po gratë legjendë të kësaj toke do të mbesin vetëm ato, që e kapërcyen komunizmin dhe mbetën ashtu stoike, të heshtuna, hijeranda, krenare, të papërlyeme, fisnike dhe njiherësh: luftëtare dhe shenjtore; gra që u ngulën në themelet e mbijetesës sonë, që s’u morën kurrnjiherë me veten e tyne, sepse ajo kohë që kish zbritë mbi shpinat dhe shpirtin e këtyne grave, veç vehte s’u kishte lanë, po jua grabiste edhe ato pak thërrime të mbetuna mbas shpirti, që rrënimi i tyne të sillte ma vonë edhe rrënimin e krejt strukturave shpirtnore dhe morale të nji kombi, të nji shoqnie, të nji elite… deri edhe në ma të voglës qelizë: atë të familjes shqiptare…
Shpesh i kam mshue kësaj teme, po edhe ma shpesh ndjehem i obliguem me iu kthye kësaj, sepse gruaja shqiptare, ajo GRUA e shkrueme me t’madhe dhe me t’arta, ende s’e ka nji monument madhështor ashtu si i takon asaj, ende s’e ka kërkund nji obelisk, as nji përmendore, ende s’e ka nji simfoni heroike poetësh, a muzikantësh… kanë mbetë veç ato heroinat mjerane të dikurshme, që i përdori e i stërpërdori komunizmi veç për propagandë e përdhosje, por at Gruan e Vërtetë, at që jetoi me burrë e pa burrë skëterrave; atë që i rriti fëmijë me nder duke u dhanë ma shumë dinjitet se bukë; at gruan që mbillte e korrte pa orar e sillte veç sa me mbajtë shpirtin gjallë; atë gruan që ia hiqte kotheren vedit dhe me trasta në krahë mbante burrin burgjeve; atë që s’u vesh kurrë si për festë; që s’i lanë kurrë kohë as me i krehë, as me i prè e as me i lyè ndonjiherë flokët; po me at gërshet që e kish nisë bashkë me dhimbjen, ajo vazhdonte ta vërtiste rreth kryes si nji kunorë lavdie… edhe ashtu të thinjun hallesh, brengash e tragjedie…
Në jetën time kam njoftë shumë Gra dhe Nana të tilla… Jo veç i kam njoftë po edhe i kam dashtë; jo veç i kam dashtë po edhe kam ndejtë ashtu i heshtun pranë tyne, në at heshtje solemne që s’ka artist në botë që mund ta gdhendë, e ta përshkruej si duhet… Po, kam njoftë dhe kam dashtë shumë të tilla dhe, prej asaj pafundësie njoftjesh po përmend veç disa prej tyne, (pa u hy n’hak të tjerave)… Kam njoftë e kam dashtë Lekani Gjokën, Gjylije Kolgjinin, Merushe Plakun, Caje Merlikën, Vaje Kupin, Ana Pervizin, Mrikë Markagjonen, Vocërr Sherifen, Kafile Sinën, Nalo Hoxhën, Lefkothe Anastasin, Xhina Mirakën, Sava Kuqeshin, Sulltana Dinen, Sheme Kaloshen, Jorgjie Kënutin, Vasfije Demen, Hatixhe Çelikun e dhjetra gra të tjera që edhe pse s’mundem me i përmendë të gjitha, s’mundem t’i harroj kurrë…
Dhe nji nga ritet që m’ka magjepsë ma fort te t’gjitha këto gra ka qenë krehja e flokëve…!
S’kam pà gjà ma të thjeshtë, ma fisnike, ma solemne, ma heroike se ajo krehje flokësh… Asht e papërshkrueshme bukuria e asaj krehje… Për kët krehje, ma shumë se gjithkënd, kam ndër sy Nanë Leken, (Lekani Gjokën) që merrte nji stol dhe, mbasditeve me diell dilte aty te dera e barakës së saj, dhe mbasi e kishte là kryet me finjë, merresh ashtu qetëqetë me thamjen dhe krehjen e flokëve… Me nji durim të epërm ajo e thurte at gërshetin e famshëm e së fundi e vërtiste me aq kujdes rreth kryes së vet për ta mbulue përfundimisht me shaminë e zezë të dhimbjes… Jo, s’besoj të ket rit ma magjik se ajo krehjevflokësh e këtyne Nanave dhe ai gërshet hyjnor naltue mbi kryet e atyne Grave…
Pikërisht kët gërshet, e gjeta kur shkela për t’parën herë në shtëpinë e poetit Visar Zhitit, mbasi ai kish dalë nga burgu… Nënë Resmia e tij, ashtu si ato gratë stoike që njihja, kishte të njejtin gërshet, me po aq bukuri thurun, po aq të punuem me kujdes si ato, e të mbledhun njashtu kutullaç mbi krye. Edhe ajo, krejt dhimbjen e saj… si nji kunorë dafinash t’argjanda e kishte mbi krye… Aty për t’parën herë ndigjova, prej gojës së saj kët histori… që e ka rrëfye Visari (pak ma poshtë duke i mbetë besnik, pothuej gjithë shprehjeve të saj…) Aty ndjeva se ç’mund të bajë nji nanë për djalin e saj, për t’voglin e saj, për atë që e shihte si shpëtimtar, për fëmijën që meritonte gjithçka… dhe i kishin dhurue burgun… Aty pashë si nji nanë e sheh në sy e në buzë krijesën e saj, që ma së fundi u kish hikë kthetrave të përbindshit, dhe befas gjithë bota merrte dritë… thua se prej syve dhe buzëve të djalit të saj, lindte dielli për gjithë botën… Aty pashë dhe ndjeva se mallkimi i asaj nane për gjithë ata që i vrasin dashuritë, fëmijët, andrrat e tyne… shpejt nji ditë do ta merrte ndëshkimin…
Sigurisht, ai mallkim i shpirtit të saj, ndoshta e ka rrëzue pak ma shpejt diktaturën…!
Resmie Zhiti, mbetet nji nga leksionet e mëdha të dashnisë që kam lexue ndonjiherë; jo pse foli shumë, foli aq pak se i kam në kujtesë gërmë për gërmë krejt fjalët e saj, jo pse kishte shumë dhimbje, po se krejt qenia e saj kur shihte të birin e lirë, e jashtë kthetrave të vdekjes… bahesh e gjitha kopësht, e mund të gjeje aty gjithë llojet e luleve, gjithë llojet e aromave, gjithë llojet e andrrave n’lulzim… Dhe ç’ka më mbeti në mendje qe ai gërshet i saj… krejt i bardhë, i rrotulluem me kujdes rreth kokës, që i jepte asaj nji bukuri e krenari të papërsëritshme hyjneshe… E kam të gjallë si sot, kur ajo e ngulte shikimin në sytë dhe buzët e të birit… dhe sa herë ai thoshte diçka të mençun (dhe Visari thoshte jo pak…) ajo grua përndritesh e gjitha, sikur nji dritë hyjnore derdhesh prej s’di se kah, e gjitha mbi të…
E kjo grua e thjeshtë dhe hyjnore njiherësh, kjo nanë djemsh të mrekullueshëm po edhe Nanë poeti, kjo grua nga familje fisnike në breza… Resmie Zhiti, prej pak kohësh s’asht ma mes, s’asht ma ajo kunora e saj prej perëndeshe, dhe ajo koka e saj me njat qëndrimin krenar e të përjetshëm të fitimtares… Ishte ajo krenari që e kam gjetë te shumë prej këtyne Nanave e më dhemb aq fort, pse janë me qindra gra si Resmia, Sava, Lekania, Gjylia e shumë të tjera që i kam përmendë e do t’i përmend gjithnji, që sot jetojnë veç në kujtesën tonë… Dhe s’asht e drejtë, Jo, s’asht e drejtë… Ato meritojnë sheshe, rrugë, shkolla, parqe… si athere kur u dilnin n’mes sheshit “bajlozve të shtetit” dhe u kërkonin llogari për djemtë e tyne të pafajshëm… dhe hiqnin shamitë nga koka si në ritet pagane, për at tragjedi që ai shtet i ndyrë po u shkaktonte fëmijve të tyre të pafajshëm, si Visari…
Dhe… ruaju prej nanave kur e heqin shaminë nga koka, se s’mund të kapërcehet lehtë ajo rrobë në dukje e thjeshtë, sepse vërtet mbulon nji kunore të thinjun hyjneshe… po edhe shumë zemërim perëndish…!!
qershor-gusht 2013

Vepra të Visar Zhitit
Vepra të Visar Zhitit

Nëna e Visarit kap të njohurit:

Dritëroi, Kadareja, Djali i Kryeministrit…

(nga rrëfimet e saj)

Me të marrë haberin e keq, se ma arrestuan djalin e vogël, thashë se luajta nga mentë. E kisha andej larg, në Kukës, mësues maleve. Ç’heq tani korba unë o Zot, mos i lër të ma torturojnë, mbajua dorën! (I dridheshin buzët dhë zëri) Thashë të hidhesha nga dritarja a te rrotat e makinave. Po i duhesha shtëpisë, fëmijëve, djalit në burg. Nuk na i ndanë burgjet, që u shofshin. As e dinim pse e arrestuan, dhe as na rrëfenin. Nga t’ia mbanim? Lushnja bënte sikur s’dintë gjë, beqim s’dinin vërtet, veç erdhën dhe na kontrolluan ca civilë… i dija të komunales! I morën djalit 39 fletore dhe blloqe me vjersha e me kudiunë, seç shkruante, e zeza! Qysh jam gjallë! Prandaj do të ma kenë zënë, thashë. Të iknim në Kukës, po ku? Në Degën e Punëve të Përbrendshme, kalli flamën si i thonë, po ata s’bëjnë pa urdhërin e Tiranës. Dridhsha si purtekë. Qaja… Kujtoja burgun e burrit, e njihte gjithë qyteti, i nderuar. e donin, shkruante dhe dilte në skenë në teatër. Po ku pyesin këta… luftë klase ulërijnë… duan gjak! I ka mësuar ai sojsëzi, Stalini, që ai nxjerrtë kockat qeni. Plaçkat e tim shoqi, që mi kthenin, kur i çoja bukën, që s’ja jepnin… të poshtrit, gjë prej gjëje… i gjeja me thonj brenda me dhëmbë të përgjakur, të shkulur me darë, siç e torturonin, m’i tha më vonë ç’hoqi, por u bëri ballë. Kunatin ma vranë, dhe e hodhën shkallëve gjatë hetuesisë… arsimtar ishte… se ata të grupit të Deputetëve, do të lidheshin me të thoshin. As varri s’i dihet… Atë që kisha si vëlla dhe si baba, që më rriti mua jetimen, e pushkatuan, Prefekt në Gostivar dhe Tetovë kishte qenë. As varri s’i dihet, as atij. Po varr është kudo… Tani më morën djali! Pse? Pse? Korba unë!! Vjersha bënte, s’bënte gjëra të liga. Dhe ika me një frymë në Tiranë. Po ai pse lajmëroi që t’ia hiqnin vjershat nga revista? Edhe mik… pse kështu është miku? Se, po t’i dilnin, mbase ia lehtësonin dënimin. A ia bënin më të rëndë… e ku i dihet! Eh, desha t’u thosha shkrimtarëve, që donte djali im… që kishin emër, që ai…  E ç’t’u thosha xhanëm. Ndritëronë, e kam edhe kushëri, kryetar i shkrimtarëve është, i Partisë, me autoritet, i çqonjtur.
I vete dreq e në shtëpi. Tek ai pallati në qendër, kubist a ç’i thonë, me arkitetkt në burg. Trokëlliva në derë herët në mëngjes… Sikur ndjeva hapat e Hatixhesë, s’ëmës së Ndritëroit. Më pritën mirë me pije me kafe. “Rri” më thanë. U qava hallë. Ndritëroi mezi fliste… s’e di a e dinte, po u trondit. “Nuk të futin kot në burg, më tha – marrin informata. – Shokët t’i zgjidhte. Vjershat ia kam lexuar, më kënë pëlqyer, po ashtu janë vjershat, si të duash, të mira të këqija. Do të shkoj edhe te prokurori i përgjithshëm, do t’ia them!” “Driteroi përpiqet, po s’ka ç’bën, – tha Sadija, e shoqja kur mbetëm vetëm – Ja un kam një njeriun tim në burg, dhe ordiner po s’e nxjerrim dot… Ne ia dhamë dorën po ai…” Cili?  Ika e hutuar… ma bëni hallall shqetësimin u thashë. Të na vish sa herë të duash, – më thanë – ne ju duam!
Mora urbanin për në Kinostudio. Kisha Ilirjanin me vete, se ku i gjeja dot unë. Tirana është bërë e madhe. Kërkova Bashkim Shehun, të birin e kryeministrit, shkrimtar në vërsën e djalit tim është… e donte im bir, pamvarsisht se Mehmeti na kallte datën, na shoi me Partinë. “Ai është!” më thanë, sa zbriti nga autobuzi e ndala. Ia thashë. I erdhi keq dhe u zbardh në fytyrë. “Atje ku ka hyrë tani, ai vazhdoi, unë s’bëj dot gjë. E kam të ndaluar, të pamundur. Po më pyetën do të flas mirë, ashtu siç e kam njohur!” Dhe u ligështua në fytyrë. Më përqafoi. Iu vra i jati, vetë a e vranë dhe e futën në burg . S’e di a është takuar me tim bir, i shkreti.
Shkova prap në Tiranë. Kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë kur vinte në kafenenë e shkrimtarëve, jo, klub a lidhje, se s’ia angllandis dot emrin, ku mblidhen dhe llafosen dhe pinin kafe… E dija at pallat, është martuar Mbreti aty.
Prita ca më lart tek sheshi… U ngjita më lart. “Po vjen!” – më tha Ilirjani, që e kisha në krah. E ndala vetë dhe i thashë hallin. U ndjeva ngushtë. Më vuri dorën në sup… “Mbahu!” – më tha. “Ç’të mbahem, – i thashë, – dhe ku?” U ktheva nga e shoqja dhe i tregoi për mua! Se si më vështroi ajo, me dëshpërim, si ca ikona. “S’jam në gjendje ta ndihmoj dot,  besomë, jam vetë keq, e s’e di kush mund ta bëjë tani, – po më thoshte ai – E takove Kryetarin e lidhjes së Shkrimtarëve? Unë s’mundem, se… ah ia mbaj dot mend fjalët… Kurajë! – dhe i bëri duart kështu.. bëftë Zoti! më tha, më përqafoi edhe ai dhe u ndamë. Sa e donte djali im!!
Përmes lotëve, pashë nga statuja e madhe e Skënderbeut, t’i lutesha atij, ndoshta ishte më pak i ngurtë se njerzit. Për se e mbante atë shpatë. Ngrita kokën nga qielli. Lëvizi. M’u rrotullua. Sa larg është zoti nga ne… na ka harruar. Po s’i i prishëm ne kishat dhe xhamitë, jo, po shteti i komunistëve, që u përmbystë dhe i zëntë nën vete… Zëvendësuam kishat dhe xhamitë me komitete e Partie dhe komitete ekzekutive, dhe… na ekzekutojnë.
“E ndihmoftë Zoti!” – më kishte thënë Kadareja… mirë, mirë, po ku ta gjeja? E di që është i madh! Aty kemi shpresa, ai është ngushëllimi ynë, por këta s’e lënë as Zotin… S’kanë… Jeta është e shkurtër e këta ta shkurtojnë më shumë… por unë s’do të vdes, po do të t’i le mënjanë sëmundjet dhe kusuret e mia, do ta mbaj gjallë tim bir, çmosin do të bëj… dhe ai shkruan prap në burg, fshehurazi. Ruama o Zot! Atë dhe vjershat e tij…

.
(Marrë nga Visar Zhiti “Ferri i çarë” fq.174-176)

.

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. Flamur Shabani
    Megjithëse nuk e njoh, e përshëndes edhe Jozefin, babanë e të cilit e shikoja shpesh, kur kalonte me biçikletë para gjimnazit dhe para shtëpisë sime (pallati trekateëh në krah të lulishtes), ashtu flokëbardhë, paksa të gjatë, me çizmet e punës që nuk i kishte hequr nga këmbët, me një biçikletë “Robusta” (apo ndonjë nga markat e kohës), mbështetur mbi timonin e saj (imazhi që më ka mbetur në kujtesë veçuar nga shumë të tjerë), busti i tij i fuqishëm dhe pamja fisnike të ngjallnin respekt edhe po ta shihje për herë të parë, megjithëse unë e dija se cili ishte, çka më shtonte admirimin për të dhe keqardhjen për gjendjen ku ishte katandisur, gjendje të cilën Lazri dukej sikur e sfidonte me madhështi, duke ruajtur njëkohësisht edhe dinjitetin e vet. Gjithashtu, meqë më jepet rasti, të përgëzoj për shkrimin e botuar në gazetë për nënën e poetit dhe shokut tonë Visar Zhitit, shkrim i ndërtuar me shumë ndjenjë e zgjuarsi, i ndërthurur me vlerësimin më të lartë për këto nëna të vuajtura, të cilat duke kapërcyer mbi brengat e vuajtjet që u kishte shkaktuar regjimi, rritën fëmijë të talentuar e patriotë për t’i shërbyer atdheut, edhe pse atdheu pak u dha atyre. Bashkë me një koment të shkurtër, shkrimit tuaj i kam bërë “share” në faqen time të fb-ut.

  2. Ermira Zyrakja:
    … E shkruar mbi një letër ngjyrë bezhë-retro, ky shkrim është një monument për nënat shqiptare… si ato skicat e pikturave apo skulpturave më të njohura, që kanë po atë vlerë sa dhe veprat e realizuara mbi to… duke shprehur ngushëllimin tim të thellë për këtë nënë që e kam njohur nga afër, dua të them që bën pjesë tek ato që nuk janë vetëm gra e nëna, por shumë më shumë… (marre nga fb)

  3. Shpëtim Brahamaj:
    Pikë së pari dua t’iu shpreh ngushëllimet e mia familjes Zhiti (tre vëllezërve, që nga Visari e Iliri e deri tek Shpëtimi) për humbjen e më së shtrenjtës në këtë botë pas Zotit, Nënës. Së dyti dua t’iu përgëzoj pafund për shkrimin Nini… si gjithmonë mbresëlënës, e pa harruar as më të voglin detaj, duke më kujtuar herë pas here fëmijërinë… Fëmijeri që në praninë tuaj e të atyre nënave stoike, edhe pse mes skamjes e torturës, bëhej vërtet e lumtur saqë sot e kujtoj me shumë nostalgji… (marre nga fb)

  4. Ky shkrim, u botua sot ne gazeten Panorama me titullin: Nëna e poetit trokiti te Kadareja e Agolli për të shpëtuar të birin!
    Gjej rastin te falenderoj nji komentues te quajtur Doni, i cili kishte shkruar te komentet:
    “Z.Jozef: Megjithëse më berë të nxjerr lot, gjë që pothuaj s’më ndodh kurrë, desha të falenderoj për këtë Lapidar që ju keni ngritur në një shkrim aq të vogël e që përmbledh një oqean gjigand të së vërtetës së atyre “nënave perëndesha” që dalëngadalë po shuhen në heshtjen e zullumeve të një shoqërie marramendëse… dhe kontributi yt në këtë rast, është po aq gjigand sa ç’është gjigande kjo grua me emrin e thjeshtë: Resmie Zhiti….” (gazeta Panorama)

  5. Prej më shumë se një muaji, Visar Zhitit i mungon Nëna e Tij… po edhe gjithë ne të tjerëve që na mungojnë Nënat… tash na mungon edhe Nëna e Visarit… duke i lexuar këto dy shkrime për Nënë Resmien… edhe figurat e munguara të Nënave tona… kanë nji tjetër përmasë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.