back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Monsinjor Luigj Bumçi: “Muslimanët i kam vllazën…” nga Paulin Zef Zefi

Gazeta

Monsinjor Luigj Bumçi (1872-1945)
Monsinjor Luigj Bumçi (1872-1945)

“Muslimanët i kam vllazën…”

Monsinjor Luigj Bumçi (7 nëntor 1872 – 1 mars 1945)*

nga Paulin Zef Zefi

Monsinjor Luigj Bumçi lindi në qytetin e Shkodrës me 7 nëntor 1872, në një familje të vjetër qytetare. Ai ishte nip i atdhetarit Pashko Vasa, të cilin e kishte pikërisht, dajë… Monsinjor Luigj Bumçi ishte klerik katolik, atdhetar i zjarrtë, Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës me qendër në fshatin Kallmet, diplomat shume i zellshem,veprimtar i spikatur në shërbim të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë londineze dhe luftoi me çdo mjet për bashkimin e Shqipërisë Etnike, Ministër i qeverisë së Durrësit, ai ishte një ndër pjesetarët më të rëndësishëm të Këshillit të Naltë të Regjencës i krijuar nga Kongresi i Lushnjes, etj.
Mësimet e para i mori pranë “Scuola tecnica commerciale” (Shkolla teknike tregtare), institucion arsimor i krijuar nga Misionarët Jezuitë me qëllim për të ndihmuar familjet tregtare Shqiptare (Gjon Bumçi, i jati i Luigj Bumçit ishte një tregtar i mirënjohur për kohën në të cilën ai jetoi). Më pas, i jati e dërgon në Durrës për t’i shërbyer në kuadrin e aktivitetit tregtar që zhvillonte familja e tij, por i riu Luigj Bumçi kishte qëllime të tjera për të ardhmen e jetës së tij, pasi ai ëndërronte që të vazhdonte rrugën e Meshtarisë, por mosha e tij e madhe u bë pengesë për materializimin e këtij objektivi dhe u desh ndërhyrja e Kardinalit Ledokovski, i cili dërgon një letër rekomandimi në adresë të Arqipeshkëvit të Shkodrës Guerini, letër e cila bëri të mundur që i riu Luigj Bumçi të pranohet në Seminarin Papnor me datë 17 gusht 1898.
Menjëherë mbasi mbaroi studimet për filozofi dhe teologji, Luigj Bumçi u shugurua si meshtar në qytetin e Romës me 3 maj 1903, ku mbajti edhe Meshën e tij të parë në moshën 31 vjeçare (6 vite më i madh sesa vëllezërit e tij meshtarë…)
Pas një qëndrimi të shkurtër në qytetin e Romës, ai kthehet në Atdhe duke shërbyer si meshtar në fshatrat Shkrel (Malësi e Madhe); Pentar (në fushën e Nënshkodrës, në bregun e lumit Buna, prane Velipojës); Juban (Zadrima veriore, pranë Shkodrës) dhe më pas caktohet për të shërbyer në qytetin e tij të lindjes, në të bukurën Shkodër… Me 10 dhjetor 1911, u shugurua si Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës, qendra e së cilës ishte vendosur në fshatin Kallmet, prane Kishës mesjetare të Shën Eufemit (1343), që në muajin qershor të vitit 1478, pak ditë përpara se qyteti antik i Lezhës të pushtohej përfundimisht nga hordhitë barbare osmane më në krye kasapin e Shqiptarëve, Sulltan Mehmetin e II Fatihun. Në vitin 1911, u caktua si anëtar i misionit për të arritur marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Malsorëve trima të Malësisë së Madhe dhe qeverisë turke të kohës, pasi siç thoshte i perjetshmi At Gjergj Fishta: “Turqia për momentin, është e keqja më e vogël e Shqiptarëve, përballë synimeve grabitqare të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi…”
Monsinjor Luigj Bumçi së bashku me të madhin At Gjergj Fishta, shkruajnë disa memorandume, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë brenda kuadrit të Perandorisë Osmane, por nën protektoratin e Perandorisë së Austro-Hungareze, por gjithashtu vetë Monsinjor Luigj Bumçi në bashkëpunim me patriotin vetëmohues Luigj Gurakuqi, ndikojnë në riaktivizimin e kryengritjes së përgjithshme në Malsinë e Madhe dhe gati në të gjithë Shqipërinë e Veriut… Luigj Bumçi ishte pjesëmarrës në organizimin e Kongresit të Durrësit, ku caktohet në pozicionin e Ministrit (pa portofol) në Qeverinë e sapokrijuar nga patrioti Turhan Pashë Përmeti në muajin qershor të vitit 1919, i cili e cakton si kryetar të Dërgatës Shqiptare të Qeverisë së Durrësit, në Konfencën e Paqes së Parisit më 1919, punimet e së cilës u zhvilluan pranë pallatit të Versajes (ansambël ndërtimor -kryevepër arkitektonike e ndërtuar nga Mbreti Diell Luigji i XIV-të, 14 km larg Parisit).

Shpëtimtarë të Shqipërisë: Bumçi-Wilson-Benedikti XV
Shpëtimtarë të Shqipërisë: Bumçi-Wilson-Benedikti XV

Sekretar i Dërgatës Shqiptare të qeverisë së Durrësit, ishte i madhi At Gjergj Fishta, i cili u zgjodh me dëshirën e Bumçit, dhe mbajti plot solemnitet, fjalimin unik të shkruar nga vetë Fishta: “Te drejtat e Shqypnis Etnike” ku kërkon me ngulm, “Mëvetesinë e tanësinë toksore të Shqypnis mbrenda kufijve ethnikë e respektimin e të drejtave syprane të Kombit Shqyptar…”
Sipas opinionit tim personal, kontributi më i paçmueshëm i Monsinjor Luigj Bumçit ishte nderhyrja e tij energjike pranë “Papa Benediktit të XV-të” të cilit i përgjërohet për ndihmë konkrete në mënyrë që vetë Papa të ndërhyjë fuqishëm për të mos lejuar shkëputjen përfundimtare të qyteteve Shqiptare si: Korça, Gjirokastra, Përmeti, Erseka, Saranda, Delvina dhe Himara… të cilat ishin pjesë e marreveshjes së rrezikshme italo-greke “Tittoni-Venizellos” (Kryeministra respektivë të këtyre dy shteteve) ku trevat shqiptare të lartpërmendura do t’i kalonin shtetit shovinist grek, pakt i cili u nënshkrua në muajin qershor të vitit 1919, por që fatmirësisht dështoi pikërisht nga ndërhyrja energjike e Papa Benediktit të XV-të, i cili i hodhi poshtë planet italo-greke në kurriz të Shqipërisë… E gjitha kjo qe meritë e Monsinjor Luigj Bumçit dhe ndërhyrjes jashtëzakonisht vendimtare nga ana e Papa Benediktit të XV-të, i cili loboi me të gjithe forcën e tij, duke takuar personalisht Ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe, mbasi dihej që ato vite, Vatikani nuk kishte raporte aspak të mira me shtetin italian, nga i cili po kërkonte të shkëputej përfundimisht duke krijuar një Shtet-Pontifikal dhe sovran mbi kodrën “Vaticanus”, në zemër të kryeqytetit italian-Roma.

Gjergj Fishta - Luigj Bumci - Dhimiter Berati - Paris 1919
Gjergj Fishta – Luigj Bumci – Dhimiter Berati – Paris 1919

Sapo rikthehet në Atdhe, Luigj Bumçi vazhdon aktivitetin e tij patriotik me shumë intensitet duke qenë pjesë aktive e të gjitha ngjarjeve të këtyre viteve dhe duke bashkëpunuar përzemërsisht me të gjithë elementet dhe qarqet patriotike shqiptare, brenda dhe jashtë kufinjëve të Shqipërisë -londineze, ku lobingu i tij fitoi mbështetjen e plotë edhe nga mërgata e Stambollit e kryesuar nga Halil Pashë Alizoti, Padre Jul Bonati dhe Fuat bej Dibra…
Gjatë punimeve të Kongresit të Lushnjes, u zgjodh si përfaqësues i Komunitetit Katolik Shqiptar, ku radhitej si anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës së bashku me Patriotët: Aqif Pashë Biçaku, Mihal Turtulli dhe Abdi bej Toptani… Luigj Bumçi se bashku me Aqif Pashë Biçakun dhe disa figura të njohura të politikës Shqiptare të kohës, mobilizohen duke organizuar “grushtin e shtetit” në fillim tëe muajit dhjetor 1921, të udhëhequr e të frymëzuar nga idealizmi i tyre i pastër Kombëtar me qëllim krijimin e një Shqipërie ndryshe!!! Lëvizja në fjalë, e cila ishte një aksion politik i mirëkoordinuar, detyron Kryeministrin e asaj kohe, Pandeli Evangjeli nga Korça, që të japë menjëherë dorëheqjen pa shkaktuar gjakderdhje, por ky “revolucion në miniaturë” zgjat vetëm 2 javë dhe si i tillë, pothuaj as që përmendet nga Historiografia jonë zyrtare!!

Imzot Bumçi dhe Aqif Pashe Elbasani
Imzot Bumçi dhe Aqif Pashe Elbasani

Ky grusht shteti i dështuar në kohë rekord, qe me 22 dhjetor 1921, i kushtoi shumë shtrenjtë sidomos Monsinjor Luigj Bumçit, i cili lirohet nga detyra e përfaqësuesit të Komunitetit Katolik Shqiptar, në Këshillin e Naltë të Regjencës dhe dënimi më i rëndë që i dha qeveria e kohës ishte, dëbimi i tij nga Shqipëria të cilës i kishte kushtuar të gjithë jetën e tij, e ndërsa në Këshillin e Naltë të Regjencës u zëvendësua nga Ndoc Pistulli…
Monsinjor Luigj Bumçi jetoi larg Shqipërisë së tij të dashur deri në vitin 1924. Gjatë kësaj periudhe të zymtë, i digjet edhe shtëpia në fshatin Kallmet të Lezhës (Shtëpia në fjalë qe projektuar dhe ndërtuar nga ai vetë)… Sapo rikthehet në Atdhe, Luigj Bumçi rifillon detyrën e tij të mëparshme si Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës, i adhuruar nga i gjithë Komuniteti Katolik i kësaj treve, por pa hequr kurrë dorë nga kontributi i tij i paçmueshëm në shërbim të çeshtjes tonë Kombëtare.
Si rezultat i përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes së tij shëndetësore, ai e gjykon si një veprim të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra e Ipeshkëvit të Dioqezës së Lezhës me 1 shtator 1943. Dy vitet e fundit të jetës së këtij patrioti vetëmohues ishin shumë të trishtueshme dhe jo vetëm për shkak të sëmundjes dhe pleqërisë, por sidomos nga keqtrajtimet të cilave iu nënshtrua gjatë seancave të shumta hetimore nga ana e komunistëve histerike të sapoardhur në pushtet pas largimit të ushtrisë naziste gjermane dhe çlirimit të plotë të Shqipërisë…
Monsinjor Luigj Bumçi ndërroi jetë me 1 mars 1945 dhe trupi i tij, u varros në Kishën Katedrale “Zemra e Krishtit” (Kallmet i madh – Lezhë), objekt religjioz shumë impresionues i konceptuar sipas stilit arkitektonik Romanik-Gotik, që u projektua dhe u ndërtua nga vetë patrioti Luigj Bumçi.

Historiani Paulin Zefi dhe shtepia e Imzot Bumcit
Historiani Paulin Zefi dhe shtepia e Imzot Bumcit

Desha të nënvizoj faktin se Mesha mortore për varrosjen e trupit dhe relikeve të të ndjerit Monsinjor Luigj Bumçi, u mbajt me madhështi nga një tjetër klerik katolik shumë i nderuar për Kombin tonë: At Pjetër Meshkalla…
*Monsinjor Luigj Bumçi ja kushtoi të gjithë jetën e tij: Kombit Shqiptar dhe kjo shtëpi e rrënuar prej vitesh, harresa jonë zyrtare dhe kolektive, është prova më evidente, e cila përfaqëson pikërisht; Mirënjohjen tonë kundrejt kësaj figure kombëtare kaq të nderuar dhe ky është shpërblimi i turpshëm që ne vazhdojmë t’i japim këtij Shqiptari të Madh!!
*Dua të nënvizoj vetëm një fakt të rëndësishëm e të rifalenderoj ish Kryetarin e nderuar të Këshillit të Qarkut Lezhë z. Pashk Gjoni dhe ish Kryetarin e nderuar të Komunës Kallmet, z. Petrit Marku, të cilët vitin e kaluar gjatë një ceremonie vërtet solemne i akorduan Patriotit Luigj Bumçi titujt si: “Qytetar Nderi i Qarkut – Lezhe (pas vdekjes) dhe Qytetar Nderi i Komunës Kallmet (pas vdekjes)”, ku me këtë rast përjetova kënaqësinë e veçantë dhe krenarinë e dorëzimit tek unë të të njejtave vlerësime për të ndjerin: Dajën e Babait tim, Klerikun Katolik: Dom Nikoll Troshani (kandidat për Kardinal), i cili ka vuajtur plot 26 vite në burgjet e tmerrshme të regjimit komunist, e ku pjesën më të madhe të dënimit e ka vuajtur në Burgun famëkeq të Spaçit (në Mirditë) së bashku me të ndjerin e të paharrueshmin: Haxhi Hafiz Sabri Koçi (ish Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar). Eshtrat e Dom Nikoll Troshanit, sot prehen pranë eshtrave të Patriotit të madh Monsinjnor Luigj Bumçit, dhe kjo është pjesë e krenarisë tonë Farefisnore…
*Kjo shtëpi kaq e amortizuar, e cila po shkon drejt rreënimit të plotë, nuk e gëzon statusin si Monument Kulture dhe jam mëse i bindur se as që ja kanë hedhur dot një sy, kërkesës sime zyrtare për ta marrë nën mbrojtje paraprake (e kam dërguar që në muajin korrik 2014). Gjithsesi i lutemi Zotit që ky objekt të mos rrëzohet plotësisht pasi mbas rënies së plotë të çatisë, tashmë edhe muret duken shumë qartë që i kanë ditët e numëruara!!!

Shtepia e Monsinjor Luigj Bumcit sot
Shtepia e Monsinjor Luigj Bumcit sot

“Lavdi gjithmonë emrit dhe veprës sv patriotit Luigj Bumçi… dhe Turp e Faqja e zezë për Shtetin Shqiptar, pasi është diçka e pafalshme edhe për Kishën Katolike Shqiptare (për këtë rast specifik) dhe për të gjithë ne që akoma po vazhdojmë të bëjmë sehir, ndërkohë që po na rrënohen çdo ditë përpara syve, me hapa galopante çdo aset i çmuar i Trashëgimisë sonë Kulturore së bashku me çdo gjurmë të Identitetit tonë Kombëtar!!!”
P.s: (Një popull i cili nuk vlerëson të kaluarën e tij, ai Popull nuk meriton të ketë të ardhme)…
(Marrë nga faqja e fb e Paulin Zef Zefi 16 shkurt 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.