back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Gazeta

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York
Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar

të muzikës dhe valleve në New York 

editor i revistës Jeta Katolike, New York

nga Klajd Kapinova

“Vetëm kush mbahet fort mbas traditës,
tradita i siguron nji vend të merituem në botën e qytetnueme”
Gjokë Vata, poet, këngëtar

Prelati mons. dr. Zef Oroshi –

Themelues i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA

Mons. dr. Zef Oroshi, u lind më 23 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve të pamposhtura dhe kryengritjeve liridashëse, që ishte e mbeti Mirdita. Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e Jezuitve në Shkodër. 15 vjet më pas, i riu gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër (1859). Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.
I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën e Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë.
Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të tij. Kardinali italian Shkëlqësia e Tij Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide e shuguron meshtar, duke i dhuruar petkat dhe koletin e bardhë. Ai gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit, duke nda me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.
Pas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të Enver Hoxhës, duke e parë se diktatori kishte vendosurta arrestojë ai pasi thotë meshën… heq shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste, ku vihet në krye të forcave anti-komuniste nacionaliste në malet e Mirditës.

Humbje dhe fitore

Kryqi i mundimeve të jetës e shoqëroi kudo prelatin tonë, në vendlindje dhe emigracion. Ai për 8-9 muaj, qëndron mes maleve të ashpra, në shpella të ftohta, shi e borë, me bukë e shumë here pa bukë, i veshur keq në dimër, duke provuar kalvarin e mundimeve të Krishtit, që salvohet nga të pafetë ateistë.
Nga kujtimet e bashkëkohsve nga biografi i afërt i tij studiuesi shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, mësojmë se në ditën e Pashkës së vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…
Pas arratisjes nga burgu komunist shqiptar, në gusht të vitit 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe nga aty shkon në Beograd (Serbi). Dera e famshme 7 shekullore me histori të lavdishme e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, i dërgon një garanci udhëtimi, për të shkuar në Itali.
Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër. Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji. Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish eprorit të lartë Abatit imzot t. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtarë politikë, që gjendeshin në Romë.
Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon ato, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje dhe krahine. Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur në Tokën e Bekuar të Amerikës.
Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndsishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës amtare shqipe.
Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar në diasporë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar, i cili kaloi në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën barbare ateiste komuniste.
Dr. Oroshi në vitin 1960, përkthen dhe boton “Visarthin Shpirtnuer”, një lloj katekizmi doracak, me lutje shpirtërore në dialektin gegë, për familjarët emigrantë shqiptarë katolikë të shpërndarë udhëve të botës.
Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës veriore gege, që kishin vulosur me erudicionin dhe përkushtimin e tyre brilant, u bënë objekt i studimeve të tij. Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore “Shejzat “(1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.
Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum, në vitin 1958, ai vijon studimet e vitit të pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnastika e trurit. Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.
Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane.
Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik. Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese. Historitë e hidhura i mbetën thellë në kujtesë. Ai përpiqej, ta largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar se si ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.
Editorët e botimeve kulturore të kohës, si redaksitë e shumë revistave dhe gazetave të diasporës me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj me tematika të ndryshme.
Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Zef Nekaj, prof. Martin Camaj, at Zef Valentinin, at Daniel Gjeçaj O.F.M. etj.
Don ose sikurse përdoret gjerësisht në trojet etnike shqiptare nga popullsia katolike si dom Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8-th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.
Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Cirilit, në Saint Mark’s Pace, New York. Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.
Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.
Në vitin 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe-Atdhe-Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke. Për këtë ngjarje të madhe të komunitetit katolik shqiptar dhe meshtarin dom Zef Oroshin shkruajti edhe gazeta amerikane The New York Times.
Po t’i shikosh me kujdes fotot e botuara, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë.

Albanian Festival dhe Klajd Kapinova
Albanian Festival dhe Klajd Kapinova

Publiçisti, studiuesi dhe botuesi

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve dr. Oroshi, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël gege, aq të nevojshëm për shqiptarët. Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik “Jeta Katholike Shqiptare” (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.
Mirditori i zgjuar e i kulturuar, nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. Për nga kultura e pasur dhe e gjerë e akumuluar prej vitesh, ai kishte përherë në zotërim, kishte një thellësi e pastërti të mprehtë të mendimi logjik.

Mirënjohje e përjetshme për mësuesin Mjeda

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjedën (1866-1937). Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda. Ai e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.
Dom Ndre Mjeda e prifti i ri Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera. Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston. Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë. Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Malli i pashuar për Atdheun

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila vazhdimisht, i pushtonte mallin dhe i rizgjonte nostaligjinë e madhe për atdhelindjen e tij të paharruar.
Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit. Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim shpirtëror me Zotin.
Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e persekutuar dhe shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.
Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt studiuesi dhe publicist dhe autori i veprave biografik shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri. Ai, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju.
Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurt se do të vinit për të shëtit sëbashku me mua.” Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh. Prelati ynë më pyeti: “I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?” Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?” Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se menjëherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzëqeshje shumë e gëzuar. U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraftë Zoti Enver Hoxhën, e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.”
Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës. Iu drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti.
Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…”
Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo. Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.
Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsa kaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpirtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi.

thumbnail_74162_116129371784445_5209267_n

Numri i Parë i Revistës “Jeta Katolike” (New York, 1966)

Revista “Jeta Katholike Shqiptare” (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në hyrje përcakton, se është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në New York.
Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, ndërsa drejtor përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e revistës është: 261 South Broadway Tarrytown, N.Y., U.S.A. Më poshtë në faqen e dytë thuhet, se dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen. Karakterin demokratik dhe lirinë e debatit e shohim në përcaktimin se: “Artikujt me karakter polemik, duhet të nënshkruhen me emen.”, një shembull ky për mediat “demokratike” shqiptare të shekullit XXI.
Në ballinë bie në sy dy shtegtarët arbër, që shoqërojnë me vështrimin e tyre ikjen në Genazzano (Itali) të Fugurës së Shenjtë të “Zojës së Shkodrës” mbas masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase. Kjo vepër religjioze dhe artistike njëherësh, gjendet sot në tavanin pranë elterit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” (1998) në Harsdale New York. Revista në fjalë, në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie në sy në gjithë buletinin mungesa e gërmes ë.
Ajo hapet me editorial-in e shkruar nga drejtori përgjegjës Imzot Dr. Zef Oroshi, me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia etj.).
Ai, mbasi bën një përshkrim të shkurtër të persekutimit të intelektualëve shqiptarë në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit ateist, shton se përballë masakrave elita intelektuale në emigracion përkujton frytet dritëdhënëse të lëme të ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat që botoheshin në Shkodër, gjatë kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në shkollën private katolike.
Me një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi, kujton dy pleqtë të veshur me kostume tradicionale vendase, që shëtisnin derë më derë, për të shpërndarë me një krenari e zë të lartë revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” etj.
Autori Zodiaku, shkruan: “Natyrisht dhe për këtë, megjithëse do të dalë tremujore dhe pa kurrfarë mtese epërsijet, na mungojnë mjetet dhe, në rrethanat e sotshme, deri diku dhe pendat, sepse, secili asht i mbërthyem në tavolinë ose fabrikë me punën nga e cila nxjerr jetesën e përditshme. Meshtarët shqiptarë, dhe ata që kanë mbetë gjallë dhe jetojnë në botën e lirë, janë të shkapërderdhun e të lidhun me punë aty ku i kanë hjedhë rrethana historike, nwn urdhnin e autoritetevet fetare vendase. Megjithatë, derisa ndjetin e kemi të mirë, me të gjitha flijimet personale që parashifen, kemi uzdajë të plotë se disa penda ma prodhueset ndër ambjente tona e sidomos meshtarëvet e të katholikëvet kanë me na mungue… Sot për sot “Lidhja Katholike Shqiptaro-Amerikane” e New York-ut ka caktue me e qitë për nji vjetë buletinin. Nëse bamirësija, simpathija dhe penda e intelektualve do të na përkrahin, u premtojmë lexuesave se grupit t’yne nuk do t’i mungojnë vullndesa e flijimevet personale dhe e punës vullnedtare për vijimin e tij…” (f.2)
Artikulli vijues, në faqet 3-5, është shkruar nga Padër Andrew Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i lënë vendin më pas shkrimit redaksional: “Rruga e Jonë”.
Një përkthim interesant, është bërë nga prof. Martin Camaj, të titulluar: “Adhurimi i Tre Dijetarëve nga Lindja”, ndërsa Kolë Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me poezinë “Këshëndellat”.
Kol Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e Presidentit “John F. Kennedy: Babë Familjet e Besimtar i Vërtetë”.
Prof. Mhill Marku, paraqitet për lexuesit mërgimtarë me analizën: “Gjuha Shqipe ne Amerike” dhe më poshtë ka ofruar një poezi nga Padër Gjergj Fishta.
Zef Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes Vatikanit e Washington-it dhe Papa Pali VI, ndërsa për Gonxhe Bojanxhiun e veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve, atë dr. Zef Oroshi, u tregon shqiptarëve në mërgim për bijën e harruar në tokën e të parëve në Shqipëri.
Revista, në #1 të saj, ka kronikën shoqërore, zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, si dhe stafin e shtypit, në të cilën janë emrat: Loro Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Mëlyshi, Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli, Lodovik M. Bajraktari.
Ajo që është më interesantja, është se në revistë janë të shënuar meshët përkujtimore e mesha për dëshmorët e Atdheut (pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u quajtur tradicionalisht më vonë si Meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është edhe kremtimi i Shpalljes së Pavarësisë.

Një jetë i përgjuar në dosjen e diktaturës

Pas librave me vlerë historike: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Long Kuvendit – në trinomin Fe-Atdhe-Përparim” (New York, 2019) dhe “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018 (bashkautor me studiuesen Leonora Laçi), doli në qarkullim libri i ri: “Një jetë i përgjuar” (New York), që përbën Dosjen e Sigurimit, për mons. dr. Zef Oroshin.
Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar” e mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e policisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Studiuesi Tomë Mrijaj, në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë. Ata arritën deri aty sa të sajojnë histori të rreme mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga ferri burg komunist i Shqipërisë… Nga burimet e Dosjes, mësojmë se në Itali dhe SHBA ai përgjohej vazhdimisht këmba-këmbës nga hafijet e Sigurimit komunist shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet e tij në diasporë përgjohej dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën zyrtare komuniste, ku operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e shpifjeve, duke krijuar kështu dora dorës Dosjen e Zezë të tij.
Veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në diasporë mons. dr. Zef Oroshit, mbetet tashmë në përjetësi. Ajo njihet shumë mirë, përmes librave monografikë, kujtimeve, artikujve kushtuar atij, në përvjetore të ndryshme, të cilat janë shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për shumë dekada me radhë deri në ditët tona.
Ardhja dhe “fitorja” me mashtrime absurde e komunizmit në vitin 1944 në Shqipëri, ishte vetëvrasja më e madhe që bënë shqiptarët, që e pranuan dh perqafuan ideologjinë e tij.
Meshtari katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato personalitete historike, që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve. Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren mashtruese komuniste.
Dr. Oroshi, nuk ishte vetëm një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues kualitativ i zoti, mendje dhe pendë e spikatur e botës shqiptare.
Përmes larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes cilësor; një gjuhëtar shqiptar të apasionuar; shkrimtarin e denjë të shkollës së traditës gege dhe stoikun e papajtueshëm me regjimin anti-njerëzor ateisto-komunist në Shqipëri etj. Libri në fjalë, është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqsisht në makinë automatike propagandistike.
Në librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 400 dokumente, të hartuar dita-ditës nga punonjësit special të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat studiuesi shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj, i ofton sot para lexuesve mbarëshqiptarë.
Ky libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin, se i jep për here të parë dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku, lexuesi dhe studiuesit e rinj kanë mundësi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë me kujdes fantazinë e proçesverbaleve, raporteve, akuzimeve perverse, dëshmive të rreme nga trathtarët dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifse sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit komunisto-ateist.
Në një qarkore, që Ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku, u dërgon dioqezave (shkruar nën torturë nga Sigurimi), tregohet se sa bujë kishte bërë arratisja e dom Zefit dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por ishte ngritur dhe një komision kërkimi, i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.
Për arratisjen e dom Zefit të pamposhtur, është shkruar dhe në studimet e mëvonshme: “Dosjet e Diktaturës”, me autor studiuesin dhe ish Ambasadorin shqiptar në Selinë e Shenjtë në Vatikan, dr. Pjetër Pepa (1942-2014) dhe në monografin: “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të biografit të tij, që njiherazi është edhe Sekretar i Lidhjes III Shqiptare të Prizrenit, studiuesit Tomë Mrijaj (SHBA); sikurse edhe në veprën e Nikollë Mëlyshit, “Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”, dhe së fundi në librin: “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” shkruar nga bashkautorët: Tomë Mrijaj & Leonora Laçi, (Shkodër, 2018).
Momenti i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit, është kthyer në një legjendë. Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e mons. Oroshit, Prend Gjokën, i cili, më rrëfeu pas shumë dekadave të vërtetën se si dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal derisa u largua fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA, shkruan ndër të tjera studiuesja e re Leonora Laçi.
Nga Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër Arrestimi, të ardhur direkt nga Mehmet Shehu. Sigurimi, po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin nga dera kryesore daljen e popullit. Amerika, u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë të pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare (1962).
Kjo tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar, por shtypi e burgosi edhe mendimet e fjalën e lirë.
Prend Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit), Lukja përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit. Ajo pas rënies së komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën kur mbylli sytë. Motra e Monsinjorit, kishte qenë personi i fundit që dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal. Ai në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndrojë për tetë muaj deri sa kalojë në Kosovë, e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty sëbashku me atë Daniel Gjeçajn O.F.M, atë Ambroz Martinin O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.
Mons. Oroshi, ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të diasporës sonë shqiptaro-amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit Enver Hoxha.
Këtë vit në muajin qeshor 2022, Shoqata Trojet e Arbërit me qendër në Prishtinë organizuan në qytetin e Lezhës një Sesion Shkencor dhe këto ditë pritet të dalë nga botimi librit i pestë kushtuar mons. dr. Zef Oroshit, i cili përmbledh të gjithë kumtesat shkencore dhe historike, kushtuar atij nga ligjerues të trojeve etnike shqiptare dhe diaspora.
Po ashtu një grup intelektualësh dhe banorë të Oroshit, Mirditës dhe Lezhës, përmes një ceremonie mbarëpopullore vendosen në qytetin e Lezhës (Qershor, 2022) bustin e tij, në shej kujtimi, nderimi dhe respekti për gjithçka që ai bëri për vendlindjen, komunitetin shqiptaro-amrikanë dhe Kishën Katolike Shqiptare në Mirditë, Itali dhe SHBA.

thumbnail_klajd-4-005

Mons. Oroshi në Logun e Kuvendit e të tjerët për jetën e tij

“Mirëse u ka prue Zoti në shtëpinë tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji ditë në Atdhe. Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë padallim, jo prej njajë, dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir – prej Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet kû flitet gjuha e ambël shqipe, që aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë dhe kam shpresë e deri diku jam i sigurt se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me randësi kombtare. Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi krijue me flijime tona të shkëlqyeshme. Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jetën tonë, Atë osè Atdheun që na lindi do ta harrojmë.”

Mons. Zef Oroshi 24 Dhetuer 1969, Krishtlindje, New York

Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Oroshi, rivjen mbas shumë viteve para komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër origjinal të mirëfilltë atdhedashës, me titull kuptimplotë: “Long Kuvendit – në trinomin Fe-Atdhe-Perparim” (New York, 2019).
Libri trajton shkrime të karakterit historik, shkencorë, enciklopedik, tradita, zakone, gjuhësorë e kulturorë etj., botohet në Jubileun e 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA (1969-2019). Ai u përzgjodh, përgatit dhe u botua me shpenzimet financiare të studiuesit dhe publicistit veteran të komunitetit tonë Tomë Mrijaj. Intelektuali i shquar i komunitetit tonë Oroshi, ka një veprimtari të pasur dhe të ngjeshur intelektuale, në fushën e studimeve dhe publicistikës shqiptare.
Mirditori inteligjent, për shumë dekada, ka botuar me qindra artikuj cilësorë, hulumtime me profile të ndryshme në shtypin e kohës së diasporës, duke u mirëpritur me shumë interes nga redaksitë e organëve të ndryshme të shtypit si dhe nga albanalogët e shumtë të huaj, professorë të huaj dhe shqiptarë, që kishin studiuar në universitete më të famshme të Europës Perëndimore.
Në një letër, që prof. Ernest Koliqi i dërgon nga Roma monsinjor Oroshit, që jetonte në New York, në hyrje të saj i shkruan: “I dashtun Monsinjor Zef! Shkrimet tueja i presim si zogla e verës…”.
Duke pasur si mik të ngushtë prozatorin e shquar prof. Ernest Koliqin, dr. Oroshi për një kohë të gjatë bashkëpunoi me revistën e tij zëmadhe të kohës “Shêjzat”, gjatë periudhës së frytshme intelektuale të viteve 1957-1974-1978, kur themelues dhe drejtues i saj ishte Ministri i Kulturës së Shqipërisë, shkodrani dhe prozatori modern e brilant prof. E. Koliqi.
Dr. Oroshi, spikat apo dallohet edhe për natyrën enciklopedike dhe njohuritë e thella dhe të gjera që kishte për disa fusha të dijës shqiptare dhe botërore, të cilën tradicionalisht ndër shekuj e kanë lëvruar edhe ajka apo plejada më e ndritur e klerit katolik shqiptar.
Mons. Oroshi, me të mbërritur në botën e lirë në New York të SHBA, fillon të bashkojë komunitetin e pakët katolik shqiptar, të ardhur në këtë shtet të madh metropolitan në kohë dhe rrethana të ndryshme.
Sikurse e ka shprehur në disa shkrime dhe homelitë fetare të botuara në revistën Jeta Katolike, del se qëllimi tij ishte për t’i ruajtur nga asimilimi, sa të jetë e mundur shqiptarët, bashkimi rreth vatrës së ngrohtë në Shtëpinë e Zotit, për të ruajtur vazhdimisht traditat, zakonet, gjuhën e bukur shqipe, kulturën, festat kombëtare, përkujtuar figurat e ndritura patriotike dhe veshjet e bukura tradicionale popullore.
Këto vlera të pastra shqiptare, sipas Monsinjorit, mund të arrihen vetëm duke hapur sa më parë Shtëpinë e Zotit. Kjo kishë e re shqiptaro-amerikane, sipas shembullit pozitiv të traditës historike në vendlindje, u kthye shpejt në një vatër të ngrohtë të atdhedashurisë.
Paralelisht me këtë mision të vështirë, por jo të pamundur për të, Oroshi, i jep jetë edhe buletinit ose sikurse njihet në historinë e kishës sonë Revista Fetare Kulturore Jeta Katholike Shqiptare, e cila sot vazhdon sërisht të botohet me emrin Jeta Katolike).
Në këtë revistë, figurojnë emrat e shumë shkrimtarëve, intelektualëve të shquar, albanologëve, klerikëve katolikë dhe të besimeve të tjera fetare, sikurse edhe artikujt e shumtë të shkruar me dashuri zemre nga njerëz të thjeshtë të komunitetit tonë.
Ai, ka përdor disa pseudonime, meqenëse në revistë ka botuar shpesh 2 ose 3 artikuj brenda një numëri. Më të lakuar janë emrat apo pseudonimet: Zodiaku, Theologu, Redaksija, D. Z. etj. i veçantë është shkrimi: “Madre Tereza Bojaxhiu”, (1966, Nr.1 (D. Z.).) Ky është ndër shkrimet e para të botuar në SHBA për shën Terezën e Kalkutës ose sikurse njihet Nënë Tereza.

Një jetë plot devocion për kishën dhe grigjen e tij

Kisha dhe kleri shqiptar, do ta pësonte më shumë nga gjenocidi komunist dhe kalvarin e mundimeve me persekutime, duke i dhuruar sot kombit tonë mbi 38 martirë elteri të kishës.
Mesha e parë në Qendrën Katholike Shqiptare në New York City, në Natën e Madhe të Këshndellavet të vitit 1969, është një përrmbledhje brilante oratorie, ku si gjithnjë shquhet fjalimi elokuent, me fjalë të zgjedhura dhe frymë patriotike nga prelati ynë mons. dr. Zef Oroshit.
Si dëshmi e historisë së kishës sonë Monsinjori, njoftonte vazhdimisht komunitetin e vogël katolik shqiptar në New York, mbi ngjarjet e rëndësishme, sikurse ishte asokohe blerja e Qendrës Katholike Shqiptare e New York-ut gjatë vitit 1969. Ai si dëshmi historike dhe për brezat e ardhshëm këtë njoftim të mirëseardhur e botoi në faqet e numrit Katër të së përkohshmes në gegnisht dhe dygjuhësh shqip-anglisht, që ai botonte dhe drejtonte me pasion.
Këtu janë botuar jehona e shtypit amerikan nga gazeta e famshme The New York Times, me autor Murray Schumach (Prill, 13, 1970, E para kishë katolike shqiptare në ketë hemisferë u hap në Bronx) etj.
Ai nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetar, por dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë.

thumbnail_photos-from-clyde049

Media bashkëkohore për jetën e veprën e mons. Zef Oroshit

Studiuesi dhe publicisti Mërgim Korça, është paraqitur me studimin: “Konsiderata rreth vëllimit shkruar nga miku personal i Monsinjor Zef Oroshit, analisti Tomë Mrijaj”. Studiuesja e re shkodrane Leonora Laçi me shkrimin investigativ: “Si i shpëtoi Sigurimit msgr. dr. Zef Oroshi!?”, ndërsa ish drejtori dhe gazetari i Zërit të Amerikës Frank Shkreli, me shkrimin me kujtime: “Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit”. Shkrimtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane Eleonora Gjoka: “Studiuesi Tomë Mrijaj gdhend në mermer viganët e Kulturës shqiptare (Cikli: “Kultura Shqiptare në Shoqërinë Amerikane”)
Ish bashkëpunëtori i hershëm i revistës kulturore fetare Jeta Katolike dhe sot kryeredaktori i saj Mark Shkreli, ka botuar kujtimet e tij: “Kujtoj me mall mikun tim Monsinjor Zef Oroshin.”

Monsinjor Oroshi dhe biografi i tij Mrijaj

Dy intelektualë, kanë lidhje me njeri-tjetrin. Kjo bëri që miqësia mes tyre të rritet. Meshtari ynë, gjatë udhëtimeve me makinë, i tregonte Tomës shumë histori të familjes së kapidanëve të Mirditës, Oroshit dhe historisë së familjes së tij.
Qysh kur Toma mbërriti për herë të parë në SHBA (viti 1978), u interesua që të kontaktoj me emigrantë të hershëm, që kishin mbërritur më parë në New York e gjetkë.
Studiuesi Mrijaj, shkruan: “Nga hulumtimet e mia shumëvjeçare, që i kam bërë jetës dhe veprës shkencore dhe historike të mons. dr. Zef Oroshit, kam konstatuar se artikujt e tij janë shkruar përgjatë viteve 1958-1978. Përmbajtjet e shkrimeve të shumta studimore i përkasin fushave të tilla, si: histori kombëtare dhe të huaj, jeta dhe vepra e shumë figurave të shquara kombëtare shqiptare qysh nga Mesjeta, si: heroin kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin, Nënë Terezën, imzot Fan Stilian Nolin, poetin e ëmbëlsisë dom Ndre Mjedën, poetin kombëtar patër Gjergj Fishtën O.F.M., prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin e shumë të tjerë.”

Meshtarët tanë shpirtërorë:

Mons. Oroshi e vijuesi dom Pjetër Popaj

Kur mons. dr. Zef Oroshi ishte meshtar i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë” dom Pjetër Popaj ishte gjakon dhe student i devotshëm në Universitetin Teologjik dhe Filozofik në New York. Ai më vonë do të bëhet bari shpirtëror ose famullitar i devotshëm me një përkushtim të thellë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York.
Është e rëndsishme të thuhet me bindje të plotë, se dom Pjetër A. Popaj, është sot vijues i denjë në rrugën e lavdishme të trinomit Fe-Athe-Përparim, nëpër të cilën udhë ka ecur për shumë vite në vendlindje dhe New York, me përkushtim dhe sukses të veçantë edhe paraardhësi i tij imzot dr. Zef Oroshi.
Meshtari ynë dom Pjetër Popaj, në parathënien e librit në fjalë vlerëson: “Në fillim, dua të theksoi se nuk mundet që një parathënje apo një libër të përfshiijë të gjithë jetën e një figure të lartë, të shëndritur, të shquar, të një kalibër apo personi të tillë, sikurse ishte mons. dr. Zef Oroshi. Monsinjori, ka qenë shumë i përgaditur me një njohuri filozofike, shkencore dhe me një aftësi intelektuale për të sunduar një shtet. Gjithashtu nga ana shpirtërore ka qenë shumë i thellë në teologji dhe në Shkrimin e Shenjtë. Ai i ka dedikuar shumë kohë e kujdes përkthimit shqip të katër Ungjijve dhe Aktëve të Apostujve prej gjuhëve të huaja, duke filluar prej greqishtes së vjetër. Ka qenë shumë i thellë në dogmën e kishës, shumë herë e citonte Summa Theologica të Shën Thomas Aquinas, që përmbledh kuptimin e shpjegimin e theologjisë katolike, në një mënyrë të jashtzakonshme. Ky ka qenë Thomist, pothuajse sikur të gjithë priftërinjtë dioçezanë.”
Dhe dom Pjetri, më poshtë vijon kujtimet e veta, kur vë në dukje disa detaje interesante jetësore, kur ai ishte student: “Gjatë përgatitjes në seminarin teologjik, të gjithë seminaristët kanë mësuar dhe përvetsuar Summa Theologica të Shën Thomas. Summa ka qenë udhëzuese për mësimet teologjike të kishës katolike…” Ky me një shkathtësi trimërije të natyrëshme, nuk u dorzohet dhe qëndron në protestë për më se dy vite në mal kundër tyre. Shumë herë kur bisedonte për vështërsitë në mal, u bënte emocional; shumicën e kohës pa gjumë, pa bukë, pa strehim është një gjë e paimagjinuar si kanë mundur ky me shokët e tij të qëndrojnë gjallë. E përse!? Të gjithë këta vuejtje, vetëm për fe e për atdhe. Ai ka qenë një mbështetje e pashoqe e thirrjes sime për meshtar. Nuk ka mundur kush të më frymozojë më tepër se sa Monsinjor Zef Oroshi.
Edhe tani që po shkruaj disa kujtime të tij, më përforcojnë në meshtarinë time. Gjithëherë më porosite: “Mendo se kur predikosh, si respekt për popullin të jeshë gjithëherë i përgaditur.” Kjo më ka ndihmuar gjithmonë. Edhe sot, kurr nuk dal të predikoj pa u përgaditur… Njëri prej atyre shqiptarëve kam qenë edhe
unë. Qysh në vitin 1973, që kemi ardhur në Amerikë dhe jam njohur me të nëpërmjet (atëherë) Dom Rrok Mirditës, më ka dashur dhe ndihmuar gjithëherë deri në vdekjen e tij. Kur unë i kam treguar se kam dëshirë të bëhem meshtar, ai është gëzuar aq shumë, sikur të ju kishte çelë qielli. Me ka këshilluar me fjalët më inkurajuese dhe më ka siguruar përkrahjen e tij. Ai më ka çuar për t’u regjistruar në seminar dhe qysh se kam filluar shkollën dhe kam mbaruar shkollën, kur jam shuguruar meshtar dhe kam filluar shërbimin si meshtar dhe deri në fund të jetës së tij ka vazhduar gjithëherë kujdesimin e tij ndaj meje… “Lutemi, që Zoti të ja ketë shpërblyer në jetën e amshuar duke gëzuar lumturinë e Parajsës.”

Mons. Oroshi dhe dom Anton Kçira –

barrikada të hekurta anti-komuniste

E përbashkëta e dy meshtarëve Oroshi dhe Kçira, është se ata kanë një jetëshkrim me profile të njëjta atdhedashurie dhe anti-komuniste të vendosur.
Mons. Oroshi arratiset nga ferri burg komunist dhe merr rrugën e malit, duke u bashkuar me nacionalistët e pamposhtur, që me armë më dorë në Mirditë dhe kudo luftonin komunizmin e zi. Ai ndiqej këmba këmbës nga forcat e Sigurimit, të kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili, me urdhër të diktatorit Enver Hoxha kishte vënë shpërblime për atë person që jepte informacione se ku ndodhej ai.
Ata e kishin rrethuar të gjithë Miditën, për ta zënë të gjallë, por dështuan… sepse atë e mbroj grigja e tij dhe Zoti… Detaje interesante, zbulohen nga vetë mons. Oroshi në letrat, që i dergonte në Itali Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit nga ish Jugosllavia, ku me detaje e përshkruan jetën e vështirë në skëterrën komuniste ateiste…
Familja e dom Antonit persekutohet keqas nga regjimi komunist sllav serb. Në këto kushte të vështira, ai detyrohet që të lërë me dhimbje Dardaninë martire dhe shkon për të jetuar në Shkup të Maqedonisë Veriore… dhe më pas në SHBA…
Të dy vëllezërit në Krishtin, meshtarët Oroshi dhe Kçira, ndiqen nga komunistët trushpërlarë edhe në New York dhe Detroit, por qëndrojnë stoikë dhe të vendosur në rrugën e tyre.
Për kontributin e madh, që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, në kohë dhe rrethana të ndryshme, për të dy meshtarët në fjalë janë shkruar disa libra monografikë pas vitit 1991, artikuj dhe studime historike, në organet e ndryshme të shtypit në diasporë dhe vendlindje.
Për meshtarin e palodhur antikomunist, intelektualin dhe liderin e komunitetit katolik shqiptar në New York, mons. Oroshi, meshtari dom Anton Kçira, shkruan: “Gjatë jetës time të gjatë meshtarake, në mendjen dhe zemrën time ruaj kujtime të bukura dhe të paharruara për shumë figura të shquara të krenarisë sonë kombëtare të botës shqiptare në trojet etnike dhe diasporë… Mbas një periudhe të gjatë kohore, njeriu me vetëdije shikon me kujdes dhe qetësi bilancin pozitiv të punës dhe jetës së madhe meshtarake, intelektuale, kulturore, shkencore, atdhetare të meshtarit karizmatik të komunitetit shqiptar mons. dr. Zef Oroshit. Unë, kur isha meshtar i ri, kam pas fatin, nderin dhe privilegjin e madh, që të njoh nga afër për disa vite në kohë dhe rrethana të ndryshme historike meshtarin e përvuajtur mirditor mons. dr. Oroshin, këtë bari të dedikuar tërësisht trinomit Fe-Atdhe-Përparim. Në bazë të njohjes personale dhe historike të jetës dhe veprimtarisë së gjatë baritore dhe atdhetare të mons. Oroshit, jetën dhe veprimtarinë e pasur të tij mund ta ndaj në disa faza: Vitet e para në seminar dhe pasioni i madh për librat; Studimet meshtarake teologjike-filozofike;
Meshtar i ri në vreshtën e Zotit; Braktisja e famullisë, rezistenca antikomuniste dhe dalja në male; Vitet e vështira të kurbetit dhe historia e suksesshme e meshtarit patriot në vendet e ndryshme të botës dhe SHBA.”
Sërisht, bariu shpirtëror i ditëve tona dom Antoni, kujton mikpritjen tradicionale shqiptare të mons. Oroshit në New York. Ai shkruan: “Në vitin 1976, sëbashku me intelektualin e shquar dhe autorin e librit studimor të famshëm “Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve” dr. mons. Gaspër Gjinin, shkuam në New York për t’i bërë një vizitë miqësore famullitarit mons. dr. Zef Oroshit. Ai na priti ngrohtësisht dhe përzemërsisht, sipas traditës shqiptare në famullinë Zoja e Këshillit t’Mirë (sot kisha katolike Zoja e Shkodrës), e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan në Bronx. Në ato ditë të qëndrimit tonë si mysafir, Monsinjori, na shoqëroi kudo, duke na treguar për historinë e famullisë dhe komunitetit katolik shqiptar në New York. Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake dhe intelektuale, Monsinjori, ruajti në shpirt dhe zemër dashurinë e pashuar për librat. Ai na shoqëroi në disa biblioteka të famshme në Manhattan, New York. Më kujtohet si sot biseda që kishim së bashku me dr. mons. Gaspër Gjinin, në zyrën e tij të mbushur plot libra në shumë gjuhë të ndryshme të botës, dorëshkrime të tij të pabotuara, koleksionin e revistes Jeta Katholike Shqiptare, etj. Ai na tha: “Të dashtun miq të nderuem dr. mons. Gaspër Gjini dhe dom Anton Kçira! Kur isha në Jugosllavi, ipeshkvi Qekada, më pat afrue mundsi të shërbeja si meshtar në famullinë e Zllakuqanit, në Lug të Drinit, por për shkak të rrethanave që ishin, nuk e pranova sepse mendjen e kisha për me dalë në botën e lirë në Perëndim!” Për të gjithë ne dhe në veçanti për grigjen tonë të shpërndarë rrugëve të botës, jeta e tij plot tallaze në emigracion nuk ka qenë e lehtë.”

Mons. Oroshi e drejtori e gazetari profesionist Frank Shkreli

Ndër kujtimet më interesantë plot mbresa, që zënë vend të rëndsishëm në librin e mons. dr. Zef Oroshit janë edhe shënimet historike të Frank Shkrelit, ish Sekretar i Lidhjes Katholike Shqiptaro-Amerikane dhe anëtar i grupit redaktues të revistës, “Jeta Katholike Shqiptare”, për periudhën 1971-1974.
Franku, kujton: “Ishte viti 1970, kur për herë të parë e takova mons Zef Oroshin në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, (1969-1970) për dom Zefin dhe për aktivitetin e tij fetar dhe atdhetar në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, më kishte folur miku dhe përkrahësi im në Romë, dom Prenkë Ndrevashaj. Edhe në dy-tre takime, që kisha pasur me prof. Ernest Koliqin në Romë, më kishte këshilluar që kur të arrija në Amerikë, të takoja dom Zef Oroshin dhe t’i rrija afër, pasi mund të më ndihmonte në vazhdimin e studimeve në Amerikë, duke marrë parasysh moshën time të re. Ashtu edhe u bë. Më të ardhur në Nju Jork në fund të vitit 1970, kushëriri i nënës time Ndoc Vulaj, mik i ngushtë i dom Zefit, më prezantoi me Monsinjorin, të dielën e parë pas arritjes time në Amerikë, tek kisha e parë katolike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar prej tij në Bronks të Nju Jorkut. Ishte një takim, pas meshes, me dom Zefin dhe me Ndoc Vulajn në qelën e kishës, sipër ndërtesës ku thuhej mesha. Pyetja e parë që më bëri Monsinjor Oroshi ishte: “Si je me anglishten?” Unë iu përgjigja se kisha filluar ta mësoj gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, por jam i vetëdijshëm, i thashë, se do të më duhet kohë që ta përvehtësoj si duhet. Pa asnjë vonesë, madje edhe pa më pyetur fare, merr telefonin dhe i telefonon dikujt. Flet me të në anglisht për nja 5-6 minuta. Merrshe vesh ndonjë fjalë aty këtu, por thelbin e bisedës nuk e kuptova fare. Sidoqoftë, dom Zefi i kishte telefonuar një prifti jezuit, që e njihte në Universitetin Fordham, i cili administrohet nga Kuvendi Jezuit, duke i shpjeguar se në zyrën e tij kishte në djalosh të ri shqiptar refugjat të porsaardhur nga Evropa dhe i kishte kërkuar atij që të bënte çmos të më mundësonte me çdo kusht regjistrimin në Fordham për kurse anglisht, për të mësuar anglishten sa më mirë dhe sa më parë, me objektivin për të vazhduar studimet që i kisha ndërpre, si përfundim i arratisjes. “Nëqoftse dëshiron të përparosh në këtë vend, – më këshilloi dom Zefi, – duhet të mësosh gjuhën e vendit, sepse pa gjuhën anglishte ke me mbetë mbrapa, m’u drejtua ai me një fytyrë serioze…” Monsinjor Oroshi ishte në dijeni se unë kisha kryer 5-vjet në një seminar katolik në Kroaci dhe natyrisht ai ia dinte vlerën asaj shkolle dhe donte që të mos habitesha duke gjetur çfardo pune në Amerikë, si të gjithë të rinjtë shqiptarë të moshës time në atë kohë, sepse ashtu ishin rrethanat, shumë të vështira për imigrantët e ri, dhe si rrjedhim, dom Zefi më porositi: “Të mos ndërprisja shkollën, por të vazhdoja studimet me çdo mënyrë. Në të vërtetë, ashtu edhe ndodhi. Me rekomandimin e mons. Zef Oroshit u regjistrova në Universitetin Fordham për kurse fillestare për gjuhën anglisht dhe mbrenda 6 muajsh e përvehtësova anglishten në nivelin e duhur, sa që u regjistrova si student i rregullt në Kolegjin shtetëror Lehman në Bronks, pasi Universiteti Fordham ishte shumë i shtrenjtë dhe nuk i kisha mundësitë financiare për t’u regjistruar aty…” Ndërkohë, lexuesi mëson nga kujtimet e Frankut, gjestin fisnik të mirënjohjes dhe respektit, që ai ruajti gjithnjë për meshtarin Oroshi. Franku, tregon: “Mbështetjen e mons Oroshit për mua gjatë atyre viteve fillestare kritike për çdo emigrant në një vend të huaj, e ruaj si një kujtim të pashlyeshëm dhe e kam vlerësuar gjithmonë si një besim të tij në mua personalisht, por edhe breznitë e ardhshme të shqiptarëve dhe në cilësitë pozitive të tyre. Autori me mons. Zef Oroshin në demonstratë kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, për të protestuar vrasjen barbare të dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist në vitin 1973, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB.”

Festimi XXX-të në kujtim të 110-vjetorin e mons dr. Zef Oroshit

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, me nderim, respekt dhe kënaqësi të veçantë njoftoi komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mediat në New York me rrethe, se me 5 dhe 6 nëntor 2022 do të mbaj në sallën e Illyria Community Center në Bronx NY, Festivalin e XXX-të Shqiptar, i cili në këtë jubile i përkushtohet themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA dhe në të gjithë Hemisferën Veriore mons. dr. Zef Oroshit, i cili themeloi me devocion Qendrën Shqiptaro-Amerikane, botoi dhe drejtoi revistën fetaro-kulturore Jeta Katholike Shqiptare (sot Jeta Katolike 1966-2022).
Viti 2022, shënon edhe 110-vjetorin e lindjes së prelatit të paharruar të komunitetit shqiptaro-amerikanë imzot dr. Zef Oroshit.
Kjo është ngjarja më e Madhe Mbarëshqiptare në Amerikë, e cila si synim ka pasur dhe vazhdon të mbajë shpalosjen dhe ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës të gurrës shumë shekullore popullore, këngës e valleve burimore, shfaqjen e shumë e shumë ngjyrave të bukura dhe ornametëve, që pasqyron vazhdimisht folklori etnik shqiptar.
Kështu artdashësit këtu do të kenë mundësinë për dy netë festive të argëtohen me këngëtarë të njohur të shumë trevave, grupet folklorike nga New York-u, Bostoni dhe Michigan-i, Philadelphia, Connecticut, të cilët, sikurse çdo vit e pasurojnë Festivalin me instrumente, kostume dhe valle të ndryshme.
Kisha e jonë tregon të veçantën e tij, se Festivali i 30-të Shqiptar, i cili i përkushtohet intelektualit dhe prelatit të shquar të komunitetit tonë mons. dr. Zef Oroshit, një ndër figurat më të shquara të mërgatës shqiptare, por edhe mbarë botës jashtë trojeve shqiptare.
Si për të mos mjaftuar me kaq, mësojmë se Shoqata “Trojet e Arbërit”, me qendër në Prishtinë të Kosovës, ka në proces botimi një libër special voluminoz, kushtuar mons. dr. Zef Oroshit, ku janë të përmbledhur të gjithë kumtesat e ligjëruesve, që i mbajtën në muajin qershor 2022, në qytetin historik të Lezhës.
Po ashtu në Lezhë këtë vit me 14 qershor 2022, është përuruar edhe busti kushtuar antikomunistit dhe intelektualit të erudit mons. dr. Zef Oroshit, që për shumë dekada ruajti të gjallë mes shqiptarëve kulturën dhe gjuhën shqipe.
Ai ishte mik i ngushtë i intelektualëve prof. Ernest Koliqit, prof. Rexhep Krasniqit, prof. Zef Nekaj, pader Giacomo (Jak) Gardini, i cili ishte prift italian i dashuruar mbas Shqipërisë, që si shpëblim diktatura ateisto-komuniste e plandosi mizorisht në burg për 10 vjet (1945-1955)… atë prof. Zef Valenini, dom Pjetër Popaj (meshtar aktual sot në New York), atë prof. Andrew Nargaj ofm, prof. Arshi Pipës, Kapidani i Mirditës Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjomarku, Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, studiuesi Tomë Mrijaj (autori i 4 librave kushtuar klerikut dom Zef Oroshit, sikurse e thërrisnin të gjithë këtu), etj.

Vijimsia e shpalosjes së kulturës shqiptare në New York

Është bërë traditë zhvillimi i Festivali Shqiptar në New York, që përpiqet të identifikojë, dokumentojë dhe paraqesë artistë të folklorit dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar komunitetin tonë, pa dallim feje, ideje apo krahine.
Çdo vit Festivali këtu, ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.
Ai i ofron spektatorit të thjeshtë, mundësinë e mishërimit me thesarin e pasur të kulturës sonë. Tubimi mbarëshqiptar kulturoro-artistik, shpalos begatinë e pasur kulturore të komunitetit shqiptar si një pjesë identifikuese e komunitetit të përgjithshëm amerikan.

30 vjet këngë, valle e muzikë nga trojet etnike në Amerikë

Shqiptaro-amerikanët u mblodhën në sofrën e gurrës popullore artistët nga diaspora shqiptare e Amerikës. Festivali i XXX-të i Këngës dhe Valles Popullore Shqiptare, që mbahet në New York këtë vit festoi 30-vjetorin e saj.
Si gjithnjë, parada artistike e grupeve të ndryshme të muzikës me instrumente popullore tradicionale dhe moderne, valleve me larushisë e kostumeve të trojeve etnike, krahinave dhe nënkrahinave, gjatë 30 viteve në Festival, është përpjekur të identifikojë e përkrahë grupet artistike dhe kulturore, që gjenden në disa shtete të ndryshme të Amerikës, shumëngjyrshmërinë e kostumeve, valleve, intrumenteve origjinale, traditave, zakoneve të lashta iliro-arbërore-shqiptare, të ruajtura ndër shekuj nga të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë këtu.
Ky është thesari i shpirtit të një populli të vogël, por me zemër të madhe, që ka një histori të lavdishme, me vlera kulturore shumë të pasura dhe të larmishme, për t’i treguar kombit të madh amerikan.
Sofra muzikore dhe koreografike kulturore këtë vit iu përkushtua bariut shpirtëror brilant mons. dr. Zef Oroshit, që gjithë jetën punoi si misionar i Krishtit, pa u lodhur për komunitetin shqiptaro-amerikan derisa kaloi në amshim. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.
Larushia e perlave shpirtërore të kultivuar dhe ruajtur me kujdes dhe respekt brez mbas brezi edhe në Amerikë, u shpalosën me dinjitet në spektaklin Fest’30-të në New York, në kryeqytetin metroplolitan të kulturës shumetnike botërore.
Ky ka qenë dhe mbetet edhe objektqëllimi kryesor (prej tre dekadash), për ribashkimin në një vatër të madhe festive, brenda mozaikut të vlerave folklorike të papërsëritshme burimore popullore të zonave dhe krahinave të ndryshme etnike gjithpërfshirëse.
Shqiptarët nga të gjithë trojet etnike, pa dallim feje sot kremtojnë së bashku, traditën tonë të bukur ruajtjen prej etërve tanë ndër shekuj. Shumë këngë u dedikohen heronjve tanë historikë, që nuk kanë kursyer veten dhe kanë dhënë jetën për të ruajtur traditën dhe indetitetin tonë.
Shqiptarët, janë shumë krenarë, për të rinjtë dhe të rejat e komunitetit tonë, sidomos ata që kanë lindur këtu dhe nuk e harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Ata e duan gjuhën shqipe dhe krenohen se janë shqiptarë.
Dihet se institucionet e hershme të artit dhe kulturës në Shqipëri e kanë pasur zanafillën e tyre nga kisha katolike, gjë që dëshmohet nga burimet e shumta historike ndër shekuj, kurse në diasporën shqiptare në ShBA dhe posaçërisht në shtetin e New York-ut dhe rrethina në këto përgatitje si gjithmonë rol të rëndësishëm kanë luajtut klerikët katolikë, si: imzot dr. Zef Oroshi (1912-1989), imzot Rrok Mirdita (1939-2015), dom Pjetër Popaj dhe aktivistët e palodhur të komuniteti të vogël katolik shqiptar (i përbërë krysisht nga emigrantë politikë (1944-1990), është vendosur vonë në krahasim me komunitetin e hershëm ortodoks shqiptar (shek. XVIII nga emigrantë ekonomikë në vitet 1944-1990 ata politikë dhe mbas vitit 1990, ata ekonomikë) me qendrën e saj në Boston rreth Kishës së Shën Gjergjit.
Krahas ndërtimit të kishës së re, udhëheqësit shpirtëror meshtarët katolik shqiptarë dhe artdashësit e kulturës tradicionale popullore, që kishin emigruar në Amerikë, bashkëpunuan dhe vendosën të themelojnë shoqëri, klube dhe grupe artistike kulturore.
Ishte pranvera e vitit 1978, kur në New York me inisiativën e asokohe mons. dr. Zef Oroshit dhe dom Rrok Mirditës, që filluan krijimin e korit të kishës, me një grup të vogël bashkëatdhetarësh, por që kishin dëshirën e madhe të bëjnë diçka të bukur dhe dobishme për kishën e tyre.
Nga ana e tjetër, meshtarët e palodhur dhe kudogjendur mons. dr. Zef Oroshi dhe imzot Rrok Mirdita, gjithëmonë kërkonin diçka motivuese të re, për të mbajtur të bashkuar komunitetin e vogël shqiptar. Këta vizionarë largpamës dhe qëllimmirë, u provuan shumë herë ndër aktivitete, që pasuan më vonë në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike Shqiptare në New York.
Në ambientet e saj, lindi ideja e formimit të një grupi muzikor, me antarët e korit dhe të tjerë, që i afroheshin, kishës dhe komunitetit ndër gëzime e festa, dasma e kremtime të ndryshme. Të inkurajuar nga mons. dr. Zef Oroshi, imzot Rrok Mirdita, dhe aktivistë të tjerë të kishës, u formua grupi muzikor “Rozafati” (2008), që këtë vit përkujton 14-vjetorin e saj.

Vijimsia e traditës së xhubletës 5000-vjeçare

dhe valleve në skenat amerikane

Me datën 20 tetor të vitit 1991, Presidenti i Bronx-it Fernando Ferrer, para 31 viteve lëshoj një Proklamatë, në të cilën deklaroi Ditën e Shqiptarëve në Bronx, të cilën e solli në ditën e festivalit Bill Aguado, drejtor Ekzekutiv i Zyrës së Arteve në qytetin Bronx, New York.
Festivali Shqiptar u kthye në traditë, dhe përformimet artistike në skenë kanë vazhduar çdo vit. Me një thjeshtësi e ndjesi të thellë zemre bashkatdhetarët, me mendimet e tyre dashamirëse, po sillnin pjesë nga toka e maleve mbuluar me borë, xhubletën e hershme dhe të lashtë në historinë e Europës, puset e ujit të ftohtë, që burojnë nga bjeshkët kreshnike, vallet e lashta sa vetë historia e Ilirëve në trojet autoktone, Shqipërinë, Kalabrinë, Kosovën, Malësinë e Dedë Gjon Lulit, simbolet e krenarisë nacionale, në veshjet popullore, në ambientet ku sërisht u bashkuan shqiptarët, me buqetën e këngëve, valleve, që hijeshojnë interpretimet e tyre veshur me kostumet e bukura popullore.
Së fundi, foklorin ynë në skenë, si thesar i madh për popullin e vogël, duke risaktësuar shkencërisht lashtësinë, unitetin dhe diversitetin e shpirtit të pasur arbëror. Këto perla, janë ngjizur në shtresa të hershme historiko-shoqërore, duke dëshmuar unitetin krijues artistik të kombit tonë, që i përshkon një fill fin atdhetarizmi.
New York, Nëntor 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.