back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Monogram – poezi nga Odisseas Elitis

Gazeta

Odisea Elitis
Odisea Elitis

Monogram –

fragment poeme nga Odisseas Elitis në standart

Jemi ende herët në këtë botë, a më dëgjon
përbindshat ende s’janë zbutur, a më dëgjon
Gjaku im i humbur e i tretur, a më dëgjon
e thika si dashit u sulet qiejve
dhe yjet i këput prej degëve, a më dëgjon
jam unë, a më dëgjon
të dua, a më dëgjon
të marr për dore, të prij me vellon
e bardhë nusërore të Ofelisë veshur, a më dëgjon
Pse po më le, ku po shkon, a më dëgjon
kush do të mbajë përdorë atje mes përmbytjesh
lianet gjigande a llava e vullkaneve,
Ka për të ardhur dita, a më dëgjon
që do të na varrosin, e mbas mijra vitesh,
s’do të jemi veç gurë vezullues, a më dëgjon
ku  bluhet shpërfillja njerzore, a më dëgjon
dhe ashtu mijra copash do na hedhin, ndër ujra
një e nga një, a më dëgjon
t’i numëroj zajet e mia të hidhura, a më dëgjon
pse koha është nji kishë e madhe, a më dëgjon
ku ikonat e Shenjtorëve, a më dëgjon
nganjëherë qajnë edhe me lot të vërtetë, a më dëgjon
kambanat përhapin lartësive, a më dëgjon
një shteg të thellë e më lenë të kaloj, a më dëgjon
engjëjt më presin me qirinj e psallme vdekjesh,
po unë s’largohem së këndejmi, a më dëgjon
O të dy bashkë, o asnjeri prej nesh, a më dëgjon
cilën lule stuhish a dashurie, a më dëgjon
njëherë e përgjithmonë do ta këpusim, a më dëgjon
të mos mundet kurrë më ajo të lulëzojë, a më dëgjon
mbi të tjera planete o t’tjera yjësi, a më dëgjon
s’do të jetë më toka, e as era s’do të jetë më
e njejta, që do ta prekim ne të dy, a më dëgjon
dhe as ai kopshtari që ia doli mbanë, a më dëgjon
prej dimrash e prej ngricash të vështira, a më dëgjon
shpërtheu një lule, dhe jemi veç ne, a më dëgjon
me nji vullnet të vetëm: dashurinë, a më dëgjon
krejt nji ishull në këmbë e çojmë, a më dëgjon
me shpellat, me gjiret dhe shkëmbinjtë
plot lule, a i dëgjon, a i dëgjon
Dikush u flet ujrave e dikush tjetër qan, a e dëgjon
dikush kërkon dikë e dikush ulërin, a e dëgjon
unë jam ai që ulëras, unë jam ai që qaj, a më dëgjon
Të dua, të dua, të duaaaaa… a më dëgjon!!!

.

Romeo dhe Xhulieta
Romeo dhe Xhulieta

Monogram –

fragment poeme nga Odisseas Elitis në gegnisht

Jena ende herët n’kët botë, a m’ndigjon
katallajtë ende s’janë zbutë, a m’ndigjon
Gjaku jem i hupun e i tretun, a m’ndigjon
edhe thika si dashit nget qiejve
edhe hyjtë i këput prej degash, a m’ndigjon
jam un’, a m’ndigjon
të due, a m’ndigjon
përdore t’mora, e n’dritë të lshova,
me velin e bardhë dasmor t’Ofelisë të vesha, a m’ndigjon
Pse po më len, kah je tuj tretë, a m’ndigjon
kush ka me t’mbajtë përdore njatje midis ujnash t’dala shtretënve
sharmashektë e mëdhaj a llava e vullkaneve,
Ka me ardhë dita, a m’ndigjon
e me na shti n’vorr, e mbas mija vjetesh,
s’kena me qenë veç perla vezulluese, a m’ndigjon
ku përtypet shpërfillja njerzore, a m’ndigjon
e njashtu n’mija copash kanë me na hjedhë, a m’ndigjon
ndër ujna nji ka nji, a m’ndigjon
m’i numrue zajet e mia të hidhta, a m’ndigjon
pse koha asht nji kishë e madhe, a m’ndigjon
ku ikonat e Shenjtëve kajherë,
vajtojnë edhe me lot t’vërtetë, a m’ndigjon
kambanat shpërndajnë naltsive, a m’ndigjon
njat shtegun e thellë e na lanë me kalue, a m’ndigjon
e engjujt m’presin me qirì e litanì vdekjesh,
po un’ s’largohem së kndejmi, a m’ndigjon
O t’dy bashkë, o asnjeni prej nesh, a m’ndigjon
cilën lule stuhie a dashnie, a m’ndigjon
kem me e këputë njiherë e përgjithmonë, a m’ndigjon
e t’mos mundet kurrë ma ajo me lulzue, a m’ndigjon
mbi tjera planete o tjera hyjsi, a m’ndigjon
s’ka me qenë ma toka, as era s’ka me qenë ma
t’njejtat që kena prekë ne të dy, a m’ndigjon
as njejti aj kopshtari që ia duel mbanë, a m’ndigjon
prej dimnash e prej ngricash të vshtira, a m’ndigjon
n’se shpërthen nji lule, jena veç ne të dy, a m’ndigjon
me nji dshirë t’vetme: dashninë, a m’ndigjon
krejt nji ishull n’kambë kem me e çue, a m’ndigjon
me shpella, me brigje e me shkambinj
mbushë përplot lule, a i ndigjon, a i ndigjon
Dikush po u flet ujnave e dikush tjetër qan, a i ndigjon
dikush kërkon dikënd e dikush tjetër ulërin, a i ndigjon
jam vetë un’ që uluras, jam un’ ai që qaj, a m’ndigjon
Të due, të due, të dueeeee…! A m’ndigjon?!
.
(përktheu Jozef Radi – janar 2013 – nentor 2017)
 
 
 
 

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.