back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mjeshtri i soneteve, që erdhi nga ferri dhe shkoi në parajsë… – nga Visar Zhiti – Uran Kostrecit në një vjetorin e ikjes –

Gazeta

Uran Kostreci (1938-2021)
Uran Kostreci (1938-2021) 

Mjeshtri i soneteve, që erdhi nga ferri dhe shkoi në parajsë…

nga Visar Zhiti

Uran Kostrecit në një vjetorin e ikjes –

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qwndroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptua asnjëherw, i paepur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tingëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate.  Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej.   Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë… .

I pamposhturi - Avni Delvina kushtuar Uran Kostrecit
I pamposhturi – Avni Delvina kushtuar Uran Kostrecit

Kartela e dhëmbshme e Uran Kostrecit 

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15-të, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakmarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. S’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo-amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe tani që është 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,
Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:
Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!
Duke u tërhequr… këmba-dore zvarre,
 
Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,
Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..
Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!
Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,
 
Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,
Spiunë amerikanë e priftërinj,
Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,
 
Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak
Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak
E n’internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti Çoroditje, por a dini pse e mban borsalinën, nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi. E ka që nga atëhere, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli… Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – shkruan studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

***
Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I palodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë, sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësia ka që ai pa, edhe ferr edhe parajsë dhe sytë i xixëllinin njëlloj. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali, Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje, një tjetër trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje… Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

***
Ka një vit që s’është midis nesh, mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.