Miti i rremë i kolonel Tomsonit dhe “Srebrenica” shqiptare e vitit 1914 Flutura Açka

Willem de Veer dhe Ludjovijk Thomson (ne qender)

Willem de Veer dhe Ludjovijk Thomson (ne qender)

Miti i rremë i kolonel Tomsonit

dhe “Srebrenica” shqiptare e vitit 1914

nga Flutura Açka

Vite më parë, tek rrëmoja në arkivën e Institutit të Historisë së Ushtrisë Holandeze, në Hagë për një studim timin mbi Misionin Holandez të Paqes në Shqipëri në viteve 1913-’14, ndesha me shumë materiale interesante, të cilat, edhe pse në të shumtën e tyre ishin në holandisht, mund të hidhnin dritë mbi historinë shqiptare, veçmas të atij viti të trazuar, bëmat e të cilit lakohen shpesh ndër ne. Gjithçka ishte aty: foto, ditarë, skica betejash, harta të bëra me dorë, shënime, dokumente, postera, urdhëresa, dosje të plota të pashqyrtuara. Njëri nga punonjësit aty madje m’u ankua se disa ‘vizitorë’ më të hershëm shqiptarë, edhe kishin grabitur mes materialeve origjinale. Një pjesë të këtyre materialeve, aq sa më lejohej, i kam fotokopjuar dhe nëse kanë interes, mund t’ua ofroj historianëve dhe arkivave shqiptare për studime.
Kur u ktheva në Shqipëri, e joshur nga çfarë pashë dhe gjeta, ia sugjerova drejtorit të atëhershëm të Muzeut Historik Kombëtar, që t’i bëhej e mundur ndonjë studiuesi a ndonjë një ekipi të vogël historianësh ta shfletonte dhe të punonte me këtë arkivë. Por përgjigjja ishte sa e thjeshtë dhe e kuptueshme, aq edhe trishtuese: “Nuk kemi para për të tilla sipërmarrje, për muaj të tërë pune hulumtimi në Hagë!”

Xhandarmëria Ndërkombëtare hollandeze - 1913

Xhandarmëria Ndërkombëtare hollandeze – 1914

Në ndërkohën e këtyre vetje-ardhjeve të mia mes Holandës dhe Shqipërisë, një hulumtues i apasionuar holandez, Joep Zonne(1950), i kushton 10 vjet kërkimi këtij arkivi dhe shumë materialeve jashtë tij dhe arrin të ndërtojë këtë pazëll të vështirë, duke hartuar në 1000 faqe libër të shtypur tashmë, kronologjinë e Misionit Holandez të vitit 1913-14, kronologji që në fakt sa ç’është holandeze, është edhe shqiptare, pasi në të janë ngjarje dhe të vërteta që kanë ndodhur në tokën tonë dhe jemi të detyruar t’ia japim si të vërteta edhe shqiptarëve. Sigurisht, Joep Zonne nuk merr përsipër detyrën e historianëve (atë ua lë historianëve), ai thjesht rreshton të gjitha faktet në vijimësi siç kanë ndodhur, një pjesë të tyre madje të pashfletuara kurrë, një pjesë të tyre nga burimet e arkivave familjare. Historia që ndërton Joep Zonne dhe që përmblidhet në dy vëllime të sapobotuara në Holandë me titull “Ushtarakët holandezë në folezën shqiptare të grerëzave, 1913-’14, – Kronika e një misioni të rrezikshëm paqësor” (Nederlandse militairen in een Albanees wespennest 1913-1914 – Kroniek van een hachelijke vredesmissie”, jep një tjetër panoramë nga ajo çfarë jemi mësuar të hamë dhe të besojmë deri tani, të vërteta të pakundërshtueshme, që mes të tjerash ia heqin lustrën edhe mitit të kolonel Tomsonit dhe rolit të tij në ato muaj të rëndësishëm për Shqipërinë.
Sigurisht argumentet e këtij shkrimi, që janë konkluzione mbi atë çfarë kam lexuar, mbase nuk do t’i pëlqejnë dikujt që me panagjerizëm vazhdon ende t’i bëjë fresk dhe t’i përkulet busteve të Tomsonit, as ndokujt që urdhëron nënoficerë të bëjnë rreshtore para hijes së Tomsonit, as ndonjë holandezi nekrofil të adhuruar pas Tomosnit, as shkruesve rikopjues patetikë që çështjen e Tomsonit e lidhin me qëndrimin ndaj Holandës(!!!) dhe, aq më shumë, ndaj Europës! Ju siguroj që asnjë holandezi nuk do t’i pëlqente që shqiptarët të dinin ca të vërteta (mes tyre edhe për ata vetë, apo historinë e tyre) dhe të bënin sikur nuk i dinin. Holandezët kanë të drejtë ta kenë hero Tomsonin, sepse u është vrarë në luftë. Po shqiptarët a duhet ta kenë hero me të vërtetë? Dhe hero, vetëm Tomsonin, apo edhe De Veer, apo edhe të gjithë misionin? Këtyre pyetjeje i përgjigjet gjerë e gjatë e vërteta e librit të Joep Zonne, me të cilin, si edhe me debatin mbi figurën e Tomsonit, janë marrë këto ditë gazetat më të rëndësishme holandeze, të cilat nuk marrin direktiva nga askush se çfarë të botojnë ose jo në faqet e tyre. [Shih të përjavshmen 'Elsevier', dt. 21.05.2014, gazetën 'NRC' dt. 22.05.2014 dhe gazetën 'De Volkskrant', dt. 14.06.2014].
Ja disa nga të vërtetat, për të cilat kemi nevojë t’i dimë ne shqiptarët, konkluzionet u takojnë historianëve, që të mund të shthurin pak mjegullën shkëlqyese rreth këtij “të njohuri të panjohur” holandez, të cilit, si asnjë shqiptari apo të huaji tjetër, që kanë dhënë aq shumë për Shqipërinë, nuk i janë kushtuar dy buste dhe vlerësime të tjera me aq tepri:
Në kohën e përzgjedhjes së listës së ushtarakëve holandezë që do të vinin me mision në Shqipëri në vitet 1913-14, me detyrën fillimisht të rikonicionit të terrenit dhe më pas të ardhjes së gjithë grupit, për shkak të miqësisë së Kryeministrit të atëhershëm, z. Colijn, me major Lodewijk Thomson, roli i drejtimit të misionit i ishte premtuar këtij të fundit. Kjo nuk ishte në fakt arsyeja e vetme, por edhe përvoja e tij e mëparshme në Ballkan si edhe përvoja e tij në Inditë Lindore Holandeze (Indonezia e sotme). Për shkak të zgjedhjeve të reja dhe ndërrimit të kabinetit qeveritar, në kohën e emërimit të misionit në krye të detyrës ishte një tjetër Ministër Lufte, N. Bosboom, dhe ky i fundit nuk e pa të pranueshme kandidaturën e Tomsonit si drejtues të misionit, por ia la atë një ushtaraku me përvojë, si gjeneral De Veer. Ende sot madje, pas njëqind vitesh, nuk thuhet, ose thuhet me gjysmë zëri e vërteta: Se drejtues i atij misioni nuk ka qenë kolonel Tomsoni, por gjenerali De Veer.

Shqipëria e vitit 1913

Shqipëria e vitit 1914

Tomsoni mori famën (jo vetëm se u vra gjatë këtij misioni), por edhe sepse gjithë kohën punoi për ta lënë në hije ushtarakun De Veer, edhe sepse e minoi në mënyrë sistematike punën e tij drejtuese, edhe sepse në mënyrë po aq sistematike përhapte fjalë sa nëpër eprorë në Holandë, sa mes kolegëve të misionit me të cilët mbante marrëdhënie të mira, sa mes shqiptarëve me të cilët me populizmin e tij bëhej shumë, sa me Princ Vidin, të cilit ia kishte gjetur pikat e dobëta dhe e sillte rrotull, sa mes gazetarëve të pranishëm në Shqipëri në ato muaj (me të cilët, si politikan që ishte, kishte marrëdhënie shumë të mira), dhe ua kishte mbushur mendjen të gjithëve se De Veer ishte i keqi dhe se ai ishte i miri. Qysh në krye të ardhjes në Shqipëri, veç të tjerave, ai u mor më së shumti me publicitetin e vetes dhe të spaletave të tij. Kur më 22 tetor 1913, u vendos që De Veer dhe Tomsoni të dërgoheshin në Shqipëri vetëm për të parë mundësinë se si mund të ngrihej xhandarmëria në kushtet shqiptare, Tomsoni u kishte thënë gazetarëve se qeveria holandeze u kishte kërkuar organizimin e ushtrisë dhe qeverisë në Shqipëri! Madje, qysh në krye të përgatitjes së misionit, përfaqësuesi austro-hungarez në Holandë doli hapur kundër kandidaturës së Tomsonit, si një njeri intrigant, sipas tij. Mjaft të kujtojmë episodin e shmangies së gjeneralit De Veer më 27.05.1914, i cili u ç’degradua nga Princ Vidi dhe u dërgua në veri (ka të ngjarë me këshillën e Tomsonit), dhe më pas, i lënduar, u tërhoq në Holandë dhe emërimin e Tomsonit nga Princ Vidi si “Directeur de la force armée”, pozicion i nivelit të ministrit të Luftës, që nuk pati fatin ta shijonte gjatë, kuptohet qartë se çfarë ka ndodhur pas kuintash.
Mosmarrëveshjet mes shefit të Misionit Holandez të paqes 1913-14, në Shqipëri, gjeneralit De Veer dhe zëvendësit të tij, kolonelit Tomson, ishin një nga arsyet, jo dhe aq periferike, e dështimit të këtij misionit. Për arsyet e tjera historianët shqiptarë kanë folur gjatë dhe me argumente bindës. Ata (De Veer dhe Tomson) ishin dy natyra të ndryshme. Madje, qysh në krye, ndërkohë që De Veer u nis më 5 nëntor 1913, nga Holanda së bashku me dy nënoficerët për në Shqipëri, Tomsoni shkoi më parë në Paris, për të takuar një të dashur të tij dhe iu bashkua grupit në Trieste. Ndërsa De Veer i shkruante shpesh letra gruas së tij (letra që na japin sot shumë detaje të kurbës së marrëdhënies së tyre) për gjithë ç’ndodhte në Shqipëri, Tomsoni merrej me promovimin e vetes, madje ka zëra (tek-tuk mes letrave, të cilat më së shumti janë të mbushura me fjalor lufte) se nuk i ishte aq i thekur pas martesës së tij. Tomsoni ishte politikan i vërtetë, De Veer ishte një ushtarak i vërtetë. Tomsoni nervoz e luftarak, De Veer i qetë dhe i matur. Tomsoni atakues, De Veer i tërhequr, një kombinim që krijoi shpesh krisje çështjes shqiptare të kohës. Shumë më herët, Tomsoni e pat treguar veten si njeri që e zotëronte audiencën, vdiste për polemikat dhe i çonte argumentin deri në pafundësi. Nuk ishte njeri i dueleve, edhe pse atë kohë ishin në modën e nderit të burrave. Qysh herët, mbase prej natyrës së tij rebele, pat treguar që nuk i zihej shumë besë: Ai kishte qenë anëtar i Bashkimit Liberal në parlamentin holandez dhe votonte për socialdemokratët. Kur De Veer lexoi më 10 shkurt të vitit 1914, gazetën holandeze “Nieuwe Courant” të datës 4 shkurt, i shkruan gruas së tij se “Tomsoni ishte i zoti për publicitet”. Madje intervistat e tij Tomsoni i jepte në kazermë, të cilën shpesh gazetarët e huaj e përshkruajnë si një stallë derrash.
Por çështja që e vë në dyshim mitin e Tomsonit ndër shqiptarë, por edhe në raport, edhe praninë e tij si përfaqësues i misionit holandez, është raporti i tij dashuror i vazhdueshëm me përfaqësuesit grekë, të qeverisë në qendër, dhe të të ashtuquajturit Vorio-Epir. Pikërisht në kulmin e masakrave greke në trojet tona jugore, ndodhi dhe përfshirja e tij në çështjen e Vorio-Epirit. Tomsoni mbërriti më 9 nëntor 1912 në Athinë si atashe ushtarak i dërguar në Ballkan si vëzhgues në anën e grekëve në Luftën e Parë Ballkanike, kohë kur edhe nisi ‘vuajerizmi’ e tij vorio-epirot. Ai ishte mik me De Sturlerin, përfaqësuesin holandez në Greqi dhe bëri një miqësi të fortë (deri në vdekje) me kryeredaktorin e Ethosit, Costandin Ladopoyos. Në njërën nga letrat që përfaqësuesi i qeverisë holandeze në Greqi i shkruan Tomsonit, thuhet: “Dërgimi i trupave në jug, shkaktoi një zemërim publik në Athinë dhe nuk mund ta mohoj se shtypi grek u shpreh negativisht ndaj dërgimit të këtyre trupave. Kam frikë se interesat holandeze në Greqi do të dëmtohen. Nëse do të ndodhë ndonjë përplasje mes grekëve dhe shqiptarëve, popullsia greke do t’i shohë oficerët holandezë si udhëheqës. Kam frikë ndonjë bojkot të mundshëm ndaj produkteve holandeze, siç ishte rasti mes italianëve dhe austriakëve”. Më 17 shkurt 1914, Tomsoni i shkruan të vëllait: “Puna ime këtu është shumë e mirë, por puna ime në Epirus do të fillojë shpejt dhe atje mbase më bëhet më mirë, sepse do të jetë një punë e vështirë. Mbase ata më çojnë mua në jug si Guvernant”.

Forcat Shqiptare ne Jug 1913

Forcat Shqiptare ne Jug 1914

Dhe pas kësaj, Tomsoni punoi me kujdes dhe pa u lodhur për misionin e tij vetjak: Të kishte vendin që meritonte në politikë dhe dukej që ia kishin mohuar kohësh. Më 10 mars 1914, Tomsoni, si kanakar i grekëve me të cilët (mes tyre edhe Zografosin dhe Karapanon, drejtues të së ashtuquajturës qeveri e Vorio-Epirit) kishte njohje të vjetra, mbërrin në Korfuz, ku i kërkon guvernatorit Varakassi që t’i mundësonte një takim me krerët vorio-epirotë. Të nesërmen ai shpalli në njërën nga gazetat greke, formimin e qeverisë vorio-epirote me në krye Zografosin. Ngjarjet më pas dihen, dhe qysh nga ajo kohë, edhe sot e kësaj dite, ne i vuajmë këto gabimet me fantazma varrezash, manastiresh e priftërinjsh që kërkojnë atdhe të paqenë. Dhe madje akoma më keq, me marrëveshje për dhurime ujërash dhe ndërhyrje mercenarësh të shitur shqiptarë për të hyrë në çështjet të brendshme të shtetit shqiptar, atë të ndarjes territoriale administrative, siç po ndodh ditët e fundit. Qysh nga ajo kohë, kur siç shkruan De Veer “…Tomsoni u fut në zonën e rrezikshme të politikës, gjë që shkaktoi më vonë shumë trazira”, peshën atyre trazirave dhe zullumeve i kemi ende në shpinë, si dhuratë prej bukëshkalësh që janë endur anëve tona, që na kanë qeverisur, që na kanë këshilluar, gjë që vazhdojnë ta bëjnë ende, sa herë u jepet rasti.
Më tutje. Përse i mvishet Kolonel Tomsonit merita e incidentit të Beqir Grebenesë, kur në fakt ai as që ka lidhje me të fare? Edhe këto ditë madje u ribotuan fragmente të fjalimit të Faik Konicës gjatë funeralit të Kolonel Tomsonit në Durrës, më 16.06.1914 ku mes tjerash thotë: “Komploti i Beqirit pati nxjerrë menjëherë në reliev karakterin e ashpër e të drejtë, të përbërë si një bllok i vetëm dhe shpirtin e lexueshëm e veprues të Tomsonit. Dihet se ai, me një gjakftohtësi të mrekullueshme ndërhyri në anijen që vinte për të gjallëruar konspiratorët. Ai i çarmatosi një nga një, duke i hedhur në det me gjest sublim”. Sigurisht, ne nuk mund të gjykojmë fjalët patetike të mjeshtrit tonë, Faik Konica. Me fjalë të tilla kemi mundur mes shekujsh të mbajmë atë të paktë bërthamë patriotike, që na është kërcënuar shpesh nga politikanë të papërgjegjshëm gjithë kohërave. Faik Konicës i ka mjaftuar shtypi botëror dhe përgjërimi i Princ Vidit për ta shkruar fjalimin e tij, që veç së vërtetës së incidentit të Grebenesë, është një fjalim i mrekullueshëm. Por kjo e vërtetë historike nuk është detyrën e mjeshtrit tonë të fjalës. As ka qenë në dorën e Asdrenit, as të Fishtës dhe as të Fan Nolit, i cili madje na akuzon hapur ne shqiptarët për vrasjen e Tomosnit. Nëse do të gjykojmë shkrimtarët për historinë, atëherë do të gjykonim se na e bënë të dashur Enver Hoxhën shkrimtarët që thurën aq vargje e dedikime për të. Jo, nuk mund t’i gjykojmë ata për të vërtetën e historisë.
Në mbrëmjen e incidentit të Beqir Grebenesë më 5 janar 1914, rastësisht Tomsoni dhe De Veer kanë darkuar te ‘Panther’, një anije austriake në gji, dhe kur skuadra austriake, që ishte në të njëjtën anije, u njoftua për praninë e një anijeje të çuditshme në gji, anijen ‘Miran’, Tomsoni, që rastësisht qëlloi te po ajo anije që merrej me regjimin e portit, u shpreh i gatshëm ta shoqëronte skuadrën që do të bënte verifikimin, thjesht për kureshtje. Të nesërmen, kur Beqir Grebeneja, i paditur për çfarë kishte ndodhur me anijen që do t’ia ndryshonte fatin atij dhe Shqipërisë, arrestohet, De Veer, i lajmëruar për ngjarjen e mëngjesit, shkon te Tomsonin për ta marrë dhe e gjen në gjumë e sipër. Ai (Tomsoni) ia kthen krahët dhe vazhdon gjumin, ndërsa De Veer bëri detyrën dhe ushtarët e oficerët turq të anijes nuk u hodhën me “luftime një nga një”, por u arrestuan dhe u nisën për në Trieste, dhe nga atje në vendin e vet. Atë kohë një gazetë holandeze e shkurtit 1914 ngriti lart vetëmohimin e ‘heroit’ tonë në incidentit e Beqir Grebenesë dhe burimi i vetëm i tij ishte vetë Tomsoni, i cili ia veshi vetes meritën e të tjerëve. Madje Tomsoni refuzoi të kryesonte gjyqin ushtarak ndaj Beqir Grebenesë më 9 janar 1914, në një mbledhje të KNK-së për këtë çështje, gjë që pastaj e mori përsipër De Veer.

Ardhja e Princ Wied 1913

Ardhja e Princ Wied 1914

Kolonel Tomsoni nuk u vra në aksion dhe as siç e përshkruajnë karikaturat dashakeqe e kohës të botuara atëherë, veçmas ato të shtypit italian. Edhe në momentet që vdiq, Tomsoni ishte duke folur me gazetarë dhe se çfarë pune kishin gazetarët në fushën e betejës, vetëm një ushtarak (ose politikan, i dashuruar me median), mund t’i japë përgjigje. A s’bëjnë njëlloj politikanët sot, që edhe kur shkojnë për vizitë në ditën e Hashures, Krishtlindje a Bajram, duhet të na e bëjmë me dije mes kamerave se me ç’gjë të rëndësishme po merren? Këtë e vërteton më së miri edhe ndihma e gazetarit të “The Times”, Artur Moore në tërheqjen e trupit të plagosur të kolonelit Tomson deri në kazermë. Një ushtaraku të sprovuar nuk i lejohet një ekspozim i tillë në atë re plumbash të datës së 15 qershorit 1914, aq më shumë që e dinte mirëfilli se ishte në shënjestër të italianëve, të cilët, sipas njërit prej studiuesve më të rëndësishëm të historikut së Misionit Holandez 1913-14, G.T.A. Goslinga, janë vrasësit e vërtetë të Kolonel Tomsonit. Sipas tij, duke u mbështetur nga të dhënat balistike, kolonel Tomsoni është vrarë nga një armë e sofistikuar, vetëm italianët mund ta zotëronin atë. Jo shqiptarët e akuzuar, edhe nga të vetët madje. Kolonel Tomsoni vdiq nga arma që ai krijoi vetë: vetësiguria dhe arroganca. Por Jan Fabiusi, njërit prej ushtarakëve të misionit, i dashuruar me shefin e tij, nuk dëshiron ta besojë këtë variant, sepse siç shkruan edhe te kujtimet e tij “Gjashtë muaj në Shqipëri”, kjo do ta dëmtonte mitin e heroit të krijuar për të.
Këto shënime nuk mëtojnë të venë në dyshim dashurinë dhe respektin shqiptar për Tomsonin, madje shqiptarët kanë treguar me vepra se sa shumë (edhe pa e ditur të gjithë të vërtetën) e kanë çmuar përkushtimin e tij në përbërje të misionit. Ka shqiptarë që nga kjo dashuri u kanë vënë emra djemve të tyre sipas Tomsonit. Ky shkrim synon të ndriçojë faktin se, nëse ka një njeri që duhet çmuar dhe për të cilin duhen ngritur monumente, është ushtaraku De Veer, ose më qartë akoma, i gjithë Misioni Holandez i vitit 1913-1914. Jo koloneli Tomson. Siç e meriton vërtet përkushtimi i atyre djemve të rinj holandezë, që një shekull më parë, lanë atdheun e tyre për të kontribuar në një atdhe të trazuar, më së shumti nga atdhetarë të tij, të shitur ca te turqit, ca tek italianët, ca te grekët, ca te serbët, ca tek austriakët, ca tek obskurantizmi i tyre, ca te shkollimi i tyre që nuk u rezononte me prapambetjen e tokës ku shkelnin. Kështu, të hallakatur e të përçarë, sikurse janë edhe tani pas 100 viteve, ata jo vetëm që nuk mund ta shihnin dhe gjykonin të vërtetën, por e kishin më të lehtë të përqafonin çdo të vërtetë, mjaft që ajo të ishte kundër atij që ata urrenin, edhe pse shpesh ai që ata urrenin, ishte një shqiptar si ata.

Monumenti i Thomsonit në Hollandë

Monumenti i Thomsonit në Hollandë

Këto ditë kam lexuar edhe disa përsiatje foshnjore se akti i kolonel Tomsonit na lidh me Holandën (që paskërka në dorë statusin tonë), se na lidhka me Europën, se duhet të jemi mirënjohës, se prania e misionit holandez ishte garancia nga filloi europianizimi ynë, e të tjera si këto, madje edhe zëra se statusi unë “u varka!” edhe nga reagimi ynë ndaj heronjve të tillë dhe lidhjeve të tilla heroike. Nuk besoj se Europa na do ne shqiptarët të tillë, që të falsifikojmë historinë tonë për heronj të rremë të saj! Aq më shumë kur në këtë debat, siç është ky i figurës së Tomsonit, janë përfshirë vetë gazetarët dhe analistët holandezë ditët e fundit.
Këto ditë, këtu në Holandë, do të vendoset një bust i ri për Tomsonin, do të ripërsëritet himni i tij i paqes në Ditën e Veteranëve, do të inaugurohet leha me trëndafilin e ri të shpikur nga Jan Spek (trëndafili Kolonel Tomson, i bardhë e me zemër të verdhë), do të përkulen, siç bëri edhe kryeministri ynë (i cili do të ketë rast ta njohë më mirë historinë nga kronika e Joep Zonne) para bustit të tij. Do të bëhen rreshtore nëpër sheshet me emrin e tij. Të gjitha këto s’kanë asgjë të keqe. Por, pas këtyre, do të jenë të detyruar, në emër të së vërtetës të shfletojnë kronikën e vërtetë të historisë shqiptare të viteve 1913-1914, që siç e cilëson në artikullin e saj të datës 16.06.2014, gazeta holandeze “De Volkskrant”, që citon autorin e kronikës Joep Zonne se “…misioni i tyre i pamundur, jo qëllimisht i kujton dramën e Srebrenicës”.
Utrecht, Holandë, 16.06.2014 (marrë nga muri i fb i F. Açkës))

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook