back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Miti i rremë i dëshmorëve me yll të kuq në ballë… – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Miti i rremë i dëshmorëve me yll të kuq në ballë…

nga Artan Gjyzel Hasani

Asnjë nga ata nuk u vra për Atdheun, edhe pse kështu besuan ata vetë dhe pasardhësit e tyre. Edhe pse ndonjeri prej tyre shkoi drejt vdekjes me emrin e Atdheut.
Në përgjithësi kam dyshime për vlefshmërinë (validitetin) e institucionit të “Dëshmorit të Kombit”, dhe, në veçanti, nuk kam ndonjë veneracion apo respekt të veçantë për dëshmorët me yll të kuq në ballë, komunistë ose jo, sado idealistë të ndershëm, naivë, injorantë apo trushplarë që mund të kenë qenë.
Kam veç keqardhje, jo që u vranë, por që u përdorën për krime vëllavrasjeje në Luftë dhe vazhdojnë të keqpërdoren edhe sot. (Keqardhja ime nuk shtrihet aspak mbi atë masë kriminelësh dhe vrasësish të hershëm që gjetën strehë nën yllin e kuq).
Gjithmonë propaganda (dhe jo vetëm ajo komuniste) e ka përkëdhelur “mishin për top” me emërtesën “dëshmor”.
Padyshim tingëlloj cinik në këto fjalë, por preferoj më mirë cinizmin gjakftohtë të racionales sesa patetizmin kolektiv të trushplarjes.
Le t’i marrim gjërat me radhë duke ndaluar në frazeologjinë që përdoret edhe sot për të përshkruar arësyen e nderimit të tyre.
“Dhanë jetën për Atdheun” dhe “Falë sakrificës së tyre u radhitëm në kampin e fituesve e jo të humbësve të Luftës së Dytë Botërore” – janë dy kollonat mbi të cilat ngrihet konstrukti mitik i Dëshmorit me yll te kuq në ballë.
.
Varrezat e Dëshmorëve
Varrezat e Dëshmorëve
Nëse komunistët dhe partizanët shqiptarë nuk do kishin luftuar fare, vallë Shqipëria do mbetej e akoma e pushtuar nga nazistët edhe pas çlirmit të Europës nga Aleatët?
Ka ndonjë mendje racionale që e beson këtë? Duhet të jeshë thjesht idiot ta besosh këtë gjë.
Pra lufta “nacional çlirimtare”, siç e quajnë me përkëdhelje luftën civile, në këtë këndvështrim del diçka krejt e pavlerë dhe e panevojshme. Konkluzion logjik: Atdheu nuk u çlirua si pasojë e sakrificës së dëshmorëve. Edhe pa dëshmorët dhe partizanët Atdheu do të çlirohej si e gjithë Europa në 8 Maj 1945.
“Sakrifica e tyre e radhiti Shqipërinë në kampin e fituesve të luftës”.
E çfarë pastaj? Për çfarë i duhej Atdheut kjo radhitje?
Ja Gjermania, kjo Humbëse e Madhe e Luftës. Është në majë të Europës dhe të fitimtarëve të Luftës! Po ashtu edhe humbëset e tjera si Italia, Japonia apo Austria.
Për t’ju parandaluar zhvillime të pakëndshme në stomak nuk po bëj ndonjë analogji me fatin dhe të ardhmen e ndritur që gëzoi Shqipëria me statusin e fitueses së Luftës.
Se sa farsë qesharake ishte ai status e dëshmon edhe ky fakt kuptimplotë: Shqipëria e radhitur me Fituesit bashkë më Rumaninë e Bullgarinë e radhitur të Humbësit u zhytën në 50 vjet në epokën e errët të diktaturave bolshevike vrastare.
Konkluzion logjik: Termat “humbës” e “fitues” të Luftës janë njësoj si dekoratat prej llamarine dhe fletërrufetë. Nuk kanë asnjë rëndësi substanciale në fatet dhe të ardhmen e njerëzve e të kombeve.
Po çfarë ishin dëshmorët me yll të kuq në ballë? Ishin partizanë që ndryshe nga të tjerët u vranë në kohë lufte.
Po partizanët çfarë ishin? Ishin ata që shpëtuan gjallë nga një masë e madhe e “mishit për top” që u keqpërdor nga Fituesi i Vërtetë i Luftës Civile, Enver Hoxha dhe banda e tij, në shkëmbim të emërtesës së mundshme “dëshmor”.
Në raport me Atdheun, gjaku i tyre ishte një gjak i derdhur kot dhe në mënyrën më idioteske të mundshme.
Paslufta dëshmoi se ai gjak nuk ishte derdhur edhe aq kot, edhe pse jo i derdhur për Atdheun: shërbeu si Çengeli ku Diktatura varte Mantelin Ceremonial të Vdekjes çdo 5 Maj.
.
5 Maj i Dëshmorëve
5 Maj i Dëshmorëve
Atdheut nuk i duhej aspak gjaku i tyre dhe nuk e kërkoi gjakun e tyre.
Kur Atdheu vërtet ka nevojë për gjakun e popullit të vet ajo gjë ndodh instinktivisht, siç ndodh me fëmijën kur sheh të kërcënuar nënën e tij të pafuqishme, dhe nuk ka nevojë ta urdhërojnë, detyrojnë, trushplajnë me propagandë e ideologji, ta radhisin në rresht për të kryer misionin e tij hyjnor dhe detyrën instinktive të mbrojtjes së nënës.
Eshtë reflex i lindur mbrojtja e nënës dhe Atdheut.
Është kaq e thjeshtë. Kaq e thjeshtë.
.
Marrë nga Muri i fb i Artan Gjyzel Hasani, 5 maj 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.