Dënimi me kohë e hapësirë shoqërohej edhe me ushqimin e keq, kushte të mjera jetese dhe punë të rëndë në burgjet shqiptare, ndonëse në gjyqet farsë shqiptohej vetëm dënimi me kohë e hapësirë, pa përmendur ndëshkimin me ushqim të keq dhe të pamjaftueshëm, kushte të këqija të fjetjes dhe punë të detyruar. Në kundërshtim me atë që përmend Michel Foucault se pas shekullit të XIX, dënimi do t’i drejtohej tashmë diçkaje jo trupore, ndëshkimet në burgjet e diktaturës i drejtoheshin edhe trupit, edhe shpirtit. Në tekstin e përmendur më lart të Visar Zhitit kemi edhe vargun: “çasti – i trashë një shekull.” Metafora e këtij vargu hedh dritë mbi intesitetin e vuajtjes së të dënuarit. Kur çasti përjetohet si një shekull, po minuta, dita, muaji, viti dekada, disa dekada?! Koha del jashtë çdo limiti, koha e vuajtur bëhet sa periudha e ekzistencës së njeriut. Koha në jetën e të burgosurit në tekstet poetike të Visar Zhitit, përjetohet në forëm traumatike, pikërisht se për artistin, krijuesin, shpirtin e ndjeshëm burgu është dy herë burg. Në tekstin e poezisë “Çastet ikin”, koha rrjedh si vuajtje, por edhe si neveri. Më e rëndë është vuajtja pa kuptim për një të burgosur politik që nuk ka kryer asnjë krim: “Ikin çastet/ si morrat/ nëpër trupin tim/ Në këtë llogore burgu/ plot baltë vuajtjesh/ rri e pres…/”
Në tekstin e poezisë “Mallkimi” vizatohet qartësisht statusi i të burgosurit me mungesën e hapësirës dhe me traumën e kohës: “Të mos kesh copën tënde të mbrëmjes,/ dhomën tënde të mos kesh,/ as rrugën as kthimin./ Tmerrësisht njëlloj të jenë ditët,/ 5 herë rresht e premte,/ gjithmonë e martë ters,/ asnjëherë e diel.”
.

Visar Zhiti – Kopertine
Koha, si element ekzistencial shënon veprime, ngjarje, periudha të ekzistencës njerëzore: koha e dinozaurve, periudha kohore e bronxit, koha e pushtimit nazist, periudha kohore e diktaturës etj. Në tekstin e poezisë “Rrudhat e mençurisë”, poeti Visar Zhiti bën një pyetje retorike: “A ka kohëra/ që atdheu do vetëm të marrët?” Në fakt diktaturat dhe regjimet jo demokratike, sikurse kemi nënvizuar edhe më lart, e mbështesin sundimin e tyre jo te vlerat njerëzore, jo te virtytet, por te veset e tyre. Shqipëria, ndoshta mund të ketë qënë vendi emblematik për këtë dukuri. Uni poetik kërkon një kohë tjetër: “Dua një kohë/ dhe një atdhe/ që mençuritë e njerëzve/ t’i bëjë rrudha të tokës.” Ndihet në këto vargje reminishenca e thënies së njohur latine se kur punimi i tokës të ketë nderin e të shkruarit të poezive, atëherë ai vend përparon…
Visar Zhiti, edhe në tekstet poetikë e refuzon ndëshkimin, e shikon atë si një deklasim të tmerrshëm të njeriut, si një poshtërim të tij. Koha e ndëshkimit është thjesht një cohë e grisur. Merret me mënd se ç’pozitë ka i burgosuri si andër mbi cohën e grisur. Në tre vargje ai gdhend portretin e të burgosurit në relacion me kohën: “…çdo i burgosur/ është një copë andër/ mbi kohën e grisur/ që s’bën më.”
Në tekstet e poetit koha ndeshet si e burgosur bashkë me njerëzit. I burgosuri i vjetër bërthamat e pjeshkëve i kthen në tespije: “Me gishtat e vrarë prek një ditë,/ një tjetër vit pastaj,/ shekullin dhe çastin./ Ditët-dëshpërimisht monotone/ të vëna në tespijet e ankthit.” I lodhur, i dëshpëruar, uni poetik në tekstin me titull: “?!” gjen si shkak kohën, kur ky brez të burgosurish politikë u lind për të gjitha rrjedhojat tragjike të ndëshkimit: “As vetë s’i besojmë dot/ këto që po na ndodhin./ Ç’jemi,/ të dënuar/ apo të mallkuar?!// Mjerë ne që lindëm/ pas gjeneratës/ së fitimtarëve!” Ndërsa në tekstin e poezisë “Borxhi i kohës” ndeshim ironinë; puna prej skllavi është haraçi që paguhet për rendin skllavopranar, të cilin vendi nuk e pat kaluar, pushkatimet për holokaustin, që gjithashtu ky vend nuk e kishte përjetuar. Mitizimi i kohës në këtë tekst të jep përshtypjen sikur gjithçka ndodh nga zhvendosja e kohës: “Koha,/ oh koha, bën sikur ikën dhe kthehet prapë,/ ngul këmbë./ Kërkon skllevërit që i takonin./ I do tani./ Patjetër, patjetër/ dhe ja, mu në fund të shekullit XX/ Ne jemi skllevër?!”
Ndërsa në këta vargje poeti e ka braktisur ironinë dhe sjell një pamje tragjike, ku koha e tashme kurrsesi nuk mund të pranojë pamje të kohës së shkuar. Procesioni duket sikur ecën në Mesjetë, jo në shekullin XX: “Të lidhur me zinxhirë/ ecim mbrapsht./ Nëpër “kohën minus”/ Si nëpër rërë.”
.

Visar Zhiti – “Hedh një Kafkë te këmbët tuaja” 1994
Në një tekst poetik pa titull të Visar Zhitit koha, si masë e dënimit, për të dënuarin kthehet në hapësirë të kufizuar, pra në burg: “Në qeli/ na mbajnë gjatë…/ Që, nëse dalim,/ qelinë ta mbajmë mbi supe/ si hamalli një arkë.”
Tjetërsimi apo metamorfoza kohën e gjatë e kthen në hapësirë të ngushtë, në qeli. Jo vetëm koha shndërrohet hapësirë, në qeli, por edhe subjekti nuk shpëton nga ky shndërrim, në mënyrë metaforike ai do ta mbajë atë kohë burgu të shndërruar në qeli tërë jetën mbi supe si hamalli një arkë. Të njëjtin fenomen e ndeshim edhe në një tjetër tekst poetik pa titull të këtij poeti, ku koha e burgut është shndërruar në hapësirë. Tjetërsimi ka përfshirë edhe subjektin mendues duke e kthyer edhe atë në një hapësirë burgu: “Një copë burg/ jam për tjetrin/ dhe gjithë të tjerët/ për mua janë burgu/ rob mbajmë veten.”
Në tekstet poetikë të Zhitit, në botën e trillimit sikurse në botën e njëmëndësisë, pra në kohën e burgut të perceptuar nga subjekti mendues, koha nuk rrjedh normalisht. Destruksioni i mitit të kohës shfaqet kur perceptimi artistik i kohës, çasti ngurtësohet, shndërrohet në gur, në psherëtimë, në klithmë, në pikë djerse të tmerrit, në kurriz breshke, “i pathyeshëm prej nga nuk dalim dot”, sikurse thuhet në poezinë e Visar Zhitit “Çasti i fat(alitet)it” Edhe në këtë tekst ndeshim fenomenon e destruksionit të mitit të kohës, ajo nuk rrjedh më, ngec dhe shndërrohet në objekte, shndërrohet në hapësirë të mbyllur si kurrizi i breshkës dhe ndryn subjektin, i cili ankohet se nuk mund të shpëtojë, nuk mund të dalë dot nga ajo hapësirë e ngushtë hermetike që dikur ka qënë kohë.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.