back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Misteri i pazbardhur i darkës së 11 Dhjetorit 1990… Arben Meçaj

Gazeta

Takimi i studentëve me Ramiz Alinë
Takimi i studentëve me Ramiz Alinë

Misteri i pazbardhur i darkës së 11 Dhjetorit 1990…

nga Arben Meçaj

Për të 24-in vit i njëjti ritual.
Dhjetori si Festë e Rinisë, Festë e PD, Festë e Demokracisë. Festojnë të gjithë. Në tribuna del kushdo që është pjesë e oborrit të udhëheqjes së momentit.
Në këtë dhjetor e njëjta panoramë. Në tribunën e 8 dhjetorit të organizuar nga Berisha, Imami, Selami dhe disa të tjerë për kornizë.
Por dhe protagonistë të dhjetorit, studentë te vërtetë në një aktivitet promovues të Hapjes dhe Lustrimit të Dosjeve.
11 dhjetor, një pamje tjetër. Festa e PD vetëm me një aktor, oratorin Basha, udhëheqësin Basha. Një material i shkurtër viziv, me protagonist të vetëm atë: Lulzim Bashën.
Aty në qendër Berisha, dhe rrotull tij ata që bënë “epokë” në dhjetor ’90. Askush prej tyre nuk foli. Ata u zbythën në imazhin e sforcuar të Udhëheqësit te Ri, në një sfond muzikor që sinqerisht nuk kuptohej çfarë mesazhi transmetonte. Gjithsesi…
Në mbrëmje në media, një dokumentar i gjatë, me të dhëna të vlefshme historike mbi dinamikën e ngjarjeve atë dhjetor 1990.
Një sy “masovik” dallon në këtë dekor festimesh një bollëk informacioni të ndërthurur pa datë, pa kronologji, pa ritëm, por me protagonistë themelues, kritikë dhe opinionistë. Tenton të prodhojë kronologji, të bindë se materiali është pasqyrë e pastër e kronologjisë së ngjarjeve, por pa dashje “tek tuk” në skenë ekspozohen inserte televizive që në pamje te parë ndërthuren “ëmbël” me ngjarjen, por një sy i vëmendshëm, për më tepër syri i një protagonisti të kohës, e dallon “dobiçllëkun” e tyre. Ngjarje, thirje, parulla, entiziazem i shkurtit 1991, mbivendoset si ngjarje e ndodhur në… dhjetor 90.

Autori i shkrimit Arben Meçaj
Autori i shkrimit Arben Meçaj

Për korrektesë, jo vetëm historike, por për të mos lejuar deformime me qëllime jo korrekte dhe promovime abuzive, dua të sqaroj se deri shkurt 91, përveçse në Shkodër, në Tiranë nuk ka patur thirrje “Poshtë Diktatura!” Thirrja ka qënë Liri – Demokraci!
Po çfarë ndodhi në darkën e 11 dhjetorit 1990?
Sapo u kthyem nga takimi me Ramiz Alinë. Tek ballkoni para mensës 2 (ku gjatë dy ditëve te fundit ishte improvizuar një tribunë) shkon Ben Imami dhe “raporton” mbi “suksesin” e takimit. Në fakt media publike kishte transmetuar rezultatet e takimit. Pas tij fjalën e merr Berisha me një fjalim që me thënë të drejtën ha debat, por që nuk është qëllimi i këtij artikulli.
Më tej, në shesh vendoset regjistrimi fonik i bisedës me Alinë dhe entuziazmit gradualisht po i vinte fundi. Njerëzit e mbledhur ne shesh filluan të shpërndahen për t’u rikthyer të nesërmen në mëngjes.
Nuk e di se për cfarë arsye (por gjithsesi le të jem dhe unë objekt i zbardhjes së këtij momenti) isha pjesëtar i takimit “spontan” të organizuar në korridorin e katit të dytë te godinës 13 (Fevzo, nuk ishte godina 18, nuk ishte dhomë, por korridori katit dytë, nuk ishte mbledhje e organizuar se nuk ishte kush ta organizonte, ka vazhduar vetëm 15-20 minuta).
Do të qëndroj gjatë mbi këtë takim, sepse këtu dhe vetëm këtu u “skenarizua” Partia Demokratike e Nesërme, “Themeluesit”, “Udhëheqësit”.
Në katin e parë tek dera hyrëse (një derë druri me xhama pjesërisht të thyera) qëndruan disa studentë, “për të mbrojtur këtë takim nga Sigurimi i Shtetit”. Në takim, në katin e dytë kujtoj të kem njohur Hajdarin, Imamin, Budinën.
Të tre këta persona i njihja sepse së bashku bashkërenduam qysh nga ora 10 deri sa u kthyem nga Alia.
Pashkon e kisha dëgjuar si pedagog tek Ekonomiku dhe pata mundësi ta identifikoja si emër prej disa studentëve që gjatë takimit të “Përfaqësuesve” tek salla e godina 14 i referoheshin shpesh si personazh.
E fiksova si portret kur ne takimin e “Përfaqësuesve” tek godina 14, ai së bashku me Berishën tentuan të futen ne sallë, por u refuzuan në mënyrë demonstrative nga studentët “Përfaqësues”. Berishën me thënë të drejtën e kam parë vetëm pas vetratës së drunjtë të sallës së godinës 14.
Në këtë takim (korridori i katit te dytë, godina 13) kishte dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk i njihja fare, nuk i kisha parë në asnjë aktivitet apo protagonizëm te 3 ditëve te dhjetorit.

Berisha, Krasniqi, Selami, Hajdari... 1990
Berisha, Krasniqi, Selami, Hajdari… 1990

Ndërkohë që deri në atë moment flitej për një strukturë politike të studentëve (emri ishte i pa diskutuar për shumë arsye. Flitej për parti studentore apo të intelektualëve, por gjithsesi vetëm fjalë), në këtë takim u fol drejtpërdrejt për një Parti të Re. Diskutimi u përmbyll shumë shpejt kur Berisha insistoi: “Do ta quajmë Parti Demokratike, fjalën Demokraci si parrulla Liri Demokraci, nuk do t’ia lëmë asnjë partie tjetër!”.  Nuk pati debat, por të gjithë në korridor ranë dakort që Partia e Re ta ketë emrin Partia Demokratike!
Ishte ora diku 10.30-11.00, kur përpara se të ndaheshim për në shtëpi, u “vendos” që të nesërmen do të mblidheshim tek shtëpia e Pashkos (ishte pranë Qytetit Studenti dhe kishte kompjuter).
Vendi i takimit do të mbahej sekret, se mos sulmonte Sigurimi Shtetit.
Mua m’u kërkua të qëndroja me studentët në Qytetin Studenti, dhe të mbaja kontakte me Bodrumin për çdo zhvillim. Të nesërmen, me një grup tashmë të organizuar studentësh, menaxhova situatën në shesh dhe mbaja kontakt me “Bodrumin”.
Vite më vonë, kur ngjarjet fillova t’i shihja me një sy më realist, por dhe kur informacioni im ishte më i bollshëm dhe i zbardhur, fillova të analizoja.
Kush ishim Ne, që në atë korridor të godinës 13, vendosëm emrin e Partisë Demokratike?
Katër ishim “legjitimë”. Minimalisht si të mandatuar (sepse në fund te fundit u zgjodhëm nga studentët për përfaqësim në takimin me Ramizin). Kishim dhe një të drejtë morale. Po të tjerët kush ishin? Kush i mblodhi në atë kat të dytë? Kush i mandatoi për vendimmarrje?
Është nata kur ne politikën aktive po instalohej struktura drejtuese e Partisë Demokratike.
Askush nuk ka pyetur ndonjeherë: Cfarë peshe publike, apo përfaqësim shoqëror kishim Ne? Cfarë strukturash politike disidente apo konspirative antikomuniste apo ku ta di unë përfaqësonim?
Si ishte e mundur që një grup njerëzish pa njohje me njëri tjetrin, pa asnjë informacion për njëri tjetrin, pa aktivitet publik, të mblidheshin në një korridor godine dhe për 15 minuta, të vendosnin themelimin e një Partie?!?
I bëra këto pyetje retorike, sepse në historinë botërore nuk ka ndodhur asnjëherë,  asnjëherë për be’, që krijimi i një partie apo grupim politik të realizohet vetëm për…  15 minuta.
Nga njerëz që asnjëherë nuk e kishin njohur njëri tjetrin dhe për më tepër, nga individë që asnjëherë nuk kishin shprehur publikisht pikëpamjet e tyre politike.
Në dokumentaret e tij, Blendi Fevziu pikërisht këtë moment tepër të rëndësishëm të lindjes së PD, e anashkalon me një shprehje që ndoshta provokon më shumë se dyshimi im dhjetëra vjeçar. Askush nuk jep një opsion të qartë mbi këtë zhvillim. Kjo fazë e themelimit të PD është e errët, e paqartë, me pikëpyetje serioze.
E pra si u mblodhën këta njerëz? Pikëpyetje që kanë nevojë për sqarime, nëse do të duam të jemi “krenarë” mbi kontributin për themelimin e PD.

Pashko - Berisha - Zogaj - Selami... 1990
Pashko – Berisha – Zogaj – Selami… 1990

Personazhet në “Bodrumin” e Pashkos e shtojnë akoma më shumë domosdoshmërinë e sqarimit të këtij intervali kohor.
Këta persona të nesërmen në mëngjes u “vetëshpallën themelues”. Të pasnesërmen ata dolën në tribuna organizimi të PD-së, organizuan “votimin” e Kryesisë, etj. Por para kujt?
Është normale që një strukturë politike të ketë themelues dhe këta janë gjithnjë “të parët“. Por a mundet dikush (pjesëmarrës ne lëvizjen studentore) të shpjegojë nga dolën këta njerëz të cilët u filmuan hap pas hapi nga një kamera private dhe për vite me radhë  këto filmime i përdoren për t’u mburrur si themelues të PD.
Ishin në lëvizjen studentore këta njerëz? JO.
Kishin protagonizëm politik deri në këtë moment? JO. Protagonizëm disident Jo e JO.
Po cfarë i bashkoi atëherë tek “Bodrumi”?! Kush i mblodhi?
Dikush u kujdes dhe kujdeset për 24 vjet që t’i proklamoje në çdo Dhjetor si “themelues”. Ata kujdesen dhe për veten.
Njëherë shkruan njëri dhe “prodhon” protagonizmin e tjetrit. E pastaj tjetri atë të njërit.
E në finale Opinioni i Fevzos ngulit parafabrikat imazhin e pakontestueshëm të “Themeluesve”. Ç’rëndësi ka kush kanë qenë. Një gjë është më e sigurtë se kurrë.  Nuk ka studentë themelues të PD.
Flitet për katër a pesë, por vetëm ditët e para sa për të justifikuar PD-në si produkt i Lëvizjes Studentore. Më tej dhe këta nuk figurojnë më askund. Gjithsesi dhe për këta studentë përsëri është e paqartë kush i përzgjodhi. Kush i mandatoi të përfaqësonin studentët. Dhe këta të Emëruar!
E sot në këtë artikull unë shtroj pyetjen e thjeshtë: Kush i mblodhi këta njerëz që u vetëshpallën NISMËTARË?
Këtë pyetje ja kam bërë në këto njëzet e ca vite vetes. Personalisht u ndodha me vullnet të lirë në mes te studentëve të fakultetit tim Inxhinieria e Ndërtimit.
Qëllimi thjesht të mbështesja me prezencën e një pedagogu të ri këtë lëvizje i ndërgjegjësuar se ishte lëvizja që do të mbetej në historinë e Shqipërisë si Revolucion.
Isha nga të paktët pedagogë në masën studentore. U përzgjodha prej studentëve të mi si një ndër katër përfaqësuesit e fakultetit ne takimin me Ramiz Alinë.

Loja me maska...
Loja me maska…

Me krenari (por dhe me një ndjenjë të sinqertë tensioni dhe përgjegjësie) pranova përfaqësimin.
Dua të theksoj këtë moment, si një nga më optimistët, por dhe më demokratikët e zhvilluar ne 75 vitet e historisë shqiptare.
Me 10 dhjetor u paracaktua se të nesërmen, me 11 dhjetor 1990, do të bëhej takimi i një grupi përfaqësuesish të studentëve me Ramiz Alinë. Ishte caktuar numri i përfaqësuesve dhe duhej që nga çdo fakultet të kishte 4 përfaqësues.
Studentët u mblodhën tek fushat e sportive të Qytetit Studenti sipas fakulteteve. Ashtu në unanimitet të plotë çdo fakultet zgjodhi përfaqësuesit e tij, studentë e pedagogë.
Ne përfaqësuesit e Rinisë Studentore u mblodhëm tek salla e godinës 14. Në  sallë, rinia studentore e Dhjetorit ’90, u ballafaquam me tentativën e parë për penetrim.
Nuk mund ta harroj momentin kur pas dyerve të drunjta të sallës dallova dy persona tentuan me zhurmë të futen në sallë (ishin Berisha e Pashko). Por trupa e studentëve rezistoi.
Nuk i pranoi në atë sallë, prej nga nisi PLURALIZMI Shqiptar.
Por nuk ishte e thënë. Dritaret e Demokracisë së Re ishin hapësira më kanata të hapura.
Pak kohë më vonë këta studentë të rinj e panë veten jashtë shtëpisë. Rojtarë, tellallë, shërbëtorë, të haruar dhe braktisur.
Kisha vite që i meditoja këto rreshta, gjithnjë kur shihja “protagonistë”, “themelues” etj.
Por kur shoh që Basha feston si hero themelimin e PD-se, kur shoh Imamin e Selamin si dekor koketash të Berishës, e kur njihem me një iniciativë të një grupi Dhjetoristësh Idealistë (që i mbështes dhe përkrah me gjithë qenien time fizike, shpirtërore dhe politike) për hapjen e Dosjeve të Sigurimit, apeloj publikisht: “Të nderuar bashkëluftëtarë idealistë të Dhjetorit ’90. Erdhi koha dhe momenti të mbrojmë idealizmin me të cilin protestuam dhe fituam në dhjetor 1990. Është koha të zbardhim kush skenarizoi, orkestroi dhe përvetësoi këtë idealizëm.”

Dhjetor 1990... Endrra e lirisë
Dhjetor 1990… Endrra e lirisë

Gjithcka e ka zanafillën në 11-12 Dhjetor.
Fevziu e deklaron si intervalin kohor më të paqartë në ngjarjet e dhjetorit 90.
Unë e deklaroj se është ky dhe vetëm ky intervali kohor kur lëvizja studentore u rrëmbye.
Nga kush?
http://www.pol-al.com/misteri-pazbardhur-darkes-se-11-dhjetorit-1990/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.