Misioni i dijetarit… nga Menita Ljarja

Pader Gjon Shllaku (1907-1946)

Pader Gjon Shllaku (1907-1946)

Misioni i dijetarit nga Menita Ljarja

Filozofi gjerman J. G. Fichte në librin me titull “La missione del dotto” (Misioni i dijetarit), na paraqet pesë ese, të cilat i japin shpjegim pyetjes se cili është misioni dhe roli i dijetarit në shoqëri?
Cili është misioni i njeriut që të mund të quhet me të vërtetë njeri? Mirëpo së pari kjo është një pyetje që duhet ndjerë, – shprehet Fichte, – ҫka nënkupton një mendje të edukuar për të kuptuar qëllimin e fundëm të ekzistencës së vetë njeriut që është pikërisht harmonia e plotë e tij me vetveten. Njeriu duke e kuptuar këtë qëllim të fundëm, përpos lartësimit personal, reflekton në shoqëri edhe dinjitetin e misionit të cilin është i thirrur të kryejë.
Në enciklopedinë filozofike Bompiani lexojmë se “dinjiteti është treguesi i përsosmërisë dhe superioritetit moral…” Po morali si mund të përkufizohet? “Morali, – ka thënë filozofi dhe meshtari shqiptar, franҫeskani Anton Harapi, është mirësia në kulmin e vet…”
Dijetari, shkencëtari, – sipas Fichte-s duhet të jetë njeriu me moralin më të lartë në shoqëri. Një njeri i tillë, që bëhet pasqyrë e mirësisë në kulmin e vet dhe që tenton përherë e më tepër t’ia arrijë perfeksionit në vlera morale do të priret gjithmonë kah lartësimi i së vërtetës. Ky është dhe misioni i njeriut që të mund të quhet me të vërtetë njeri. Ai e njeh vlerën e asaj që ka thënë dhe që ka për të thënë…

Johann Gottlieb Fichte (1762-1814)

Johann Gottlieb Fichte (1762-1814)

Shumë vite më përpara, në periudhën e pas pamvarësisë, meshtari tjetër franҫeskan, eruditi dhe filozofi Gjon Shllaku, shkruante për Hyllin e Dritës: “Sot njeriu nuk din me folë me rruzullin, nuk din me e nderue e me e dashtë, s’mendon tjetër veҫ me ndërtue e me mbizotnue, qe arsyeja për të cillen njerzimi asht i trandun e i kërcnuem që në themel të kenies së vet…”.
Me krijimin e “njeriu të ri” komunist, ky njeri i ri nuk diti më as të flasë, as të nderojë dhe as ta dojë më rruzullin, ose më saktë, shoqërinë ku ai jetonte. Themelet e reja pa mend dhe pa zemër të shtetit të ri shqiptar komunist zgjodhën rrugën e lartësimit të njeriut në “kafshë pune”. E ky njeri i ri që u krijua nuk kishte lirinë e mendimit dhe të veprimit për të rizgjuar ndërgjegjen qytetare, virtytet fisnike të shqiptarit për me ecë përpara si komb. Pra populli shqiptar i vendosur në kushtet e mungesës të zhvillimit shtetëror dhe njerëzor për një periudhë shumë të gjatë kohore, edhe sot e kësaj dite trashëgon shenjat e një shoqërie “barbare”, e cila gjatë periudhës së diktaturës pati humbur misionin e saj për t’u quajtur NJERI, por që edhe sot e kësaj dite ky mision i rigjetjes së fillit të shkëputur është lënë në duart e njerëzve që s’janë të zotët e mendimit që buron vlera.
Po sjell në vëmendje një përgjigje që At Gjon Shllaku i jep një nxënësi në liceun “Illyricum”.

At Zef Pllumi (1924-2007)

At Zef Pllumi (1924-2007)

Ishin vitet ’45 dhe idetë komuniste të një revolucioni të bukur botëror kishin filluar të fitonin nga pak ndërgjegjen e filizave të rinj. Një ndër ta ishte dhe një nxënës i At Gjonit. Në një orë mësimi në lice nxënësi ҫon dorën dhe fillon të flasë për revolucionin e ri botëror të paqes dhe të mirëqënies. At Gjoni pasi e dëgjoi iu pat përgjigjur: “Ndigjò, mor djalë, kuptohet se për ҫka ke folë.[…] Programet e premtimet janë vetëm “demagogji politike”, sepse nji fjalë e vjetër latine thotë: “vulgus vult decipi” (populli kërkon me u rrêjtë).[…] Nji shfrytëzim njerëzor shndërrohet në nji shfrytëzim tjetër mâ të madh”. (Zef Pllumi, Histori kurrë e shkrueme, fq. 240)
Djaloshi kujtonte se mendonte një të vërtetë që e kishte të dëgjuar prej të tjerëve. Një mendje e shquar, një ndër eksponentët më të njohur të kulturës shqiptare e edukoi djaloshin me fjalët e një të vërtete të madhe. Në shkurt të vitit 1946, At Gjonin e arrestojnë, po në klasën e liceut, për ta pushkatuar më pas në fillim të marsit 1946. Ky erudit i kulturës shqiptare i shkolluar për filozofi-teologji në Hollandë, me një master në Universitetin e Louven-it të Belgjikës për fiziko-kimi bëthamore dhe kibernetikë, për të vazhduar më pas me diplomën në filozofi në Sorbonë dhe së fundmi me diplomën nga Universiteti i Köln-it për gazetari, është pasqyra e dijetarit që ka parasysh filozofi gjerman Fichte.

Pyetjes se a veprojnë sot në shoqërinë shqiptare personalitete në nivelin e At Gjon Shllakut apo të At Anton Harapit për të përfaqësuar dhe për t’i dhënë jetë misionit qytetar dhe rolit të dijetarit në shoqëri, po i përgjigjemi me fjalët e vetë Patër Gjonit: “Populli kërkon me u rrêjtë. Populli kërkon të gënjehet!” Në librin “Histori kurrë e shkrueme” të At Zef Pllumbit lexojmë se At Gjon Shllaku konsiderohej si profesori më i përgatitur i Liceut Franҫekan “Illyricum”. “Në kohën e vet thohej se ishte njeriu mâ i naltë i kulturës shqiptare. Artikujt e tij në revistën “Hylli i Dritës” banin jehonë në të gjithë vendin, natyrisht në rrethet intelektuale dhe shoqnore”- shkruan At Zef Pllumi. Ndërsa në një artikull të po At Gjon Shllakut tek “Hylli i Dritës” me titull “Problemi i njohtjes”, At Gjoni na jep përgjigjen e pyetjes se cili lloj frymori mund të quhet njeri. Ai pohon: “Shumica mâ e madhja e kafshëvet âsht e shtangueme në plozhtësín e kênës së vet e nuk kërkojn tjetër veҫ me ruejtë ata shka janë e shka kan; nuk priren me u naltue përtej caqevet qi u ka vû natyra e historija e nuk njeh nji zhvillim e përmirësim kulturuer tjetër përveҫ atij të njij lloji frymori qi thirret njeri. Tanë lartësija e madhnija e njerit mbahet në mendim,” – sepse na thotë Anton Harapi, “sikurse nji njeri pa mend e pa zemër, âsht i dekun, ashtu nji popull pa mendues âsht i shkuem e i maruem…”.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook