Lazër Radi: Migjeni si poet dhe si njeri (1938)

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936

Lazër Radi

Migjeni si poet dhe si njeri

100 vjetori i lindjes se Poetit te Vargjeve te Lira

Lazër Radi njofton në shtyp vdekjen e Poetit:
“Larg atdheut, në Torino, vdiq letrari ynë i ri 27 vjeçar, Millosh Gjergj Nikolla, i njohur në botën letrare me pseudonimin Migjeni.
Vlera e këtij kangëtari djalosh, tashma asht mjaft e njohun në botën tonë letrare. Migjeni ishte nji bashkëpuntor i vlertë i revistave tona më të spikatura: “Minerva”, “Illyria”, “Përpjekja Shqiptare”, “Bota e Re”, “Kombi”, etj. Lirika e këtij poeti të ndrydhun shpirtërisht, ka momente me vlerë të përherëshme, sepse në to xixëllon me dritë të lehtë e të qartë, dashtunia njerëzore…
(Drita, 2 shtator 1938)

Dhe menjiherë mbas këtij njoftimi, po në gazetën Drita, dërgova për botim edhe artikullin e gjatë “Migjeni – si poet dhe si njeri…”, ku shpreha njashtu i tronditun jo vetëm vlerësimin ma të naltë ndaj poetit, por edhe ndjenjën e dashnisë e të dhimbjes për humbjen e tij të parakohshme. Vlen me u theksue fakti se redaksia e gazetës në fjalë e botoi menjiherë shkrimin tim te nesërmen.

 

Dr. Lazer Radi (1916-1998)

Dr. Lazer Radi (1916-1998)

Lazër Radi

Migjeni si poet dhe si njeri… (1938)

“O kangë qi fleni reliket e mia
q’ende s’keni prekun asnji zemër t’huej,
vetëm unë me ju po knaqem si fmija,
unë djepi juej, ndoshta vorr’i juej.”

Migjeni!
Nji emën i njomë – paksa i përhapun në lamin e letërsisë shqiptare. Nji vezullim i zbehtë, që posa kish nisë me ndriçue plot shpresa ngadhnjimi n’errësinën e tmerrshme të kulturës letrare. Migjeni – njeri pa zhurmë e reklama – i pastër dhe i bardhë si bora e maleve.
Si njeri, Migjeni asht me të vërtetë shembull. Tue shqyrtue tanë prodhimin e tij letrar në prozë shohim se vetëm nji gja spikat tek ai: Migjeni shkruen dhe ndien, ndien dhe shkruen… Kjo, dhe vetëm kjo, asht karakteristika udhëheqëse e veprës së tij.
Në asnji vjershë, në asnji strofë, në asnji varg e në asnji fjalë të vetme, emri i Migjenit nuk njolloset as me lajka servile, as me hipokrizi.
Ai asht gjithmonë i sinqertë.
Emni i tij qëndron nalt, fort nalt, si nji flamur. Ja nji arsye bazë, që na ban të ndiejmë dashuni për poetin e vdekun dhe respektin ma të madh për prodhimin e tij letrar.
Edhe si poet, Migjeni qëndron në nji shkallë të naltë, në rradhë të parë ndër poetët bashkëkohore, e ma i pari ndër shokë të vet. Poezia e tij fort e çmueshme, nuk i takon asnji drejtimi – veç shprehjes së ndjenjave të dashnisë njerzore.
Gjaja ma e dukshme që mund të vërehet te ky djalosh kangëtar asht fryma e thellë poetike që ai zotnon. Vuen ai e vuejtjet e tij janë të njajta me të gjithë vuejtjet e njerëzve të kohës së sotme. Dhimbjet, që posi heshta i randojnë në zemër, e bajnë shpeshherë të revoltohet e, atëher Migjeni shpërthen në neveri ndaj çdo kulti.
Vargjet e tij nuk janë të shtangueme, të thata e artificiale. Shprehja e tij nuk asht e vdekun, përkundrazi ajo gufon natyrshëm dhe derdhet plot hir. Migjeni, ka nji forcë poetike të mrekullueshme e, në këtë mënyrë, s’len lexues pa e prekë mu në zemër. Ky poet, ai askush tjetër ndër të rinjtë tanë, din me nxjerrë në pah kontrastet e jetës së përditshme.
Diku-diku, rrethanat e shtyjnë të bahet pak si i pakuptueshëm, diku mund të ndeshim edhe në difekte të artit poetik, por këto, në asnji mënyrë nuk ia ulin vlerën, sepse fryma që zotnon në lirikën e tij asht e nji vlere të përhershme, mbasi në të shkëlqen me nji dritë të qartë e të fortë, vetë dashnia njerzore. Ndjeshmënia e tij humane, e pakufijshme, derdhet pa kursim në gjithë poezinë e tij.
Migjeni, ndonëse vdiq i ri, asgja mangut s’la, me at prodhim të vogël letrar që na ka lanë, do të hyjë në rendin e poetëve tanë ma të mirë. Lirika e tij, ndonëse e pakët, pasi të grumbullohet, ka me hapë horizonte të reja në letërsinë tonë dhe ka me e shembë traditën.

Millosh Gjergj Nikolla - Migjeni

Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Migjeni, asht poet mendimtar. Asht ndër të parët që bani të depërtojë në poezinë shqiptare “vargu i lirë”, si dhe ndër të parët novatorë të sajë. Mënyra e shprehjes tek ky djalosh poet, pa përshkrime shabllonike të natyrës, por plot ironi dhe tallje sarkastike, s’ka dyshim se do të shkaktojë nji revolucion në beletristikën (letërsinë e bukur) tonë ende foshnje.
Poezia e Migjenit asht krejt e lirueme prej zgjedhës së vargëzimit klasik, pasi nuk shkruen në gjuhën e randë popullore, folklorike e dialektore.
Migjeni na dhuroi nji poezi krejt moderne, diçka të re e befasuese për letërsinë tonë të kësaj kohe.
Ndoshta, kjo poezi, sot mund edhe të mos kuptohet sa duhet, ka mundësi edhe të mos çmohet dhe të shijohet për vlerën e vet të vërtetë, por, me siguri, në të ardhmen, ajo do të kunorzohet me dafina e do të mbahet si model poezie për breznitë e ardhme.
Nëqoftëse deri më sot, ky poet, që u shue në moshën ma të njomë, nuk bani asnji efekt në letërsinë tonë, sigurisht do të bajë në të ardhmen, do të bajë kur prodhimi letrar i tij – në poezi e në prozë – të mblidhet dhe të botohet.
Asht mirë me u ngarkue dikush t’i mbledhë shkrimet dhe dorëshkrimet e këtij të riu… Ato do të jenë jo vetëm lulet ma të hijshme të kopshtit letrar shqiptar, por do të jenë dëshmitare të forta, se si Atdheu i çmon talentet e veta të shueme.
Vepra e tij, le të jetë monumenti i tij mirënjohja e Kombit kundrejt poetit, që vdiq në të 27-tën prendverë.
(Drita, 5 shtator 1938)  (fb 12 tetor 2011)

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook