M’fal Lizë! nga Jozef Radi (2011)

Liza Vorfi

Aktorja Liza Vorfi 1950

 M’fal Lizë!

nga Jozef Radi (2011)

Lajmin e humbjes së artistes Liza Vorfi,

e mora vesh mbramjen e 30 janarit 2011

Të kujtojmë gjiganden, të madhnishmen Liza Vorfi
në përvjetorin e saj të ndarjes nga jeta, por jo nga ne.
Them kështu, sepse njerëz si Liza na kanë lënë aq shumë dashuri, 
art, histori e kujtime,sa bëhen t’paharrueshëm.
Liza lindi në Gjakovë, më 29 Nëntor të vitit 1924.
Liza është aktore e njohur shqiptare dhe ma saktë me thanum
është nana e teatrit Shqiptarë.
Nga Liza mësuen të gjithë.
Në moshën 8 vjeçare do t’vinte në Tiranë
dhe s’do t’i ndahej më as qytetit e as teatrit
deri momentin kur mbylli sytë më 30 janar 2011.
Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939, si këngëtare në Radio “Tirana”.
Gjatë viteve 1939-1943, vazhdoi studimet në Itali
në konservatorin e Romës dhe më pas në Pesaro.
Në vitin 1945, ka ardhur në teatër si aktore.
Rolin e parë e interpreton në pjesën “Gjido”.
Gjatë karrierës së sajë ka zhvilluar mbi mbi 60 role si:
Elmira “Tartufi”, Dezdemona “Otello”, Dorina “Borgjezi fisnik”,
Beatriçja “Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia “Karnavalet e Korçës”,
Marta “Cuca e maleve”, Mara “Përmbytja e madhe” etj.
Ka interpretuar me sukses edhe në shumë filma artistik të kohës.
Të falemnderit, Lizë!
Marrë nga Geg e Toskë, 30 janar 2013

M’fal Lizë,
mbramjen e 29 janarit, kur im atë, mbushte 95 vite… jetë e përtejjetë, e në kujtim të tij, mbarova së shkruemi e së shpërndami ndër miq të mi e të Lazrit, diçka që m’rrinte prej kohësh shuk në shpirt… nji zog i trishtë dhimbjeje m’u ndal ndër sy e m’tha: “Ke harrue Lizën… Liza Vorfin…!” E bash pse e kisha harrue, ajo at mbramje kish shkue te të shumtit, e ndoshta prej atje ma ka ba edhe nji vrejtje…!”
O zot, kjo kohë marramendjesh e rrëmujash, kjo kohë dhimbjesh e trazimesh pafund… më kishte ba me harrue Liza Vorfin, miken e shtëpisë sonë… E jo vetëm kaq, po ndërsa kisha përmendë mësuesit e Lazrit, kisha harrue edhe babën e saj, mësuesin Ndue Vorfi…

Duhej nji “m’fal” e madhe sa nji mal…
Si asht e mundun me të harrue ty Lizë e dashtun… ty Lizë, që me at thjeshtësi e mirësi hyne nji ditë të vonë në jetën tonë dhe mbete aty…
Diçka m’u drodh në shpirt. E jo veç aq… At çast gjithçka e jetës m’u zhyt ndër kujtime…

Të gjeta Lizë,
ashtu të hijshme e fisnike, ashtu fjalëpakë e të heshtun, me ata sytë e blertë ku drita gjente paqe, me at sharm ku edhe pse mosha shtyhesh ende tulatej nën at pushtet bukurie e fisnikrie përzime bashkë… e kujtova at zanin tand që s’e mora vesh njiherë ku mbaronte kanga e ku niste drama; të gjeta ndër biseda, ndër mbledhje, kujtova të qeshunën tande të çlirët aty nën hijen e pjergullës, apo në kafet e Tiranës, ku ti Lazri dhe nji grup idealistësh përpiqeshit me ba ma shumë se ju lejonte mosha…
Kujtova fjalët e tua dhe at aftësinë me ia shkulë dramën së përditshmes…
“Ku t’jesh ti Lazër, jam edhe unë. Unë s’kam fort qejf me u përzi ndër punë politike, por ju ndigjoj me qejf… Për hatrin tand baj ma shumë se mundem!”
“Hajde moj Lizë, se ti je ma e re!” – i thoshte Lazri
“Po pse a e re je shtatdhejtë e sa vjeçe, mor Lazër! Po ti harron sa m’ka lodhë jeta, mor Lazër!”
“Po unë ça duhet me thanë, moj Lizë për kët jetë!?”
“Epo mirë atherë edhe ti edhe un jemi njisoj të lodhun prej kësaj jete…”
“Po moj Lizë, tash të dy jemi si dy qe të lodhun, po na u dashka me e çue përpara kët qerre të thyeme!”
Dhe qeshnin të dy… Ishin dy qeshje të gjalla jehona e të cilave ende gurgullon mbrenda meje… E në qeshjen e tyne kishte diçka prej fëmije…

Lizë, ti flisje pak, po ndigjoje gjithçka…
E në fund, e kërkoje nji çast konfidence, e me kujdes m’afroheshe e më thoje… “Filani foli shumë mirë, më pëlqeu”; “ai tjetri u soll e u pshtoll, desh me thanë diçka po s’tha ndonji gja të madhe, o ndoshta s’e mora vesh unë”; “atij ja bane shumë mirë, ia lujte fenë!”; “atë s’e due hiç, nuk më pëlqen ai njeri…”; “Lazri më kënaqi!”… fjali të vërteta, ku un njofta at Lizën e vërtetë… që kish dalë nga dramat e Shekspirit e përpëlitesh në dramën e vet ekzistenciale…
Kjo e përditshme me Lizën, Lazrin, Ymer Dishnicën, Hazir Shalën, Agim Mustën e mjaft nga idealistët e Lëvizjes Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve u ba refren në vitet 93-97…
Po erdh 97-a, e jo vetëm ua lodhi… po edhe ua vrau andrrat atyne idealistave të përjetshëm ku ishe edhe ti Lizë e dashtun…
Kur iku Lazri, u pamë për të fundmen herë bashkë…
Loti yt për ikjen e tij, edhe sot pikon këtu ndër rreshtat e këtij shkrimi…
“Jetojmë kot, po hajt ma, ça me ba! Tash edhe Lazri na la, si me thanë ua hapa rrugën ju tjerve! Po ju jeni të rij, e keni forca… Ju pastë lanë uratën Lazri”
Kështu u ndamë at ditë shtatori…
Ti ecje ngadalë e mbaje dy dhimbje bashkë… dhimbjen për të ikunin e dhimbjen e të mbetunit gjallë… U përpoqa me u dhanë pak shpresë syve t’tu me dritë… po ata u banë indiferentë e shpërfillës… Indiferentë e shpërfillës ishin edhe kur dikush tevona u kujtue se Liza Vorfi meritonte diçka ma shumë për gjithë kontributin e saj…

Prof. Hazir Shala ne takimet e LDBSH

Prof. Hazir Shala ne takimet e LDBSH (Liza ne fund)

M’fal Lizë!
edhe pse s’të kam shkaktue as ma t’voglin trazim e dhimbje në jetën tande, sot të kërkoj falje Lizë… Të kërkoj falje sepse dikush duhet me kërkue falje për at të keqe që t’u shkaktue në jetë e që ti jo s’e meritoje, por e kundërta duhej të ndodhte… Për at trazim që edhe ditët e fundit nuk t’i lanë me i vuejtë në paqe…

M’fal Lizë!
pse ende ndër ne s’asht ngritë institucioni i të kërkuemit ndjesë, për gjithë të kqijat që u kem shkaktue tjerve, ende s’ka dalë askush prej nesh me e qitë nji pasqyrë prej xhepi e me e pa vedin thellë e ma thellë, e me ia krisë shuplakë vetë ai vedit, për at t’keqe të mshehun ndër ne, për at t’keqe aq të mshehun e aq të selitun sa s’del kush me na bindë se i kemi… për at t’keqe që ende askush s’e ka ba nji “mea kulpa” faqeburrash, qoftë edhe për nji rrenë të randomtë, e lene ma për tjerat…

M’fal Lizë!
pse asht dashtë me të kujtue ma shpesh, e me të nderue ma fort… pse asht dashtë me u ul ndër kujtimet e tua e me e kuptue se të jesh e para në vendin e mbrapshtve, e t’jeshë e zoja në vendin e t’pazotve s’asht fort e lehtë, e pra ti e bane… dhe si e bane: “si zojë e randë” kish me shkrue dikush…

M’fal Lizë,
pse ne kujtohemi me kërkue falje kur ju ikni, e s’mund ta ndjeni ndjesën tonë n’se asht e vërtetë a jo…
pse ne ma së shumti përpiqemi me harrue se me kujtue, po ti u kujtove dhe e gjete bash 29 janarin e lindjes së Lazrit, si ditën e prehjes n’paqe të shpirtit tand… e kështu i batë nji nyje të përbashkët jetës dhe vdekjes, nji nyje të përbashkët Kosovës që ju përcolli dhe s’ju priti kurrë ma, e Shqipnisë që ju priti e kurrë s’ju konsideroi të vetët, i batë nji nyje miqsisë, vuejtjeve, sakrificave, përkushtimit ndaj nji bote ma të mirë, ma të drejtë e ma të ndjeshme, të cilën ikja juej sigurisht e vorfnon edhe ma.

M’fal Lizë
pse s’munda me ta vendosë nji lule të freskët mbi vorrin tand… pse as lamtumirën e fundit si gonxhe të posaçelun s’munda me e lanë n’ata sytë e tu të blertë, ku shpirti i mirësisë sate vazhdon me ba dritë përtej kohnave… (5 Shkurt 2011)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook