back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Metamorfoza e qytetit tim… nga Gjezeko (1993)

Gazeta

Gje-ze-ko (Gjergj Kola i ri)
Gje-ze-ko (Gjergj Kola i ri)

Metamorfoza e qytetit tim… nga Gjezeko (1993)

Tash 21 pranvera të shkueme…

“Për me shkue n’qiell, duhet me kalue nëpër tokë” – kishin shkrue në muret e zverdhuna të spitalit, me gërma të mëdha ngjyrëtulle. Kur hina mrenda jeta më ngjau me nji pavion të madh, të ndamë në dhjetra dhoma ku dergjeshin krevate të parregullt, e gjëmojshin nga dhimbja, ankthi e tmerri.
E dija: nëse kërkoja diçka për gëzimin e shkurtë të kësaj jete, apo për lumturinë e padukshme, kishin me m’tregue nji dhomë me dy dyer të ngushta, si sy të shkruem dallëndyshe, mbi të cilat ishte shkrue fjala aspak prekëse: Morg! Të paktën për ata që s’ia dijnë aspak kuptimin kësaj fjale e dridhen krejt kot. Unë e di, pse aty shërben nji grua e moshueme, plakë e krrusun nga dita e lodhshme e identifikimit të kufomave. Edhe at gungën që ka mbi shpinë e ka fitue ditëmbas dite, si frut i hidhun i punës së saj apo ndoshta si ndëshkim i andrrave të pajetueme.
Medet! Fundja askush s’i ka ndejt afër e s’mund ta njofi kufinin e ceneve të saj. Po të guxoj e të pyes për moshën, të gjithë rrudhin supet. Përpara saj kujtesa fshihet, si ka qenë dikur zakon kur flitej për moshën e të vjetërve. Çeshtja e gungës? Aspak! Metamorfozë e gjallë e vdekjes së gjanave që njifen e nuk njifen.
Vetëm mua m’duket se e shoh at hijen e gungës në shpirtnat e njerzve, të mjekëve, të sëmurve, që me aq mjeshtri e mund përpiqet me e mshehë.
Por unë s’kam ardhë këtu me bà “Radioskopinë” e shpirtnave të tjerëve, më mjafton i jemi. Kam ardhë për diçka tjetër në kët botë, që shpesh e harroj edhe vetë.
Mbas plot gjashtë ditësh, në të cilat e vizitova në të njejtin orar, pa ndërprerje, nji mikun tim të njoftun, të shtrimë në pavionin ku shkruhej me gërma ari fjala e çuditshme “Reanimacion”, pikërisht ditën e shtatë, që njihet si ditë pushimi, kërkova të shtrohem edhe unë aty. Mjekët, mbasi e panë dëshiren time të shkrueme në sy dhe trup, si tatuazhe në nji kurm të virgjën mbrritën me ma plotsue dëshirën.
“Oh! Po ku ka ma bukur se në spital! Ç’lumturi e vërtetë! Asht i vetmi vend ku njerzit japin njifarë përkujdesjeje dhe shqetësim për ty.
Mungesa e dashnisë që ta shter zemrën e ta hedh në rrugën e madhe e tan pluhun të jetës së ngjitun për asfalt, këtu t’i hap sytë me kujdesin e të tjerëve për ty. Ç’pashallëk anakronik! Të sëmuresh që të duan!
Ç’trashëgim i çuditshëm!
Ma mirë të strukesh në pafajsinë e të sëmumit, se me pranue fajin e sëmundjes! Kjo asht Koha! Megjithatë, s’ka gja ma të bukur se sa kur nji njeri, mjafton edhe nji i vetëm, me jetue për pak çaste, vetëm për ty!!

Kështu, sot për t’parën herë mbas 17 muejsh pritje të lodhshme, me vizitoi M. Ashtë ajo, “imazhi i së cilës ripërtërihet në vetpersosjen e dashnisë sime” – ka shkrue për të poeti i vetëm i qytetit.
Kisha kaq kohe që prisja me i thanë dhe tash ia gjeta rastin: “Nji njeri që humb dashninë, për hir të dashnisë vetë, e gjen atë prap aty ku e ka lanë!”
Ditën tjetër sikur t’më kishte kuptue, më solli lulevjola të freskëta, mbasi ditën e parë m’kishte sjellë nji çadër në ngjyra të ndezuna e simbole të ngatërrueme andrrash mëngjesi. Gjatë gjithë javës, lulet e saja ma freskuen zemrën time…
Janë në modë lulet sot; për gëzimet, hidhnimet dhe plagët e ndryshme. Dikur binin parà në të tilla raste. Por sot paraja asht e ftohtë, e akullt, aty këtu edhe e pistë, si nji dashni e llogaritun që quhet martesë. Ndërsa lulet, jo. Ato mund t’i këpusësh kur janë gonxhe dhe të besosh se zemra ka aq lang sa t’i rrisë e t’i bajë lule.
-Dashnia asht arti i vetvetes, që ne kurrë s’e përfundojmë – thërret poeti i vetëm i qytetit, nëpërmjet andrrave të mia të lana përgjysë.
Çdo ditë ka lëvizje në pavion, e sidomos në dhomën time. Të sëmunët vijnë me shumicë, dhe mbrrita të ndigjoj se do na venë dy e nga dy ndër krevate.
E padëgjueme! Po konvertohen sëmundjet veç!
Ata pacientë që dalin “të nxjerrun” e jo të shëruem, s’mund t’i dallosh si duhet sepse e kanë gojën e mbyllun me fasho të bardhë. Megjithatë, pacientët e rij, m’duket se ma shumë vuejnë nga gunga e shpirtit se sa ajo e trupit. Mue s’më mbetet tjetër veçse të shkruej historinë e saj: Gungës pra! Megjithse, gjithnji njisoj, vazhdon të rritet dollari e të bjerë vlera e ndjenjave.
Ekonomistët as që pyesin. “Tash keni vend ku të faleni!” – m’tha nji ditë ekonomisti i spitalit kur ju ankova për ushqimin e keq që binte erë të randë turme…
Këto ditë sollën në pavion, idealistin e vetëm të qytetit. U luta ta sillnin në dhomën time, pa e kuptue at kotsinë e lutjeve të tilla, për gjana të paracaktueme, se ato fundja e ndryshojnë krejt kuptimin e andrrës tande. E shtruan në nji krevat afër meje duke ma zanë krejt hijen time. Kur e pashë me kujdes nga afër, e kuptova se u ngjante atyne specieve të rralla që rriten në pole e që latinët i quajnë: Poeti!
Në fillim ma futi frikën me at pelerinën e bardhë e të ngrime mbi leshnat e trashë e qerpikët e akullt, por sapo e mora pranë, pashë agimin boreal në sytë e tij, ndjeva ngrohtësinë e gjakut që rridhte dhe frika m’hiku.
Shumica e të sëmunve i rrinë larg. Çeshtje klime!? Ndoshta? Për meteorologët e shpirtit, sot askush s’mund të thotë dy fjalë… Po, përveç poetit që vazhdon me korrigjue nji libër voluminoz me titullin “Përkthime leximesh”… Arti i vetëm që lulëzon sot!
“Njerëzit janë aq shumë të zanun me dhimbjen e tyne, saqë nuk gjejnë dashni me e dëshmue dhimbjen e të tjerëve; artistët pra”! – thërret poeti i vetëm i qytetit…

Sot, kur erdhi prap ajo vajza e lulevjolave, poeti më mësoi t’i thosha se faji i saj i vetëm ishte se ajo vishej në gri! Ajo u zemërue me mue, dhe e shprishi gërshetin që thurte mbi shpinë e ku kapej herë mbas here dashnia ime ndër fluturimet marramendëse dhe flokët gështenjë i ranë mbi supe…
Ja dha të gjitha lulet poetit, pa e ditë se fjalët ishin krejt të tijat…
Pak vajza lindin në botë me guximin të ndjekin fluturimin marramendes të qiejve ndër shpirtnat poetike, aq pak janë ata… sa ka edhe poetë të vërtetë – thërret në kupë të qiellës poeti i vetëm i qytetit pa poezi dashnie…
Përgjithsisht në pavion sundon ideja se ka ardhë prandvera. Prandverë në spital?! “Ç’romantizëm periferie!”
Të çuditshëm janë njerëzit në përcaktimin e stinës me shikimin e parë! Për mua ka qenë dhe vazhdon të mbetet vjeshtë. Nji vit ma parë, ra nga trungu i stërthamë i qytetit rreshti i parë i gjetheve të kalbuna. Sivjet rreshti i dytë… e kështu me rradhë… Nesër rreshti i tretë, pasnesër i katërti, derisa të dalë krejt cullak trungu i vjetër. Atëherë ka me fillue të bulojnë gjethet e para. Asht vjeshtë, vjeshtë gjithandej! Edhe në shpirt, gjethet e kalbuna shpërndahen nga nji andërr e gjelbërt, e larme si sy pëllumbi. Por askush s’e ven re.
“Nuk asht vjeshte! Asht kohë e pastinë! – thërret nji burrë i moshuem lidhur mbas krevatit të hekurt… dhe vazhdon: – Askush s’mund të guxojë me i njoftë stinët, askush që ka sëmundjen e kameleontit në trup!” Sa tmerr i hidhët: “Vjershatarët e djeshëm – disidentë të sotëm! Pseudoshkencëtarët e djeshëm – shkencëtarë të sotëm; kryedrejtuesit e djeshëm, drejtues të sotëm; xhelatët e lirisë së djeshme, mbrojtës të sotëm!!
Uf! U lodhëm! Ky nuk asht ky ndrrimi normal i stinëve! Ky asht copëtimi i qiellit tonë në mija copa. Gjithçka po lëviz mbrenda këtyne qelqurinave që t’i presin duert. Jeta asht thye… dhe askush s’mundet ta ngjizë atë siç duhet…!”
-Mjaft! Boll! Mjaft! Boll! – e ndërpresin zana të ngjirun që lenë në ajër nji frymë lagshtine.
Në dhomë nis nji përleshje e vërtetë.
Ngatrresë spitali. Due me fjetë e më duket se kjo përleshje ka tash njimijë vjet që zgjat… Në mesnatë zgjohem, e para se me i hjedhë gjithë grindavecat nga dritarja, le pak çaste at ajrin e freskët ta mbushë dhomën time e mandej thërras e thërras me tanë kumbimin e kambanës së shpirtit:
“E kam andërrue ndryshe ringjalljen e qytetit tim! E kam përfytyrue se si nji ditë kur shpirtat do të dilnin nga gjini i tokës që i mbante mbyllë e me flakët e dashnisë do t’i lanim plagët tona. Shkodra do pastrohej e gjithçka do bahej dritë! Por s’paska qenë kështu! Andrra ime s’po e gjen kopshtin e vet për me hedhë rranjë. Dashni për hir të Zotit dhe të foshnjave! A keni ma dashni a jo? Këtij qyteti po i del gunga në shpirt! A nuk e shihni! Kush e do pra, kët qytet?
-Cila asht ajo nadja ku kam me u dashunue me Shkodrën teme! – pëshpërit poezia e vrame në mua dhe në ty… Etja dhe uria po e kthen andrrën në baltë e njerzit po e shesim për tridhjetë paratë e Judës, at çka rritën në kohë e i mbajti gjallë gjysëshekulli!

Miku im, T. Sh. u shtrue në të njajtën dhomë. Vuen nga sindromi i papastërtisë së kohës, ndaj shetit gjithë ditën me fshesë nëpër qoshet e skutat e pavioneve dhe mbledh plehna. E adhuroj, pse asht i pari që ka parashikue kolerën. Jo at kolerën që njofim të gjithë, por nji tjetër, për të cilën thotë se: antikorpet e saj do të shfaqen ma vonë e s’do të ketë vaksinë as ilaç tjetër me i zhdukë…
Para se me rà muzgu, në çdo pragmbramje dal në dritaren e dhomës dhe vërej “xhiron e pjacës”. Shoh se si fryma e hapave të kalimtarëve zgjon rranjët e harrueme, ato rranjë që shpërthejnë në brinjët e trotuarve dhe shpojnë qiellin si filiza bambuje. Po qielli vazhdon të jetë i mbyllun në nji gri të padepërtueshme e unë akoma s’e kam gjetë hapësinën ku mund t’i pushoj gjymtyrët e mia. Megjithatë dashnia ime vazhdon me u vetpërsosë në imazhin e nji portreti të vetëm…
Sot erdhi me m’pa L. nji mikja ime e afërt dhe më pruni si dhuratë kangën pop “I miss you”, duke me kujtue se: “Shkodra tashma, asht nji syndyk i vjetër ku bie erë ftojsh…” duke kërkue më kot me ma zgjue mallin e nji kohe tashma të perëndueme. Ndoshta e kam kot që s’due t’i besoj. Sado që po bajnë injeksione gjithandej, koha e katolikëve të mëdhej të gjysmës së parë të këtij shekulli, vonë do të përsëritet…
Nga injeksionet po linden veç renegatë të vegjël.

Kalaja e Rozafes
Kalaja e Rozafes

Shpesh e përjetoj makthin e përzanies nga Radio Shkodra. Faji im i vetëm ishte pse përktheja nga origjinali modernistët. Fytyra e drejtorit me asht kthye në nji monstër tek më thotë:
-Ti djalë e nxin realitetin!
-Kë?! Realitetin e kujt!?
-Nuk e di, unë gjithë jetën time kam dizenjue emnin e partise dhe të atij qoftlargut e s’mundem me ba gjà tjetër!
Atëherë pse e kthyen kët burrë të thyem në moshë… dhe gjithandej në drejtues të institucionit të demokracisë?
Më vjen keq se unë u dashurova me punën aty dhe ishte e vetmja mënyrë e përkohshme që m’lejonte me pi nji kafe me miqtë. Më kot që e kujtova kafen, sepse kanë fillue të dalin hafijet e kohës së re e po i numërojnë kafet që pijmë. Policitë e reja, pa përjashtim po ia zhysin kurrizin peshqve të vegjël e po ja fërkojnë të mdhajve. Gunga po rritet në përmasa të pabesueshme…
Ky qytet do mbyllet në karantinë deri sa të fillojë vetpastrimin prej dashnisë – thërret poeti i vetëm i qytetit… ai që ka guximin me shkruejtë për vuejtjet e të tjerëve…

Sot asht nji ditë e bukur, ku njeriu mund të shpresojë për diçka, kjo edhe për faj të diellit që rrezon shkëlqime të reja. Shefi i pavionit më tha se: “mund të gjendet nji shërim për mua”, por s’më pëlqeu aspak zgjidhja e tij, sepse ngjan aq shumë me të djeshmen…
O Zot! Po pse nuk janë njerzit ndryshe sot, por janë krejt njisoj si dje nën diktaturë?
Askush s’e di diagnozën time, atëhere si munden me m’shërue! Aq ma shumë kur Molieri asht sot aq në modë.
Çdo ditë luhet nëpër institucione “Preciozet qesharake” dhe rrugëve kalon nji Tojote me parrukë deri te rrotat. Dikush kapërdiset si i çmendun: Luigji i XIV: jam unë! – thërret! E pra si mund të shërohem kur kët qytet po e vrasin ditë për ditë?!?
Mikja ime e lulevjolave më solli nji pikturë të Shën Marisë me engjëjt, duke m’thanë se e kishte dhanë provimin e parë. U habita… “Si asht e mundun – i them – të jepen provime në shkolla, pa e dhanë vetë shkolla provimin?!” Tërhiqen nën vështrimin e saj të mrrolun dhe poeti më pëshpërit se: “Kjo asht ajo, Beatriçja e Dantes…!”
Mue m’kujtohen prap bursat e studimit për jashtë shtetit dhe ardhja e tyne. Të gjithë kandidatët me dokumentet e së shkuemes, me vulë drapër e çekani. Unë paraqita nji poemë të sotme, të sapoçelun, si sy i gëzuem në fytyrën e pranverës.
– Po ç’hyn poezia në shkollë!? – më thanë.
E dija: Rritet dollari, bie vargu. I njejti konvertim klasik. Dikush duhet me pague për andrrimtarët syhapun… nji prej tyne jam unë, asht poeti, asht vajza me luleviole, e të gjithë ata që sillen në andrrën time duke i dhanë fytyrën e pashpjegueshme pasionit tim të mshehtë…

Sot shtruen në dhomën time nji djalë të ri, me nji kambë të këputun: Në kufi, në demostratë antikomuniste, në grevë urie apo kontrabandë… kët s’e mori askush vesht. Patericën e ka kthye në shpatë dhe thërret herë mbas herë në pikun e natës: -Drejtësi! Drejtësi! Kriminelët e djeshëm po i shpëtojne gjykimit prandej po lulëzon gjithandej i bollshëm krimi i së sotmes! – Mjerë ai komb që s’ka guximin me heqë të keqen përfundimisht nga trupi i vet se do t’i heqin ma vonë edhe pjesën e shëndoshë!
Dridhem prej ksaj profecie të kobshme që lëviz nëpër natën e andrrës sime e më len syhapun.
-Unë jam për gjyqin: Genocid ndaj karakterit shqiptar! Të paktën të mos i lemë partizanët e vorfënisë së djeshme të bahen milionerët e sotëm. Çeshtje morali! Mue m’pëlqen zani i tij dhe shpesh i shkoj pranë kur jemi vetëm e nën diellin e ri përpiqemi me ia pà të ardhmen, aq sa na lejon andrra ne vdektarve…
Të sëmunët hyjnë e dalin pa ndërpremje e tash e kam humbë shpresën me e kuptue rregullin se kush e nga po hyn e kah po del… Mbramë sollën nji person të ri, shtatlnaltë si hije ku dridhej ora e shkapërdame e kohës. Tan natën nuk fjeti e na predikoi kështu:
-Asht fshi përfundimisht uniformiteti në rritjen e nji brezi; brezi i ri po rritet në nji kontrast të tmerrshëm mbrenda vetvedit. Nji pjesë po e rrit hapsinën e shpirtit dhe do të jetë drita e nesërme, por pjesa dërrmuese po merr pak e nga pak për nji grusht paresh forma monstruose dhe nesër kan me u dashtë miliarda për me i ndreqë. Unë jam fetar, besoj pra në dimensionin hyjnor, por shteti që asht laik dhe mbështet në at toksor duhet me ndërhy me të gjitha forcat me ruejte tiparet kryesore të karakterit të shqiptarit.
A nuk asht brutale me ia pres kryet ligësisë së Europës së qytetnueme, që hodhi rranjët e kalbësisë së vet, në kalbsinën tonë…? Shteti duhet të jetë i pamëshirshtë ndaj së keqes dhe apasional ndaj së bukurës! Ne duhet me ndërtue nji platformë për ndërtimin e karakterit të shqiptarit e t’i ripërtrijmë urdhnimet kjoshin kto dhjetë o ma shumë, që do të na fusim në Europë…
“Ufa! Medet! Na plasi dhe ky! – thërrasin zana – Ndalojeni mor, at orakull të vonuem!!!

Këto ditë shtruen edhe nji të çmendun politik, bacilin e të cilit e pata marrë në demostratën e parë antikomuniste. Na e mbushi dhomën dhe krejt pavionin me versete politike. Muret kullojnë ngjyrë veremi prej atyne shkrimeve. Më përzihet kur i shoh. Askush s’ia hedh sytë. Duket se iku koha e betejave të rrugës. Kaq shpejt po vdesin në mua gjanat e rrahuna në hekurin e kohës!
Kam në dorë veprën e plotë të njenit prej mësuesve të mi të dashtun. Fillon me rreshtin: “Veprat e mia: ngjarjet kryesore të jetës sime!” Sa ngjaj me kët epitaf të rinisë sime të hershme…
Natën kur m’randohet kryet prej mungesës së andrrave, hjek jastekun dhe vendos dorëshkrimet e zverdhuna. Janë ngushëllimi i të gjitha kohnave të mija dhe të tjerve, vazhdim i jetës sime dhe të atyne që nuk jetuen kurrë, ndonëse vdiqën mbas meje…
Sa mirë e ndjej vedin në spital dhe kjo jo veç se asht rritë interesi i njerëzve ndaj meje, por edhe pse e shoh jetën me nji sy tjetër: me sytë e pllumbit. Sqepin e kam të ndryshëm, thonë doktorat dhe herë mbas here ata dallojnë në midis nji si vegim të gjelbërt, diçka prej degës së papërfundueme të ullinit.
Pastruesja e natës, bërtet gjithë kohës deri n’mëngjes herët:
-Zotni doktor! Janë të gjithë të papastër! Dhe ma i pastërti asht ai që ka mshehë ma shumë papastërti!

Mbramë shtruen prap nji djalë të ri që kishte dashtë me vra vedin, duke kapërdi dollarë. Në mëngjes, mbasi i bane nji katarsis e shkundi spitalin duke thirrë: “Të gjitha vajzat po ikin… po martohen jashtë… Ato që nuk besojnë te dashnia marrin burra të huej, ata që besojnë hala në çmenduninë e saj bahen prostituta e mbushin rrugët e Perëndimit. Shqipnia e shqiptarëve! Vdekje trathtarëve!
Isha i vetmi që e kundërshtova. E kundërshtova pse vajzat shqiptare kanë vuejtë ma shumë se sa mundet me mbajtë nji femën… e përtej kësaj vuejtje unë e shoh qenien e tyne të përdridhet në dhimbjet e nji lindjeje të pazakontë: Lindjes së grues shqiptare! Grues që do të ket aftësinë me dashurue!

Mbramë vonë më sollën priftin për shartet e fundit. Isha me mendje të kthjellët dhe sy të çiltër, por analizat e kohës, dhe paditunia e mjekve kallzonin të kundërtën. Don L., nji fukara i urtë, më kujtoi kohën e shkueme, kur në fillim gjithçka ishte dashni. Ja dhashë me shkrim referimin tim për Shën Pjetrin, jo ngaqë “scripta manent” po sepse ashtu më pëlqeu…
-Ato pak gjana që din njeriu duhet me i zotnue mirë, sepse ti je nji dashni në vetpërsosje… – më pëshpëriti poeti i fjetun pranë meje…
Kisha shkrue me pak fjalë: “Unë s’e di qëllimin e nji qyteti të kryqzuem kryteposhtë, pjesë e të cilit jam edhe vetë, prandej po i drejtohem dashnisë, që në ngjashmëni, kupton. Sepse kët qytet po e vrasin, po e vret gunga që po i rritet çdo ditë dhe unë e baj kët për vetmbrojtje. Sot flitet aq shumë mbi Zotin e bahet aq pak për të! Po i shkruaj krejt këto gjana në frymën e letrave tueja drejtue bashkësisë së Vatikanit, duke përsëritë se ai vokacioni i thellë i shpirtit po rrëzohet përditë ndër stacione të reja e po merr kunora gjembash mbi krye. Shumë pak po e ndigjojnë gjëmimin apasional të të kryqzuemit. Unë shoh gjithandej klerikë që ngjajnë me ne, njerzit e zakonshëm dhe kalojnë rrugës e bajnë sikur nuk e shohin dimensionin hyjnor, të cilit përfundimisht i kanë falë edhe jetën. Unë do vazhdoj me e kërkue kët dimension, e me i hapë rrugë n’zemrën time, sepse s’mund të thyhem.
Nënshkrimi im asht: Nji dashni në vetpërsosje!
…Mbaj mend se kisha shkrue edhe shumë gjana tjera, si për genocidin ndaj katolikëve nën diktaturë, mbi shembuj dimensionesh martiri, duke iu lutë që t’ia linte kohës me i zgjidhë disa çeshtje që e tashmja vetëm sa mund t’i turbullojë si përroi në prendverë pa i dhanë rrugën e duhun. Në fund i shkrova sipas dëshirës së poetit të vetëm të qytetit edhe për Fishtën dhe Migjenit, dritaret e të cilëve rrinë përballë njeni-tjetrit, diku në rrugicën e fretënve të rij (që aq pak ngjajnë me të vjetrit e lavdishëm).
Gjatë natës, nji gjymtyrë e qytetit, njeni krah, theu dritaren dhe erdh e ndejt midis krevateve. Askush s’e preku. E shtrëngova fort në krahnor dhe në vend të pulsit të shuem, rrahu fort zemra jeme. Në mëngjes herët, ajo gunga në shpinën e qytetit m’u shfaq e plotë, si hanë e rrumbullakët, mbi shpinën e njerzve që m’rrethonin.
E ndërsa ndigjoja Baglionin në “un piccolo grande amore”, veç kur shefi i pavionit m’tha se kanë vendosë përfundimisht me të qitë prej spitali. S’pata kohë as me u përgatitë kur Jazz-i i negërve të Amerikës ma gërvishti kristalin e syve të gjelbërt të pllumbit ndër jehona kujtimesh që s’kanë për t’u kthye kurrë mà. Në mëngjes putra prej grabitqareje e prendverës nisi me lëshue të njajtin tingull në dritaren e dhomës sime, duke lanë mbi të gërvishje prej zemre. Shumë ringjallje të mijat janë rrethue me dhimbje të përtejkufishme…
-Nuk dal, – i thashë doktorit, – sepse ju s’e keni bà as diagnozën time…
-Po, – ma ktheu ai krenar duke më zgjatë tan kërcënim flet-raportin, – “Antikonformist kronik! I pashërueshëm!”

-A m’fal nji lek të ri, zotni! – m’u lut lypësi i parë që takova n’rrugë. E ndërsa i jepja lekun, kqyra diellin që hjedhte nëpër lagështinën tronditse të mureve njolla kalbsine. Myku i bardhë harliset dhe fryma e lagësht që i prek u jep përdredhjen e sirenave të Homerit.
O Tmerr!!!
Gunga filloi me u shfaqë gjithandej dhe qytetin kan me e pagëzue si qytet me cen. Askush s’ka për t’i këndue ma dashnisë dhe as gazetat kan me njoftue ne nesre epideminë e mureve. Nji narcizizëm i neveritshëm ka pllakosë gjithandej. Po kullojnë muret dhe rrugët si trupi ku ma së fundi sëmundja e tmerrshme ka dalë mbi lëkurë.
Lavdi Zotit që qielli asht shumë nalt, e s’e përjeton dot kët vetshkatrrim. Eci midis rrugës. Ndoshta kjo s’asht mënyra ma e drejtë me iu shmangë kërcënimit të gungës. Po fundja, ma mirë me m’shtypë nji makinë e Luigjit të XIV, se me u smù nga infeksioni i mureve dhe rrugëve. Kanga e fundit e mjellmës më ndjek gjithandej. Nuk e di as vetë se kujt t’ia le lamtumirën… Eci shpejt duke shkrue nëpër qiellin sypëllumbi me shkronja të gjelbërta:
“Kush e don kët qytet?!”
Agimi i bardhë del si gushë e gërvishun pllumbi. Mbi muret e Rozafës rrëshqasin currila të bardhë qumështi. Asht koha e flijimeve. Liqeni s’e vizaton ma lindjen e dikurshme. Shkoj me ndërdyshjen se çka po u lehet brezave që do të vijnë…
Kush e don pra kët qytet!
Qyteti im asht ndër të vetmit që e ka kundërshtue të keqen me dhunën e martirit – i vetmi qytet ndoshta në botë, ku ishin çvarrosë poetët dhe ishin hjedhë në lumë… Sikur ta parandjente kët gjà prej martiri, ai e kapërcente t’keqen duke u shtri vetë mbi kryqin e drujtë dhe priste me e gozhdue. Nga njiherë mendoj se ishte mirë që qyteti s’pati nji port detar, sepse ditën e shpërthimit të madh do të kishin hikë të gjithë. Në kët vend ka qenë kaq e madhe dhe e pakufishme trysnia e tmerrit, saqë sot gjithkush e ka humbë aftësinë për me e kuptue se mbas atij makthit ka me pasë prap nji zgjim.
Poeti i vetëm i qytetit më ndjek nga mbas dhe më thotë se në Tiranë, sapo ka hikë në Perëndim, shkrimtari kult i komunistëve, vetëdija e brezit socialist, kompleksi ma i plotë i pesëdhjetë viteve diktaturë…
Ikjen e tij, ai e sheh si nji portë e madhe që përplaset zhurmshëm duke mbyllë mbas nji epokë me emblemën e realizmit socialist. Mbas ikjes së tij, filluen me ra muret e padukshme që mbanin në kambë Piramidën intelektuale të sistemit diktatorial dhe mbas tyne nisi plasaritja e mureve të dukshme, shembja e përgjithshme…
Poeti vazhdon me ndjekë e me thirrë me sa zà i mban gabzherri:
-Tmerri sapo ka fillue me ndryshue kahun. Kur era e lirisë së njeriut rrokulliste telat me gjemba përreth trupit të vramë e të zvarritun nëpër rrugë, atëhere militantët e kuq, me të cilin nanat komuniste kishin mëkue ninullat e zeza për fëmijë, nisën braktisjen e madhe. Ata e kishin parandje ma në fund se në kohën e re do të ishin të parët që liria kishte me i thirrë para Gjyqit të Madh, ata pra, inteligjencën e kuqe, ateiste, që e kishte ngritë dhe mbajtë në kambë trekambshin ku ishte dënue me vdekje liria vetë…
-Apo jo?
-Në kët vend pastrimi i së kaluemes asht puna ma e tmerrshme që i shmangen të gjithë dhe askush s’e thotë psenë…
I dhashë të drejtë poetit të vetëm të qytetit, pse jam për drejtësi, për nji “mea culpa” me fytyrë njerzore dhe për heshtjen si penitencë të fajtorëve të djeshëm, të atyne pra, që kishin mbajtë trekambshin e sistemit në kambë.
-Heshtni pra! Se Ura e Kalbun u shemb e ju s’mund t’i përdorni kambët e së djeshmes për urën e re!!!
Megjithse s’po ka fort nevojë për thirrjen time profetike, se koha asht profeti ma i mirë.

Shkoj në nji lagje të qytetit ku dihej se përpara 500 vjetësh ka shetitë fjala e parë e shkrueme shqipe, dhe ku poeti i vetëm i qytetit më tha se mblidhen edhe qytetshkrues të tjerë… ata që po e ndërtonin si andërr, poezinë. Me kohë, ndërsa pijmë kafe, e kthejmë langun e andrrës në vargje, kur nisin me ardhë hijet e së djeshmes, të veshuna me kostum disidenti. Kyri se si n’andrrën time, makthi i tmerrshëm i së djeshmes ulet kambturqisht dhe gati pafajsisht po më kallzon disidencën e vet.
Sejcili fillon me kallzue se si ka botue andrrat e saposhkrueme, se si ja ka dalë me shitë poezi, se kjo tregti e re asht shumë fitimprumse. Mjafton me marrë pesë nga nji firmë apo shoqatë për botim të nji libri, katër i fut në xhep dhe me nji mund ta botosh librin…
-Kështu asht bà gjithnji ndër ne… qysh kur s’mbahet mend – më thërrasin qytetshkruesit.

Rruga e Dugajve te Reja
Rruga e Dugajve te Reja

Dita po mbyllet nën tregtinë e iluzioneve të kthyeme në parà, kur nji krijesë e sapongjizun e kohës hyn në kafen e tempullit të poezisë, e armatosun deri në dhambë dhe unë ndjej t’më rrëshqasin nëpër trup hije të ftohta makthesh të sapofitueme. Askush s’e din se çfarë kërkon ajo, veç gryka e kallashit rrëmon me vrimën e ngrime të vdekjes nëpër ftyrat tona, ku sapo kanë fillue me ngri përgjithmonë andrrat.
Koha po kërkonte metamorfozën time!
Atëherë hodha për t’fundmen herë vështrimin përreth si nji shqiponjë e trembun dhe vendosa me fluturue përfundimisht drejt hapsinës së panjoftun ku mund ta rrisja andrrën:
Ka ardhë koha e horrit!
Shkodër 1993
(Botim i Gazetës “Shkodra” 1993)
Shkrimi i redaktua nga radiandradi.com

Related Images:

More articles

6 KOMENTET

  1. I nderuar!
    Ke bërë një shkrim që edhe vetë nuk do të besohet se sa të mirë e ke bërë!
    Për mua të Mrekullushëm. Asht një kunorë lulesh plot erë dhe shpresë që i rri çdo mëngjes qytetit tand n’kry dhe që ja shton hijeshinë, tuj i tregu rrugën e dashnisë së vërtetë që tash sa mot ash tue pritë. Me kët lloj mendje e zemre dashnie do t’vijnë dit të bukra për Shkodër Locen e për t’gjithë na shqiptarët, le t’ë shpresojmë. Gjatë leximit të kënaq ambëlsia e të shkruajturit, figurat e bukura artistike që ke përdorur, dhe të trishton gjendja ku po jeton qyteti jot i andrrave të mëdha, të lodh dhe të rrëzon përtokë “Gunga” e qytetit tend, por në anën tjetër të bën krenar se sa shumë ai qytet i ka kndue lirisë, dashnisë, jetës, Zotit… Sa shumë zemra kanë pushue për atë qytet që brezat ta shikonin sa ma t’mirë, sa engjej të Zotit u betuan deri në flijim për atë qytet që ty të dhemb aq shumë. Do t’vijë një ditë që qytetit tand dhe tonit njëkohësisht t’i shndrisë fytyra, do t’vijë dashnia e vërtetë, do të realizohen andrrat e shkodranëve të hershëm dhe të sotëm, dhe do t’i rrijë Shqipërisë në krye si zonjë e randë tue i tregue rrugën e lumnisë. Shkodrani i paharruem, At Zef Pllumi jetoi ferrin e Dantes për 45 vjet dhe zoti i madh e kurseu që ai të dëshmonte se çfarë u bë në Shqipninë komuniste për 45 vjet, Ai është në krahet e t’lumit zot tani, por na la në duart tona dhe të gjithë shqiptarëve Biblën dhe Kuranin shqiptar, që do të na e kthjellojë mendjen dhe do na tregojë se si ne ta bëjmë Shkodrën dhe Shqipërinë, ashtu si e ëndërruan ata për 45 vjet.
    Ndjesë se u zgjata kaq shumë, por shkrimi yt të imponohet t’i nxjerrësh fjalët e mira nga zemra.
    Qofsh me jetë kudo që të jeshë.

  2. Përshëndetje Gjergj,
    të përgëzoj shumë për këtë shkrim poetik plot ndjenjë… Një realitet i trishtë, por i qendisun me figura letrare, aq shumë sa çdo veprim, çdo fjalë e çdo personazh ka nji domethanie të thellë, e ku gjithsecili mund të gjejë vetveten, në andrrat e parealizume, në sëmundje, ankth, dhimbje, pesimizem, vuejtje e deri në çmenduri politike… në vend të harmonisë e dashnisë njerezore, paqes e optimizmit për jetën…
    Shumë bukur, të përgëzoj tuj të uru gjithë të mirat ty me familjen tande!

  3. Mik i nderuem, i apasionuem i letrave shqipe, Jozef Radi!
    Mirnjohja jeme s’ka kufij, kur mendoj kohën dhe përkujdesjen tande mbi këtë tregim të nji kohe qi pritshim me lindë njerëz dhe lindën matrapazë në tana fushat e mendjes dhe zemrës e na detyruen me u shpërnda nëpër botë…
    T’uroj të jeshë i lumtun gjithmonë!

  4. Nji prozë poetike fantastike, nji tregim i ngjeshun në stil gogolian, nji musht letrar i dalun nga shtrydhja e kohës, e njeriut dhe ngarjeve bashkë, nji spital ku jeta asht gjithnji nën kthetrat e akthit, nji hymn për qytetin e Shkodrës edhe pse me mjaft frymë dëshpërimi, personazhe nga ma të pabesueshmit si: vajza qi sillte luleviolat; poeti i vetëm i qytetit; i çmenduni politik; apo vetë personazhi kryesor i tregimit: njeriu që andrronte nji botë ma të mirë e ma të drejtë te dalun nga gërmadhat e së djeshmes dhe përplaset me gjithfarë rropullhanash vrastare që po ia rrënojnë qytetit lavdinë dhe andrrën… dhe ai s’gjen shteg tjetër veçse fluturon me shpëtue at andrrën e dashnisë pafund për qytetit të vet…
    Kjo asht ne pak rreshta fryma e këtij tregimi që të grabit me bukurinë e tij… E s’mundem mos me e falenderue mikun tim Gjergj Kola, për kët dhimbje të skalitun me kaq ndjenjë… jozefradi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.