Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar… nga Agim Xh. Dëshnica

Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike

Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike

Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar…

nga Agim Xh. Dëshnica

Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion.
Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja.
Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin.
Në mes të natës, kur era e maleve ulurinte si mallkim,
i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok.
Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje:
“Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur!
Atëhere ushtarët u sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve.
Pas disa çasteve britma pushoi. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit.
Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve…
 
Diktaturat - gjithkund janë njësoj

Diktaturat – gjithkund janë njësoj

.
Më 26 shkurt 1951, në mesnatë në afërsi të “Urës së Beshirit”,
të lidhur dorë përdore me tela me gjemba dhe i mbuluan
në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre, u pushkatuan 22 intelektualë:
Sabaha Kasimati, nga Gjirokastra, Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra,
Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana,
Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasoruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra,
Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça, Fadil Dizdari nga Kavaja,
Hekuran Troka nga Kuçova, Niko Lezo nga Delvina, Anton Delhysa nga Prizreni,
Tefik Shehu nga Gjakova, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe,
Mehmet Shkupi nga Shkupi, Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi.
.
Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur ndonjë tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë.
Oh tmerr! Përse i vranë ata?
Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz që të mundemi të përballojmë situatën…!”
Viti 1951, qe një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin më kot Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Ndërkohë natën nëpër rrugët e taracat e Tiranës, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin fletushkat e hedhura nga duar të panjohura, ndoshta edhe nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: “mos hapni radion në kanalet italiane!”. Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.
Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje pati zyrtarë rusë që ndërhyn për lirimin e disa prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.
.
Uran Butka - Bombë në Ambasadën Sovjetike

Uran Butka – Bombë në Ambasadën Sovjetike

Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E. Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapsht dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them pasi nga pyetja që bëhej nga zyrat e Ministrisë së Brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk është lënë kohë për gjykimin e çështjes…” Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Në të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur në dyert e miqve të tyre dhe sipas një zakoni të lashtë, rrëfyen se ç’kishte ndodhur në mes të natës. Më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati

.
Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare

Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare

 

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kish dhënë një vendim: dënimin me vdekje për 22 të vdekur!! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim. Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast E. Hoxha u rrek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

.
Ambasada Sovjetike - Tiranë

Ambasada Sovjetike – Tiranë

Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

Ja cilët ishin ata, që humbën jetën, shumica në moshë të re, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:
-Sabiha Kasimati -38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një engjëll si ajo? Fajtor për këtë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar, E. Hoxha.
-Tefik Shehu – 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga vandalët.
-Pjerin Guraziu – 45 vjeç i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.
-Jonuz Kaceli – 43 vjeç. U lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulture, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti i Ministrisë së Brendshme e vrau në tortura dhe e hodhi nga dritarja. Shkuan vite dhe sadisti i “terrorit të kuq”, u dergj në shtrat i vrarë.
.
Mbas vrasjes së Jonuz Kacelit - 7 fëmijët e tij përfunduan internimeve

Mbas vrasjes së Jonuz Kacelit -
7 fëmijët e tij përfunduan internimeve

-Anton Delhysa – 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fullcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave ë Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, së fundi edhe me pushkatim…

-Haki Kodra – 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin e zi të pushkatimit 1951.
-Gafur Jegeni – 41 vjeç. U lind në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria deri në shkurt të vitit 1951. Epilogu: Në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së ekzekutimit barbar me ushtarë, që mbanin yll të kuq në ballë.
-Myftar Jegeni – 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më sepse në mesnatë e priste pushkatimi i pabesë.
-Manush Peshkëpia – 39 vjeç. Poet patriot, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën. Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimtari i shquar Vedat Kokona: “Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jeshë poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jeshë njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri”. Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.
-Reiz Selfo – 55 vjeç. U lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë, por dora e diktatorit E. Hoxha, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu pa mëshirë, jetën këtij biznesmeni të madh patriot.
-Qemal Kasaruho – 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut, së fundi jashtë nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e Kombit.
-Zyhdi Herri – 30 vjeç. U lind në Tiranë. Studjoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N. Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkimi në Tiranë. Më pas e priste pushkatimi pa gjyq e pa faj.
-Gjon Temali – 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, duhej të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj.
-Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N. Ç. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës engjëll, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë.
-Niko Lezo – 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës, në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik, në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar pa mëshirë.
-Pandeli Nova – 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N. Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Ky prind, i një djali partizan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, do të dëgjonte për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit partizan: Zjarr!
-Thoma Katundi – 64 vjeç. Më i “vjetri” në moshë! U lind në Katund të Korçës. Ish-vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun.
-Mehmet Shkupi – 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim.
-Ali Qorralliu – 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës ka perkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. Pa patur asnjë trashëgimtar, u arrestua si “terrorist“ dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La vetëm kujtimin e një njeriu, të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë.
.
Disa nga të Pushkatuarit e Bombës

Disa nga të Pushkatuarit e Bombës

-Fadil Dizdari35 vjeç. Me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit. Popullor.” Në të vërtetë faji i tij, ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e fshehtë e barbar në mes të natës.
-Hekuran Troka – 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për këtë djalë të hijshëm, është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”. U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës. Ja, si dënoheshin me mungesë provash e vriteshin natën ata, që dyshoheshin.
-Lluka Rashkoviç – 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. Për gjithë këtë jetë të pastër dhe punë të ndershme në shërbim të vendit tonë, u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.
Për gropën e braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë, nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve, foli dhe kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, e vëllazërive, e nipave, e qytetarëve dhe e fshatarëve të ndershëm. Folën me zë të lartë që ta dëgjonte bota dhe rinia të merrte vesh, megjithëse me vonesë, se kush ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, apo Komuniste e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanar ndriçues”, burg apo varr i përbashkët i shqiptarëve?
http://www.forumishqiptar.com 24-02-2011

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook