back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mësim dashurie rrugëve të Tiranës… – nga Ervina Toptani

Gazeta

 

Shpesh bukuritë fshehin dramat e jetës...Shpesh bukuritë fshehin dramat e jetës...
Shpesh bukuritë fshehin dramat e jetës…

Mësim dashurie rrugëve të Tiranës…

nga Ervina Toptani

Kjo që vendosa të ndaj sot me ju është diçka shumë personale që nuk kam pasur ndërmend ta shkruaj ndonjëherë, por për hir të dashurisë së dhuruar e asaj që mbetet e kthehet gjithnjë edhe në forma të tjera, ia vlen ta ndaj me ju.
Në vitin 2006, për herë të parë në Shqipëri, në Tiranë, formohet një qendër shumë e veçantë, për fëmijët me nevoja të veçanta, jo në aspektin e prapambetjes apo ndryshimeve në aftësitë mendore apo fizike, krejt e kundërta në fakt. Një qendër ditore e veçantë për fëmijët që jetonin me familjet e tyre, por që problemet e ndryshme familjare apo ato që kishin prindërit midis tyre i përjetonin edhe dhunshëm, e bëheshin objekti i shfrimit të nervozizmit të të rriturve në familje. Në fakt, nuk ka ndodhur më, që ta dëgjoj ekzistencën e një qendre të tillë në vitet pasardhëse, qofsha unë e gabuar. Ndoshta sot ekzistojnë të tilla, e unë duke jetuar jashtë Shqipërisë nuk jam në dijeni të ekzistencës së tyre!!
Isha pedagoge në universitet asokohe, dhe punoja pasditeve edhe në qendrën private të gjuhëve të huaja, pra ekstra, me kohë të plotë do të thoja. Kur dëgjoj për themelimin e kësaj qendre nga një pediatre, ndër më të mira shqiptare, dhe vendosa të shkoj e të bisedoj me zonjën. Për mos t’u zgjatur shumë, i kërkoj me shumë dashamirësi “të më shfrytëzojë” për të ndihmuar sadopak me njohuritë e mia e studimet në psikologji, fëmijët që mund të kishin nevojë. Iu vura në dispozicion pa pagesë, duke lënë çdo ditë 4 orë pune e duke i zëvendësuar me punën vullnetare (kjo është një ndër arsyet që nuk kam dashur ta tregoj këtë eksperiencë, sepse nuk dua që kjo gjë të merret si heroizëm apo si ndonjë akt i veçantë, përkundrazi, heronj ishin ata fëmijë, prej të cilëve mësova e mora kaq shumë dashuri).
U pranova pas dorëzimit të një liste të gjatë dokumentesh e 3 testimeve. Aty njoha stafin më të bukur me të cilin kam punuar ndonjëherë, psikologë, mësues, madje dhe pedagogë artesh të baletit etj.
Mua me ra fati të punoj me Sonjën. Një fëmijë 5 vjeçar, një vajzë kaq e ëmbël, e brishtë, tepër imcake në trup, e cila ishte e trembur gjithë kohën. Ajo kishte një problem të vogël në dukje: Sonja nuk qante, për asnjë lloj arsyeje, në asnjë mënyrë, nuk kishte qarë më asnjëherë që prej se ishte 3 vjeç. Nëna e saj kishte probleme madhore me bashkëshortin e njëherë në një ndër debatet e tyre të dhunshme “për të marrë hak ndaj padrejtësive të bashkëshortit” siç i quante ajo, e futi fëmijën e saj 3 vjeçar në vaskë me ujë të nxehtë… Fëmija qëndroi një muaj në koma, siç m’u bë me dije, dhe shpëton për mrekulli, falë ndihmës së specializuar mjeksore jashtë Shqipërisë… dhe disa operacioneve rradhazi. Doja të shtoja se të gjithë fëmijët që morën pjesë në këtë projekt vinin nga familje shumë të pasura!
Punuam me Sonjën shumë, një staf prej 3 personash, unë dhe 2 psikologë të mirfilltë. Jemi argëtuar aq shumë në dhomën e pikturës, akuarelit, në dhomën e dyshekëve të qejfit, siç e quanim ne ku luanim me jastëkë me pupla, në kuzhinë ku gatuanim ëmbëlsirat e preferuara, në studion e fotografive ku i bënim e i lanim vetë fotot, në kopësht ku mbillnim lule e pemë me fruta që i vinim emra princesash. Ajo qeshte, luante, rrezatonte mirësi si çdo fëmijë në atë moshë. Vinte çdo moment e më përqafonte, më puthte, më merrte fytyrën në duart e saj të vogla e bashkonte hundën me timen e bënim puthje si eksimezët (këtë ia kisha mësuar unë?). E doja kaq fort e më donte po aq. Dashuria është melhem i shpirtit e këtë e mësova më shumë se nga çdo gjë tjetër duke jetuar çdo ditë nga pak me Sonjën e brishtë.
Ne ia dolëm që Sonja të fitonte kristalet e ujëta që dalin nga shpirti nëpërmjet syve, lotët. Sonja qau dhe qau fort ditën që unë u largova nga qendra sipas premtimit që kisha nënshkruar, punës vullnetare 6 mujore. Duhet të vazhdoja studime të tjera e isha kaq e lumtur që dhashë sado pak ndihmesë aty ku ishte e nevojshme. Sonja qau në krahët e mi, dëneste e më tha: “Ti je mam e unë nuk do të të harroj kurrë! Lotët e mi po t’i bëj dhuratë se më ke treguar që pasi syri loton bëhet i shkëlqyer, me dritë, me xixa e unë xixat dua të t’i dhuroj ty…”
Ishte e pamundur në fakt të mbaje lotët. Unë e përmbusha ditën e fundit misionin tim…
Për 17 vite me rradhë unë s’e takova më Sonjën, çudi e madhe si nuk e pashë kurrë as rastësisht, kur sot pasdite, përballë meje qëndronte një zonjushë e hijshme me sytë me xixa: ishte Sonja. Erdhi drejt meje, pa folur, hapi krahët e më rrethoi me dashurinë e para 17 viteve. Nuk ishte e nevojshme të flisnim as unë as ajo. Pas një minute ashtu të përqafuara në heshtje i them: Sonja, sa e bukur je bërë, Zot sa je rritur! Si më njohe? Ajo buzëqeshi e më tha ngjitur pas veshit: “Dashuria nuk harrohet kurrë! Më ke dhuruar kaq shumë, sa do të mbetet aty edhe për 100 vitet e ardhshme. Ti je mam, e mamat nuk harrohen!!
Ndaj dhe unë me lejen e saj vendosa ta ndaj sot me ju këtë surprizë të mrekullueshme që më ndodhi sot në rrugët e Tiranës, 2 orë pasi shkela në qytetin e zemrës, në të cilin sa herë vij më rezervon nga një ëmbëlsirë përkëdheljeje.
Në katrahurën që e ka përfshirë Tiranën, në lodhjen, frikën e çoroditjen e njerëzve (siç më tregonin dhe zonjat në avion gjatë udhëtimit se me çfarë përpjekjesh titanike mund të mbash vendin e punës këtu) në pamundësinë për të jetuar lirisht ndjenjat e tua, të flasësh hapur të vërtetën, ku të duhet të ruhesh nga të 14 anët, ku dashuria njerëzore është zëvendësuar nga shpirtngushtësia e pangopshmëria, ku varfëria shihet në xixat e syve të çdo kalimtari, në Tiranën time, tonën, atë të njerëzve që shpirtin e kanë ruajtur me zor të madh, jepni pak dashuri se ju kthehet gjithnjë, edhe pas 17 apo 50 vitesh, kthehet gjithnjë.
Me dashuri për ju, Ervina Toptani
 .

Marrë nga muri i fb i Ervina Toptanit, 15 nëntor 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.