back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Mes dy Kontinentesh…” vëllimi i pestë poetik i Dalan Luzajt

Gazeta

Dalan Luazaj - "Mes dy Kontinentesh"
Dalan Luazaj – “Mes dy Kontinentesh”

“Mes dy Kontinentesh…”

vëllimi i pestë poetik i Dalan Luzajt

Kush është Dalan Luzaj

Dalan Luzaj ka lindur në Vlorë me 3 gusht 1944 nga prindërit Isuf dhe Drita Luzaj. Origjina dhe aktiviteti politik i babait si antikomunist e bën jetën e tij familjare aq të vështirë sa s’i afron besimit.
Filloren e mbaron në Ujin e Ftohtë, në shkollën “Zenel Murro”, vazhdon shtatvjeçaren po në Ujin e Ftohtë, në konviktin e shtetit, si nxënës u jashtëm.
Me shumë përpjekje regjistrohet në shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë, sërish si nxënës i jashtëm.
Punon fillimisht katër vite mësonjës në fshatrat e Tepelenës, dhe pas shërbimit ushtarak në N. B. U. Internohet familjarisht  për 22 vite në fshatin Sherishtë.
Me rënien e komunizmit,  vendoset në Sh.B të Amerikës, në Çikago.
Gurgullimën e poezisë e ndjen që herët, pa e ditur se ç’ishte. “Më pëlqente poezia, e shpesh kur shkoja me gjyshen mik, recitoja Naimin që e kisha dhe e kam aq për zemër. Kur ata kënaqeshin, unë si fëmijë rritesha sa një mal. S’e dija që kjo gurgullimë ishte një pjesëz e vogël e talentit poetik që po rritej bashkë me mua…”
Boton për herë të parë në revistën “Nëntori” Nr -11 të vitit 1963, në këndin “Zëra të Rinj” së bashku me dy shokë të tij Hiqmet Meçaj e Xhevahir Spahiu. Por ky gëzim iu ndërpre shpejt.
“Në internim, mes atij ferri tokësor, as që bëhej fjalë për poezi. Tre librat e parë i botova nën redaktimin e Xhevahir Spahiut, me të cilin ngelëm miq si dikur në Pedagogjike. I katërti dhe i pesti ishin jashtë mundësive të tij shëndetsore…
S’ka prind që ta gjykojë fëmijën para turmës, në vazhdim të këtij ligji të pashkruar ju sjell për gjykim librin poetik. “Mes dy Kontinentesh…”.

Koperina e pasme  e librit te Luzajt
Koperina e pasme e librit te Luzajt

Tri pezi nga libri “Mes dy Kontinentesh…”

Kosova

Po ecën me këmbët e tua Kosovë.
Njëqind vjete gjymtyrët mpirë.
Gjaku i ndarë qarkullimin filloi,
Shqipëria jashtë, Shqipëria s’ndihet mirë.

Çelur bozhuret, mbi varret pa emër.
Nënat, monument i pavdekësisë.
Ju shterr gjaku, gjoksit vetëm zemër,
Zemrën Kosovës, gjakun borxh lirisë.

Vrejtur Kaçaniku, Isa bën apel.
Armët në muze, brezit një allti.
Në histori, arma hyn dhe del,
Kthehet nga lufta, në brez vjen dhe rri.

S’largon Adem Jashari, legjendë, jo përrallë.
S’e thinji koha, s’e plak historia.
E brishte liria, me vdekjen ballë për ballë.
Vyshken brezat, por jo liria!
fq.126

Kosova - poezi e Dalan Luzajt
Kosova – poezi e Dalan Luzajt

Dedikim

Të ndiej kur shpërthen në vetvete.
Kaq peshë, brenda si e mban?
Asnjëherë trup dhe shpirt nuk fjete,
Lule, shqetësime, llohë në tramundanë.

Mes detit ndodhet çdo njeri.
Ka dallgë, furtunë, s’është e lehtë.
Por deti ka edhe qetësi.
Paq, s’ka patur dhe s’do të ketë.

Nëse vjen pak dritë, që na ngroh,
Mos e ul perden, errësira është faj.
Dorë e zgjatur është urë, ndaj dërgo,
Një copë diell, që shpirtit tënd i ngjan.

Patëm fat, dy shekuj si askush,
Prej të dyve, gjer në palcë zhgënjyer.
Nga rreshjet lumi prerë, u mbush.
Gati shpirti është për t’na i shqyer.

Për Njeriun

Ka ngricë jashtë, edhe në shpirt.
Të shkrijë, do kohë, jo një pranverë.
Mbi çdo errësirë ku bie dritë,
S’pranohet shpejt asnjeherë.

Do të dhuroj një lule fjale,
E vetmja, s’vyshket asnjë stinë.
Mirëmëngjesin, si gonxhe fale,
Ç’dorë do çeli rradhë do vijë.

U dashka vjeshta për të rënë
Ashtu si prilli për t’u rritur.
Çdo ditë pa ardhur, s’të kam lënë,
Herë unë, hereë zemra ka trokitur.

I thyen  largësitë veç rrahje e zemrës
Pas thyerjes qasen, bëhen një.
Vyrtyt është shpirti i femrës,
Malli si shpend, bën krahë veç për Atë.

Errësirë e gjatë, pëlqen pak
Pesqind vjet në errësirë.
Afroma kandilin se jemi larg.
Të shoh lirinë, se s’jam i lirë.
fq.171

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.