back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mendoj se Amerika po e ban punë e Zotit!! – nga Lek Pervizi – Editorial nr. 165 i revistës “Kuqezi”

Gazeta

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – (pikt. e Leonard Pervizi)

Mendoj se Amerika po e ban punë e Zotit!!

nga Lek Pervizi – Editorial nr. 165 i revistës “Kuqezi”

Me këtë editorial ne, si asnjëherë tjetër, jemi të kushtëzuem që të trajtojmë ngjarjet e fundit në Shqipni, të paprituna e shumë befasuese. Fakti asht se ne nuk e kemi gjykue të arsyeshme të ndërhyjmë, jo vetëm në mënyrë direkte me kritika ose vërejtje, por as me komente. Pse? Për vetë faktin se ne, një pjesë e mirë e të përndjekunve politikë, ishim jashtë loje ose, ma mirë, u përjashtuem, u refuzuem e u ndaluem të marrim pjesë në politikën shqiptare.
Pse do të thoni?
Kuptohet fare qartë se politikën shqiptare nuk mund ta banim bashkë me po ata komunistë që kishin qenë pjesë e pandame e diktaturës komuniste e që kishin livadhisë në atë sistem. Qoftë me detyra shtetnore ose si militantë të zjarrtë të partisë komuniste sunduese. Tashti pse shtyhemi të ndërhyjmë, si komentues ne këtë situatë që u krijue ditët e fundit? Kjo kuptohet fort lehtë. Erdhi momenti që u mbush kupa, në shkallë të lartë durimi, e plasi bomba, që çoroditi shqiptarët. Departamenti i Shtetit Amerikan me anë të ministrit të jashtëm Antony Blinken, shpall “non grata”, ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha me gjithë familjen e tij. Sigurisht se kjo çuditi jo vetëm shqiptarët, por dhe më gjerë. S’do mend se si shqiptarë na vjen keq që një bashkëkombas i ynë të shpallet i padëshirueshëm në SHBA. Por nga ana tjetër, nuk mund të qortojmë shtetin amerikan për këtë punë. Sepse një arsye ose disa arsye e kanë shty që të mbajë qëndrimin ndaj disa politikanëve shqiptarë, që kanë shkelë disa parime themelore te demokracisë, duke e shpallë vetën demokratë, ne krye të demokracisë e të shtetit shqiptar postkomunist e duke ruejtë po ato huqe të atij sistemi. Këtu mbështillet çeshtja, për ata që kuptojnë dhe ata që duen të kuptojnë, por që mbetën të paqartë, e kërkojnë prova bindëse. Po pse institucionet e shtetit amerikan prej 300 milionë banorësh, aq të paditura na qenkan që të lëshojne deklarata të pathemelta? Me një shërbim sekret që, në rastin tonë di edhe çfarë vlon në tenxheren e çdo shqiptari, e në kokën e në qesen çdo politikani shqiptar. Cilat janë akuzat që i bahen dhe e randojnë ish-Presidentin e ish-Kryeministrin e Shqipërisë? Amerika thotë: Korrupsioni! Si doli që nga ky njeri nga familje baritore, pa pasuri e pa prona, të na bahet aq i pasun, ose ma mirë të themi, si u banë milionerë fëmijët e tij nga hiçi? Nga dolën këto miliona, në mos miliarda dollarë, nga një pasuni e paqenë të tyne? Me thanë të drejtën, këtë e ka ditë dhe e di çdo shqiptar, përveç disave, që e shikojnë çeshtjen nga ana emocionale dhe nga patriotizmi, pse të prekët ajo figurë shqiptari, që ka drejtue shtetin dhe qeverinë për dekada. Pra, një solidaritet, i lavdërueshëm, por që mbetet vetëm solidaritet. Kjo derisa të mbyllet çeshtja, ose në favor ose kundër tij.
.
Revista Kuqezi - Nr.165 - Viti XXVIII
Revista Kuqezi – Nr.165 – Viti XXVIII
Pse Amerika ndërhyn kaq me vonesë, e kaq rreptë, e cila mund ta ngrinte çështjen ma përpara, për të mos lejue kalimin në veprime të rrezikshme, qoftë për korrupsion ose edhe për veprime të përdorimit të forcës shtypëse, që shkaktonin viktima e shkatërrime. Pra, nga rrethana që dihen, dhe nga të tjera që nuk dihen, u krijue një lamsh ose nyje gorgonike, të cilën, Amerika, duke mos i gjetë zgjdhje, i bie me shpatë si Aleksandri i Madh. Pra gjendesh pikërisht para një nyje të pazgjdhshme nga dora e njeriut, dhe amerikanët adaptuen gjestin e Aleksandrit, shpatën për ta zgjidh atë lamsh. Tash mbetet për të dijtë se çfarë fshihej në atë nyje. Si ishte lidhë e pse ishte lidhë. Sigurisht se kjo masë e tronditi vetë ish-Presidentin shqiptar e familjen e tij, si dhe Partinë Demokratike, si dhe gjithë shqiptarët që i kishin dhanë besimin e tyne e ishin ba mbështetësit e tij. Asht e logjikshme që ai ta kundërshtojë këtë vendim, dhe të mbrojë veten e personalitetin e tij. Po si? Gjyq, me avokatin ma të shquem të Francës, ku dikush pyeti, ku i merr paret për ta pague, aq i shtrenjtë asht avokati i zgjedhun? Dikush tjetër tha, ma mirë ta kishte lanë atë punë në heshtje, me nje deklaratë ose ndërhyrje direkte te Blinken, duke i kërkue një sqarim. Dikush tjetër u shpreh se po përsëritet përralla e Ezopit: ajo e bretkocës me buellin. Një tjetër, avokat i njohun, tha se vetëm për hapjen e atij gjyqi lipsen një milion dollarë. Ngjarja ka marrë përpjestime e ragime të mëdha në Shqipni, pro e kundër. Në rastin final e konkret, në këtë mes, çeshtja qëndron që e gjitha bie mbi kurriz të përndjekurve, që u skartuen dhe u mohuen nga jeta politike mbas shembjes së diktaturës. E gjitha kjo lojë vazhdon të luhet mbi kurrizin e tyne. Një luftë klasore e nëndheshme ose nën rrogoz zbatohet ndaj tyne, në forma të stërhollueme. Partia Demokratike, që gjoja i përfaqëson, as e luejti, as e luen qimen e flokut për ta, i mban me llafe e premtime boshe sa për t’u marrë votat. Po socialistët? Ato s’tunden fare, mbajnë linjën e tyne, dhe sipas gjasës, si po shkojnë punët, jo vetëm të tretin, por do e marrin dhe mandatin e katërt. Si ndodhi kështu? Po e thamë pra, pushteti nga diktatura komuniste kaloj në prehnin e komunistëve, dhe pasojat patjetër se do të ishin këto që ndodhen. Por tani themi se Zoti si duket ka vu dorë që “haka të shkojë tek i zoti”. Themi se Amerika po e ban punë e Zotit! Jemi të lodhun, jo vetëm nga pesha e vjetëve, por edhe nga ngjarjet që përfshinë Shqipninë pas diktaturës, ku, në vend që të ecej drejt demokracisë e përparimit, me vlerësimin e njohjen e të drejtave të njeriut, personifikue tek të përndjekunit politikë, u ndoq rruga o burra kush e merr pushtetin, kush i përvetëson pronat e pronarëve dhe kush pasurohet ma shumë. Kështu që i përndjekuni, ish-pronar e i pasun, u katandis në fukara duke shtri dorën që, së paku, t’i kompensoheshin vitet e denimeve! Eh jo! I marrim ne pronat tueja, bashkë me kompensimin… pse mërziteni? A jemi a s’jemi vllazën, pra shqiptarë? T’i ndajmë hesapet. Ne përvetësojmë pronat e pasunitë e jueja, ju rrini rehat, nën hijen tonë. Në freski, ku nuk ju përvëlon ylli i kuq i komunizmit.
E mbyllim me thanien italiane, “Tutti i nodi vengono al petttine” Të gjitha nyjet ngecin te krëhëri. E si duket se rolin e krehërit po e kryen Amerika! Jemi dhe para një përgjigje tjetër nga ana e Amerikës, përsa i përket gjyqit që po i bahet Blinken në Francë, sikur ai veprim vjen prej tij. Pra, ky gjyq asht një sfidë që i bahet atij, e nëpërmjet atij Departamentittë Shtetit Amerikan, si t’ishte komuna e Roskovecit apo e Fushë-Kuqes. Dashje pa dashje, gjithë Shqipnia e gjithë shqiptarë, janë në pritje. Pezull, se si do të zhvillohen ngjarjet e çfarë pasojash mund të shkaktohen nga kjo ndërhyemje e papritun, por dhe jo aq e papritun në punët e shqiptarve. Asht ky sinjal apo një vendim i paracatuem me vu dorë mbi ngjarjet e ndryshme të këqija që ndodhen gjatë 30 vjetëve në të ashtuquejtun demokraci, që ndonëse nga ana sipërfaqësore duket se asht e zbatueme, nga ana e brendshme mbetet e dyshimtë dhe u shërben atyre që mbajnë pushtetin dhe të tjerëve që kërkojnë ta marrin; sipas thirrjes, ik ti që të vij unë! E kjo punë mjerisht do të vazhdojë, siç po duket qartë me konfirmimin në krye të PD të Lulëzim Bashës, i vendosun të luftojë deri në fund, sipas shprehjes latine: “Mors tua, vita mea”.
Kjo e gjitha!
 .
Editorial nr. 165 i revistës “Kuqezi”
 .

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.