back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Melodija e vdekjes nga Lazër Radi (1937)

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi

Melodija e vdekjes nga Lazër Radi

Shokut tim Polikron Niçe

…Dhe nji dritë e zbehtë kandili, – dritë e mistershme plot hije e ndriçonte at dhomën e errët… dhomë që kishte hijen e rëndë të një kthine të ndershme…
Në njenën anë mbi një shtrojë të zhelueme, rrinte e shtrime një plakë: Hija e trupit të sajë që reflektohej në murin e mykun – dukej si ndoj fantazmë… E plaka vetë dukej si një mumje e nxime… si një mumje mijvjeçare. Sytë e futun fellë-fellë dukeshin si dy zgavra të mëdha. Fytyrën e kishte të çame me nji plotni rrudhash, porsi rrudhat e shkambijve… Plaka e mjerë nuk mund të flitke. Ajo ishte krejt e dobësueme: vuajtjet e mjerimi e kishin molisë… vetëm ndoj herë, me gojë të shkumueme, mezi pëshpëriste:
-U thava bir… bir… bir i jem… Por… Ah! Bir…
I biri ishte kaq i vogël, fort i njomë, e ku të merrte i shkreti? Megjithatë, ai punonte diçka, herë shiste gazeta, herë ndoi send tjetër… e kështu e fitonte disi bukën e gojës për vedi e për nanën e vet të sëmurë…
– U thava… bir… bir i jem… një pikë ujë ndër buzë!
Përsëritej leitmotivi monoton i asaj nate të tmerrshme… Motoja përsëritej ndërsa zemra e fëmijës shtypej… ajo zemër e njomë shtypej njashtu si hekuri i kuqun shtypet nën çekiçin e randë të farktarit…
E pse? Pse gjithë këto vuajtje e ky mjerim? Ai fëmi asht “i papërlyem” atëherë pse të dënohet mbasi asht i pafajshëm? Ah! Ky asht rendi i Jetës! A thue mund të quhet enigmë? Po ashtu nji enigmë që mund të zgjidhet… Nji fëmi… kaq i ri të ket marrë pjesë në vallen makabre të mjerimit?…
– U thava… bir… bir i jem… Po digjem për nji pikë ujë!
Ha – ha! Tash zotnonte “urija” e jo ma të ftohtit. E shkreta nanë kishte nevojë për me lag gojën me ndoj send…
Por… gjithçkafja mungonte.
N’errësirën e asaj nate të kobshme ndigjohej vërshëllima e përmortshme e erës… Larg… andej kah veriu… në at largësi të mistershme e t’akullt çohej era, e mandej me fërfullaza të tërbueme e me ulërime të hatashme përplasej me furi nëpër muret e kashtërt t’asaj kasolles së mjerë:
…e djali i vogël s’kishte ardhë ende në shtëpi… Pritte nana e mjerë, – pritte më padurim birin e saj edhe ma të mjerë… por minutat e orët kalojshin e fëmija s’dukej kurrkund.
Gjithë atë mbasdite askush nuk e vizitoi të smunën e varfër. E kush të vinte. Ato shtatë-tetë shtëpi përreth nuk ishin kasolle por ndërtesa të bukura dykatëshe. Palacinat ishin ma të bukura se sa kasollet e kashtës… Po mjeku? Ah! Ai, nuk mund të shkonte në kambë në periferi të qytetit… duhet karroca… duhet pagesa e vizitës… e duhen çizme me mundë baltovinën e atyne rrugicave ku qerret formonin gjurmat e kalimit… Duhen të gjitha ato manifestime, kurse e sëmuna e mjerë nuk ka një pikë qumësht për me lagë gojën… E atëherë…?
Tekemramja dera u hap. Nana e shkretë u gëzua pa masë kur e pa të birin e vet… Por, gëzimi kje shumë i shkurtë sepse fytyra ekspresive e fëmis nuk diftonte as ma të voglin shenj gëzimi: Ah! Çfarë shenje gëzimi? Ai ishte krejt i lagun. Zhelet që e mbulojshin ishin ndye me baltë… ishin të ndyeme porsi vula e shëmtueme e mjerimit… flokët krejtësisht të shprishun e duke u dridhë si ampra iu afrua te shtrati i sëmunës.
Asaj, po, asaj, donte me i diftue gjithçka,- por mezi po thonte “nanë” dhe mandej ia niste vajit. Fëmijës së shkreët i shkojshin lott rrëke. Padyshim, sikur lumnija në kët jetë t’u blente me lot, ai fëmi i vogël e i pafajshëm, do t’ishte ma i lumtuni ndër gjith fëmijët e botës.
Djali i shkretë s’donte me i diftue nanës së vet se ç’i kishte ngja, pse druente mos ia keqsonte gjendjen. Pra, vendosi me heshtë…
Fjalët pushuen e lott i shkojshin rrëke. Dy zemra thellësisht të pikëllueme notojshin nëpër tallaze lotësh… Dy zemra, njena e vjetër e tjetra shumë e re…
Zani i dobët i plakës e theu heshtjen…
– Fol bir, kallxoi nanë-lokes s’ate shkakun e kësaj mërzitje të përvajshme!
– Nanë, – e vaji i shkonte me shkulma. Tue kja i diftoi se sa keq i kishte shkue dita, – se si ishte rrëzue dhe i kishte prishë gazetat. Zotnija tue e dëbue i kish thanë:
“Mos t’i shof ma sytë”
– Ky asht, o nanë, fitimi i jem i sotshëm… e nisi me kja përsëri.
– Bir… i tha nana… e sytë me zemërim i drejtoi ka qielli, porsi nji gjaksore me grushta të mbledhun si të donte me e shkye shkakun e atij mjerimi: Bir, s’po më vjen keq se po vdes, por po m’vjen keq se po të la ty të ri… Po të la fort të vogël… e të vorfën. Ah! Dhe e kapi, e përqafoi dhimbshëm dhe e puthi disa herë rresht… mandej – melodija e vdekjes pikoi me heshtje të helmueme mbi trupin e saj të lodhun…
Mjerimi or vlla mjerimi… Nanë ma mirë do të bajshe sikur të mos lindshe at fëmi, at bir vuajtjesh e mjerimi. Nana vuajti shum sa kje gjallë dhe vdiq ma në fund… As fjalët: “Në trupin e undshëm mshifet fytyra hyjnore” nuk ia lehtsuen barrën e randë të jetës.

(Shtypi, 19 tetor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.