Melodija e vdekjes nga Lazër Radi (1937)

Lazër Radi

Lazër Radi

Melodija e vdekjes nga Lazër Radi

Shokut tim Polikron Niçe

…Dhe nji dritë e zbehtë kandili, – dritë e mistershme plot hije e ndriçonte at dhomën e errët… dhomë që kishte hijen e rëndë të një kthine të ndershme…
Në njenën anë mbi një shtrojë të zhelueme, rrinte e shtrime një plakë: Hija e trupit të sajë që reflektohej në murin e mykun – dukej si ndoj fantazmë… E plaka vetë dukej si një mumje e nxime… si një mumje mijvjeçare. Sytë e futun fellë-fellë dukeshin si dy zgavra të mëdha. Fytyrën e kishte të çame me nji plotni rrudhash, porsi rrudhat e shkambijve… Plaka e mjerë nuk mund të flitke. Ajo ishte krejt e dobësueme: vuajtjet e mjerimi e kishin molisë… vetëm ndoj herë, me gojë të shkumueme, mezi pëshpëriste:
-U thava bir… bir… bir i jem… Por… Ah! Bir…
I biri ishte kaq i vogël, fort i njomë, e ku të merrte i shkreti? Megjithatë, ai punonte diçka, herë shiste gazeta, herë ndoi send tjetër… e kështu e fitonte disi bukën e gojës për vedi e për nanën e vet të sëmurë…
- U thava… bir… bir i jem… një pikë ujë ndër buzë!
Përsëritej leitmotivi monoton i asaj nate të tmerrshme… Motoja përsëritej ndërsa zemra e fëmijës shtypej… ajo zemër e njomë shtypej njashtu si hekuri i kuqun shtypet nën çekiçin e randë të farktarit…
E pse? Pse gjithë këto vuajtje e ky mjerim? Ai fëmi asht “i papërlyem” atëherë pse të dënohet mbasi asht i pafajshëm? Ah! Ky asht rendi i Jetës! A thue mund të quhet enigmë? Po ashtu nji enigmë që mund të zgjidhet… Nji fëmi… kaq i ri të ket marrë pjesë në vallen makabre të mjerimit?…
- U thava… bir… bir i jem… Po digjem për nji pikë ujë!
Ha – ha! Tash zotnonte “urija” e jo ma të ftohtit. E shkreta nanë kishte nevojë për me lag gojën me ndoj send…
Por… gjithçkafja mungonte.
N’errësirën e asaj nate të kobshme ndigjohej vërshëllima e përmortshme e erës… Larg… andej kah veriu… në at largësi të mistershme e t’akullt çohej era, e mandej me fërfullaza të tërbueme e me ulërime të hatashme përplasej me furi nëpër muret e kashtërt t’asaj kasolles së mjerë:
…e djali i vogël s’kishte ardhë ende në shtëpi… Pritte nana e mjerë, – pritte më padurim birin e saj edhe ma të mjerë… por minutat e orët kalojshin e fëmija s’dukej kurrkund.
Gjithë atë mbasdite askush nuk e vizitoi të smunën e varfër. E kush të vinte. Ato shtatë-tetë shtëpi përreth nuk ishin kasolle por ndërtesa të bukura dykatëshe. Palacinat ishin ma të bukura se sa kasollet e kashtës… Po mjeku? Ah! Ai, nuk mund të shkonte në kambë në periferi të qytetit… duhet karroca… duhet pagesa e vizitës… e duhen çizme me mundë baltovinën e atyne rrugicave ku qerret formonin gjurmat e kalimit… Duhen të gjitha ato manifestime, kurse e sëmuna e mjerë nuk ka një pikë qumësht për me lagë gojën… E atëherë…?
Tekemramja dera u hap. Nana e shkretë u gëzua pa masë kur e pa të birin e vet… Por, gëzimi kje shumë i shkurtë sepse fytyra ekspresive e fëmis nuk diftonte as ma të voglin shenj gëzimi: Ah! Çfarë shenje gëzimi? Ai ishte krejt i lagun. Zhelet që e mbulojshin ishin ndye me baltë… ishin të ndyeme porsi vula e shëmtueme e mjerimit… flokët krejtësisht të shprishun e duke u dridhë si ampra iu afrua te shtrati i sëmunës.
Asaj, po, asaj, donte me i diftue gjithçka,- por mezi po thonte “nanë” dhe mandej ia niste vajit. Fëmijës së shkreët i shkojshin lott rrëke. Padyshim, sikur lumnija në kët jetë t’u blente me lot, ai fëmi i vogël e i pafajshëm, do t’ishte ma i lumtuni ndër gjith fëmijët e botës.
Djali i shkretë s’donte me i diftue nanës së vet se ç’i kishte ngja, pse druente mos ia keqsonte gjendjen. Pra, vendosi me heshtë…
Fjalët pushuen e lott i shkojshin rrëke. Dy zemra thellësisht të pikëllueme notojshin nëpër tallaze lotësh… Dy zemra, njena e vjetër e tjetra shumë e re…
Zani i dobët i plakës e theu heshtjen…
- Fol bir, kallxoi nanë-lokes s’ate shkakun e kësaj mërzitje të përvajshme!
- Nanë, – e vaji i shkonte me shkulma. Tue kja i diftoi se sa keq i kishte shkue dita, – se si ishte rrëzue dhe i kishte prishë gazetat. Zotnija tue e dëbue i kish thanë:
“Mos t’i shof ma sytë”
- Ky asht, o nanë, fitimi i jem i sotshëm… e nisi me kja përsëri.
- Bir… i tha nana… e sytë me zemërim i drejtoi ka qielli, porsi nji gjaksore me grushta të mbledhun si të donte me e shkye shkakun e atij mjerimi: Bir, s’po më vjen keq se po vdes, por po m’vjen keq se po të la ty të ri… Po të la fort të vogël… e të vorfën. Ah! Dhe e kapi, e përqafoi dhimbshëm dhe e puthi disa herë rresht… mandej – melodija e vdekjes pikoi me heshtje të helmueme mbi trupin e saj të lodhun…
Mjerimi or vlla mjerimi… Nanë ma mirë do të bajshe sikur të mos lindshe at fëmi, at bir vuajtjesh e mjerimi. Nana vuajti shum sa kje gjallë dhe vdiq ma në fund… As fjalët: “Në trupin e undshëm mshifet fytyra hyjnore” nuk ia lehtsuen barrën e randë të jetës.

(Shtypi, 19 tetor 1937)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj 1935-1939  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook