back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Më shumë se e lexova, e jetova kët libër…” – nga Juela Sulka – Dy fjalë për “Mjegullnaja e nji kohe të largët”, i Lazër Radit

Gazeta

Lazër Radi - Mjegullnaja e nji kohe të largët - Kopertina
Lazër Radi – Mjegullnaja e nji kohe të largët – Kopertina

“Më shumë se e lexova, e jetova kët libër…”

nga Juela Sulka

Dy fjalë për “Mjegullnaja e nji kohe të largët”, i Lazër Radit

Unë nuk jam kritike letrare,
as i jap vetes nota që s’i meritoj.
Ky është thjesht, recension i një lexuese të thjeshtë. j. s.
 .
Juela Sulka
Juela Sulka
 Ka libra që i merr në dorë dhe kërkon që me një frymë t’i mbarosh, e t’u dalësh në fund. Ata e tërheqin dhe e përpijnë kuriozitetin tënd. Kjo ka qenë pak a shumë mënyra ime e të lexuarit.
Kur mora në dorë këtë libër të Lazër Radit, nuk e dija çfarë do të gjeja. Mbi autorin dhe copëza të shkrimeve të tij kisha lexuar. Nuk e mohoj injorancën time, e kam njohur shumë vonë. Ashtu siç jam e bindur, që evidentoj edhe injorancën e shumë të tjerëve edhe sot. Kjo, sepse deri dje nuk bënte pjesë në atë listën e autorëve të përzgjedhur e të pompuar prej regjimit… por edhe më vonë, amullia e krijuar nuk ndihmonte në evidentimin e figurave qe meritojnë vemendje. Kam dyshime se po të mos ishte puna e madhe të tëe birit, Jozefit, nuk do kishte studjues apo akademikë që do ta sillnin në vëmendjen tonë kët autor.
Po kthehem tek libri.
Ajo qe më ndodhi me këtë libër nuk më kishte ndodhur kurrë, me asnjë libër tjetër. Këtu qëndron edhe e veçanta për mua, që më nxiti t’i shkruaj modestisht këta rreshta.
Nuk e lexova me një frymë. Sikur kisha frikë ta mbaroja, ta mbyllja… Lexoja 80 faqe njëherësh dhe e lija të hapur. Mbaroja ndonjë punë dhe e filloja prap. Mbaronin disa episode dhe e vija prap mënjanë. Një libër që jo thjesht e lexova, por e jetova. Përshkrim kaq i detajuar i çdo lloj emocioni, i çdo vendi, i çdo aspekti fizik të Prizrenit; trajtimi i realitetit kohor dhe historik të trasporton në kohë, ndër ato vise dhe me ata njerëz që nuk janë personazhe fantazie.
Unë s’e kam parë kurrë as Lumbardhën as Bylbylderen, por arrita t’i fotografoj me mendjen time. E ndieja muzikën e bylbylave në veshë dhe rrënqethesha nga misteri i pyllit. E dëgjoja gurgullimën lumit që zhurmonte ndër gurë. Lexoja Marashin dhe e mblidhja batanijen rreth vetes. Skalita nëe mendje rrudhat dhe personalitetin e At Shtjefën Gjeçovit; dëgjoja tingujt e lahutës dhe zërin melodioz të Bacës Prend. E përplasja shpirtin në ato momente të vështira të historisë së një populli. Shetisja sokakëve të Prizrenit që e theksoj kurrë s’i kam parë, takova njerëz që kurrë s’i kam njohur.
Lexova një libër që pata frikë ta mbaroja! Në një gegnishte të ëmbël, në një gjuhë shqipe të shkruar bukur, në një artikulim letrar të denjë për analiza më të thella letrare.
29 nëntor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.