back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Me shkrue të vërtetën nuk asht kurrë vonë… Frida Sadedini (1914 – 2004) nga Fritz Radovani

Gazeta

Frida Sadedini (1914-2004)
Frida Sadedini (1914-2004)

Me shkrue të vërtetën nuk asht kurrë vonë…

Frida Sadedini (1914 – 2004)

nga Fritz Radovani

Çdo dosje e nji të burgosuni politik asht nji libër antikomunist!

Proces – verbal
Sot me 17 Maji 1949 merret në pyetje e pandehura Frida Sadedini, e cila deklaron:
Quhem Frida Sadedini e bija e Ahmetit, gjallë (ndodhet në burg) dhe e Martha Dodës në burg e dënueme me dhjetë vjet, jam e datlindjes 1914, lindur në Shkodër, banuese qysh nga 1922 në Tiranë, e pamartueme, e padënueme, me arsim të mesëm (5 klasë gjimnaz). Ma përpara nuk jam marrë me ndonji punë, vetëm tani 2 vitet e fundit kam shërbye si shërbëtore pranë konsullit Francës Giz, dhe tani së fundi pranë Domeng. Baba ka ushtruar profesionin doktor, nana nuk ka pas ushtrue ndonji profesion, shtresë e lartë.
Tri vjetët e para të shkollës fillore i kam ba në shtëpi, ku më jepte mësim nji mësuese gjermane privatisht, e cila quhej Ana, që mbiemni i saj nuk më kujtohet.
Në vjetin 1924, kam shkue në shkollë në Itali (Bari), ku kam ndejtë në kolegj nji vjet, me bursën e prindërve të mij. Mbas nji vjeti d.m.th. në vjetin 1925, kam emigrue në Itali me babën e me nanën pse ishin “opozitë” dhe ndiqeshin nga Zogu dhe në këtë kohë unë dal nga kolegja dhe vazhdova studimet jashtë, gjithnji në Bari në shkollën Regjina-Elena. Në vitin 1926, largohem me nanën nga Bari për në Romë, ku unë vazhdova mësimet në kolegj, internat murgeshash, e cila quhej Dorote. Nga Bari u larguem mbasi midis nanës dhe babës kishte dizarmoni, kështu që nana dhe unë u larguem tue lanë baben në Bari. Mbas ardhjes në Romë nana bani demarsh dhe aty nga vitët 1937-1938, kthehet në Shqipni, tue më lanë mue në Itali (Romë).
Aty nga viti 1927 ose 1928, jam kthye nga Italia per vakanca, pastaj jam kthye persëri në Itali, ku kam vazhdue mësimet në kolegjë deri në vitin 1929, në këte kohë kam ardhë per vakanca në Shqipni, ku sëmuhem (paratifo) etj. dhe simbas këshillave të doktorëve që thojshin per mue se duhet ndrrue klima (të largohem nga Italia), nana vendosë dhe më largon nga Italia në vitin 1929 dhe më dërgon me vazhdue mësimet në Vienë (Austri).
Në Itali pata vazhdue mësimet deri në të dytën gjimnaz. Në Vienë hyna në kolegj që quhej Dame – Disian, në këte shkollë përdorej edhe gjuha frëngjisht mbasi aty kishte murgesha franceze dhe për mue kjo ishte nji lehtësi mbasi unë e dijshe frëngjishten. Më duket se gjatë shkollës, unë vazhdojshe shkollën në Vienë, nana merrte bursë për mue. Vjetin e parë kam mësue gjuhën. Kam qëndrue në Vienë në shkollë deri në vjetin 1934, në këtë kohë kthehem në Shqipëri për gjithnji dhe nuk kam vazhdue ma asnji shkollë.
Në shkollë kishe dëshirë dhe kam mësue ma teper letraturë – gjuhë.
Si gjuhë të huaja flas dhe shkruaj mirë italishten e gjermanishten. Dij gjithashtu të flas mirë dhe të shkruaj (me gabime) frëngjisht. Frëngjishten e kam mësue në familje mbasi baba e nana flitshin në shtëpi gjithnji frëngjisht mbasi baba nuk e dinte shqipen.
Nga vjeti 1934, që u ktheva nga Austria kam qendrue vazhdimisht me banim në Tiranë. Përafërsisht nga viti 1937 kam shkue në Austri për qejf tek shoqet e mija të shkollës, ku kam qëndrue afër nji muej. Në Itali kam shkuar dy herë, herën e parë aty nga vjeti 1938, shkova me marrë nanën e cila ishte sëmurë dhe heren e dytë, në vjetin 1939, se italianët na kishin në sy të keq me qëllim që të largohemi nga Shqipëria. Kemi qëndrue në Romë nga muej Mars deri në Korrik 1939, dhe jemi kthyer përsëri në Shqipëri. Në vjetin 1942 kemi dashtë të shkojmë edhe njiherë në Itali, mbasi ishte nana e sëmurë, por u penguem nga policia italiane.
Sa sipër janë të vërteta dhe i firmoj.
E Pandehura: (Frida Sadedini) firma Hetuesi: Toger (Esat Mani) firma.

Gjyqet Komuniste me Koci Xoxen ne balle...
Gjyqet Komuniste me Koci Xoxen ne balle…

18 Maji 1949;
Hetimet vazhdojnë… deri në muejn Korrik 1950… 15 muej Hetuesi!!

Frida Sadedini deklaron:
Gjatë luftës nuk kam ba pjesë n’asnji Parti as organizatë politike. Këtu në Tiranë rrethi jem shoqnor dhe që unë kam shoqni ose miqësi me ta janë:
Familja Fuat Toptanit, Tirana me të bijen Dylfiqare, mesa Sanije… Me të bijat e Pjetër Bumçit: Çilen, Albina e Elda… Me Bibika Vilën në Romë… Me familjen e Gjon Bonattit, të bijën Xita, të bijtë Nikollën dhe Alfredin… Me Agostin Bonattin dhe gruen Gjyljana… Me Ganimet Toptanin (e arrestueme)… Semiha e Hyqmete Toptanin. Zef Guraziun… Me Luçije e Angjela që banin flokët ondulacion… Nuk ua dij mbiemnin… Luçia asht në burg.
Llesh Ndojin nga Mirdita me djalin Gegën… Vinte tek na Skënder Shkupi… Njoh në Shkodër Sandër, Patrik e Tonin Saraçin… Ida Melgushin… Aurel e Alfred Ashikun… Këta i njoh qysh fëmijë… Luçije dhe Ana Kola që vinin nga Shkodra. Kam në burg kushrij Dod Bardhokun dhe Luigjin… Kam njohë disa nga antarët e misionit anglez në Tiranë… Jacobs, shefin e misionit amerikan… Majorin e misionit Francez Visdorf… Mbasi iku misioni erdhi Legata franceze… Pico dhe Henri Giz. Këto i njoh që në Shkodër në vitin 1921… Aty kam njoftë edhe daktilografisten Shufie, Chartie që ka ardhë tashti në 1949… kur unë ishe sherbtore në Ambasadë. Aty, nga Giz mësova për arrestimin e Riza Danit dhe Dan Hasanit në Shkodër… Kam njoftë edhe Padër Gjadrin, Padër Mëshkallen dhe Guljelm Lukën… Nga Preng Previzi ka ardhë një kartolinë, ku kuptohej se asht në Greqi.
Kam njoh edhe Rrok Obotin… Po me këta njerzë nuk kam pasë asnjë lidhje…

***
Ministria e P. Mbrendshme
Drejtoria e Sigurimit Shtetit
– Dega e VII- të –
Tiranë, 17 Qershor 1949.
Mbas një shkrese nga kapiten Skënder Vinçani… përpilohet:

Akt-Akuza:
Me 3 Janar 1950, i ka sjellë kësaj Gjykatë Proces Verbalet e mbajtura nga ana e Sigurimit të Shtetit kundër: Agostin Bonattit… Frida Sadedinit…. etj… Tiranë 6 Janar 1950…
Gjyqi u formue prej: Kap. I Mustafa Iljazi Kryetar; Kap. I Shaban Hoxha Antar, Aspirant Hilmi Haxhija Antar; Ndihmes Prokuror Ushtarak Kap. II Hilmi Telegrafi, sekretar marshall Et’hem Guda… Gjyqi u caktue me 7 Janar 1950. Mbasi u sollën të burgosurit nga burgu, u caktuan avokatet e mbrojtjes kapitenët Gaqo Stefa dhe Vangjel Gjomeka…
U muar në pyetje Frida Sadedini: Unë nuk dij gja për pushtetin, mirë kam rrojtur përpara dhe mirë po rroj tashti… Konsullit dhe të tjerëve u kam bërë nga nji çaj… Nuk më kujtohet që të kemi bisedue gja per Preng Pervizin, letrat i kanë ardhur konsullit, jo mue.
Francezët me mue nuk kanë bisedue kurr për shqiptarë… Ajo nuk pranon asnjë akuzë politike dhe se asht qenë në shërbim të spiunazhit francez…

Vendim: “N’emën të Popullit”

Gjykata Ushtarake e Tiranës e formuar prej:
Kapiten I – Mustafa Iljazi, Kryetar, Kapiten I – Shaban Rexha, Anëtar; N/Toger Veli Lilaj, Anëtar. Nd. Prokurori i Ushtrisë Popullore Kap I – Hilmi Telegrafi dhe sekretar Reshter Nestan Ceka, sot me datën 6 Korrik 1950 dha këte
Vendim: Në padinë penale të regjistruar nr. 117 Radhorit Themeltar të vitit 1950…:
1.Agostin Bonati, 2.Skender Konica, 3.Skender Shkupi, 4.Frida Sadedini, 5.Adem Pilku, 6.Guljelm Rasku, 7.Simon Rasku, 8.Gjon Çefa, 9.Pader Paskal Gjadri, 10.Luçia Kola, 11.Gjysh Shkreli, 12.Elena Beçi, 13.Isuf Vrioni, 14.Kosta Meksi, 15.Rakip Strazimiri, 16.Lush Pogu, 17.Agop Kahanexhian, të arrestuar 1949…
Në përfundim të gjykimit me dyer të mbyllura, asistuan Kap.I Vangjel Gjomeka dhe Kap.II Gaqo Stefo (Avokatë të Ministrisë së Mbrendshme)… Prokurori Kap. II Hilmi Telegrafi kerkon: Per të pandehurën Frida Sadedini 20 vjet privim lirie e punë të detyruar. Humbjen e të drejtave civile për 5 vjet. E pandehura Frida nuk ka ba rekurs fare dhe nuk ka paraqitë asnjë kerkesë. Në fjalën e fundit e pandehura Frida Sadedini tha: Nuk kam qenë agjente në Legatën franceze. Kërkoj mëshirë. Tiranë, 23 Qershor 1950.
Simbas nenit 3 dhe nr. 10 të ligjit 372, datë 12/12/1946 i deklaron fajtorë të gjithë të pandehurit per fajin e spijunazhit. Me anën e këtyre agjentave misionet e huaja kanë mundur të mësojnë të gjitha sekretet e shtetit shqiptar…

***
Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Lartë Ushtarake

Nr. 233 Regj. Themel.  Nr. 161 i Vendimit.
Data 29 Korrik 1950.
N’Emër të Popullit
Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar në Këshillë prej:
Kapiten I – Vangjel Kocanit Kryetar;
Kapiten I – Nonda Papuli Antar; Kapiten II – Hidaji Lagji Antar;
Duke qenë t’asistuar Sekretar Reshter Kasem Murataj, dhe Nd. Prokurori Kapiten I – Hilmi Telegrafi, me datën 29 Korrik 1950, shpall këtë Vendim:
Frida Sadedini dënohet me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për 5 vjet humbjen e të drejtave civile elektorale. Konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të paluajtëshme per të gjithë të dënuarit. U shpall me 8 Korrik 1950. (Vetëm firmat)
Gjykata shënon: Së bashku me të dënuarit e sipërm edhe e dënuara Frida Sadedini, bij e Ahmetit e Martha Dodës, Arrestuar me 17 Maji 1949, porse kjo nuk ka paraqitur rekurs ankimi. Vendimi i Gjykatës së Faktit nuk paraqet ndonji të metë ligjore, prandaj Vendosi:
Ky vendim është i formës së prerë. Tiranë 29 Korrik 1950. (Vetëm firmat)
Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake: Pasi dëgjoi referatin e Kap. I Vangjel Kocanit,
dhe pasi bisedoi gjerësisht çështjen, ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë.

***
Nga viti 1949 znj. Frida Sadedini, vazhdoi me kenë e burgosun… E interrnueme… Prap e burgosun, e torturueme dhe gjithnjë e dënueme po, por edhe e diskriminueme per ma shumë se 45 vjetë, mbasi Frida Sadedini vazhdoi me kenë e dëbueme edhe mbas 1992.
Martha, ama e Fridës ishte mbesa e Preng Pashës, kështu që lidhej me Markagjonët dhe Fisin Pervizi. Edhe kjo lidhje ishte shkak burgosje dhe interrnimi i Frida Sadedinit.
Ajo ishte një simbol i qëndrueshmënisë së pathyeshme ndër hetuesitë sllavokomuniste të shtetit terrorist të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, dhe organeve të tyne të diktaturës.
Këte Ajo e tregoi edhe në Prill të 1968, kur Frida e shoqnueme me polici u pat sjellë edhe në Shkodër, kur po zhvillohej në Kishën e Motrave Stigmatine gjyqi i montuem nga Sigurimi për Klerikët Katolikë të Tiranës ku, Frida mohoi të gjitha akuzat e shpifjet…
Ishte hera e parë që njoha një Shqiptare të Maleve Heroike të Mirditës!
Ndoshta edhe një film për Të, sot asht i pabesuëshëm nga Rinia Shqiptare!
Në vitin 1992 e njoha zj. Frida Sadedini në Shkodër, në Shtëpinë e Markagjonëve ku, me 2004 ka mbyllë edhe sytë bashkë me rrugën e pafund të nji Kalvari të pashoq!
Jo heshtje, Shqiptarë!
Figurat e Nanave dhe Motrave Shqiptare që vuejtën dhe u diskriminuen si pak gra e vajza të vendeve komuniste, në Shqipninë e Donika Kastriotit…
Nuk duhet t’i mbulojmë me pluhun turpi…
Ato ishin e mbeten Heroina të Nderueme të Popullit Shqiptar!
Dosja e sejciles prej Tyne asht nji Libër Antikomunist në vete!
Melbourne, Qershor 2015.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.