Me kohë… poezi nga Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges (i Vjetri dhe i Riu)

Jorge Luis Borges (i Vjetri dhe i Riu)

Me kohë…

poezi nga Jorge Luis Borges

 
Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue në shtrat,
dhe shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
e kështu çdonjeni prej nesh fillon me mësue…
se puthjet s’janë aspak kontrata
as dhuratat s’janë aspak premtime
dhe kushdo nis me i pranue humbjet e veta
me kryet nalt e sytë hapun mirë, dhe kushdo mëson me i ndërtue 
ma  mirë krejt shtigjet e veta të s’përditshmes,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
dhe të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
Me kohë kushdo mëson
n’se asht e tepërt edhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin,
në vend që me pritë prej ndokujt mos po i sjell lule.
e dikush mëson n’se mundesh me u mbajtë mbas dikujt
që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend
dhe se prej tij mund të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë do me thanë se herët
a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë
njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue,
mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër
nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej,
keni dashtë n’mënyrë të pashmangshme mos me e pa kurrë atë.
Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë nji gjà e rrallë
dhe kush s’lufton për ta, herët a vonë
ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.
Me kohë mësohet se fjalët e thana
n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue
dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.
Me kohë mësohet se me e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtnash të mdhenj.
Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun
me miqtë, nji ditë keni me u përlotë
për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt
ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.
Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon
o e përçmon nji krijesë njerëzore,
herët a vonë ka me pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror.
Me kohë mësohet krejt ndërtimi i shtigjeve të sotme,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.
Me kohë kuptohet se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, me i detyrue gjanat me ndodhë,
ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.
Me kohë ka me u marrë vesh se në t’vërtetë
ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë edhe n’kto vargje.
Me kohë, edhe pse ndoshta vedin ke me e pa të lumtun
me krejt ata që ju rrethojnë,
keni me e kuptue se kanë me të mungue tmerrësisht
njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.
Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje,
e me thanë të due e të dëshiroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se dishron të jeshë mik,
po kjo para nji vorri, s’ka me pasë asnji kuptim.
E, për fat të keq, veç me kohë…
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…
Po edhe sa kohë ka mbetë prej k’saj ndërdyshje?
Sa kohë duhet me pritë, që të jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?
 
Përktheu Jozef Radi, 2 maj 2017

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook