back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Me kan vu emnin e gjyshit tem… – nga Vladimir Yakovlev – Përshtati Arben Borshi

Gazeta

Diktatura Njishit
Diktatura Njishit

Para dy-tre ditësh, publikova në faqen teme, nji shkrim brilant të z. Marcel Hila,
në të cilin përshkruhej historija e dhunshme e Shkodrës
nën thundrën e terrorit komunist qysh në ditët e para të 1945 e deri në 1991,
e shoqnueme kjo me dorëshkrime e libra të viktimave të mbijetuem të Ferrit të kuq,
si at Zef Pllumi, Ahmet Bushati, etj. Sot pashë nji shkrim tjetër, po aq brilant,
por jo të nji shqiptari, por të nji rusi, i cili bante nji reflektim të thellë të ndërgjegjes njerzore,
që aq shum i përngjet situatës e historisë tonë, sa që e pashë me vend me e nda n’faqen teme.
Problemi qëndron se asht në gjuhën italiane e ndokush mundet edhe me pasë
ështirsi me e kuptu, ndaj u mundova ta përshtas në shqip, sepse për mendimin tem
asht i nji randsije të jashtzakonshme… për ata që dojnë ta kuptojnë!
Arben Borshi

Diktatori Josif Stalin
Diktatori Josif Stalin

Me kan vu emnin e gjyshit tem…

nga Vladimir Yakovlev – Përshtati Arben Borshi

Gjyshi i jem, Vladimir Yakovlev, ishte nji kriminel, nji xhelat gjakatar! Në mes të gjith atyne viktimave të tij, gjinden edhe prindët e vet.
Ai e vrau të jatin vetëm për spekullim politik. Kur e ama e zbuloi, vari vehten.
Kujtimet ma të gzueshme të fmijnise teme, janë të lidhuna me nji apartament të madh që gjindet në rrugën Novokuznetskaya, e për të cilin familja e jeme krenohej shum.
Ma vonë, zbulova se ky apartament s’ishte i blenë apo i ndërtuem prej familjes teme, por i marrun me dhunë prej nji familjes tregtare e të pasun moskovite.
Me kujtohet nji raft i vjetër i gdhendur, ku un kacavjerresha me marrë ndoj ushqim me hangër.
Divani i madh e komod ku ulesha me ndigju tregimet që me lexonte gjyshja. Dy poltrona të mdha l’kure që shërbejshin për takime dhe biseda t’nji randsije të veçantë.
Siç e kuptova ma vonë, gjyshja jeme kishte punu me sukses, ne pjesën ma te madhe të jetës si provokatore. Kishte shfrytzue prejardhjen familjare si shtresë fisnike, për me afru persona te ndryshëm tuj i provoku. Mandej fjalët e tyne i kishte raportu ne zyrat përkatëse.
Divani ku ndigjojsha historinat, karrigat, poltronat dhe të gjitha mobiljet, nuk ishin te bleme prej gjyshave të mij. Thjesht i zgjidhnin në nji si punë magazine të madhe, e cila furnizohej me objekte të sekuestrume të pronarëve moskovitë që pushkatoheshin. Prej asaj magazine, çekistat (operativat e nëpunsat e sigurimit Sovjetik që quhej ÇEKA. shën. i jem) kishin mobilu shpijat e tyne pa pagu asgjâ.
Nën velin e hollë të injorancës, kujtimet e fmijnisë seme, janë të imprenjume me shpirtin e grabitjes, me krime, terror e tradhti. Janë të zhytuna ne gjak!
Po un, kush jam??
Të gjith ne të rritun në Moskë, jena nipat dhe mbesat e viktimave dhe të katilave. Të gjith, pa përjashtim!
A nuk ka pasë viktima në familjen tande? Pra dikur paskan ekzistu furrat e djegjes!!!
A nuk ka pasur skuadra pushkatimi?!
Pra, paska pasë edhe viktima!
A nuk ka pasë viktima dhe autorë të ktyne viktimave?
Pra, ka nji sekret aty! Dhe as mos dysho për kët!
Por na, kam përshtypjen se nënvleftësojmë shum impaktin e tragjedisë të s’kaluemen ruse në psiqikën e gjeneratës të sotme: në psiqikën teme dhe tanden!
Në tentativë me analizu tragjedinë e së kaluemes ruse, kufizohena vetëm te numri i viktimave të vdekuna. Por, për me ba nji vlersim të saktë të impaktit të ksaj tragjedie në psiqikën e gjeneratave të ardhshme, ajo që ka randsi nuk asht numri i të vdekunve, por të mbijetuemit!
Të vdekunt nuk ekzistojnë ma në mes nesh, janë zhdukë të tanë.
Po të mbijetuem janë prindët tonë, prindët e prindve tonë.
Të mbijetumt janë të vejat, jetimët, të dashtunit e tretun, të dëbuemt, ata që janë ba vrasës me pshtu n’emën të nji ideje ose të fitoresh, janë tradhtarët, tradhtarët e tradhtarëve, fukarenjt, ata që kanë shitë ndërgjegjen e janë trnsformu në kriminela, të torturuemt dhe torturuesit e tyne, ata që përdhunuen, sakat e torturave, ata që i detyruen me raportu, të mëshiruemt e dhimbjes prej paedukatës, fajtorët apo të humbunit e besimit, të poshtnuemt, të vdekunt e urisë, t’burgosunit e kampeve.
Me dhjetra miliona kanë vdekë.
Por të mbijetuemt janë me qindra miliona!
Me qindra miliona e kanë mujtë frigën e tyne, kanë mujtë përshtypjen e kërcënimit konstant që vjen prej botës së huej, dhe ia kanë trasmetu fmijve të tyne këtë ndjenjë.
Statistikisht, sot nuk ka edhe nji familje të vetme në Rusi, që në nji mënyrë apo nji tjetër të mos mbajë mbi shpinë konseguencat e tmerrshme të terrorit të papamë që prej nji shekulli.
A e ke pyet vedin ndojherë se sa kjo eksperiencë jete për tre gjeneracione paraardhëse, ndikon te ti në perceptimin tand të botës?
Nëse s’e ke ba kët gjâ, mendoju!!!
M’janë dashtë shum vjete me e kuptu historinë e familjes teme. Dhe asht, bash për kët arsye që tash e di se prej ku vjen kjo frigë konstante dhe e paarsyeshme!
Ose asht mbulimi i qëllimshëm i fakteve, ose paaftësija absolute e ndërtimit të mardhanijeve intime. Ose asht ndjenja e fajit që më persekuton qysh se kam kenë fmijë: në realitet qysh kur mbrrijta të kujtoj!
Në shkollë na msojshin për krimet e nazizmit gjerman. Në universitet për krimet kineze dhe ato të Khmerve të Kuq kamboxhianë. Vetëm se kan harru me na diftu se vendi ku u verifiku gjenocidi ma i urrejtshëm dhe i papamë ndojhere si për kah numri i viktimave si edhe i shtrimjes në kohë, nuk ishte Gjermania, as Kamboxhia e Kina, por Atdheu i jonë, Rusia.
E ky gjenocid, ma i tmerrshmi i historisë njerzore, nuk asht përjetu prej kinezëve apo koreanëve, por prej tri gjeneratash të së njëjtës familje!!!
Kujtojmë se asht ma mirë mos me dijtë. Në realitet, asht edhe ma keq!! Shum ma keq!
Ajo çka nuk dijmë, e nuk e njohim, vazhdon me na goditë nëpërmjet andrrave të fmijve, nëpërmjet mardhanijeve me prindët. Thjesht, kur nuk e dijmë, nuk jena të ndërgjegjshëm për impaktin e tij, prandaj jena të pafuqishëm për ta luftu.
Konseguenca ma e tmerrshme e traumës të trashëgueme, asht paaftësia e të kenunit i ndërgjegjshëm!!! Si rrjedhojë direkte e ksaj, paaftësija me kuptu madhësinë e ksaj traume të perceptimit të realitetit të sotëm.
Dhe s’ka randsi se çka e personifikon me saktësi këtë frigë.

***
Gjaja ma e randësishme asht me kuptu se deri në çfarë pike frigët tona personale, si dhe rruga e ecjes tonë, janë në realitet rrjedhojë e fantazmave të asaj t’kalueme që kena Frigë ta shohim drejt në sy!!!
Vladimir Yakovlev (i biri i botuesit të gazetës moskovite “Novosti”, Egor Yakovlev), 2021

P.s. Tema qe trajton ky djalë, ka nji randsi të jashtzakonshme për të gjith sistemet terroriste komuniste. Po për ne, asht nji reflektim Njerëzor, që duhet të shtyjë shum bashkqytetar tonë, për nji analizë të thellë për të kaluemen e familjarve, sidomos të atyne që ishin të përfshi në nomenklaturën e regjimit, sepse shum “objekte” që mund t’i kenë trashigu prej prindve apo gjyshave, dhe që sot ndokush i publikon edhe nëpër faqet e rrjeteve sociale, si trofe “kulture” apo “fisnikrije”, në realitet kan pronarë tjerë, por që baballarët e veshun me petkun e regjimit, i kan “marrë ndër magazinat” e sekuestrimit të sigurimit!!!!
Mendoni njerëz, mendoni!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.