Me jetue nji dashni të madhe! – nga Vinicius de Moraes – në shqip Jozef Radi

Vinicius de Moraes 1913-1980

Vinicius de Moraes 1913-1980

Me jetue nji dashni të madhe!

nga Vinicius de Moraes

sjellë në shqip nga Jozef Radi

Me jetue nji dashni të madhe, asht e domosdoshme me pasë vëmendjen ma të madhe dhe guximin ma bindës, shumë seriozitet dhe mjaft buzqeshje!
Me jetue nji dashni të madhe. Ma s’pari duhet me qenë burrë i nji grueje të vetme… përndryshe, ruejna Zot, me qenë burrë i shumë grave!
Me jetue nji dashni të madhe mund të jetë edhe e lehtë… po kjo s’ka asnji lloj vlere.
Me jetue nji dashni të madhe, ma s’parit asht e domosdoshme me e shenjtnue vedin kalorës dhe me qenë i plotë veç i damës tande – sido që të vërtitet puna.
Ju duhet me pasë nji banesë tuejën, ku ta mbyllni pothuej n’izolim të plotë gruen që dashuroni, me e përgjue nga jashtë me shpatën gati – nëse dishron me e jetue nji dashni të madhe.
Me jetue nji dashni të madhe, po ju lajmroj, asht e domosdoshme me pasë shumë kujdes prej “mikut të vjetër”, pse tuj qenë gjithnji vetëm, dëshiron me ju ba si vedja: me u ndje edhe ju të zhgënjyem prej dashnisë së madhe.
.
Dante dhe Beatrice

Dante dhe Beatrice

Duhet me qenë tejet i vëmendshëm edhe prej çdokujt që s’ka qenë i dashunuem, sepse kushdo që s’e njef pasionin dashunor asht gjithnji gati me ua përdhosë dashninë e madhe.

Me e jetue nji dashni, duhet me depërtue thellë te e vërteta; pse s’mund të ketë nji dashni pa besnikëri – dhe me e jetue si duhet n’nji dashni të madhe. Pra kushdo që e tradhton dashninë e tij për kotësina, asht i pavetdijshëm për lirinë, për ma të madhen liri, at të pakufishmen, lirinë e papërshkrueshme që mundet me e sjellë veç dashnia e vetme.
Me jetue nji dashni të madhe, përveç se qenë besnik, duhet me qenë njoftës i artit të kuzhinës dhe xhudos – me jetue at dashninë të madhe.
Me jetue nji dashni të madhe e të përsosun, s’mjafton me qenë veç njeri i mirë; duhet të keni gjithashtu edhe krahnuer, krahnuer me u grahë fort rremave.
Asht e domosdoshme që ju gjithnji ta shihni të dashunën tuej të ambël si të fejuemen tuej të parë, po edhe si vejushën tuej, mbështjellë me qefinin e dashnisë suej sublime.
Asht absolutisht e domosdoshme që ju të merrni nji kredi për drandofile pranë nji dyqani lulesh – pse vlen shumë, shumë ma tepër se nji rrobaqepëse – për me e ba të kënaqun nji dashni të madhe.
Sepse ajo çka i intereson me t’vërtetë dashnisë e madhe, asht vetë dashnia, dashnia e bollshme; mandej nji pjatë groshë me patatet e skuquna s’asht veç nji shërbesë… Asht shërbesë e madhe me dijtë me gatue do gjana të thjeshta: si fjala vjen vezë të fërgueme, karkaleca deti, supna gjithfaresh, salca t’llojllojshme, biftekë Stroganof – gjithfarë vogëlsinash mbas nji dashnie vlejnë. S’ka gja ma të bukur se me shkue në kuzhinë e me përgatitë me aksh të shpirtit nji pulë a nji pjatë të pasun e të shijshme për dashninë e madhe?
Me jetue nji dashni të madhe asht shumë, po shumë e randësishme me jetue gjithnji bashkë n’se do të ishte e mundun; pse njeriu i vetmuem – për mos me vdekë prej hidhnimi, e ndjen të domosdoshme me u përkujdesë vazhdimisht jo veç për trupin, po edhe për mendjen, sepse n’se e dashtuna e ndjen kët “rrzim” tonin – dashnia ka nisë me marrë pak të ftofun.
Duhet me qenë shumë të sjellshëm pa mirësjellje; të ambël dhe paqtues pa qenë të flashkët; duhet me dijtë me fitue parà prej poezisë e me fitue para për poezinë!
Me e jetue nji dashni të madhe asht e nevojshme me pi edhe Whisky, (pa rrezikue asnjiherë si nji pijanec i keq!) e me qenë krejt indiferent ndaj çdokujt – çka do thotë ai – s’ka asnji lidhje me dashninë.
Po e gjitha kjo ka me qenë krejt e pavlerë n’se në kët pyll të zymtë e të pashtigje, ju s’keni qenë i zoti me gjetë nji të dashtun – dhe me jetue me të, nji dashni të madhe!
.
Romeo dhe Zhuljeta

Romeo dhe Zhuljeta

Vinicius de Moraes si: “Me jetue nji dashni të madhe”

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook