back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Me 6 dhjetor një manifestim pro Evropës dhe kundër Ramës – nga Aleks Kapllaj

Gazeta

Aleks Kapllaj
Aleks Kapllaj

Me 6 dhjetor një manifestim pro Evropës dhe kundër Ramës

nga Aleks Kapllaj

Ka 700 mijë arsye për të protestuar në mënyrë paqësore për t’u treguar vendeve të Bashkimit Evropian se raportet e Eurostat, BE, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, e kanë nxjerrë Shqipërinë e qeverisë Rama, një vend më të varfër, më të pasigurtë, më i padrejtë, më i korruptuar, më i pushtuar nga krimi dhe droga, me papunësinë dhe me braktisjen e vendit në nivelin më të lartë në Evropë, ku populli shqiptar është viktima e këtyre rekordeve negative.
Duhet protestuar për lidhjen me krimin dhe drogën e ministrave dhe të eksponentëve të Partisë Socialiste në administratën qëndrore dhe lokale, vertikale dhe horizontale më të lartë në 32 vitet e pluralizmit. Sepse sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara të Drogës dhe krimit, Shqipëria është e shtata në botë dhe e para në Evropën jugore, si qendër e kultivimit dhe tranzitit të drogës në Evropë.
Duhet protestuar se muaj më parë, “World Justice Project”, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institut ndërkombëtar që monitoron Indeksin e Sundimit të Ligjit, e renditi Shqipërinë të fundit në Evropë, duke u përkeqësuar me 12 vende në krahasim me renditjen e vitit 2018-2019.
Duhet protestuar se sipas Eurostat, në raportin që pasqyron monitorimin ekonomik në Evropë tregon se 74.7 % e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë, duke e renditur vendin tonë me të ardhurat më të ulëta për frymë në Evropë dhe në rajon.
Duhet protestuar se vetëm në Shqipëri shpenzohen 430 milionë dollarë për inçeneritorë inekzistentë.
Duhet protestuar sepse miliona e miliona euro që u dhanë nga donatorët evropianë për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit të 2019, u përdorën nga Edi Rama, për të blerë dhe manipoluar zgjedhjet e 25 prillit.

Shqiperia Proteston
Shqiperia Proteston

Duhet protestuar se në prill të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar e vlerëson Shqipërinë me rritjen më të ulët ekonomike në rajon dhe Evropë. Njëkohësisht është FMN që në tetor e hedh poshtë amnistinë fiskale të qeverisë Rama për të ardhurat e padeklaruara të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, duke e parë rrezikun e pastrimit të ardhurave të botës së krimit.
Duhet protestuar sepse në gusht të 2022 Departamenti Amerikan i Shtetit doli me një raport për klimën e biznesit në Shqipëri, të përkeqësuar për shkak të korrupsionit dhe të sistemit të PPP-së, që i kalojnë tenderat njerzëve të Ramës pa transparencë dhe konkurencë të hapur.
Duhet protestuar se 430 kg kokainë të porositur nga Viktor Çervanaku, ish kryetar i komunës në Frakull i partisë socialiste, dhe eksponent drejtues në ministritë e qeverisë Rama, është një nga ata që do të përfitonte nga amnistia fiskale për të pastruar 40 mln euro që ishte vlera e drogës në tregun evropian.
Duhet protestuar sepse Edi Rama është Bosi i Shoqërisë Piramidale në Shqipëri dhe përfaqëson të gjithë të korruptuarit e botës politike të vendeve të Evropës Lindore post komuniste, ku jetëgjatësia e pushtetit të tij e vërteton se ka monopolizuar të gjitha institucionet e pushtetet ekonomike, institucionale e pluraliste në Shqipëri, ku institucioni i votës është vegël e këtij pushteti.
Rama, me propagandën e tij dhe me kontrollin e mediave dhe me mbylljen dhe kërcënimin e atyre që janë kritik, ka arritur të krijojë një imazh të shtrembër në kancelarite evropiane.
Duhet protestuar sepse mafia në bashkëpunim me qeverinë e korruptuar po na grabisin pronat private dhe shtetërore, tokat bregdetare dhe mineralet nëntokësore, hidrocentralet dhe pasuritë arkeologjike, liritë dhe ardhmërinë e çdo shqiptari. Sepse përherë sipas raportit të Eurostat, Shqipëria ka pësuar një rritje të korrupsionit duke zënë vendin e parë në kontinentin evropian, duke lënë pas vetëm Rusinë e Vladimir Putin.
Duhet protestuar sepse në të gjitha vendet demokratike, e drejta e protestës dhe manifestimit qytetar për çdo problem apo kërkesë, ushtrohet në çdo moment dhe çdo kohë që e kërkon situata. Por, të protestosh apo të manifestosh ditën kur në Tiranë është samiti i liderëve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një efikasitet denoncues kundër qeverisë së korruptuar të Ramës, shumë më të lartë se çdo ditë tjetër të vitit.
Duhet protestuar sepse liderët evropianë e njohin mirë dështimin e Ramës nga statistikat evropiane dhe ata botërore, por duhet të shohin nga afër se shqiptarët e hedhin poshtë qeverinë e rekordeve negative që po e varfëron vendin e tij me pasurinë më të madhe, kapitalin e saj njerëzor që me politikat e sa ksenofobe po detyron largimin e shqiptarëve pa asnjë tendencë për t’u ndalur e për të gjetur të ardhmen në vendin e tyre.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.