Mbreti Borisi III i Bullgarisë, – Shqipfolës dhe mik i Shqiptarëve nga Uran Asllani

Mbreti Boris i III i Bullgarisë (1894-1943)

Mbreti Boris i III i Bullgarisë (1894-1943)

Mbreti Borisi III i Bullgarisë,

Shqipfolës dhe mik i Shqiptarëve

nga Uran Asllani

Princi Ferdinand Saxe-Couburg u bë car i bullgarve,
14 shtator 1908, fill mbas Revolucionit të Turqëve të rinj,
kur shpalli Mbretërinë e pavarur të Bullgarisë
dhe i bashkoi pjesës veriore të Bullgarisë edhe pjesën jugore të saj,
e cila deri atëherë kishte qënë nën pushtimin osman.
Car Ferdinandi I Bullgarisë abdikoi në favor të të birit të tij
Borisit njëzet e tre vjeçar (30.01.1894-28.08.1943).

Studiuesi Uran Asllani

Studiuesi Uran Asllani

Car Borisi deri në moshën djaloshare u rrit në Sofie, pranë Oborrit Bullgar. Në pallatin e carit ai u rrit bashkë me djalin e kopshtarit, që ishte shqiptar nga Dibra. Të dy fëmijt rriteshin, loznin dhe mësonin gjithmonë bashkë. Shpesh herër careviçi hante së bashku me familjen shqiptare dhe nga kjo shoqëri kaq e ngushtë careviçi mësoi të fliste në gjuhën shqipe, sepse familja dibrane fliste gjithmon vetëm në gjuhën shqipe amtare. Zotërimi i gjuhës shqipe nga careviçi i tërhoqi vëmendjen princ Ferdinandit, i cili vendosi që i biri t’a mësonte gjuhën shqipe me mësues shqiptarë dhe në mënyrë të rregullt. Ndaj kërkoi mendimin dhe konsulencën e atdhetarit korçar Perikli Çilit, i cili asokohe ishte profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër në Gjimnazin Nr. 1 të Sofies dhe një personalitet shkencor dhe shoqëror i njohur në Bullgari.
Kur princ Borisi ishte ende i vogël, pranë Pallatit të Ferdinandit filluan punën dy mësues të gjuhës shqipe, njeri jugor dhe tjetri verior, që sipas rekomandimit të prof. Perikli Çilit ishin të nevojshëm për të mësuar që të dy dialektet e gjuhës shqipe. Ata kishin qenë, korçari Stefan Kondillari dhe mirditori Lekë Margjini. Këta djem shqiptarë princ Ferdinandi i futi në Shkollën Ushtarake për oficerë në Sofie, në vitet 1900-1903. Stefan Kondillari kishte lindur në fshatin Katund të Korçës, në vitin 1880. I mbetur dhe rritur jetim qysh në moshë të vogël, merr rrugën e kurbetit për Bullgari, qysh në moshën 17 vjeçare. Atje filloi të njihej dhe të shoqërohej me atdhetarët shqiptarë të kryeqytetit bullgar, duke marrë pjesë në të gjithë veprimtaritë e shumta atdhetare të asaj periudhe.
Në vitet 1900-1903, filloi punën si mësues pranë careviçëve bullgarë dhe pikërisht në atë kohë, ndoqi dhe mbaroi Shkollën Ushtarake tê Sofies. Një vit më vonë, me bursën e shtetit bullgar, dërgohet në Institutin Oriental të Napolit, për të studiuar gjuhën shqipe pranë katedres të gjuhës amtare, që asokohe drejtohej nga poeti arbëresh Giussepe (Zef) Skiroi. Atje Stefani njihet dhe bashkëpunon me atdhetarë shqiptarë dhe arbëreshë, midis të cilëve Luigj Gurakuqin, që jetonin dhe punonin në Itali. Shkruan artikuj dhe vjersha që i botonte tek “Kalendari Kombiar” dhe në gazetat “Drita”, ”Liri e Shqipërisë”, “Mëngjezi” të Bullgarisë dhe Egjiptit.
Në vitin 1906, mbasi ka mbaruar studimet në Napoli u kthye në Sofie, ku u bashkua me lëvizjen patriotike shqiptare që punonte për të organizuar një kryengritje në Shqipëri. Stefan Kondillari së bashku me Çetën e Çerçiz Topullit në korrik të vitit 1907 zbarkojnë në Sarandë dhe pikërisht atje i gjeti edhe Shpallja e Hyrietit (Kushtetutës). Ai merr pjesë në të gjithë aksionet luftarake të çetës edhe që të gjitha këto veprime ai i përshkruan me mjeshtëri në organet e shtypit shqiptar të asaj kohe. Nga Çeta e Çerçizit kaloi me mision në Korçë ku hyn menjëherë në lidhje me atdhetarët korçarë të asaj kohe si Pandeli Calen, Dr. Haki Mborjen, Stavri Karolin, Mihal Gramenon, Jovan Kosturin, Thimi Markon e midis tyre edhe shkodranin Hilë Mosin e të tjerë. Fillimisht bashkohet me Çetën e Qamil Panaritit ndërsa më pas me atë të Spiro Bellkamenit. Në të dyja çetat ai kishte qënë luftëtar dhe sekretar i tyre, por njëkohësisht ai ishte bërë mësues i gjuhës shqipe për luftëtarërt analfabetë. Madje – shkruan Nedai Tellimi – se Stefani ishte bërë edhe mësues në Shkollën e Djemëve kur ajo u rihap në vitit 1911, sëbashku me Sotir Pecin dhe Thoma Avramin. Stefan Kondillari ka marr pjesë edhe në Luftën e Orman-Çiflikut që zhvilloi Çeta e Spiro Bellkamenit. Ai nuk u vra atje, por u sëmurë rëndë dhe vdiq më 15 mars 1912. Nxënësit e Shkollës sê Korçës e shoqëruan pêr në varreza dhe i kishin përgatitur një kurorë ku kishin shkruar: “Mëmëdhetarit të shquar Stefan Kondillarit nga Shkolla Shqipe e Korçës”.
Për jetën Lekë Margjinit, megjithëse ai jetoi gjate disponohen pak të dhëna biografike. Sipas Wili Kamsit dhe të atit të tij Gjonit, që e kishte pasur shok e mik te tij, Lekë Margjini ishte një djalosh mirditor nga Oroshi, qe ishte shquar ne shkollen e famullise për zgjuarsi dhe rezultate te larta në shkollë. Ata shkruajnë se me kërkesën e Car Ferdinandit, diplomati bullgar Dr. Stojan Danev, ministër në Stamboll i kishte kërkuar Abatit të Mirditës Preng Doçit, një djalosh malësor për t’i mësuar gjuhën shqipe careviç Borisit.
Zgjidhet Leka dhe dërgohet ne Sofie. Djaloshi mirditor mbaroi shkollën ushtarake dhe u bë oficer me gradën nëntoger në Ushtrinë Bullgare.

Lekë Margjini me bashkëshorten

Lekë Margjini me bashkëshorten

Gjon e Willi Kamsi, babë e bir shënojnë se Lekë Margjini si oficer bullgar merr pjesë në luftime vetëm mbas 1914, gjatë Luftës I Botërore, me gradën e togerit, në Frontin e Selanikut kundra grekëve e francezëve edhe në vitin 1919 ishte kapiten i Ushtrisë Bullgare. Traktati i Neuilly-it e shkatërroi ushtrinë bullgare dhe kapiten Lekë Margjini u kthye në atdhe pikërisht mbas Kongresit të Lushnjes, edhe menjëherë u bë kapiten i Ushtrisë Shqiptare. Nga shkrimet e historianëve ushtarakë shqiptarë: Prof. dr. Proletar Hasani dhe nënkolonel Pjetër Hidri mësohet se kapiten Lekë Margjini së bashku me oficerët Prenk Jaku, Gjon Fusha, Prenk Previzi, Gjon Derani, Fiqiri Dine, Muharrem Bajraktarin, Ali Erebarën (që edhe ky kishte mbaruar shkollën ushtarake të Sofies) kanë mbrojtur Kongresin e Lushnjes, përkrah Ahmed Zogut.
Dihet gjithashtu se kapiten Lekë Margjini ka shërbyer si oficer në zonat veriore te vendit duke mbrojtur kufirin jugosllavo-shqiptar nga sulmet e intervencionet e here pas herëshme të ushtrisë jugosllave. Kapiten Lekë Margjini gjatë ngjarjeve të pranverës së vitit 1924, kaloi me atë pjesë të ushtrisë që u bashkua me Qeverinë e Fan Nolit. Madje së bashku me major Shefqet Korçën luftuan ashpërsisht në Gurin e Bardhë të Tiranës kundra forcave te Ahmed Zogut të ardhura nga Jugosllavia. Mbas dhjetorit të vitit 1924, si shumë antizogistë migroi jashtë atdheut, për në Bari të Italisë, ku jetoi vitet e emigracionit se bashku me Bahri Omarin e të tjerë midis të cilëve edhe Gjon Kamsin. Kthehet në Shqipëri mbas prillit të vitit 1939, por aktualisht nuk disponojmë të dhëna se me çfarë veprimtarie është marrë deri në verën e vitit 1941.
Sipas Gjon Kamsit, Lekë Margjini në korrik të vitit 1941, ishte dekretuar nënprefekt i Strugës. Nuk disponohen të dhëna biografike se sa kohë qëndroi me atë funksion, sepse historianët ushtarakë Hasani e Hidri shkruajnë se mbas 23 shtatorit të vitit 1943, kur Qeveria e Tiranës dërgoi në Kosovë regjimente të ushtrisë nën komandën e nënkolonelëve Qazim Komanit, Neshat Kolonjës dhe Fuad Dibrës, midis oficerëve të atyre reparteve ishin Shefki Shatku, Gjon Qypi dhe Lekë Margjini. Ndërkohë Gjon e Willi Kamsi shkruajnë se Lekë Margjini ishte burgosur nga gjermanët në Kampin e Prishtinës. Ata tregojnë se për lirimin e mikut të tyre ata kishin lëshuar garanci. Në moshë madhore ishte martuar në Korçë, me vajzën e atdhetarit të shquar Sotir Pecit dhe mbas luftës, vitet e fundit të jetës së tij i kaloi si cigareshitës në një kioskë pranë Kinema “Majestikut”. Duhet të ketë vdekur në vitet 1955-1960.

Boris i III i Bullgarise dhe Giovanna e Savoias

Boris i III i Bullgarise dhe Giovanna e Savoias

Cili ishte Car Borisi?

Le të shohim tani cili ishte Car Borisi?
Boris Saxe Couburg kishte lindur në Sofie, më 30 janar të vitit 1894 dhe po në Sofie kishte marrë arsimimin fillestar. Ai ishte djali i parë i familjes dhe pas tij u lind edhe një djal i dytë me emrin Ciril. Më pas studimet e tij i vazhdoi në akademi ushtarake në Berlin edhe sapo i kishte mbushur 26 vitet ai u betua si car i Bullgarisë përsëri në Tërnovo sikurse parardhësit e tij.
Për këtë car dhe për njohjen e gjuhës shqipe nga ana e tij kam dëgjuar tregonte im atë Fuad Asllani, diplomat shqiptar, i cili e kishte njohur dhe kishte biseduar disa dhjetra herë me të si në Bullgari po ashtu edhe në Londër. Diplomati shqiptar Fuad Asllani në fillim të vitit 1928, dërgohet në Bullgari me detyrë jashtë veprimtarisë legale të Legatës Shqiptare në Sofie. Ai ishte ngarkuar të njihte nga afër jetën dhe veprimtarinë e Kolonisë Shqiptare të Bullgarisë edhe të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve të acaruara të grupimeve me qëndrime të kundërta ndaj ngjarjeve të vitit 1924, dhe ndaj vetë personit të Ahmed Zogut, Presidentit të Republikës. Midis atyre shqiptarëve disa herë e kishte gjetur edhe vetë Car Borisin.

Dipllomati Fuat Asllani

Dipllomati Fuat Asllani

Imë atë tregonte se në vitet 1926-1936, Car Borisi e fliste gjuhën shqipe rrjedhshëm dhe korrekt. Asokohe ai kishte parë se si Car Borisi i fliste në gjuhën shqipe luftëtarve shqiptarë, pjesmarrës të Luftës Ruso Turke, kur ai i takonte në Kishën Katedrale të Shën Aleksandrit, me rastin e meshës organizuar për jubiletë e festës kombëtare bullgare. Me interesimin të dy palëve më 4 janar 1932, në Sofie mbërriti një delegacion ekstraparlamentar shqiptar, i cili do të kryente bisedime me palën bullgare për mbarëvajtjen e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare. Delegacioni shqiptar përbëhej nga ish ministri i jashëm Mehmed Konica, Fuad Asllani, drejtor konsullor administrativ i MPJ dhe diplomati Skënder Konica, ndërsa delegacioni bullgar kishte në përbërjen e tij Andrej Toshev, deputet, disa herë ministër dhe në vitin 1935, u bë edhe kryeministër, Janko Sakzhov, deputet dhe Dr. Boris Petkov. Mbas bisedimeve disa ditore, më 7 janar midis të dy palëve u përpilua një protokoll marrëveshje, me arritje shumë pozitive të cilat edhe sot e kësaj dite nuk janë arritur.
Të dy delegacionet njohën zyrtarisht ekzistencën e minoriteteve respektive në të vendet ballkanike dhe njohjen e të drejtave të tyre si qytetarë te shteteve të tyre. Përfaqësuesit e te dy shteteve ranë dakord që te ndërhynin pranë qeverive respektive për të hapur shkolla në gjuhën amtare në zonat ku ishin vendosur këto minoritete, ndërsa në ato zona ku kishte më pak nxënës të hapeshin klasa ku të mësohej gjuha amtare. Përveç këtyre klauzolave u pranua që në këto zona të hapeshin edhe objektet e kultit, si kisha dhe xhami. Të arrihej në një shkëmbim të lirë e pa pengesa të librave, gazetave edhe të botimeve zyrtare.
Delegacionet u angazhuan gjithashtu të përpiqeshin që në një të ardhme të afërme të arrihej në një Traktat miqësie dhe mos agresioni ndaj njeri tjetrit. Diplomatët shqiptarë ishin të bindur se në këte drejtim një rol të rëndësishëm, veçanërisht për vendosjen e gjuhës shqipe kishte luajtur Car Borisi. Miratimi i këtij protokolli nuk u pranua nga pala bullgare që asokohe kishte një qeveri me pozicionim shovinist, kundra edhe vetë carit. Përsëri diplomati shqiptar Fuat Asllani ka rast të takonte dhe të bisedonte në gjuhën shqipe, me Car Borisi kur ai në fund të janarit u ngarkua përkohësisht me detyrën e Të ngarkuarit me punë të Shqipërisë pranë Legatës Shqiptare të Sofies. Nga bisedat që kishte pasur me kolegët e tij që kishin qenë të akredituar në Sofie, si Ali Asllani, Rauf Fico, Nezir Leskoviku, Dhimitër Poppa, Maksud Hulusi e deri tek i fundit Xhemil Dino, ishte informuar se me të gjithë këta diplomatë Car Borisi kishte folur shqip dhe kishte mbajtur raporte shumë miqësore.
Madje me disa prej tyre kishte krijuar edhe miqësi, si me Rauf Ficon dhe Xhemil Dinon. Ky i fundit për simpatinë e madhe që kishte krijuar për atë car, djalit të tij të vetëm të lindur në Sofie i vuri emrin Boris. Gjon Kamsi shkruante se: “Car Borisi kur bisedonte me diplomatët shqiptarë interesohej vazhdimisht për ish mësuesin e tij të gjuhës shqipe, për Lekë Margjinin…” Miqësia që kishte krijuar me diplomatët shqiptarë dhe dëshira për të folur, nga fundi i janarit të vitit 1936, solli një koinçidencë me rrjedhoja historike për Bullgarinë. Në atë kohë më 20 janar vdiq Mbreti George V i Britanisë së Madhe dhe për ceremoninë mortore mbrritën në Londër mbretër, kryetar shtetesh, kryeministra, ministra, personalitete të rëndësishëm. Nga Bullgaria merrte pjesë vet mbreti bullgar, Car Borisi III me suitën e tij, ndërsa nga Shqipëria ishin dërguar princ Saliu, që përfaqësonte familjen mbretërore, Dr. Fuad Asllani, ministër i punëve të jashtme dhe Lec Kurti, që asokohe ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë.
Në një nga ditët e ceremonisë cari bullgar takoi ministrin shqiptar të sapodekretuar dhe filluan të bisedonin herë në gjuhën shqipe dhe hërë në gjuhën gjermane. Ndërkohë çiftit bashkëbisedonjës i afrohen tre personalitete të kohës. Ata ishin Viaçesllah Molotov, kryeministri sovjetik, Maksim Litvinov, komisari i jashtëm sovjetik dhe Vladimir Majski, ambasadori sovjetik në Londër. Majski dhe Asllani ishin njohur mirë që nga koha kur diplomati shqiptar ishte ministri fuqiplotë në Londër. Ndaj me rastin e gradimit të Asllanit si ministër i jashtëm, diplomati sovjetik kërkoi ta uronte dhe me atë rast u afrua me personalitetet e tjerë sovjetikë për t’u prezantuar, duke u paraqitur sikur mbretin bullgar ata nuk e njihnin. Diplomati shqiptar, duke ndjekur etikën protokollare diplomatike, para se të prezantohet i kërkoi leje mbretit që me këtë rast para madhërisë së tij të paraqiteshin më parë sovjetikët. Prezantimi i realizua dhe menjëhere ata filluan bisedimin në gjuhën ruse. Dr. Fuad Asllani u largua sepse ai ishte dhe qëllimi i përdorimit të gjuhës ruse.
Gjatë Luftës II Botërore, edhe pse Bullgaria ishte aleate e Gjermanisë hitleriane Car Borisi nuk i dorëzoi tek gjermanët çifutët e shumtë që i përkisnin territorit të Mbretërisë Bullgare megjithë këmbënguljes e Gestapos. Madje edhe pse Bullgaria aderoi në aleancën ushtarake Boshti Berlin-Tokio-Romë, ushtria bullgare nuk mori pjesë në Frontin sovjetik, sikurse vepruan Rumania, Hungaria dhe Sllovakia. Ndaj për vdekjen e tij të pa pritur, më 28 gusht të vitit 1943, mendohet të jetë vepër e shërbimeve sekrete gjermane.
Marrë nga Gazeta Sot

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook