back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mbivetëdia poetike Ilir Seci 09 Prill 2012 (standart)

Gazeta

Ilir Seci
Ilir Seci

Mbivetëdia poetike nga Ilir Seci

Edhe vendi ynë për fat të keq ka nji trashëgimi të kësaj natyre si shumë vende të botës, duke kaluar nëpër terrin e totalitarizmit, kohë që kanë lënë shumë vragë në kujtesën e njerëzve dhe në gjithë vetëdijen tonë shoqërore. Janë gjithë ato jetë të humbura në dënime politike, gjyqesh të montuara, janë vite të gjata si shekuj të kaluara në burgje, fëmijëri që nuk njohën ligjësi të tjera veç atyre të kampeve të internimit, bota e të cilëve kishte si limite telat me gjemba! Kishte plot fëmijë që lindnin e rriteshin nëpër kampe internimesh pa njohur tjetër realitet!
(Përkitazi me librin me poezi “Fletorja e vjeshtës” të poetit Jozef Radi. Botoi Enti Botues “PAKTI” 2011)

Mbivetëdia  poetike
Emri i Jozef Radit në poezinë shqipe erdhi pas viteve ’90, është autori i librave poetik, “Muret e Muzgut” (1993), “Kujtesa e mjegullës” (2000) si dhe albumi fotografik “Ankona e fshehtë” (2007). Kushtëzuar nga biografia jetësore autori boton në moshë te pjekur, ngaqë lindet dhe rritet nën kampet famëkeqe të internimit. Biografia e tillë,  normal që do të shënojë krijimtarinë e tij, kur nuk është e vështirë të merret me mend sa ndikim ka në krijimtarinë e një poeti jeta e tij kushtëzuar dhunshëm që në lindje. Në mesin e shumë poetëve, që vijnë nga përvoja jetësore të ngjashme, Jozef Radi dallon për cilësinë poetike shmangien e proliksitetit apo prozodisë poetike që shpesh janë gjetur si mjete të nevojshme shprehëse edhe nga poetë të njohur, kur trajtohen tema si: Aushvici, apo Gulagu. Në një nga esetë e tij poeti dhe disidenti i famshëm polak Çeslav Milosh shkruan: “Vetëm një përqindje e vogël e vuajtjes njerëzore arrin të bartet në letërsi, ndërsa shumica e asaj vuajtjeje zhduket pa gjurmë!”
…Shumë kombe të botës kanë kaluar nëpër faza tmerresh, nëpër histori dhe shpesh herë, pasi janë munduar ta fshijnë nga kujtesa sa më shpejt turpin e tyre, kanë bërë përpjekje për ta kaluar gjithçka me një soj heshtjeje, shpesh në mënyrë “perfide” duke e maskuar kompleksin e fajit me stereotipin e shfajësimit… “Çfarë u bë u bë…. Duhet të shikojmë përpara, nga e ardhmja!”
Koha me forcën e vet konsumuese lë në harresë shumë nga përshtypjet,  që në kohën kur ndodhën, ishin përvoja tmerri për ata që i përjetuan… Edhe vendi ynë për fat të keq ka një trashëgimi të kësaj natyre si shumë vende të botës duke kaluar nëpër terrin e totalitarizmit, kohë që kanë lënë shumë vragë në kujtesën e njerëzve dhe në gjithë vetëdijen tonë shoqërore. Janë gjithë ato jetë të humbura në dënime politike, gjyqesh të montuara, janë vite të gjata si shekuj të kaluara në burgje, fëmijëri që nuk njohën ligjësi të tjera veç atyre të kampeve të internimit, bota e të cilëve kishte si limite telat me gjemba! Kishte plot fëmijë që lindnin e rriteshin pa njohur tjetër realitet! Sot është bërë zakon që shumica e shqiptarëve të ankohen për atë sistem, secili gjen një përmasë vuajtjeje në përvojën e vet jetësore, por që të gjithë harrojnë se ka pasur edhe një rreth të nëntë ferri, rreth të cilit bota jashtë tij, jashtë nga perspektiva e kufizuar prej telave me gjëmba të internimit, i dukej parajsë!
Dëshpërimi dhe zemërimi janë ndjenjat më normale njerëzore që mund të të vijnë në mend kur nis e analizon botën e brendëshme shpirtërore të atyre njerëzve, ndarë nga bota me mure burgjesh, me tela kampesh internimi… Mënyra më e mirë për ta njohur atë botë shpirtërore është pikërisht arti i krijuar nën atë trysni burgjesh dhe internimesh. Është një trashëgimi e tërë kulturore, e cila u krijua dhe gjallonte e panjohur për shumicën e shqiptarëve, mbuluar nën akullin e censurës shtetërore, fare e panjohur për publikun e gjerë. Janë shumë krijues zhanresh të ndryshme artistike, që u tretën burgjeve e internimeve duke mbajtur të gjallë artin në atë formë, siç e thekson me të drejtë studjuesi nga Sarajeva, Ivan Foht, kur në trajtimin e kësaj teme mes tjerash shprehet: “…arti është i vetmi azil i shpirtit, përmes të cilit subjektiviteti njerëzor e ka bajtur nëpër koha identitetin e tij historik!…”

***
…Si reagon një poet i lindur e i rritur në ato kushte?! Si shkruan një artist që botën e njohu vetëm me pamjen e saj të dhunshme që nga fëmijëria e tij?! Si është përceptuar bota nga një poet kur deri edhe qenësia e tij fizike ka qenë kushtëzuar nga telat e gjembave në një nga rrathët e ferrit të Lushnjës?!…
Lexon këtë libër dhe konkludon i habitur me vete… Jozef Radi nuk shkruan mbi jetën e vet, përvojat e veta si një njeri i mllefosur nga padrejtësia që i është bërë atij dhe shumë bashkëvuajtësve të tij, ai shkruan si artist duke na dhënë një libër që meriton vlersime nga qarqet letrare. Është një “Fletore” që kërkon lexuesin jo për të kënaqur synimin e poetit, por të lexuesit, sepse sa merr në dorë këtë libër ngërthehesh në simbolikën e qëlluar të vjeshtës, vjeshtës së jetës, vjeshtës ku njeriu ka mbërritur në atë stinë të përvojës së vet që mund të gjykojë, mund të ndërtojë një lloj mbivetëdijeje ndaj gjithë eksperiencave që janë shënuar në atë fletore jetësore…
”Fletorja e Vjeshtës” është apel ndaj ndërgjegjes sonë, ndaj njerëzores, ndaj moralit, ndaj etikës, apel ndaj së bukurës… Brengat e shpirtit të poetit, dhimbat që janë sendërtuar në shtresëza përjetimesh, që poeti me ndjeshmërinë e tij i kthen në art, njëjtë si ajo guacka e famshme, e cila plagët e veta i shëron duke i kthyer në perla…
“Ne u deshëm në nji kamp telash me gjëmba/ hedhun midis nji kënete që e bam fushë/ ngulëm nga nji lule n’çdo dhambë hekuri/ e me fije bari ja qëndisëm klithmat fatit tonë…!”
Poeti përçon pikërisht atë botë që gjallonte mes atyre telash me gjemba, ai bëhet zëri i atyre njerëzve që vuajtën dhe përjetuan ato tmerre, që kaluan gjithë ato eksperienca jetësore. Dhe gjithë këtë poeti e bën pa rënë në deklarativitete, shmang deklamacionin që është vështirë të shmanget në të tilla subjekte, duke na sjellë një poezi e cila apelon për ndërgjegjen njerëzore. Poezitë e librit janë të shkurtra, racionale përmbledhur me domethënien e tyre, pastruar nga përzgjatjet, përmbledhje të ngjeshura e konçize dhe njëherë të thjeshta për t’u kuptuar nga çdo lloj lexuesi, që e merr mesazhin e tyre menjëherë… “Jo s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime/ të lirë janë ata që rrethohen me mure,/ prandaj i rrethojnë…/ të vritet liria e tyne!”… Poeti me art krijon një përputhje mes gjendjeve emocionale dhe realitetit të jashtëm, përshkrimet e të dy botëve si asaj të jashtme me peisazhet natyrore, ashtu edhe asaj së brendshme shpirtërore. Që të dy këto botë janë ngjyrosë me ngjyrime të veçanta, individuale, poeti ndërton kromatikën e vet dhe me kët arrin të ngërthejë në një, jashtësinë me brendësinë, duke na shkrirë dy botë… “përdhunshëm/ i mbiu kjo fushë/ syve të mi/ pa qenë fajtore…/ eh sa mallkime u mbollën mbi të/ sa varre tretën pa gjurmë,/ nji gjysë shekulli e përtej/ që dashnisë/ s’ia gjej emnin…/”.
Poeti Jozef Radi në këtë libër mundet të shmanget nga joestetikja, poezia e tij sjell dhimbjet dhe përvojat e viteve në internime, ndjenja këto thellësisht të ndjera e që apelojnë etikën dhe moralin njerëzor. Poeti vepron pikërisht në kapërcyellin ndarës mes etikës dhe estetikës, pikërisht përmes etikës poeti arrin të dalë në estetikë, konceptimi i atillë mundësohet sepse këto dy disiplina nuk janë larg, i bashkon humanizmi e kësisoj na sjell art në këtë libër poetik. Art, sepse poezitë janë të ndjera nuk janë fryt sforcimi si jemi mësuar rëndom me poetët e periudhës socrealiste kur etika dhe estetika iu nënshtruan përdorimeve politike… “kur nata t’ia nxjerrë sytë ditës/ dhe e vetmja shpresë/ të mbeten yjtë/ futu ndër fyejt e eshtnave të mia/ e rropatu me ia shkulë shpirtit/ të fundmet fjalë/ që kurrë s’u banë melodi…”

Vjeshta si simbolikë
Poeti këtë libër e ka ndërtuar me katër nënndarje, ku vjeshta është simbolikë kostante në secilën prej tyre…  “fletore vjeshtës së parë”, “fletore vjeshtës së dytë”, “fletore vjeshtës së tretë” dhe “vjeshta e vjeshtës”. Kjo simbolikë ka krijuar fizionominë e librit duke u shndërruar në përbërës kuptimor. Vjeshta si simbolikë është përherë aty, deri në nënndarjen e katërt, që nga kampet e internimit në Lushnjë e deri në Ankona, ku poeti vite më vonë jeton, gjithnjë është po ai njeriu jo konformist që ndijon e percepton papajtueshëm me hipokrizinë njerëzore. Simbolika e vjeshtës arrin që të funksionalizohet në këtë libër, sepse poeti ndërton një sistem simbolesh e figurativiteti vetjak, një formulim dhe një shqiptim estetik të mëvetësishëm ku vjeshta zhvendoset nga kuptimi parësor gjuhësor që ka e duke marrë rol tjetër në brendinë e libri… “shiu/ qiellit varë/ si veriga rrushi/ ndër furka t’përflakta/ vetëtimash…/ ne  andrrojmë vreshtat/ e dehemi me vjeshtat…/”
…Thyerja e standardeve gjuhësore duke përdorë nuanca të gegnishtes në poezi e pasuron edhe më tepër shprehinë e stilin, pasi përftohet një muzikalitet në vargje. Poeti me këtë aktivizim të gegnishtes mëton të lidhë parabolën e shkëputur me traditën e poezisë gegnishte, jo duke qenë vazhduese e saj, por duke korresponduar në nivelin e vlerave. Ne kemi mbijetuar atë kohë të ashpërsisë totalitariste, thotë poeti në shumë nga vargjet e veta, por për fat të keq kemi humbur shumë nga ato vlera që qytetërimi shqiptar, shoqëria shqiptare dështuan t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë, siç qenë feja, filozofia, trashëgimia etike dhe morale e shqiptarëve, të cilat fatkeqësisht pësuan një mutacion në ato rrethana historike… Me kalimin e viteve, me ardhjen e “Vjeshtës” jetësore poeti bashkë me shtimin e viteve shton përvojat jetësore e krijuese dhe sfera e temave të tij zgjerohet rreth temave mbi jetën e botën që ai kujtoi se e njihte e që në fakt ndryshojnë përditë. Jozef Radi në dy nënndarjet e fundit të librit shfaqet si një krijues me një intensitet të shtuar shpirti-kërkimi, i ndarë më dysh mes besimit dhe dyshimit, midis ekuivokëve të qenësisë, dilemave jetësore ku ngulmimi në gjetjen e përgjigjeve vetëm sa thellon misteret… “mijra herë/ e kam verbue vedin/ mos me e besue/ terrin e atyne që m’rrethojnë…/ po s’mjaftoka veç verbimi i vedit/ me e pshtue t’keqen e tjetrit/ edhe tanden bashkë…/”
Esteti gjerman Theodor Adomo pas krimeve naziste të gjysmës së shekullit të kaluar, famshëm është shprehur se pas asaj çka ngjau në kampet famëkeqe të përqendrimit që patën ngritë nazistët, poetët nuk kanë më të drejtë të këndojnë, duke fajësuar shoqërinë gjermane në dështimin e mbrojtjes së vlerave elementare jetësore, dështimin e humanizimit në kompleks. Kjo vlen edhe në kontekstin tonë shqiptar, edhe ne jetuam dhe ishim nëpër një përvojë të ngjashme, edhe ne qemë një shoqëri që dështoi në mbrojtjen e pjesëtarëve të shoqërisë së vet, për më tepër toleroi përndjekjen e tyre, me heshtjen e frikshme i dha rrjedhë asaj periudhe historike që duhet të na bëjë të reflektojmë shumë. Askund nuk e thekson këtë poeti Jozef Radi, nuk u mëshon temave ‘lamentative’ për çfarë hoqi e çfarë kaloi, ai ngrihet fisnik mbi ato realiteteve… “jo!/ kurrë/ s’ke me e gjetë/ ma t’bukur/ vedin/ se n’dashninë/ e braktisun/ t’vjeshtës, /e as kurrë/ s’ke me e pa/ ma mirë/ shëmtinë/ e shpirtit/ tand/ se n’pasqyrën/ e thyeme/ të syve/ të mi…/”
Libri i Jozef Radit “Fletorja e vjeshtës” vjen në këtë kontekst si një thirrje shumë e fortë për të gjithë ne… Letërsia e krijuar nëpër burgje e internime është një pjesë shumë e vyeshme e kulturës sonë, ajo është trashgimi kulturore kombëtare përveç shumë vlerave tjera edhe pse është shembull shpresëdhënës se humanizmi mbahet gjallë edhe në kohët më të errëta të honeve të historisë. Pavarësisht prej çmimit që paguajnë intelektualët e vërtetë, artistët e mirëfilltë janë gjithmon atje, atje ruajnë dhe bartin humanizmin, bartin vlerat shpirtërore nga një kohë në tjetrën. Prandaj edhe studimi dhe vënia në vendin që i takon kësaj letërsie si një pjesë e vyeshme e trashëgimisë sonë kulturore është një nga detyrimet që shoqëria e sotme duhet të përmbushë. 09 Prill 2012 (standart)

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.