back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Mbi librin “Lulet e Pjeshkës” Roman nga Hasan Bajo

Gazeta

Lulet e pjeshkes - Hasan Bajo
Lulet e pjeshkes – Hasan Bajo

Mbi librin “Lulet e Pjeshkës”

Roman nga Hasan Bajo

Romani “Lulet e pjeshkës”,
 është një befasi artistike që i shtohet letërsisë shqipe.
Subjekt dhe objekt i tij është diktatura
me të gjitha mekanizmat e funksionimit të saj.
Autori, duke i njohur personalisht këto mekanizma,
i jep lexuesit një dëshmi të ankthit që kishte kapluar individin,
të dhunës shpirtërore dhe asaj fizike, të ndjenjës së frikës dhe të luftës absurde
që shteti i kishte shpallur gjithkujt, njeriut të thjeshtë apo intelektualit.
Rrëfimi na e zbulon subjektin të grimcuar,
duke e tendosur kërshërinë e lexuesit deri në skajet e fundme të ngjarjeve.

Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Njimijë rastësitë e takimit me nji libër

nga Jozef Radi

Takimi me nji libër të ri mund të jetë nga gjërat më të thjeshta të botës, por ndodh që një libër i ri të ndryjë edhe njimijë rastësi. Pikërisht sot, ndala te rastësia e takimit me romanin e parë “Lulet e Pjeshkës” të Hasan Bajos, autor vërtet i vonë, por që do të kisha dëshiruar shumë që rastësia e librit të tij të kishte ndodhur në Tiranë…!
Para do kohësh nga Nju Jorku, po flisja në telefon me Dine Dinen në Tiranë, ku ndër të tjera më tregoi mbi promovimin e librit të Hasan Bajos, se si krejt familja e tij kishte marrë rrugën nga Nju Jorku në Tiranë, thjesht për promovimin në kët fillimpranverë të librit “Lulet e Pjeshëkës”! Dinia më tregoi se brenda pak kohe, e kishte lexuar librin e Hasanit dhe e kishte përcjellë këtë ngjarje jo thjesht si shok burgjesh e kohësh të vështira po edhe si lexues i thjeshtë dhe vlerësues modest i nji vepre të parë, që autori me guxim e kishte quajtur roman! Fjalët e thëna prej Dine Dines më entuziazmuan, qoftë edhe për faktin se ai më nënvizoi faktin se e ka paraqitur mjaft bukur dhe me shumë realizëm periudhën e viteve ’80.
Ai më tha edhe plot gjëra tjera vlerësuese, po ajo çka ia shtoi dozën humorit ishte fakti se në takim folën edhe shumë prej miqve të ftuar, por më shumë për Hasanin, e krejt pak për librin mbasi ishin marrë më shumë me kopertinën, ndërkohë që Hasan Bajo e kishte kaptuar oqeanin për librin…
Me 22 prill, do të udhëtoja nga Nju Jorku drejt Romës… Kur në mëngjes herët më vjen nji mesazh: “Kur të mbrrish në aeroport, mos bëj asnji veprim, vetëm më kërko mua!” Lindita!
Dhe vërtet në orën katër sapo u paraqita në sportelet e Alitalia-s dhe shkrova emrin e Lindita Dema – Harizaj, mbas pak minutash u përballa me buzqeshjen e ndritshme të nji gruaje serioze, që vërtet e shihja për të parën herë por kishim aq shumë gjëra të përbashkëta sa na u takuam dhe u përqafëm si miq të vjetër. Kështu që jo vetëm, mbarova punë shpejt në të gjitha hendeqet e kalimit, e pata nji vend mjaft komod në avion…, po na mbeti edhe mjaft kohë për të folur qetësisht  në sallën e bussiness clasit, për gjithçka trazuese të kësaj jete të mbushur me ikje të pafundme, e ku shpesh herë fati dhe kokfortësia bëhen bashkë aq sa ti ndjehesh entuziast që ajo vajzë dikur e humbur kënetave dhe interrnimeve, e rritur për shumë vite me mungesën e babait, sot ishte aty si ekonomiste në J.F.K.
Po ajo që e bëri rasësinë edhe më të bukur ishte fakti se Hasan Bajo, kunati i saj, i kishte dhënë romanin “Lulet e Pjeshkës” me nji dedikim mjaft respektues ndaj meje dhe shkrimeve të mia për të ma sjellë.
Lindita më foli mjaft për librin duke më dëshmuar edhe grimca nga pasioni i saj i letrave, po edhe për Hasanin autorin e librit, që guximshëm kishte botuar këtë libër, të cilin e quante sakrifica më e madhe e jetës.
E ndërsa largohesha nga Nju Jorku, përpiqesha të kuptoja, se sa dashuri duhet të ketë derdhur nji njeri që mbasi ka shkruar romanin e parë në kufijtë e të 60 viteve, niset drejt vendlindjes, pa marrë parasysh shpenzimet, thjesht për ta bashkëndarë me miqtë dhe shokët e dikurshëm të vuajtjeve…
Tashti libri “Lulet e Pjeshkës” ishte pjesë e udhëtimit tim, dhe sigurisht nji ditë do të ndalem më gjatë duke u përpjekë të hyj më në thellësi të tij…
25 maj 2016 

Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga

Mbi autorin Hasan Bajo

Hasan Bajo ka lindur në vitin 1952, në Shijak,
nga prindër të shpërngulur nga Çamëria në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Mbas mbarimit të gjimnazit vazhdoi Institutin Pedagogjik trevjeçar të Shkodrës, në degën Matematikë-Fizikë.

Në vitin 1977 arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë.
Dënimin e vuajti në burgun famëkeq të Spaçit dhe në Qafë-Bari.
Mori pjesë aktivisht në proceset demokratike të viteve ’90.
Në vitin 1992 pranoi detyrën e shefit të komisariatit të Sarandës.
I zhgënjyer, dy vite më vonë dha dorëheqjen nga Ministria e Rendit Publik.
Aktualisht jeton në SHBA, Nju Jork, së bashku me familjen, gruan dhe dy fëmijët.
Romani “Lulet e pjeshkës” është romani i tij i parë.

Kopertinat e Librit- "Lulet e Pjeshkes"
Kopertinat e Librit- “Lulet e Pjeshkes”

Fragment nga romani  “Lulet e Pjeshkës”

Jashtë vetes u ngrita dhe shkova atje ku dora e Faikut tregonte. Burri me flokët e zinj zgjati fletët dhe unë në njërën prej tyre, të parën në renditje me mundim ia dola të lexoj. Sot me datën… unë i nënshkruari… me vullnet të lirë pranoj…
Dora që prekte fletën dridhej si e një epileptiku. Sytë nuk shihnin asgjë veçse varrit. Faiku se nga nxorri një stilograf duke ma vendosur në mes të gishtërinjve. Ula kokën dhe stilografi iu afrua vendit në fund të fletës ku mungonte nënshkrimi. Befas, klithma e një violine drithëroj ajrin e dhomës. Si një shpend krahëthyer u vërtit disa çaste duke goditur muret dhe kur e drobitur, me rënkime të dhimbëshme do të lëshohej mbi dysheme, një kitarë e egërsuar e mbajti të mos rrëzohej. Tam-tamet e tamburëve vinin nga larg si kasnecë kushtrimi. Violina iu bashkua zërit femëror që rrekej të arrinte qiejt gjithnjë duke rënkuar mundimshëm. Kitara klithi sërish duke u përpjekur të arrinte sopranon. Dhe mua në një çast të vetëm mu ninëzua fërgëllima e supeve të Bertit të asaj dite kur i pata premtuar se sido që të qe nga goja ime nuk do të dilte as edhe një fjalë dhe se ai nuk do të duhej të besonte kurrsesi se unë do të ndryshoja. Në veshë më jehoj e qeshura e Senës dhe sytë e saj të copëzuar nga degët e ullirit atë mbrëmje me hënë vjeshte kur patëm shkëmbyer fjalët e para më buzëqeshën. Pastaj mu ninëzua nëna e ulur në divan duke më pritur dhe me vete thashë se askush nuk do të mund të njihte mënyrat se si zoti do të zgjaste dorën për të të ndihmuar. E ardhur nga mijra kilometra larg, nëpër natë, me krahët e brishtë të një fluture, fillikat e vetme, duke përshkuar oqeane, male dhe shkretëtira, ajo copëz muzikore e kishte marrë këtë udhëtim të gjatë enkas për me mua. Kishte arrirë në kohë për të më kthyer, në momentin e fundit, si në përralla, atë më të vyerin që përkohësisht më pati humbur, dinjitetin. Dikush e fiku radio tranzistorin. Nuk kishte rëndësi, tashmë isha ai i pari. Isha i shpëtuar.
-Nuk ke përse të mendohesh, firmose, – tha Faiku butësisht duke rënduar me dorë dorën që mbaja ende stilografin.
-Jo. Nuk kam arsye ta firmos, – thashë duke lëshuar stilografin mbi tavolinë. Për një moment të pranishmit vështruan njëri tjetrin. U ngrita dhe ngadalë shkova në drejtim të karrikes në fund të dhomës ku isha ulur më parë.
-Nuk e firmos ,- ulëriti kostumhirësi këmbëmadh duke u afruar me të shpejtë. Ngriti këmbën dhe i madh si qe lehtësisht mundi të ma vendosë mbi gjoks. Maja e këpucës goditi mjekrën.
-Kërkon të na bëjsh heroin. Ta tregoj… dhe hapi krahun.
-Jo. Unë nuk jam hero, por, – dhe duke e parë në dritë të syrit, ngadalë, shkoqur shtova.
-Çështja është që në kohërat që kërkojnë hero të mos jesh antihero. Unë nuk dua të jem i tillë. Sigurisht do të më kishte goditur nëse ai me pamje intelektuale dhe me sytë njerëzorë nuk do të kishte ndërhyrë.
-Mos e prek, – urdhëroj. Këmbëmadhi uli këmbën.
-Për një gjë të jesh i sigurtë, – tha duke u ngritur nga tavolina. Gjithnjë do të jesh në anën e humbësve. Asnjëherë nuk do të vij ajo ditë që ëndërron. Edhe nëse do të kujtojsh se ajo ka ardhur, më beso, ke gabuar. I kemi marrë të gjitha masat. Fliste qetë. Ishte i sigurtë në ato që thoshte.
-Fjalë, – thashë me vete, dhe mendova të njëjtën si pata menduar kur Faiku më pati thënë se edhe nëse do të kishte ndonjë sulm nga jashtë, përpara se të niseshin për në front më parë do të lanin llogaritë me ne, armiqtë. Ma mbushe mendjen i isha përgjigjur. Nëse hitlerianët do ta kishin realizuar ka të ngjarë që edhe ju mund ta bënit, por kur ata nuk mundën nuk kam se si të besoj që ju…
-Vite më vonë e kam kujtuar shpesh bisedën e asaj nate, dhe fatkeqësisht ai i riu me sytë njerëzorë më pati thënë një të vërtetë që unë dhe shokët e mij në kohërat e para të ndërrimit të sistemit të verbuar nuk kishim dashur ta pranonim.
-Këto ditë do të dalësh në gjyq, vazhdoj. Të këshilloj të sillesh mirë, të mos kundërvihesh, përndryshe do të dënohesh në maksimum, dhjetë vjet. Faiku paska gënjyer kur tha se nenin shtatëdhjetë e gjashtë fraksion një prokuroria e pati vendosur sërish, mendova i lehtësuar. Më vështroj gjatë duke i buzëqeshur dikujt brenda vetes, pastaj qetësisht urdhëroj:
-Shpjereni në qeli. Gardian Çeti si të përballej papritmas me një të ngritur nga varri pati një zbrapsje kur më pa në sheshpushimin e shkallëve. Ishte hera e parë të shihja sytë e tij, gjithnjë me gjumin që i rëndonte qepallat të kthjelloheshin në të dhjetat e sekondës. Mbasi i kaloj habia e momenteve të para qe i paduruar të mësonte, nga Nuja, polici shoqërues se si qe e mundur të isha kthyer. I ndigjoja se si pëshpërisnin mbas kurrizit ndërkohë që hapnin derën e qelisë. Murmurimat vazhduan edhe mbasi zhurma e rrëshqitjes së llozit më la të kuptoj se dera qe mbyllur. Nga Nevruzi në cepin e dyshemesë pati mbetur gjysëm pako gjalpë si duket e rënë apo e harruar në nxitim e sipër. Gërvima e sportelit që u hap më bëri të kthej kokën. Sytë e Çetit më shihni ende të habitur.
-Ndize një cigare të qetësohesh, – tha. Shkova në fund të dhomës ku kisha lënë paketën, dhe me atë në dorë iu afrova sportelit.
-Ndize një nga paketa ime, – mumrmuriti duke më zgjatur paketën partizan..
E ndërrojmë, – ia ktheva.
-Është e ndaluar, por për hatërin tat do ta …dhe u largua për të puthitur sportelet e dyerve përballë.
-A vuajte shumë, – pyeti duke thithur cigaren. I buzëqesha pa i kthyer përgjigje.
-Baba ka qenë partizan me çetën e Pezës, prej atij jam vesh polic, – sikur u shfajësua.
-Do të punoje diku, fati të bëri polic, dhe i buzëqesha si për t’i thënë se sado që ishte gardiani im kjo nuk përbënte arësye që të mendoja keq. Nga fundi i qelive u ndigjua një trokitje mbi njërën prej dyerve.
-Ndigjo, – tha përpara se të largohej për të shkuar atje ku e kërkonin.
-Mos të vij randë. Sa herë të duash të ndezësh cigaren apo të shkosh në banjo vetëm bjeri sportelit. E falënderova dhe u ktheva në mes të qelisë. Një ndjesi paqeje e gjithpushtetëshme shtrihej anekënd. Ende në veshë më jehonte klithma e violinës dhe tam-tamet e largëta. Ndjehesha jashtëzakonisht i lodhur. Nuk e di se sa do të kem qëndruar në këmbë pa mundur të mendoj asgjë. Lumturia, lehtësimi, krenaria apo ku di unë se çfar qenë po më zinin frymën. Mbi frëngji njolla e purpurt e agimit që rrëzohej butësisht më ndërmendi pjeshkën e vetme të oborrit përpara shtëpisë në lulëzim. U shtriva ngadalë, anash, në të majtë, duke vënë dorën nën mjekër, dhe në momentin që qepallat mbylleshin të rënduara, nëpër atë pjesë të trurit që qe ende zgjuar mendimi se do të më pëlqente që mbi varrin tim të hijonte një pjeshkë e lulëzuar më bëri të buzëqesh.
E meritoj, – murmurita – E meritoj, – përsërita, dhe mbas disa çastesh thuajse i pavetëdijshëm thash: – E meritoj se dija të vdisja, – dhe buzëqesha sërish i lumturuar.

Titulli: Lulet e pjeshkës
Origjinali: Lulet e pjeshkës
Gjinia: Roman
Autori: Hasan Bajo
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2016
Fq. 284
Pesha: 0.344 kg.
ISBN: 978-9928-217-03-5

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.