back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Mbi dashninë… – nga Kahlil Gibran (pjesë nga Profeti)

Gazeta

Khalil Gibran (1931)
Khalil Gibran (1883-1931)

Mbi dashninë…

nga Kahlil Gibran (pjesë nga Profeti)

Atëherë Almitra i tha: “Na fol për dashninë!”
Ai ngriti kryet, kqyri popullin… dhe nji qetësi e mahnitshme zbriti mes tyne, e  ai me zà të naltë iu foli:

Kur t’ju thrrasë dashnia, ndiqeni mbas,
edhe n’se rruga asht e ashpër dhe e vështirë.
Edhe n’se flatrat e saj ju mbështjellin,
edhe n’se shpata e mshehun ndër pupla mbrrin me ju plagosë, braktisuni në të.
E kur ajo t’ju flasë, ju besojeni,
edhe n’se zàni i saj mundet m’ua thye andrrat, njashtu si veriu i shkatërron kopshtijet.
Sepse njashtu si mund t’ju kunorzojë lavdie, njashtu edhe mundet t’ju kryqëzojë.
Njashtu si mundet me ju ndihmue n’rritën tuej, njashtu mundet m’ua sjellë edhe venitjen….
.
Dashni…
Dashni…

Njashtu si ngjitet naltsive tueja e ledhaton degët e brishta që drithërojnë ere,
njashtu zbret edhe ndër rranjë e i shkundë n’at kapërthim të tyne me tokën.
Njashtu si dengjet e grunit mblidhen të tana bashkë.
e shkunden m’u pastrue.
e siten m’u lirue bizhdilesh,
e bluhen gjer në zbardhje të plotë.
e mbruen derisa t’bahen të buta,
e ma së fundi i dorzohen zjarrit të shenjtë, me e shenjtnue bukën në mensën e Perëndisë.
E gjitha kjo ka me sjellë ndër ju dashni, pse veç ju i njifni sekretet e zemrës suej, e n’at njoftje baheni nji fetë zemre e Jetës…

Edhe nëse ju kaplon frika ju kërkoni veç paqen e knaqësinë e dashnisë,
do t’ishte ma e mira gjà, me e mbulue lakuriqësinë tuej, e me dalë prej lamit të saj,
n’at botë pa stinë ku ju veç do qesheni, e mos i harxhoni krejt t’qeshunat tueja, po edhe n’se vajtoni, mos i derdhni krejt lotët tuej.

Dashnia nuk dhuron asgja veç vetvedin, e s’humb asgja tjetër veç vetvetes.
Dashnia s’bahet Zot i askujt po as dëshiron me ju bà ndokush Zot,
Pse dashnisë i del e i tepron veç dashnia.

Kur dashuroni, mos thoni: “Perendia asht n’zemrën time!”, thoni: “Unë jam n’zemrën e Perendisë!”
Dhe as nëpërmend mos t’iu shkojë se ju mund ta drejtoni zejen e dashnisë, pse asht Ai, që n’se ju gjen të denjë, ka me e drejtue zejen tuej…

Dashnia s’ka asnji dëshirë tjetër veç me ju ba të ndjeheni të mbushun përplot.
Dhe nëse dashuroni, e keni nevojë për dëshira… këto janë:

Me rrjedhë e me u bà t’rrëmbyeshëm si përroni që i këndon meloditë e veta nëpër terr.
Me e njoftë ndëshkimin përmes nji dhimbsunie t’pafund.
M’u ndje të plagosun prej njoftjes me dashninë tuej.
M’u përgjakë plot dëshirë e kënaqsi.
M’u zgjue n’agim të dritës me zemrën ndër flatra e me e falenderue edhe nji tjetër ditë dashnie.
M’u ndalë në mesditë e me reflektue mbi ekstazën e dashnisë.
M’u kthye në mbramje në shpi me mirnjoftje të pafundme.
E me ra me fjetë me nji lutje për të shtrenjtin e zemrës, e me nji kangë lavdie ndër buzë…


(Shkëputë nga “Profeti” Kahlil Gibran)
Përktheu Jozef Radi 2009

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me ra me fjetë me nji lutje për të dashurin e zemrës, e me nji kange lavdie ndër buzë, sa të bukra kto vargje, si më paska shpëtu pa e lexuar më herët. Kam lexuar dhe poetë të tjerë që ke përkthyer, por Khalil Gibran më shijoi! Nuk e kisha lexuar as dëgjuar më parë!
    Faleminderit.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.