back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Mbasi recitova pjesën time… nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Enkeleda Ristani ne nji çast reflektiv
Enkeleda Ristani ne nji çast reflektiv

Mbasi recitova pjesën time…

nga Enkeleda Ristani

 
Mbasi recitova pjesën time
doja të dilja nga skena, Gyter
por spektatorët më detyruan të kthehesha mbrapsht.
Çuditërisht nuk donin të rithoja gjithë ç’kisha thënë
kësaj here donin një pjesë të re krijuar aty për aty.
U shtrydha, Gyter
ti e di sa e talentuar jam
por s’di pse më bllokoi nxitja e tyre.
Duhet pasur kujdes kur bëhesh klloun, Gyter
po s’e zgërdhive mirë lotin ata të linçojnë.
U mendova pak çaste dhe përplasa krahët në të dy anët e kofshëve
Sytë i derdha përdhe në të njëjtën kohë më supet
dhe nisa me zë të qetë të luaj rolet e tyre.
E nisa me atë zotërinë që s’po m’i ndante sytë me mosbesim
e tërhoqa nga kravata e bukur gjithë shkëlqim, Gyter
dhe idioti më ndoqi pas si një këlysh i bindur.
I harroi gjithë mendimet e zëshme po sa ju plotësuan të heshturat
E vërtita nëpër skenë, Gyter
herë e shtyja dhunshëm dhe herë e afroja gjithë ëmbëlsi
dhe nisa t’i recitoj në fytyrë, ngjitur me fytyrën
gjithë kotësinë e jetës së tij
që e mbushte me përthyerjen e qafës mes shalësh të hapura.
Më beso, Gyter, ai ishte roli më i vërtetë që mund të luaja për të
e më pas pasi kridhej në kostumin e errët
nuk kishte më ç’t’i luaje.
Më pas ajo zonja
ajo që gjithë skenën e parë e shoqëroj me mallkime ndaj meshkujve
dhe, sigurisht, edhe ndaj meje që më quajti kurvë.
I fola në emër Gyter
ishte kaq argëtuese
sigurisht, ajo mund të quhej vetëm Mari
Maria virgjëreshë e shkërdhyer.
Kishte kohë pa dalë para pasqyrës
që kur palët e dhjamosura të barkut e vunë përpara, Gyter
e që në atë kohë kishte nisur t’i urrente të gjitha gratë
deri edhe të bijën që i çelte çdo ditë para syve.
Gusha e tërhiqte poshtë
dhe sytë e rrudhur i ishin futur brenda në shtresa të majme.
Mendonte se kishte një rast ku i shoqi kishte hequr dorë prej saj
dhe nuk e kuptonte se që në momentin e marrveshjes martesore
e gjithë jeta e saj kishte shkuar për dhjamë qeni.
E lash këtu, Gyter, e lash të villte zorrët mbi dëshpërimin e saj
dhe vazhdova rolin e të shoqit në krahët e moçëm të saj.
Ai më shihte me neveri
nuk është e lehtë të grithësh plagët e heshtura, Gyter
ëndrrat e makthta që njerzit ja fshehin ditës
në sëndukët e natës,
Zotëria i matur kishte sy të shkathët
Sigurisht, familja ishte e shenjtë për të
brenda rrethit të kapeles që e hiqte gjithmonë tek dera
veçse kur e ulte mbi sy, jashtë saj, balli i godiste gjithmonë
parmakut të lirisë
çfarë çlirimi nga dosa që i çante bythën edhe kur heshte
Ajo fytyrë që donte disa dopio Jack Daniel’s që ta harronte.
Po të mos ishte për lajthitjen e të atit që e detyroi të martohej
mbase pse edhe atë ditë e kishte detyruar
në bazë të kodeve të dhjera të familjes
e mbase po të mos qe kjo lajthitje dot mund të ishte përjetësisht i lirë.
Për pak sa s’harrova frikën e tij, Gyter
frikën e të vetëshërbyerit në një moshë të palosur më tresh
ose frikën e vetmisë, siç thonë
çfarë shoqërie mund të bënte ky zotëri me zonjën me pala që e urrente, Gyter?
Në shumë vite detyrim nuk ka si të vij qetësia.
Të kujtohet ajo gruaja e nevrikosur
Në shtëpinë me atë burrin e paralizuar që i kishte nxirë jetën?
E pastronte me fshesë ndyrsinë e jashtëqitjes së tij, Gyter
drejt e në vrimën e anusit.
Kishte qenë e bukur dikur, e re, e bindur
kurse koka i mahisej çdo natë nga shishet e të shoqit
që shënjonte pa gabuar.
Martesë e gjatë, Gyter, e urryer…
Këtij zotërisë me borsalinë, zotërisë së zonjës me pala
i kujtoheshin vetëm qejfet e bëra në fshehtësi, Gyter
paguante me ndërgjegje sepse paratë duhet të qarkullojnë në natyrë.
E lashë të gjorin në kulmi e rolit të tij
Nuk ja vlente më tej
pas kësaj vinte rënia
e heshtje kome ka rënë edhe në sallë, Gyter
Askush nuk duartroket
dhe rolet janë kaq shumë.
Në sallë ka vajza të plakura në vetmi
që kurrë nuk e panë dikë t’u afrohej
sepse humbën nëpër kohë
ka zgjebarakë të kamur që bolet i vërtitën mbi pështymat e të mëdhenjve
ka vemje, Gyter, nga ata që mbajnë peng poetët
sepse guxojnë të lajthisin njerëzinë
të luajturit mendshë që mund t’i gënjesh me premtime të zbrazura
Ka puplorë kokëbosh që qeshin para se ta thuash fjalën
sepse kanë pikasur që mund të jesh tip hokatar
edhe kur ti bën kllounin me lotin e zgërdhirë.
Ka nga ata “të mëdhenjtë”, Gyter
nga ata që ngjiren nëpër molepsje trutharësh
nga ata që komandojne moralin nga parmakët e bordellove.
Këta janë “ata” dhe “ato”
njësoj perversë
njësoj frekuentues orgjish nëpër pyje të ndaluara për këdo
të mallosur në gjenitalet e sipërme
dhe të shkrehur në të poshtmet që i përdorin me viagra gjithëfarsoj.
Ka përdhunues, Gyter.
Ata nuk ia kanë treguar askujt
por kanë harruar ta fshijnë nga balli.
Pastaj vij unë që ndoshta jam pak nga të gjithë dhe pak e roitur
aq sa i jap dërmën të gjithave, Gyter
në një skenë të zhveshur me gogol mishngrënës
për të kuptuar të paktën një herë
ç’ndien shpirti kur vdes?
.
Marrë nga vëlimi poetik, i Enkeleda Ristanit “E di Gyter?”
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.