Martiri Xhelal Koprencka nga Luan Myftiu (AAFH)

Luan Myftiu

Luan Myftiu

Martiri Xhelal Koprencka

nga Luan Myftiu (AAFH)

Xhelal Koprencka ka hyrë tashmë në altarin e martirëve të lirisë. Ai ka mbetur përjetësisht simbol i guximit dhe trimërisë shqiptare. Kush nderon sot Xhelal Koprenckën, nderon veten. Nderon veten, sepse tregon që në shpirtin e tij ka etje për dinjitet të lartë njerëzor e fisnikëri shqiptare. Se Xhelal Koprencka hyn në altarin e atyre heronjve, që meritojnë të mbeten të paharruar. Dhe jo vetëm për aspiratën e tyre liridashëse, por ngaqë e kanë dashur Shqipërinë më tepër se veten e tyre. Dhe Xhelali kështu ka për të mbetur: një kometë e zjarrtë antikomuniste, që me dritën e saj kërkon t’u tregojë brezave se kjo tokë ka rritur dhe edukuar bij, që e kanë mbrojtur lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor edhe në kohërat më të errëta të tiranive! Prandaj kujtimi i Xhelal Koprenckës na bën thirrje sot për ndëshkimin e krimit komunist, sidomos të konstruktorëve të këtij krimi dhe duke na kërkuar të lartësojmë personalitetin e çdo njeriu të pafajshëm, të nëpërkëmbur nga komunizmi. Nga ana tjetër, Xhelat Koprencka i kujton demokracisë të mos harrojë sakrificat dhe privacionet e shtresave, që u vetëflijuan për të ruajtur vlerat e larta njerëzore në kohërat e një barbarie të paparë! Prandaj Xhelali ka mbetur kështu: shembëlltyrë e misionarit të të revoltuarve të përjetshëm antikomunistë, simbol i karaktereve të forta, martir që vendoste vetëm ekuilibër moral edhe aty ku mbillej shthurja e degradimi. Ai ka mbetur një shenjtor me tolerancën e tij fisnike, dhe mahniti këdo me durimin e një shenjtori të lirisë! Ai ka mbetur përfaqësues i lartë i gjithë atyre, që ditën të ruanin dinjitetin, edhe kur terrori komunist tentoi t’i rrëzonte në batakun e nënshtrimit. Prandaj Xhelal Koprencka hyn në armatën e martirëve, që e mohuan diktaturën komuniste, madje me atë guxim që shkonte deri në flijimin e vetes.

Xhelal Koprencka i ri

Xhelal Koprencka i ri

Kush e ka njohur nga afër, e ka të vështirë të pranojë që Xhelal Koprencka sot nuk jeton më. Se njerëz si Xhelali nuk mund të vdesin. Nuk mund të vdesin ata që e shndërrojnë jetën e tyre në dritë lirie; ata që prodhojnë vlera morale duke shpërfillur tortura çnjerëzore, ata që lënë gojëhapur edhe xhelatët e tyre më mizorë! Jo, Xhelal Koprencka me shokët e tij nuk mund të vdesin! Se nuk vdesin ata që lënë pas një jehonë, një zë, një moral, një shpresë! Ata që lënë pas  besimin tek e mira njerëzore! Prandaj do të na duket gjithmonë ne dhe brezave që vijnë, se Xhelali jeton! Se nuk mund të vdesë ai që e përjetësoi veten me veprën e tij! Prandaj e ndiejmë që ai është gjithmonë midis nesh. Të gjithë e shohin atë me sytë e shpirtit! E shohim ashtu: të qeshur, optimist e kurajoz, shpresëndjellës e vllazërues; një Promete, që e shndërroi jetën dhe kujtimin e tij në burim kurajoje për përsosjen e demokracisë! Ndaj gjithë shqiptarët e vërtetë e shohin këtë martir tek nxit bashkëvuajtësit të luftojnë për zhdukjen e fantazmave të komunizmit, të cilat tentojnë ende të errësojnë sukseset e demokracisë! E ndiejnë atë të lumtur tek i sheh të bashkuar, antikomunistë, por dhe njerëzorë, demokratë të betuar, të gatshëm për të çmuar vuajtjen e kalvarit komunist e për të shprehur mirënjohje ndaj gjithë atyre, që ia dhuruan flijimin e vet ngritjes e përsosjes së demokracisë së vërtetë. Dhe vërtet, ja tek është Xhelali i lumtur, kur i sheh bashkëvuajtësit të bashkuar, në mbrojtje të të drejtave të tyre! Të papajtueshëm me ata, që nuk kanë kërkuar falje për masakrën që bënë mbi shtresat e pafajshme! Edhe për këto Xhelali nuk vdes kurrë! Se nuk mund të vdesë ai që ishte një balancë floriri, ku peshoheshin trimat dhe stoikët, a një engjëll roje për të brishtët, apo dhe një prokuror i rreptë për ata që me vetëdije ia patën shitur shpirtin djallit! Po Xhelali qe dhe simbol i mirësisë! Cili i kërkoi ndihmë dhe nuk gjeti tek ai një mik, a një vëlla?! Në mes të dhimbjes, ai qe gëzimi! Në mes të dëshpërimit, qe shpresa! Në mes të zvetënimit, ai qe virtyti! Ky gjeneral i së drejtës, trishtohej vetëm kur shihte që diktatura kishte arritur të rrëzonte ndonjë nga skllevërit krenarë! Ndaj, sa më e egër bëhej diktatura, aq më kryengritës bëhej Xhelali! Sa më dinak bëhej sulmi i saj poshtërues, aq më patetike bëhej oratoria kundërshtare e këtij martiri. Ndoshta prandaj bisha komuniste as që tentoi ndonjëherë ta thyente atë! Se Xhelal Koprencka dukej qartë që kishte lindur për të dhënë një mesazh. Dhe vetëm kur mendoi se atë e kishte dhënë të plotë, e sanksionoi atë edhe me jetën e tij. Dhe u largua nga kjo botë i qetë. I qetë, që ia kishte përplasur në fytyrë diktaturës urrejtjen e tërë një populli, të martirizuar prej saj. I qetë, se ç’kish të shenjtë, ua la ta vazhdonin bashkëvuajtësit e tij. Dhe ata, të gjithë, janë përpjekur të mos e turpërojnë. Dhe sot, kudo që janë, të pranishëm fizikisht a me shpirt, jashtë shtetit a në Shqipëri, janë të vendosur ta shpien deri në fund amanetin e këtij martiri: zhdukjen e ideologjisë kriminale komuniste nga toka e bekuar arbnore!

Gjetja e eshtrave të dy të pushkatuarve

Gjetja e eshtrave të dy të pushkatuarve

Thirrja e tij kur komisari xhelat i kampit të Spaçit urdhëroi arrestimin e tij, tronditi gjithë malet e Rrëshenit “Korrigjoje, komisar! Ju po më arrestoni, jo në emër të populli, por në emër të armiqve të popullit!”, (pas asaj letre maskëçjerrëse kundër tiranit!), do të buçasë, pa pushim, në shekuj, në shpirtrat antikomunistë të të gjithë atyre, që krenarinë e çmojnë si një armë, me të cilën do t’u ndalet dora e hienave sykuqe, sa herë që ato do të tentojnë të përdhunojnë aspiratat dhe virtytet e larta të shqiptarëve!
Tek mbylli sytë, Xhelali ka qenë i bindur se ideali i tij për një Shqipëri demokratike, përmbi varrin e diktaturës komuniste, do të bëhej patjetër realitet!
Dhe Shqipëria s’ka për ta harruar kurrë birin e saj, martirin Xhelal Koprencka!…
(marrë nga AAFH 13.03.2012)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook