back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Mark Temali, midis kujtimesh dhe dokumentesh – nga Jozef Radi

Gazeta

Shkodra e Vjetër
Shkodra e Vjetër

Mark Temali, midis kujtimesh dhe dokumentesh

nga Jozef Radi

Emni i Mark Temali për shumkend s’thotë asgja të randsishme… ndoshta as për mue, që kam marrë përsipër me i shkruejtë këta pak rreshta për të, s’asht se mundem me thanë ndonji gjà të madhe… veç nji përpjekje me hjekë pak pluhun e me lshue pak ma shumë dritë; mbasi me shpirtin tim të gërmimeve, Mark Temali di të ketë qenë ndër ma të parët studentë që mbaruen studimet në Gjimnazin e Shkodrës, pra ka qenë nxanës i Ivanajt… Ma vonë, rreth vitit 1944, ai ka qenë në kryesi të themelimit të shoqatës Kroato-Shqiptare, mbasi mbështetë në do kujtime të vakta të fëminisë, besoj të ketë krye studiue e nalta në Zagreb (s’e di për ç’degë), dhe ka shkrue përgjat viteve 1943-’44, në gazetën “Bashkimi i Kombit” (nji studim, të cilin po e paraqes në kët faqe). Mandej, mbas vitit 1944, duhet të ketë qenë i burgosur politik për gati 15 vite, që simbas gjithë gjasave, ka qenë i internuem në Kampet e Myzeqesë, e kryesisht n’atë të Gradishtës.
Mund me e thanë me siguri, Mark Temali ishte shumë mik i tim atë, s’e di saktësisht n’se janë njoftë në Shkodër, në Tiranë, apo në kalvarin e burgjeve të gjata; di vetëm se “liridaljet e Mark Temalit” në vitet ’60, ishin vetëm vizitat e tij në Savër, kryesisht në familjen tonë, mbasi gjente nji mikpritje e ngroftë e jo vetëm kaq, po njoftja e prindve të mi dhe atij e gjuhës kroate, bante që bisedat delikate, humori i hollë dhe ajo gjendja që po kalonin n’at skëterrë të ndëshkimeve të pafundme, e maskonin n’gjuhë të huej, prej vëmendjes jo vetëm të pushtetit po edhe prej spiunave që edhe pse emna të fisëm, po e kryenin me mjaft zell detyrën që u kishte ngarkue Partia e Sigurimi në dam të bashkvuejtsve të tyne…
Mark Temali n’ato vite të internimit, vinte me leje në Savër, mbasi deri aty ishte “limiti i lirisë” së tij, pse aty n’at kohë ishin disa prej miqve të tij të rinisë si: Guljelm Deda, Zef Gjeta, Zef Gjeçi e ndonji tjetër, po ajo çka e ban të trishtë kët rrëfim, asht se zelli i bashkëpunëtoreve të Sigurimit, ishte i pranishëm në raportimet e këtyne vizitave dhe bisedave, (disa prej të cilave do t’i përcjell përmes këtij shkrimi), në dosjen e Sigurimit Numër 793 të Lazër Radit…
 
Mark Temali, ishte burrë energjik, plot humor e dëshirë për jetë. Në Savër vinte me nji biçikletë t’errët, zakonisht të shtunave në mbramje, po edhe të djelave në mëngjes herët e ikte mbasditeve vonë. Me sa kujtoj, vinte në periudhën e verës ose të kremteve fetare: për Pashkë o Krishtlindje. Marku kishte trup të ngjeshun e mesatar; kur hiqte kapelen vërehej se kishte nji kokë të shogët e rrumbullake. Veç të tjerash, ishte fort i apasionuem mbas lojës së shahut, dhe s’ka pasë rast, të ketë ardhë në Savër e mos t’i çoja fjalë shahistave ma të mirë të lagjes, që të ndesheshin me të. Ajo që s’mundem m’e harrue ishte dhjetëlekshi jeshil, o ndonji çokollatë, që nxirrte prej xhepit e ma dhuronte, çka i bante ardhjet e tij edhe ma të dashtuna e ma të nguluna në kujtesë…
 
Mark Temali, duhej t’ishte do vite ma i madh se Lazër Radi. Në kampin e internimit në Gradishtë, ai s’kishte as grue, as familje e as të afërm… Ishte fillikat… dhe mesa kujtoj, në Kamp ai jetonte në gazermën e beqarëve, po gëzonte respektin dhe vlerësimin e shumicës së banorëve, jo veç atyne të Kampit të Gradishtës, po edhe ma gjanë. Kët e dëshmon edhe ngjarja e dhimbshme dhe tronditse, që na trishtoi të gjithve në familje…
Duhet të ket qenë fundi i viteve ’60, kur na erdhi lajmi se Mark Temali, na là! Kishte qenë nji vdekje e beftë dhe e parakohshme. Unë besoj se Marku s’i kishte mbushë 55 vitet. Kujtoj tronditjen e thellë që patën dy prindët e mi, mbasi nji tjetër ngjarje, ishte edhe ma tronditse se vdekja. Mark Temalit s’i ishte dhanë leje me u varrosë në qytetin e lindjes, pranë të afërmve të vet… Kështu vdekja e tij u kthye në nji shembull i madh solidariteti ndër bashkëvuejtsit e tij, prej gjithë të interrnuemve të Kampeve të Myzeqesë. Përballë njeriut që e kishte vetmue diktatura, u demostrue se vdekja e atij intelektuali e njeriu plot dashni për jetën, përcjellja nga disa qindra pjesmarrës të ardhun nga Gradishta dhe Plugu; nga Grabiani dhe Çerma; nga Savra dhe Dushku; nga Gjaza e Rrapëza, të cilët përkundrejt egërsisë së diktaturës, e përcollën Mark Temalin, në banesën e fundit në qytetin e Lushnjes me nderime dhe respekt të rrallë… Asnjiherë s’ka ndodhë nji solidaritet i tillë, çka më shtyn me besue se ndër ata njerëz të vuejtun, ekzistonte shpirti i besimit dhe respektit, i cili me kohë do të vinte duke u zbehë e duke u shprishë…
Humbja e Mark Temalit, dhe fati i tij, i kishte mërzitë mjaft prindët e mi… Nuk kishin mjaftue dënimet e shumta, po të gjithë ne ishim të detyruem me vuejtë edhe braktisjen e të afërmve, e në kësi rastesh tragjike, s’mund të ktheheshim as të vdekun pranë të afërmve…
Ajo çka më dhemb sot, ndërsa i mbyll këto rreshta kushtue Mark Temalit, asht se në vorrimin dinjitoz të tij qe edhe nji fotograf. Dy foto të këtij vorrimi në qytetin e Lushnjes, i kemi pasë në albumin e familjes, e që sot s’i gjejmë…!! Asht i lutun cilido, që ka ndonji foto të këtij vorrimi, o ndonji foto të Mark Temalit o me Mark Temalin, me ia bashkue këtij shkrimi modest, n’emën t’nji Njeriu vetmitar, që pothuej asht përthithë prej heshtjes…
janar-shkurt 2019
Dosje Përpunimi Nr.793 - Lazër Prend Radi
Dosje Përpunimi Nr.793 – Lazër Prend Radi

Raport i datës 29.07.1963

(Nga dosja Nr. 793  ndaj Objektit Lazer Radi)

Faqja 25 dhe 26 të shënuara, kurse faqja 47 e 48 të shlyera.
(sipër një shirit i shlyer me të bardhë)
 
Marrë puntori operativ/Kapiten Llazar Gogu
Dhënë b.p. “Përpjekja”/Dosja e punës Nr. 984
 
Ditën e shtunë, më datën 27.07.1963, mbasdite rreth orës 7, vjen tek burimi Lazër Radi, i cili e fton për darkë, pasi kishte ardhur prej Gradishte Mark Temali, tue i thanë se kam pregatitur diçka të mirë e kalojmë sonte së bashku kohën. Njëkohësisht, pasi u largua prej burimit shkoi e ftoi edhe Lem Dedën. Mirëpo nga ora 8.30 e mbrëmjes kur burimi do të shkonte tek Lazri, takoj papritmas Lazrin, i cili i dëshpëruar së tepërmi i thotë burimit, se: “Më falni se u ndodha pa dashjen time në një situatë shumë të keqe e të ngushtë, por detyrohemi t’ju them të mos vini sonte për darkë e si rrjedhim edhe Lem Deda, për arsye se Mark Temali tha, nuk dëshiroj prezencën e burimit. Burimi këtë e priti me një gjakftohtësi, tue i thanë Lazrit që të mos mërzitet se neve jemi gjithmonë miq e kjo nuk ndodhi nga ana e tij. Pasi u largua prej burimit shkoi menjëherë e lajmëroi edhe Lem Dedën. Të nesërmen në mëngjez Lem Deda, erdhi tek burimi dhe u ankua për këtë sjellje jo të hijshme nga ana e Lazrit. Burimi e këshilloi Lemin, që të mbajë gjakftohtësinë e të mos i japë rëndësi të madhe. Kështu që burimi me Lemin vendosën aty për aty dhe shkuan për vizitë tek Lazri, ku i priti Lazri dhe Mark Temali. Si burimi dhe Lem Deda pa e prekur aspak atë që ngjau mbrëmë, filluan nga muhabetet e zakonshme dhe fjalë pas fjale, u hapë biseda mbi bisedimet që zhvillohen në Moskë, ndërmjet Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Ingliterrës. Lem Deda thotë se. “Sipas mendimit të tij, ay mendon se arritja e marrëveshjes, qoftë edhe pa ndonji rëndësi të madhe, mundet të ketë si qëllim që me anë të kësaj marrëveshje ta detyrojë Hrushovi gjunjëzimin e Mao Ce Dunit, d.m.th. që Kina të kapitullojë e të udhëhiqet nga udhëzimet politike të Moskës. Kurse Lazri e Mark Temali nuk pajtoheshin e nuk pranonin mendimin e Lem Dedës dhe thonin se: “Qeveria Moskovite tue pa e konstatue se shpërthimi i nji lufte bërthamore do të shkaktonte zhdukjen e kontinenteve e shkatërrimin e botës, e për ta evituar këtë mund të kenë vendosur që të merren vesh me perëndimin në mënyrë të sinqertë, duke bërë edhe lëshime politike dhe ekonomike e t’ia arrijnë qëllimit të tyre për evitimin e katastrofës që nuk është në interes as të Bashkimit Sovjetik as edhe të Perëndimit!” Të dy këta, Lazri dhe Marku, e pyetën edhe burimin tue i thanë se si mendoni? Burimi deri diku përkrahu mendimin e Lazrit e Markut. Mbas kësaj Lem Deda ngrihet në këmbë tue thanë se: “Tash asht mëngjes, e kërkoj leje m’u largue, se mbas apelit e paska zakon që të flejë deri në orën 9-10!”
U ngrit edhe burimi edhe u largua.
Kur ishin tue u largue u tha që të bënin një darkë tjetër në shtëpi të Lazrit, por tue marrë pjesë të katër në shpenzimet, edhe kjo u pranua, por se kur, nuk u caktua dita.
Burimi më vonë u takua me Lazrin dhe e pyeti se përse u shkaktua ajo e mbrëmjes? Lazri tha: Marku nuk desh që ju të ishit prezent, për arsye se ay paska neveri ndaj jush, të ardhur nga nji ngjarje që paska ngjarë në vitin 1942-’43, në Tiranë. Burimit menjiherë ju kujtua, dhe me rastin më të parë, mendon që ta skjarojë çështjen me Markun.
.
Savra prej Google Earth 2003
Savra prej Google Earth 2003 Siper ne te djathte 7 Barakat

V.O. Ta mësosh se çfarë është kjo grindje me Markun. Na intereson ta dijmë. Pyete B. P. dhe merrja me hollësi.

Më njofto! Nuçi/ 30.09.1963
 
Disa ditë më parë, burimi në një takim që ka patur me Lazër Radin në oborrin e tij, duke biseduar për kryemjen e formaliteteve në lidhje me lirimin kondicionel (lirim me kusht) të tij, pasi u pyet prej burimit, Lazri tha se: “Në lidhje me kët lirim të papritur që m’u komunikua pikë së pari më vjen keq se më kanë veçuar nga rrethi e rangu ynë si p.sh Zef Gjetën, Familjen e Kupit, Kapidanit të Mirditës, Viktor Dostin, Priftërinjtë e Gradishtës e tjerë, dhe nga ana tjetër mendoj me vehten time e kujtoj se autoritetet e Sigurimit duke mos mundur të zbulojnë ndaj personit tim gjëra konkrete, e tue qenë se në vende të vogla si Savra, etje. kontaktet e miqsitë janë tejet të kufizuara, e mbasi siç duket, edhe survejimi mbi mua nuk mundet të bëhet ashtu siç u duhet atyre (Sigurimit), mund të kenë vendosur që të më lirojnë kondicionalisht, tue pasë të drejtë të banoj nëpër qytete si Berati, Elbasani, Fieri e Kavaja, ku, doemos ka një popullsi ma të madhe, e njeriu kontaktet e miqësitë i shtrin ma shumë, kështu që edhe survejimi ndaj personit tim mund të bahet ma mirë e ma me hollësi e n’informitet. Sidoqi të jetë, unë – thotë Lazri – do të vazhdoj të punoj për fëmijtë e mij, dhe do të mbaj po at qëndrim që kam mbajtur si në burg edhe n’internim. Kushdo që më ka pyetur deri sot se ç’kemi o Lazër, jam përgjigjë: “Nul nuovo sub sole” (d.m.th asgja të re nën kët diell!).
Çdo njeriut sot nuk i duhet besue se merr në qafë vedin “kot nasi koti”, si thonë shkodranët.”
Mbasi pimë edhe një kafe tjetër u përshëndetëm dhe burimi i largua.
Disa ditë më parë, në një takim rrugës, që ka pasë burimi me Lem Dedën, rastësisht kur kaloi para tyre Hil Kalivaçi, burimi e pyeti për të, dhe Lemi i thotë: E kam njoftë këtu, bile kur jam ndodhë një ditë në shtëpinë e Zef Gjeçit, ku ka qenë dhe Hila, gruaja e Zef Gjetës dhe Gegë Zogu. Kur e kemi pyetë Hilën se përse është internuar, na tha: “Vetëm për shkak të gruas, mbasi gruaja vëllanë e vet e ka në Jugosllavi!” Hila vazhdoi të thotë: “Siç duket ata të Shkodrës, (autoritetet) kanë dyshue se mos tue kapërxye kufinin, vjen e takohet edhe me motrën. Ju siguroj, me fjalën e nderit, se ajo ka shumë vjete që s’e ka pa të vëllanë e as që ka bisedue me të!” Kështu edhe këto kam ndigjue prej Hilës, por sido që të jetë nuk më pëlqen që të kem takime me persona të këtillë, që janë thjeshtë katundarë e injorantë.
 
“Përpjekja”
 
Detyrë: Bëni çmos që të katër së bashku të takohen në ndonji drekë a darkë, tek Lazri e ndonji tjetër. Këtu ju në fillim sqaroni me Markun dyshimin që ka shfaqur për ngjarjet e vitit 1942-’43 dhe në prani të tjerëve Guljemit e Lazrit e pyetni për jetën në Gradishtë, si kaloni, çfarë regjimi kini atje, e tjera. Në vazhdim të bisedës me ta, ndër të tjera mund t’i thoni si përgjigje të bisedës së Lazër Radit, se nga ne këta nuk kanë se çfarë zbulojnë, mbasi ne jemi njerëz që të gjithë pak a shumë kemi kaluar në duart e këtyre si në burgje e tjera, na e njohin të kaluarën, etj. dhe mendoj se këtu na kanë sjellë vetëm për të na izoluar nga të tjerët dhe për asgjë tjetër.
Masat Operative:
1.Raporti do të shtypet në katër kopje. Për Lazër Radin, Guljem Dedën, Mark Temalin dhe nji kopje për Hil Kalivaçin.
2.Do të bisedohet me Puntorin Operativ të sektorit Gradishtës për Mark Temalin që sa herë të kërkojë leje për të ardhur në sektorin e Savrës, t’i japi, duke i krijuar mundësi takimi me agjenturën e këtij sektori.
3.Do ta kemi parasysh për të vërtetuar edhe me ndonji b.p. tjetër, nëse këta objekte do të mblidhen tek Lazri, në datën dhe orën e caktuar që eventualisht do të na i raportojë b.p.
 
Puntori Operativ
Kapiten Llazar Gogu (firma)
 
Llazar! Njofto nëse e kini zbatuar porosinë e Kryetarit, shënuar në fund të faqes parë të këtij raporti. (firma)
02.07.1964
.
Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi

Shteti modern dhe fuqitë e ndryshme shoqnore

nga Mark Temali

Për shtet modern, zakonisht, kuptohet ai tip shteti që asht krijue ndër këta shekujt e fundit nën ndikesën e fuqive të ndryshme shoqnore. Kryengritja teknike, transformimi ekonomik i sistemit feudal, zhvillimi dhe naltësimi i arkitekturës, zgjimi i kombeve dhe i kombtarizimit dhe ndjenja e organizimit të një shteti sovran janë element kryesor që kanë dhanë ndihmë për trajtimin e shtetit modern. Një shtet i tillë asht shteti kombëtar sovran. Në mbarimin e luftës botnore 1918 dhe, veçanërisht, dhe të vjet ma vonë, ne rrethana të ndryshme, ky shtet u gjet para nji krize të fortë.
Shkenca e re politike e quan periudhën e shtetit kombëtar sovran si periudhë krize. Përvoja na mëson se pak a shumë në seicilin shtet a mosmarrveshje, dhe pikërisht kjo ngjet ndër shtetas drejtues dhe në mes të atyne që dëshërojnë me ardh në krye të qeveris.
Me gjithë këtë kemi në histori rasa ku nuk asht trondit vetëm sundimi i nji shteti apo i nji sistemi politik, por asht tronditë edhe struktura e trajta e shtetit, në përgjithësi e vlerave që e përbajnë.
Tue lanë më nji anë trajtën e sistemin politik që zotnon në nji shtet modern shofim se ky shtet, në krizë e sipër, nuk e gjen nji farë pajtimi në mes të qarqeve politike e të qarqeve shoqnore.
U krijuen gjithashtu mosmarrveshje edhe në mes të mjeteve të zhvillimit të nevojave shoqnore dhe të qëllimit të turmave për me gjetë nji zgjidhje të sigurt e të drejtë të jetës.
Në krizën botnore ekonomike e financiare, që fillon aty nga vjeti 1929, shteti modern u gjet para valësh të forta që e tronditën në themel.
Në lidhje me këtë filluan me bjerrë fuqinë vlerat kryesore të shtetit:
solidariteti, e drejta, përparimi dhe bindja e individëve se shteti asht mjeti ma i mirë për t’ja arrijtë naltësimit e përmirsimit të gjendjes ekonomike e shoqnore.
Nga kjo rrjedhë se nuk kemi nji krizë të sistemit politik, monarki ose demokraci, por kemi vetëm krizën e shqetësimit shpirtnuer të turmave e të klasës proletare.
Shteti modern paraqet nji frymë të ré. Kjo frymë e re paraqitet barabartë si kundrejt fenomenit të shkatërrimit, ashtu edhe kundrejt rindërtimit. Ky shtet përmban në vete edhe kushte t’ekuilibrit shoqnor, politik e moral, përmban gjithashtu edhe mjete për vendosjen e shpejtë për interesin individual dhe për interesin kolektiv të shtetit.
Kuptimi shkencuer i vërtetë i procesit të krizës në shtet, nuk qëndron vetëm në procesin e vlerave t’instituteve tradicionale, por edhe në provën dhe qëllimin që të shqyrtohet, në rrethana të reja, trajtat e ndryshme të mekanizmit politik, që mund të vërtetohen. Seicili prej ktyne është ma i qëndrueshëm dhe ma i nevojshëm për jetë e për kërkesat e për nevojat e reja të kolektivitetit. Sido qi të jetë ai shtet qi ka me mujtë me i mbijetue këto faza e me dalë nga kjo rrymë e krizës, mbasi shoqnia nuk mund të jetojë ma në shtrëngime e pasiguri, nuk do të jetë ma shtet në kuptimin e vjetër.
Kjo gjendje do t’i përjetojë disa ndryyshime të përkohëshme apo të përhershme, të përcipta apo të thella. Këto ndryshime kanë fillue me u dukë në kuadrin e shtetit modern apo në trajtat e reja të politikës shoqnore. Ndërrimi themeltar qëndron në pushtetin, n’autoritetin e shtetit. Asht vu oroe se në periudhën e mbasluftës botnore legjislatura dhe fuqia gjyqësore kanë kalue në rradhën e dytë dhe se para këtyre dhe mbi
ketë dallohet funkcioni përmbarues i shtetit.
Pra shteti i sotshëm, ipso facto, asht ma tepër shtet ekzekutiv. Përleshjet shoqnore, nevojat e veprimit të shpejt, nevojat shoqnore dhe ekonomike si edhe barrat e shumta e të randa që ka marrë mbi vedi shteti, ka shkaktue që funkcionet përmbaruese- që vepron shpejt, drejtë për së drejti, e në mënyrë të shkurtër – të zanë vendin e parë. Pra, fillmarrjet vijnë tue u thjeshtësue në shtet. Kjo nuk ngjet vetëm në vende me sistem totalitar, ndër të cilat fuqia përmbaruese ka thithë gjithë fuqitë e tjera, por ndodh gjithashtu edhe ndër shtetet e tjera si për shembull ndër shtete demokratike, ku sistemet politike njifen mjaft mirë.
Forcimi i fuqisë përmbaruese, përgjithsisht, asht përfundim i fenomenit të përqëndrimit të fuqisë së shtetit modern të shkaktuem nën ndikimin e fuqisë ekonomike, të përleshjeve shoqnore, politike e ndërkombëtare.
A thue se mund të përfundojë që entet legjislative kanë lujtë rolin e tyre në shtetin e sotshëm? Vetëm nji shikim i shpejtë i përciptë mund me dhanë nji përgjigje pozitive. Nuk ka dyshim se trajtat e reja shtetnore të cilat iu a kalojnë bazave politike shoqnore tradicionare, si për shembull disa shtete t’Europës qendrore, tregojnë se entet përfaqsuese, të mveshuna me funkcione të legjislaturës, kanë nji randësi të rendit të parë në jetën e së drejtës kushtetore.
Shteti i sotshëm nuk asht vetëm ekzekutiv, por asht edhe shtet administrativ. Përbri autoriteteve tradicionare, kemi me rendin e ri, në shtetin modern edhe autoritetin administrativ. Kjo fuqi merr mbi vedi detyrën e rregullimit e kontrollimit e mekanizmit shoqnuer e politik me anë të veprimeve, drejtë për së drejti, efikase administrative të cilat përmbajnë në vehte jo vetëm elemente përmbarues, por edhe ligjëdhanëse edhe gjyqsore. Me përforcimin e këtij autoriteti, shteti modern, na paraqitet si shtet burokrat. Në rend të dytë vijnë edhe ndërrimet që i përkasin trajtës së autoritetit të shtetit modern. Kemi pa se ndër këto vjete të fundit, shteti sovran i bashkuem me nacionalizmin e me prirje imperialiste, e kanë çue vehten drejt nji autarkije kombëtare.
Randësi të veçantë kanë ndërrimet e rendit të sotëm në lidhje me bazën kombëtare të shtetit.
Shteti modern na paraqitet dhe jeton me dukjen e kombtarizimit dhe me trajtimin e kombit. Kombi për shtetin asht themeli landuer e kusht ma paraprak për përligjen e qenjes së tij. Kësaj trajte shtetnore kombëtare, të shumtën e herës, i përgjigjen trajtat e rendit shtetnuer unitar e përqëndrues.
Ndër ato shtete ku ka qenësuar nji ndryshim në pikëpamje të racës dhe t’etnicitetit unitarizimi e përqëndrimi kanë krijue nji nacionalizëm artificial tue çpallë shumë kombe si shtete kombëtar. Dhe sa shtete janë mundue me zhduk këtë lojë, kanë nda shtetin prej kombit.
Ky lloj shteti tue mos gjetë nji mbështetje, tue u nda prej kombit, u mundue me krijue barazime juridike, politike, në mes të grupeve ethnike në rrethin shtetnuer tue mendue se me anën e mekanizmave politike do të muej me sigurue unitetin shtetnuer e të paksonte e zhdukte ndryshimet kombëtare.
Asht pra nevoja qi shteti modern, natyrisht, i drejtuem prej burrash me parime krejt të shëndoshta, të mos bij ndër të tilla gabime, dhe tue mësue nga përvoja e zhvillimit historik të shtetit, të krijojë spontanisht në popull nji dashuni qi të përkrahë çdo fillmarrje qi ka për qëllim trajtimin dhe naltësimin e shtetit me të gjithë trajtat e tij.
.
Marrë nga Gazeta Bashkimi i Kombit – maj 1944
 
 
 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Matilda Mirakaj
    Unë kam qënë e vogël dhe s’e kujtoj shumë, por di që kur u sëmur, para se të vdiste ai ndejti në shtëpinë tonë dhe nana Xhinë i bënte shërbim. Mbase nuk kishte pjestarë të familjes, por familje ju bën shoqëria e interrnimit. Mami thotë se ditët e fundit të jetës se tij i ka kalue tek Albina dhe Genc Pervizi.

    Lek Mirakaj
    E ke pershkrue mjaft mirë Markun, për aq sa mund të mbajë mend një fëmijë. Une kam fotografi nga dita e varrimit të Markut, po do ta dërgoj kur atij palo burimi t’i japësh emnin e vërtetë. E kam njoftë Markun aq mire sa jam i sigurt se atë bisedën për Rusinë, ai spiuni e ka sajue. Marku mund të fliste, po asnjëherë në grup. Marku ka vdekë në spitalin e Lushnjes. Gjatë kohës që ka qënë i sëmurë ka pasë kujdesin e nanës tonë dhe të Albina Përvizit. Studimet Mark Temeli i ka krye ne Zagreb për ekonomi. Mund të flasë shumë për Markun, për njërin nga njerëzit që unë kam mësue shumë prej tij. Edhe një gjà: Marku ka qenë shahist profesionist, nga Marku kanë mësu shahun një numër i madh shahistësh profesionistë.

    Kazanova Aliaj
    Një poet e shkrimtar i vërtetë më parë ka humanizmin prioritet e më pas talentin. Ju i keni të dy këto tregues, e kjo vlerë ju ban mjaft të pranueshëm dhe mjaft me diferencë nga poetët e shkrimtarët e lidhjes që zgjidhën e zhgarravitën gjithçka njerzore, e glorifikonin diktaturën n’sa ju glorifikoni shpirtin e ndjesinë njerzore sublimen, e dashurinë njerëzore, që ka dimensione! Kjo asht vlerë e patjetërsuar e juaja z. Radi, që e fuqizon artin tuaj!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.