Margareth Hasluck: Ju lutem, kujdesuni për sigurinë e tij! – Diktatori: Dënim me vdekje per Lef Nosin!

Lef Nosi (1877-1946)

Lef Nosi (1877-1946)

Margareth Hasluck: Ju lutem, kujdesuni për sigurinë e tij!

Diktatori: Dënim me vdekje per Lef Nosin!

Material nga Romeo Gurakuqi

Në muajin dhjetor 1945, përmes Majorit Oakley-Hill, drejtor i UNRRA në Shqipëri, Margareth Hasluck, i drejtoi një letër Enver Hoxhës në të cilën ajo i kërkon faljen e jetës së Lef Nosit.
Përmbajtja e letrës, që është jo vetëm një përpjekje e fundit për shpëtimin e jetës së një prej themeluesve të shtetit shqiptar, por edhe një shpehje e lutjes humane për një njëri të pafajshëm, në kuptimin që ka pafajësia për vendet e qytetëruara dhe të pangjashme e egërsinë e shoqërisë shqiptare të kohës.
Përmbajtja e letrës është si më poshtë vijon:
 
“Shkëlqësi,
Unë jam ulur me shkrue për t’ju kërkuar Ju, të ndihmoni mikun më të vlefshëm që unë kam në këtë botë, Lef Nosin. Unë e kam njohur atë shumë mirë, për më shumë se 15 vite, dhe Zoti e din që ai asnjëherë nuk ka thënë një fjalë në të mirë të gjermanëve dhe italianëve. Përkundrazi, ai punoi aktivisht, në bashkëpunim me mua, kundër gjermanëve gjatë kësaj lufte. Unë jam e gatshme të vij dhe të jap dëshmi në lidhje me këtë pohim, në çdo gjykatë shqiptare, por unë ende nuk jam ripërtërirë nga një sëmundje serioze që kalova në Kajro, vitin e shkuar, dhe doktori nuk do të më japë leje për të udhëtuar. Por pa ardhur unë, ju mund të inspektoni shtëpinë e tij dhe librat e tij.
Ju mund të gjeni orenditë e mia dhe librat e mi atje, të cilat ai i ruajti përgjatë gjithë pushtimit armik, një sipërmarrje kjo mjaft e rrezikshme. Dhe unë nuk jam gjermane.
Unë mora guximin t’ju shkruaj ju, si një mike e sprovuar e Shqipërisë. Kur unë të vij në Shqipëri, në qoftë se ju do ma lejoni këtë, unë do t’ju tregoj disa letra nga shqiptarët, të cilët shprehen se isha unë ajo që ju sigurova ju, premtimin zyrtar për pavarësinë e Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1942. Pa zotin Lef, unë nuk mund t’i përfundoj librat që jam duke shkruajtur për Shqipërinë. Kështu që ju lutem, kujdesuni për sigurinë e tij. Mua më erdhi shumë keq kur ai u bë Regjent, por pas disa ditësh unë u kujtova se ai u bë kryetar i bashkisë së Elbasanit, gjatë trazirave të vitit 1924, për të vetmin qellim: për të ndihmue njerëzit e varfër. Unë besoj se është e vërtetë që e njejta arsye e ka shtyrë edhe kësaj radhe.
Ashtu sikurse ju Shkëlqesi e dini më mirë se sa unë, ai ka qenë përherë një patriot shqiptar. Dhe në të vertetë, çfarë do të bënte Shqipëria pa një kryetar? Ju nuk mundeshit të vinit sepse ishit në male. Që prej 6 qershorit 1944, ku u ndjeva e sëmurë, unë nuk kam ndonjë pozicion zyrtar. Për këtë arsye unë po ju shkruaj ju si një person privat”.
 .
Margaret Hasluck (1885-1948)

Margaret Hasluck (1885-1948)

Po diktatori tashmë kishte marrë vendimin e tij, dhe Zonjës Hasluck nuk i mbetej gjë tjetër veç të bënte raportin nekrologjik për Lef Nosin, Padër Anton Harapin dhe Maliq Beg Bushatin dhe të përshkruante prespektivën e regjimit tashmë të futur në rrugë pa krye. Margaret Hasluk as nuk e konceptonte në këtë kohë se regjimi i ri “demokratik” dhe “çlirimtar”, kishte depërtuar thellë deri në jetët e pasuritë private të kujtdo të etiketuar dhe kishte sekuestruar gjithçka, përfshirë shtëpinë, biblioteken dhe korrespondencën private të Lef Nosit dhe të gjithë elitës shqiptare të epokës pararëndëse.

Marrë nga: National Archives Kew, London: PRO.FO.371.58484, R 6970/470/90, May 1946
Marrë nga muri i FB i Romeo Gurakuqit
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook