back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Mare Nostrum – Shpend Sollaku – Noé – Katër Ekstrakte x Katër Sezone

Gazeta

Shpend Sollaku - Noe "Abysses-Voragini"
Shpend Sollaku – Noe “Abysses-Voragini”

Abysses – Voragini – Shpend Sollaku – Noé

Nga parathënia e librit me të njëjtin titull,
botuar në SHBA, në anglisht e italisht, në vitin 2009:
 
Shpend Sollaku Noé, është një poet i madh
që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë,
nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane.
Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike,
profesor e njeri i letrave rritur në underground,
politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur.
I paisur me një përgatitje të gjerë kulturale, letrare, filologjike e muzikale,
po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik,
poliglot, ka­rakter i guximshëm, kurioz nga instikti,
inteligjencë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen
qoftë letrare, filo­zofike o qoftë politiko-sociale,
Shpend Sollaku – Noé është personalitet shumë kompleks
dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane.
Poemat Mare Nostrum e Murus Noster të këtij libri janë të një bukurie të rrallë.
Lirika e Shpend S. Noé-së është aktuale, therëse, kafshuese, mallëngjyese,
e vuajtur, gërvishtëse, magjepsëse.
Ky libër fenomenal është dëshmi që poe­zia është akoma gjallë…”
Stelvio Mestrovich Wotninsky
 

I dashur Jozef,
po të bëj dhuratë për sitin tënd një fragment nga një poemë e imja,
ashtu siç do jetë në librin “Honet”
që ende nuk di kur do ta botoj.
Nëse mundesh, përmbaju karaktereve të gërmave dhe faqosjes.
I kam bërë vetë me nge.
E ke si eskluzive, je i pari që boton një fragment
të librit tim me poema “Honet”.
Mëkat, që nuk ke një organ tëndin, në letër,
revistë apo gazetë letrare. Do të kishim botuar për qejf,
jo me ankthin që dikush ta përdhunon krijimin!!
 
I dashur Shpend,
Me kënaqësi kam paraqitur dhe do të paraqes
gjithçka që mundem e që lidhet me ty në sitin tim.
Poema “Honet”, qoftë edhe prej këtij fragmenti është tronditëse,
është beteja e mbrritjes së brigjeve, e shtrirë në të gjitha epokat,
janë betejat e lavdishme të së djeshmes
dhe tragjeditë palavdishme të së sotmes…
përmbledhur poetikisht në nje klithmë dhimbjeje
që e shkon tejpërtej Mare Nostrum-in e sotem… (Mesdheun)
Përgëzimet e mia Shpend!
.
Shpend Sollaku - Noè - BiardheZi
Shpend Sollaku – Noè – BardheZi

Mare Nostrum – Shpend Sollaku – Noé

Katër Ekstrakte x Katër Sezone

Poema e eshtërnajës (fragmente nga poema)

“Vargje thellësisht njerëzore,
të ngjeshura me dhimbje, ankth, rebelim…”
Paolo Chiozzi, Universiteti i Firences
 
Shpend Sollaku Noè - 2017
Shpend Sollaku Noè – 2017

Ekstrakti i tretë

I flashkëti det i verës, përmbytje e mpirjes tërësore
të atij që u rraskapit prej stresit që masakron shpirtin,
të atij që mund t’i dhurojë vetes një yacht apo kamerdaren,
rërën e qelbur prej algash e karburantesh apo pishinën,
kumarin apo të lypurit, fluturimin charter
apo të fshehurit në dopiofundin e karrocerisë;
 
deti i padrejtë i verës, i sherrit për fronin e drunjtë
nën qiellin koprac, i prezervativëve të vjellë
prej dallgëve të plogëta, deti i gërdallave lundruese
të shkretuara mbi brigje, i policëve në udhëkryqe
– nervozë prej të vrapuarit të padëshirë e pështjellës
në gjah siluetash që zhduken pas dunave.
 
Është hundëpërpjetë deti veror, që ia refuzon të puthurën
detit të pranverës, që nuk i flet fare
detit të dimrit,
e shpërfill detin e vjeshtës.
 
Është deti plot me Mosè të rremë,
postierë mizorë
shpirtrash
nën maska bujare bamirësish rentabël,
mbi rrangalle të kërrusura prej peshës të enigmave;
hutinë që plaçkisin besimet në koma,
elektrone jashtë orbite luftërash të shpërfillura.
 
Det makabër i verës,
i kufomës së atdheut të urryer lënë pas shpine,
det profet apokrif
drejt të ëndërruarish dhera të rinj,
i vogëlushëve ushtarë që kanë hequr dorë
nga shkarravitja e bangave; det i pafrymë,
det pritë.
 
Det veror i Karkenahut, i kurmave të Afrikës
që mëtojnë keqardhjet e përçmuara nga shekujt,
i ikonave dadaiste lundruese, të humbura
ashtu si epigonët e tyre, det i patetikëve Ngushëllime të Shtetit
farisè, i bastisjeve të natës, i përzënieve kolektive
drejt së panjohurës, det i arrestimeve tiranike,
i burgimeve të paligjshme, det i nëpërkëmbjeve,
det i ndëshkimeve të pacipa,
det i vrasjeve jashtë kronikave.
 
Det veror i Mazzarra del Vallos, i thikave fluturuese
të skafistëve – Karontë funebër shakujsh të pabusullt,
det i Maratonave të shtrënguara, përmot të humbura,
i Filipidesve të mundur, të peshkuar në heqë,
larg Athinës, det i gushtit të Hiosit, det grazhdaresh të pista,
fortesë kufomash urie në ecejakje të gërmuqura,
festëprishës të vëngër, të padëshirueshëm mbi brigje.
 
Deti malazes i ciganëve të hapërdarë
në kërkim të zgjoit për një atdhe virtual,
i përçmimit të vërshyer që asgjë nuk zotëron
e asgjë s’mund të humbasë, në mos lëvoret
e refuzimit global,
damkë e përjetshme
të vetëkafazërimit prej mirëndrrave;
 
Det i verës, qefin i Izmirit,
nekrourë për Kathimerinin, det i Algecirasit,
i zisë së kacavjerrur nën kamionë, det zhuritës
i Maltës, i buzëve të plasura jo vetëm prej etjes e mpirjes,
i alarmit të kotë, të vonuar, prej celularësh tradhëtues,
të paaftë të gjejnë fushëvalë shpëtimi;
det i përgjumur i verës, det i Sardenjës
i servilëve puthadorë, mbajtës të çantave,
të djersitur prej kravatave të shtrënguara
– frymëmbytëse nga poshtërimi prej kullave moderne,
plot me ankime për ajrin e kondicionuar;
det mallkimesh drejtuar përzhitjes kular të zhegut,
rërave përcëlluese… det i verës…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.