Manovra e Kryeplakut – tregim izraelian

Dilemë... dhe dritëhije

Dilemë… dhe dritëhije

Manovra e Kryeplakut

tregim izraelian

përktheu Agim Hamiti

Kryeplaku i një fshati gëzonte shumë respekt prej bashkëfshatarëve të tij. Madje atë e kishin thirrur edhe në fshatrat fqinjë, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Ky opinion admirues në rritje ndaj kryeplakut u bë shkak që një fshatar smirëzi të shpifte diçka të ulët për të. Bashkëfshatarët e tij u indinjuan nga një veprim i tillë dhe e detyruan shpifësin që t’i kërkonte falje kryeplakut.
Gjuhëgjati shkoi kokëvarur tek kryeplaku dhe i kërkoi ndjesë për fjalët e pahijshme që kishte thënë në adresë të tij.
-Të kisha ndonjë borxh unë ty, apo familjes tënde, që shpife për mua? – e pyeti kryeplaku.
-Jo, ju na keni ndihmuar në disa raste, – u përgjigj fajtori me një fije zëri.
-Atëherë, çfarë të detyroi ta bëje këtë veprim të ulët?
-Mendjelehtësia, – u përgjigj shpifësi.
-Ti të njëjtën mendje ke edhe sot; pse mendoke ndryshe tani?
-Ma sqaruan gabimin bashkëfshatarët.
-Po pasojat e gabimit t’i shpjeguan bashkëfshatarët?
-Jo, por unë tani e kuptoj që veprova keq, prandaj erdha t’ju kërkoj falje.
-Falja ime nuk ka asnjë kuptim e asnjë vlerë, pa u ndërgjegjësuar ti më parë rreth përmasave të së keqes që më ke bërë. Prandaj, pa i kuptuar ti si duhet pasojat e shpifjes tënde ndaj meje, unë nuk mundem të të fal.
-Jam gati t’ju paguaj çdo lloj gjobe që të më caktoni për atë që bëra, zotëri.
-Unë jam kryeplak dhe jo taksidar, e si kryeplak, nuk më intereson gjoba, por mësimi që duhet të nxjerrësh ti, si dhe çdo thashethemexhi i fshatit, për pasojat e këqija që u sjellin gjuhët tuaja të hidhura bashkëfshatarëve të ndershëm e të rregullt, që shikojnë punën dhe familjet e tyre.
-Po ç’duhet të bëj unë atëherë? – pyeti i dëshpëruar shpifësi, – Më ndihmoni, ju lutem!
-Ke ndonjë jastëk me pendë në shtëpi?
-Po, ia ktheu shpifësi, disi i hutuar nga kjo pyetje e çuditshme.
-Ec dhe sille këtu, – i tha kryeplaku.
-Siurdhëron! – u përgjigj gjuhëgjati entuziast, duke shpresuar se çështja po merrte rrugën e zgjidhjes.
Frynte erë, e cila e ndihmoi llafazanin e papërgjegjshëm të shkonte shpejt në shtëpi, dhe kur u rikthye tek kryeplaku, ai e urdhëroi:
-Shqyeje jastëkun dhe zbraze duke e shkundur fort!
Shpifësi e zbatoi urdhërin me zell.
-Tani fillo dhe mblidhi pendët – i tha kryeplaku – dhe pasi t’i kesh futur të gjitha pendët përsëri në jastëk, unë do ta komunikoj faljen time publikisht tek sheshi i fshatit.
-Ou, po ku mblidhen dot pendët! – ia ktheu shpifësi i dekurajuar, – Ato i shpërndau era në të katër anët e fshatit.
-Ndërsa gjuhët e liga, si e ajo e jotja, i kanë shpërndarë tashmë shpifjet e tua të pista jo vetëm në të katër anët e fshatit, por edhe në të gjithë krahinën – ia priti kryeplaku, duke i kthyer krahët.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook