back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Manjola – nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone
Gentiana Kone

Manjola☘️

nga Gentiana Kone

Në një nga rrugët që kryqëzohen me Rrugën Mbretërore, pasi len mbrapa shtëpinë e Turdinjve, pa mbërritur tek shkolla Fan Noli në të djathtë ndodhej manjola më e vjetër e Tiranës. Nuk dihet kush e ka mbjellë atë pemë, por në fëmijërinë time një nga lojrat e preferuara ishte ajo ku u jepja emra të rinj disa prej rrugëve të Tiranës. Kështu ajo rrugë që emrin ja kishin ndrruar, shpesh pa e pyetur dhe në atë kohë mbante emrin Qemal Stafa, nuk besoj të prekej nga emri i ri, që i vura unë, Rruga e Manjolës!
Udhët e vjetra me emrat e butë, mbushur me nanuritje mjeshtërish të ndryshme, si:
Rruga e Rrobaqepsëve
… e Hasrave
… e Kripës
… e Argjendarëve,
ishin fshirë me kohë, me dhunë nga zemra e qytetit dhe pak nga pak harresa e fundme po binte edhe në kujtesën e banorëve të tij.
Aty ku sot ndodhet shkolla “Fan Noli”, në katin përdhes të një shtëpie që prindërit e mi e kishin marrë me qera, në një ditë të ëmbël tetori, sytë më bënë dritë mbi dhè. Mundet që të kisha pritur edhe pak për të ardhur në këtë jetë, nëse mëma ime e dashur nuk do të kishte ngritur e ja ndërruar vendin një lavamani të gurtë që ndodhej në dhomën e bukës. E papërtuar e me imagjinatë të pasur si uji, qenie që i vinte dore çdo gjë, ishte ngritur me natë për të bërë atë zhvendosje që guzhinën e bënte më praktike. U tha, u ba! Lavamani u vu në vendin e ri dhe menjëherë pas tij unë erdha në këtë botë me të qarat e një bebeje me mushkëri të shëndetshme dhe një tufë të dendur flokësh të ngritura përpjetë, një iriq i vërtetë!
Dyzet ditët e para i kalova në gjumë të thellë e netët duke qarë pa rreshtur. Këto të qara i dëgjoi pema e manjolës dhe zbuti petalet e saja në shenjë dhimbsurie, e gjethet e saja i lëmoi në shenjë dashurie për flokët e mia të iriqta. Me aromën e saj më vinte në gjumin e ëndrrave të qumështa e me degët e rrethonte trupin tim në lojrat fëminore. Fati e pruri më pas që të kisha një shoqe që quhej Manjola e ajo më dukej sikur ishte metamorfoza e manjolës së dikurshme që e prenë, sepse aroma e saj i jepte alergji kryetares së komitetit ekzekutiv, që banonte aty pranë.
Në katin përdhes të shtëpisë, më parë se ne, kishte banuar një jevg i quajtur Hasan, që punonte në fabrikën e tullave, ku edhe mëma ime punonte. Prindërit më parë banonin në një apartament të vogël, përtej Kinostudios dhe kishin bërë çmos të ndërronin shtëpi e të afroheshin më në qendër.
Një mik tiranas, plak nga familja e Derhemve, e kishte ndihmuar mëmën për të gjetur Hasanin. Ky i fundit qè i lumtur të shkonte në apartamentin me dy dhoma e guzhinë që mëma e kishte bërë si nuse me tela dhe t’i linte prindërve të mi katin përdhes, ku dyshemeja ishte e pashtruar dhe muret të nxira nga tymi i zjarrit që Hasani e kishte zakon ta ndizte në mes të odës.
.
Manjola
Manjola
E lumtur me këtë shpërngulje, mëma ju vu punës e shtroi dyshemetë me çimento, mbylli vrimat e çatisë aty ku rridhte dhe zbardhoi mure e tavane me gëlqere. Në oborrin e shtruar më së shumti me kalldrëm, zgjodhi një pjesë të pashtruar dhe e mbolli me lule nga ato që bukursonin çdo oborr tiranas. Lule solli edhe plaku i Derhemve, nga oborri i shtëpisë së tij që ishte larg sa të hidhje një kokërr molle. Një rastësi e bukur qè një kumbull në mes të oborrit, që i ngjante asaj të oborrit të Kërçikve, derë e vjetër tiranase, nga e cila mëma vinte.
Disa hapa larg shtëpisë, në rrugën e Manjolës, ndodhej edhe një çerdhe e vendosur në një shtëpi të ndërtuar në kohë të Italisë. Shtëpia është edhe sot por shërben si hotel dhe restorant. Hyra një ditë, ndërsa kaloja andej, dhe dyshemeja ishte po ajo e parmaku i drunjtë i shkallës së mermertë, shndriste nga fërkimi i duarve gjatë viteve. Në heshtjen përqafuese, një fytyrë e qeshur m’u shfaq, ajo e edukatores sime të parë dhe djalit të saj, që ishte më i rritur se unë dhe që ajo e mbante përherë pranë.
Çerdhja kishte një kopsht dhe kur dielli i butë i Tiranës, gicilonte degët e pemëve, ne të vegjlit na nxirrnin herë pas here në të. Aty miku im me paliçeta, shpesh më jepte dorën thjesht që të më ndihmonte për të ecur ose më hidhte petale lulesh mbi flokë e unë qeshja me shpirt.
Puhiza e ardhur nga Dajti sillte, valë-valë, edhe aromat nga Pazari i Ri. Aroma mollësh të sheqerosura, mollat e Gegës, mjaltit te përzim me arra nga Qaf Molla e aroma djathnash e bulmetnash, që sillnin katundarët nga Shën Gjergji. Në enë të mëdha balte ata mbanin edhe kosin që ishte si ta prisje me thikë!
Aromat kanë veti me hy të parat në kujtesë e aty mbesin, derisa të tjera aroma vinë e trokasin në dyert e mbylluna e të harrueme prej vitesh.
Kështu kaluan vitet e para të fëminisë time, pa ndonjë ngjarje me vlerë për t’u shënuar.
Një ditë tetori, erdhi lajmi që shtëpisë do i binte plani bashkë me shtëpitë e Derhemve dhe Këlliçve dhe në vend të tyre do ngrihej një shkollë, pallate e punishte. Zhdukja e Pazarit të vjetër dhe kishave e xhamijave që hijeshonin qytetin, kishte ndodhur ndërkohë dhe rradha u kishte ardhur lagjeve me shtëpija e kopshtije.
Disa ditë para ditëlindjes sime, atin tim e transferuan në një fermë të humbur, përtej malit të Krujës, aty ku kishte edhe shumë familje të internuara.
Në të njëjtë kohë, mëmës i diagnostikuan turbekuloz në të dy mushkëritë dhe u shtrua me urgjencë në sanatorium në Korçë. Aty banonte edhe daja i saj që ishte një doktor i njohur.
Atë ditëlindje, deri në tjetrën e kalova në një jetimore të Korçës. Si blatim lashë flokët e mia të gjata në ngjyrë mjalti, të cilat m’i prenë sapo mbërrita, nga frika e parazitëve.
Nuk di nëse imazhi i një salle të madhe të mbushur me shtretër të vegjël metalikë, ka ekzistuar vërtet apo është fryt i mendjes sime fëminore. Ajo që kujtoj është ndjesia e turpit sa herë zgjohesha në errësirë dhe ndjeja që kisha lagur sërish shtresat.
Shpejt, ndalova së kërkuari me sy mikun tim të fëmijrisë dhe aromat e dashura u zhdukën diku në thellësi.
Vetëm ajo e manjolës më të vjetër të Tiranës, herë-herë më vinte ndër ëndrra, si për të më kujtuar që dikur do të kthehesha në qytetin e bukur me kopshtije ku dikur paqja mbretëronte.
.
Marrë nga muri i Fb. i Gentiana Kone, 22 mars 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.