Mali i Tomorit – midis Legjendës dhe së Vërtetës – nga Ndoc Selimi

Pamje e Malit të Tomorrit

Pamje e Malit të Tomorrit

Mali i Tomorit – midis Legjendës dhe së Vërtetës.

nga Ndoc Selimi

Kujtesa popullore me shekuj ka trashëguar e ruajtur në zemrën e saj nje respekt deri në shenjtërim për Malin e Tomorit. Po ashtu këtij Mali – Perëndi, i kanë bërë hymne e nderime edhe rilindasit tonë të mirë duke e cilësuar si “Baba”, “Fron i Perëndisë”, “Tomorri i Zotit”, etj. Ndersa Çajupi shtyhet edhe më andej, ai thotë:
“Baba Tomorr, kish’e Shqipërisë/ Mal i lartë, fron i perëndisë
Tek ty vinin njerëzit që moti/ për të mësuar se ç’urdhëron Zoti!”
Ana tjetër është se mbi këtë mal gjendet Tyrbja Bektashiane si vendi i kultit shenjtë, kur besohet se bektashinjtë ishin njerëzit më të shetitur në botë dhe sigurisht më të dijëshmit.
Këto zëra që vijnë nga thellësitë e shekujve deri në ditët tona bënë që ky mal të lundrojë midis legjendës dhe realitetit, midis enigmës e të besueshmes dhe për çudi mendimi i shkencës fatkeqësisht ka munguar, bile ka pase një sens kundërshtimi si nga historianët tanë dhe të huaj.
Vitet e fundit janë rritë interesat për hulumtimet e të thënat e filozofëve të vjetër, për të cilët po punojnë shumë histori-dashës dhe atdhe-dashës duke gërmuar në arshiva tonat e të huaja dhe duke na sjellë materiale interesante për të hedhur dritë nga legjenda në një realitet të prekshëm. I tillë është një ndër figurat mbrojtëse si historikisht, ashtu edhe ne sensin ideologjik, profesor Besim Dervishi. Tani për tani edhe pse gati i vetëm ka një zë të fuqishëm në mbrojtjen e idesë se Tomori ishte Dodonë. Këtë ide e ka mbështetur në një literaturë të gjerë si brenda vendit dhe më shumë nga literatura botërore, falë asaj se Besimi njeh mirë katër gjuhë të huaja. Kështu vijnë me radhë artikujt e tij si: “Gurët e Tomorit po fillojnë të flasin”, “Zbulohet një skulpturë ne Tomor”, “Zbulohet një artifakt misterioz në Malin e Tomorit me simbolet e Dodonës, diellin e lisin”, etje. Të gjitha këto e të tjera të papërfshira në këtë shkrim të bëjnë krenar se dikush (edhe pa ndihmën e dikastereve) po përpiqet të vejë në vend nderin e humbur të këtij mali krenar e domethanës, i cili me të vërtetë na mbush me besim se përmban thesare të panjohura dhe legjendat nuk janë thjesht gojëdhëna primitive, por një realitet i besueshëm.
Gjatë leximit të “Iliadës” ndeshim në një dialog kur Akili merr kupën që vetëm ai pinte verë dhe me sy drejtuar nga qielli i drejton një lutje Zeusit: “Mbret i pellazgëve dhe i dodonëve, o Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën dimërkeqe (me akuj dimri), ku rrojne priftrinjte Selas…” (Iliada, Gjon Shllaku, 1979, kreu XVI, 290 – 295, fq 285)
.
Objekte lashtësie gjetur në Tomorr...

Objekte lashtësie gjetur në Tomorr…

Homeri përdor fjelën “dimërkeqe”, ku kjo fjalë i takon vetëm Tomorit tonë me fusha pjellore, vend dhensh e bagëtish të shumta.
Deri tani litari është tërhequr nga i forti, pra grekët, të cilët sipas zbulimit të bërë më 1878, nga një historian e përcakton Dodonën në Janinë, pra Orakulli është grek, kur të gjitha rrethanat që përshkruajnë filozofët e lashtë nuk përputhen me zonën e Janinës; Hesiodi dhe Straboni përmendin qytetin Sella e Sellopise si vend i tempullit të Dodonës, ku studiusi Perikli Ikonomi është i mendimit se qyteti që përmendet ështëe Sulova e Tomorrit dhe Sellopia është fusha e Myzeqesë, ndërsa lumi i Devollit përmban emrin e Zotit Deuv = Deos = Zot. Pra Lumi i Zotit. Thuhet nga historianët se Fat thënësit e Dodonës kishin emrat Tomure dhe Tomuros, që përsëri sipas P. Ikonomit Tomure = është fjala shqipe “të mirët”.
Le t’i hedhim një sy toponimeve që rrethojne Malin e Tomorrit, megjithëse shumica u takojnë emërtimeve sllave, përsëri kanë mbetur edhe emrat vendas. Në veri pak si në perëndim gjendet Tunja dhe kalaja e Tunjës (që për mendimin tim është një perëndi shumë e lashtë dhe i takon Venerandës (Afërditës). Në pjesën v/lindore është Shën Mëriza dhe Gramshi (Grama = shkrim), në lindje Gjerbësi = Guerbisi – thotë Gjon Muzaka, qafa e Kulmakut 1800 m, Burimi i Kulçedrës që shtjerr e vjen papritur. Në faqen jugore mbi fshatin Bargullas është Qafa e Dhodhonit, që po t’i heqim gërmat “h” del Qafa e Dodonit, bashks me Pllakat e Dodonit. Në majë të malit është Çuka e Peljas (pelijas), peleas do te thotë plaka, pra Çuka e Tre Plakave që parashihnin fatin (sipas legjendës për Dodonën) dhe mbi të gjitha tërheq vëmendjen Mrakulla, fshat që mund të afrohet me fjalën që po kërkojmë në “Mbi-Orakull”?
.
Gdhendje murale gjetur në Tomor

Gdhendje murale gjetur në Tomor

Deri tani janë hipoteza të përziera me të vërteta e të pavërteta, por zbulimi i vonë i skulpturave në këtë zonë na jep të drejtën të shtrojmë tezën tonë se Orakulli i Dodonës gjendet në Malin e Tomorrit mbi Berat në lartësinë 2416 m, gjë që shkenca së shpejti do të japë rezultatet e saja. Shtoj këtu se qendrat e banuara, qytetet, vendet me emra të mëdhenj janë gjetur në një kohë të caktuar në një vend të caktuar dhe me lëvizjen e rrugëve, kulturave, tërmeteve, sëmundjeve, zhvillimeve merr krah një tjetër vend, ndoshta me të njejtin emër, ose në përngjajtje të tij. Është plotësisht e drejtë dhe afërmendjes se Dodona e parë ishte vërtet Mali i Tomorit dhe me lëvizjet e popullsisë (o për arsye që nuk dihet) transferohet në një vend tjetër, por tani me tjetër pamje e tjetër nivel, por duke ruajtur të paprekshme idenë…

Marrë nga Muri i fb, i Ndoc Selimit, 11 mars 2018
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook