back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Maks Rakipaj, djali i dashuruar me lirinë… nga Lola Shehi – Çela

Gazeta

Maksim Rakipaj - “Gjallë pas mbytjes së anijes...”
Maksim Rakipaj – “Gjallë pas mbytjes së anijes…” 

Maks Rakipaj, djali i dashuruar me lirinë…

nga Lola Shehi – Çela

Pak shënime mbi librin “Gjallë pas mbytjes së anijes…”

Lola Shehi - Çela 2014
Lola Shehi – Çela 2014

Maksim Rakipaj, në fillim të librit të tij autobiografik, “Gjallë pas mbytjes së anijes…” në pak rreshta shkruan: “Ia kushtoj këtë libër, familjes sime, së pari nënës sime, babait, vëllait, motrave të mia dhe sidomos gjyshes time. Ju jam mirënjohës përjetë!”
Dhe “udhëtimi” në këtë libër starton në vitin 1973, vit kur autori sapo kish mbaruar studimet në Shkollën e Marinës në qytetin bregdetar të Vlorës, dhe sapo niste stazhin e detyruar si oficer i ri në anijet që lundronin brenda territorit shqiptar.
E kush s’e ka pasur me pasion dhe kuriozitet realizimin praktik të leksioneve profesionale të marra në bankat e shkollës… Kushedi për çfarë anijesh moderne i është dashur të studiojë në auditore ky djalosh i ri i marinës shqiptare, por kur ju desh ta fillonte këtë ëndërr… gjeti anije të vjetra e në të shumtën e rasteve karakatina prej druri dhe teneqeje te ndryshkur, në kushte të mjeruara teknike, me shpejtësinë e një breshke uji, pa aparatura lundrimi, por njohu kapitenë të sprovuar që i njihnin mirë kapriçot e shumta të detit.
Autori përmend me emra shokët e ekipit që do të transportonte ngarkesën nga porti i Sarandës në atë të Vlorës, rrëfen udhëtimin që nisi një ditë plot diell si të ishte pranverë, por që për fat të keq përfundon tragjikisht me mbytjen e anijes dhe me humbjen e madhe të një njeriu, humbjen e mikut të tij të shtrenjtë Ilir Kocilja.
M’u duk sikur ja dëgjova zërin, kur nga dhimbja e madhe, djali rrebel ulërin me gjithë forcën e shpirtit… “Ah more Liço, e humbe jetën për një anije të kalbur…!” Dhe ky qe ai pagëzim i dhimbshëm i autorit të librit me detin!
Në këtë libër, duket sikur autori bën tre hapa para dhe kthehet dhjetë hapa mbas në kohë, sikur gërmon në kujtesë dhe s’dëshiron të lerë asgjë në harresë nga jeta e tij, e familjarëve dhe miqve të tij të shtrenjtë… Aty gjen ngjarje, dialog, prolog, retrospektivë, kalojnë para syve vitet e punës, ato të shkollës, ato të paraçlirimit, të luftës, të pasluftës, skenari i arrestimit, (të cilin do ta kishin zili dhe regjisorët me emër të filmave thriller), takimi i fundit me të atin, hetuesia gjashtëmujore, për t’u ndalur gjatë te vitet e tmerrshme të jetës së tij, ato në burgjet e skëterrshme të të dënuarve politikë.
Pastaj vijnë vitet e pasburgimit, puna në minierën e Gërdecit, shfaqja e demokracisë së shumëndërruar, rikthimi në anije, dhe njëkohësisht zhgënjimet e shumta…

Maks Rakipaj dhe e ema
Maks Rakipaj dhe e ema

Maksim Rakipaj, ka shkruar për Ata… që fatkeqsisht janë po Këta…
Duke lexuar librin “Gjallë pas mbytjes së anijes…” udhëtova bashkë me autorin në të gjitha burgjet ku ai vuajti dënimin dhe u njoha me shumë miq dhe jomiq të tij, nga viti 1977 e deri në vitin 1984.
Më befasoi përshkrimi me hollësi i kujtimeve, personazhet e gdhendur me dashuri, gjuha e tyre nga pothuaj gjithë dialektet e shqipes, kokfortësia dhe humori njëkohësisht, rrebelimi ndaj padrejtësive dhe dhembshuria e pafund për miqtë dhe familjarët.
Ndërsa autori e fillon udhëtimin e tij me anijen Tomorri dhe e përfundon me anijen Vlora, e cila mbante edhe emrin e qytetit të tij të lindjes, qyteti që i mëkoi dashurinë për detin, pa e menduar se një ditë ai do të bëhej vërtet kapiten i anijes “Vlora”.
Vërtet, autori qysh në hyrje të librit, shprehet se ky libër është një dedikim për familjarët e tij, por në këndvështrimin tim mund të them pa mëdyshje se ky libër u kushtohet gjithë bashkëvuajtësve të tij, e në veçanti për mua heroi i vërtetë i këtij libri është i ati autorit, Xhaferr Rakipaj.
S’më mbetet tjetër, veçse të falenderoj autorin Maksim Rakipaj, për kët botim dinjitoz, e ku unë autorin do ta quaj: “Djali i dashuruar me lirinë…”
Lola Shehi – Çela, 21 mars 2015

Burgu i Qafë-barit
Burgu i Qafë-Barit

Xhemal Lile – një përmetar

Mbas gjyqit, kaluam në kaush (burgu i Tiranës) dhe më pas na rrasën në një makinë një grup prej 20 vetash dhe na nisën për në kampin e Ballshit. Kanë shkruar edhe të tjerë për këtë kamp, edhe për kampet e tjera edhe për burgjet, po unë do të sjell ca kujtime për më të moshuarit që kam njohur atje…
Sapo zbritëm nga autoburgu dhe hymë në kamp. Një shesh i madh, poshtë ishte menca dhe ca si zyra. Majtas sheshit kapanonet e fjetjes. Ishim të hutuar, një grup të burgosurish po na afrohej, kur beftas se nga na doli një oficer (ishte komisari i kampit) dhe ju drejtua me kërcënim një plaku që po na afrohej duke çaluar:
-Ti, Xhemal Lile… ty po të flas, kujdes me atë gjuhën tënde, se ne ta këpusim kokën!
-Më habite me këtë që thua! – ia ktheu flakë për flakë Xhemali… Kokën time këtu e keni, kur ta keni qejfin, këputeni. Po kjo bela me juve… Të varni këmborën në qafë si armik dhe thoni mos e tunt kokën, sepse dëgjohet këmbora… Ju e dini mirë që s’ju dua…
Iku komisari me bisht ndër shalë, ndërsa Xhemali çalë-çalë mu afrua. “Po nga të kemi ty evlat?” –
-Nga Durrësi, i them
-More, për origjinën po të them…
-Përmetar jam nga origjina…
-Mos je gjë nga Mokrica… se kam patur një mik të mirë nga Mokrica, se edhe unë përmetar jam nga Katundishta e Këlcyrës. Atë mikun tem e quanin Njazi, Njazi Rakipaj dhe shoh që ti i ngjake shumë në të parë
-Eshtë xhaxhai im Njaziu, ndjesë pastë! – i thashë
-Po më vjen keq, që paska vdekur Njaziu, ishte goxha burrë dhe shumë i mënçëm. Si more ti nipi Njaziut? Eja more djalë të të përqafoj… Ty sa të dënuan? Shumë të paskan dhënë, por mos u mërzit, se je i ri. Sa vjeç je? 26 – i thashë. “Eh, ty burgu të ha munë… Po një porosi kam për ty dhe ju të rinjtë, rytë djem dhe duhet të dilni burra që këtu dhe jo gra… Më more vesh? Edhe hiç mos u trëmbni, se komunizmi i ka të nëmëruara ditët! Lum ju që ini të rinj e do gëzoni, kështu të them. Po eja të të bëj një kafe të mirë e të llafosemi më vete se ja, u afrua ky qeni… dhe tregoi me dorë dikë që ishte afruar pa u ndjerë.
Eja se kam një histori me xhaxhanë tënd… Dhe duke pirë kafe me Xhemalin, me tregonte… Që thua ti, Njaziu qe dënuar me 17 vjet. Kemi qenë bashkë në Burrel, dhe si përmetarë na hahej shumv muhabeti. Aty nga viti ’68-’69, unë mbaroja burgun e dytë, edhe ca ditë më kishin mbetur… I them të ziut Njazi: Dëgjo vëlla, – thuama emrin e atij qëni që të spiunoi dhe u bë sebep që po bën gjithë këtë burg! -Avni Male, e quajnë mutin më tha Njaziu. Ja burri burrit i them, do t’ja gjej anën dhe do t’ja heq kokën halesë…
Dola nga burgu i Burrelit, dhe që thua ti, drejt e në Përmet… Aty e në Degë të Brendshme të paraqisja fletën e lirimit. Mbaroj punë dhe shkoj të pi një kafe aty afër. S’kisha zënë vend mirë, kur më afrohet një mesoburrë. Me leje të ulem, më thotë ky… Po ulu o ulu, – i them, – po vende bosh ke plot këtu…
-Ka vënde ka, po desha të ndrroj nja dy llafe me ty… Nga burgu vjen zotrote?
-Po, – ia ktheva – nga Burreli,
-Ashtu?! A e ke njohur gjë Njazi Rakipajn atje? Se e kam timin…
-E kam njohur the, po e kisha mik, dhe po them që duhet të mburresh me Njazinë, dhe në e ke tëndin, duhet të më rrëfesh si ta gjej atë hale Avni Male, se dua ta qëroj halenë e mutit, se ka marrë më qafë një njeri si Njaziu, dhe jo vetëm atë.
-Mos ki merak më thotë, ta gjej unë…
S’u mbyll muaji që isha liruar, kur më fshijnë prapë mua… dhe drejt e në birucë. Në gjyq dëshmitar… më beson apo jo? Avni Malja, ai muti që pimë kafenë bashkë, kur u lirova… Ama në gjyq, kur e kisha fjalën e fundit u drejtova nga salla:
O Popull i Përmetit! Shiheni, njiheni dhe ruajuni nga ky zagar që po i vesh me të zeza nënat përmetare…
Prokurori: mbylle i pandehur!

-Mbylle ti! Kur fole ti, unë dëgjova dhe ma ngope 10 vjet, pa bërë gjë prej gjëje… po dua të paktën të shpëtojnë të tjerët, e të mos përvëlohen si unë që s’e njihja… Njiheni dhe hapeni llafin… Ruajuni nga ky qen… Avni Male ja thonë emrin… që ju harroftë ishallah, Ja për Baba Tomorr!
(fragment nga Libri “Gjallë pas mbytjes së anijes…” fq.42-44)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Faleminderit Jozef Radi,
    faleminderit për vëmendjen tuaj në këtë shkrim timin modest, për këtë libër me shumë kujtime dhe dhimbje njëkohesisht… Faleminderit Maks Rakipajt që i solli këto dëshmi të jetuara për së gjalli në burgjet e regjimit të egër komunist…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.